BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

Qeveria të kthejë sytë nga fermerët

Qeveria të kthejë sytë nga fermerët

Shqipëria ka rreth 430 mijë fermerë. Paketa e mbështetjes financiare prej 743,9 milionë lekë, ose (për 4000 mijë familje fermere) është një mbështetje modeste, apo një “larje goje” nga qeveria. krahasuar me numrin e lartë të fermerëve në vend. Pavarësisht fondit shtesë prej 400 milionë lekë për të mbështetur rreth 95% të aplikantëve ose 8 mijë fermerë të cilët merren kryesisht me blegtori. Në kohën kur koronavirusi është ende “nëpër këmbë” dhe po e vështirëson lirinë e jetës gjithmonë e më shumë fermerët janë në kushte tejet të vështira dhe pa mbështetjeje reale nga shteti. Ndërkohë që, bujqësia përbën 20% të ekonomisë së vendit. Madje fermerëve nuk ju dha e drejta për të përfituar as pagën e luftës në kohën kur ishin në karantinë dhe ndalohej lëvizja e lirë për të shkuar drejt qytetit dhe shitur prodhimet bujqësore. Në fakt shitja e prodhimit është një problem i madh për fermerët. Prej vitesh ata vuajnë nga mungesa e tregut dhe shitjen e tij nën kosto dhe vazhdojnë të kenë të njëjtin problem prej vitesh. Nuk janë të pakta herët që fermerët kanë protestuar dhe ngritur këtë shqetësim në media, si elektronike edhe atë të shkruar, por gjithçka ka rënë në vesh të shurdhër. Mjafton të vëzhgojmë për disa muaj sesi funksionon puna dhe të shohim sesa i pambrojtur është fermeri shqiptar nga shteti i vet. Shkak nuk është vetëm karantina, apo situata e pafavorshme që po kalojmë, ajo është një ndër shkaqet. Fermerët kanë pasur po të njëjtin shqetësim edhe trajtim nga shteti edhe më parë. Muaji prill fatkeqësisht përkon me kohën kur i gjithë vendi ishte në karantinë dhe fermerët nuk mund të shisnin dot prodhimet e tyre, së pari për shkak të mungesës së lëvizjes dhe së dyti për shkak të mungesës së tregut vendas dhe të huaj që ka qenë gjithmonë problem. Prodhimi i huaj ka mbytur atë vendas për vite me radhë dhe është kthyer në pengesë serioze për shitjen e prodhimit vendas. Në fillim të muajit prill fermerët e fshatit Samaticë të Beratit hodhën prodhimet e tyre bujqësore në kanal. Të njëjtin shqetësim patën edhe fermerët e fshatit Goriçanë të Kutallisë po në Berat që hodhën prodhimet e tyre në kanal. Ndërkohë disa ditë më vonë banorët e Korçës protestuan për mbetjen e prodhimeve bujqësore stok, kryesisht patate. Shqetësim ky i përsëritur nga fermerët korçarë.

Në muajin maj vendi akoma nuk kishte dalë plotësisht nga karantina përveç disa lehtësirave në lëvizjen e njerëzve, çka ishte një nga pengesat për shitjen e prodhimeve bujqësore, por jo vetëm. Fermerët e Lushnjës protestuan për mosshitjen e prodhimeve bujqësore, apo shitjen e tyre nën kosto, shkak ky që fermerët nuk mbuluan as shpenzimet e tyre. Ndërkohë fermerët e fshatit Lumalas të Korçës hodhën prodhimet e tyre në kanal, kryesisht patate, ku çmimi shkoi 10 lekë për kg. Të njëjtin problem kishin edhe fermerët e Shishtavecit në Kukës për mbetjen e patates stok. Po në muajin maj fermerët e Godoleshit në Elbasan ngritën zërin për mos shitjen e qershisë. Bujqësia është baza e ekonomisë së fermerëve në fshat dhe mosshitja e prodhimit, apo shitja e tij me çmim qesharak rrënon ekonominë familjare. Në muajin qershor që përkon me kohën e korrjes së grurit, tërshërës dhe elbit fermerët e Myzeqesë u ankuan për mbetjen e tij stok, apo shitjen e tij nën kosto. Një kuintal grurë shitet me 3 000 lekë dhe një kuintal tërshërë rreth 2 800 lekë. Ndërkohë që, çmimi nuk justifikon koston e punës së tyre për gjatë gjithë vitit. Problemi ende vazhdon edhe për muajt në vazhdim korrik e gusht. Kjo është edhe arsyeja që po zvogëlohen sipërfaqet e mbjella me grurë nga viti në vit në Myzeqe. Viti 2019 shënon uljen më të madhe të prodhimit në të gjithë kohët. (Sipërfaqja e mbjellë me grurë në Bashkinë Fier për vitin 2018 ishte 4710 ha, kurse për vitin 2019 ishte 4430 ha). Në muajin korrik por jo vetëm, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me fermerët në Pogradec e Devoll, të cilët ngritën shqetësimin për mosshitjen e prodhimeve bujqësore. Tashmë jemi në kushtet që vjeshta po afron dhe fillon punimi dhe mbjella e tokave bujqësore, kurse qeveria nuk ka krijuar asnjë lehtësi për fermerët në uljen e çmimit të naftës, farërave, plehrave organikë dhe pesticideve që ndikojnë në koston e prodhimit. Nuk ka krijuar asnjë lehtësi për ngritjen e pikave të grumbullimit dhe shitjen e prodhimeve bujqësore. Të mos harrojë që janë 430 mijë fermerë në Shqipëri, të ardhurat e të cilëve varen kryesisht nga puna në bujqësi, apo rreth 50% e popullsisë. Është e kuptueshme që politikanët dhe fermerët jetojnë në dy botë të ndara, të parët shpenzojnë kohën mes luksit dhe kompromiseve për mbajtjen e pushtetit, ndërkohë që të dytët presin të kenë lehtësira nga të parët, që përpiqen gjatë gjithë kohës t’u japin zgjidhje kryesisht problemeve të veta.