BREAKING NEWS

Maturantët çohen në protestë para Qendrës për Shërbimin Arsimor, reagon 'flakë për flakë' ministrja Evis Kushi, tregon vendimin që pritet

Maturantët çohen në protestë para Qendrës për
x
BREAKING NEWS

Priten zhvillime të rëndësishme! Socialistët mbledhin sot Kongresin e jashtëzakonshëm në stadiumin “Air Albania”, rizgjidhen strukturat. Zbardhet e gjithë axhenda

Priten zhvillime të rëndësishme! Socialistët mbledhin sot
x
BREAKING NEWS

“Për të gjithë ata që i japin PS diçka sado të vogël”, Rama del me mesazhin e fuqishëm për të gjithë socialistët

“Për të gjithë ata që i japin PS diçka sado
x
BREAKING NEWS

PS mbledh sot Kongresin, paralajmërohet furtunë në parti dhe në administratë, emrat me më shumë vota drejt katapultimit në qeveri

PS mbledh sot Kongresin, paralajmërohet furtunë në parti dhe
x
BREAKING NEWS

Shantazhet e Berishës ndaj SHBA për të marrë PD, blof për të rritur pazarin, deputetët demokratë kundër rikthimit të tij

Shantazhet e Berishës ndaj SHBA për të marrë PD, blof
x

Opinion / Editorial

Qeverisja Rama, ekosistem i parave të pista

Qeverisja Rama, ekosistem i parave të pista

Revista prestigjoze “The Economist”, në numrin e saj të datës 22 maj 2021, i ka kushtuar një shkrim fenomenit të pastrimit të parave, i cili po lulëzon në Ballkan. “Megjithëse ekonomitë e vendeve të Ballkanit janë goditur rëndë nga Covid-19”, thekson “The Economist”, “çmimet e pronave në pjesë të rajonit, sidomos në Shqipëri, e kanë sfiduar krizën. Në Tiranë, ato janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2017. Në të gjithë Shqipërinë, vlera e transaksioneve të pasurive të patundshme u rrit me 6.7% në vitin 2020” (https://www.economist.com/europe/2021/05/22/balkan-money-laundering-is-booming), faqe 37). Artikulli cilëson se paratë e pista po pastrohen përmes pasurive të paluajtshme, duke shtrembëruar tregun dhe duke rritur çmimet, si dhe duke shkaktuar zemërimin e njerëzve të zakonshëm që duan të blejnë një shtëpi. Kulla të reja luksoze po ngrihen në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd. Sipas “The Economist”, pastrimi i parave të drogës, veçanërisht nga trafiku i kokainës, i cili ka lulëzuar në vitet e fundit, është një arsye pse çmimet po rriten. Një tjetër arsye është se zyrtarët e korruptuar duhet të investojnë paratë e tyre. Të gjitha vendet e Ballkanit kanë ligje të mira për parandalimin e pastrimit të parave, por zbatimi lë për të dëshiruar, sidomos në Shqipëri. Më 21 shkurt 2020, Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) e “Moneyval”, strukturës së përhershme të Këshillit të Europës, e cila vlerëson zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave e krimit të organizuar, e futi Shqipërinë në Listën Gri 2020 të monitorimit të përqëndruar për rrezikun e pastrimit të parave (https://www.fatf-gafi.org/publications/high-risk-and-other-monitored-jurisdictions/documents/increased-monitoring-february-2021.html). Shqipëria u rifut sërish në këtë listë, pasi kishte dalë prej saj në vitin 2015 dhe qëndroi pesë vite nën vëzhgim, me synimin për ta nxjerrë përfundimisht nga zona e rrezikut. Tre vite më parë, në korrik 2018, po MONEYVAL paralajmëronte: “Korrupsioni në Shqipëri paraqet risqe të larta të pastrimit të parave, shpesh të lidhura me krimin e organizuar, duke gjeneruar sasi të konsiderueshme të ardhurash...Të ardhurat nga krimi po qarkullojnë dhe investohen në disa forma, për shembull përmes investimeve në pasuritë e paluajtshme dhe në kompani tregtare” http://www.fatf-gafi.org/media/fatf/documents/reports/mer-fsrb/MONEYVAL-MER-Albania-2018.pdf). Në raportin vjetor dërguar Kongresit Amerikan mbi pastrimin e parave dhe publikuar më 3 mars 2021 (https://www.state.gov/2021-incsr-volume-ii-money-laundering-as-submitted-to-congress/), Departamenti Amerikan i Shtetit(DASH) u shpreh se “Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm drejt pengimit të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në vitin 2020. Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare...Trafikimi i narkotikëve dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar janë burimet kryesore të pastrimit të parave. Afërsia e Shqipërisë me Europën Perëndimore dhe prania e krimit të organizuar shqiptar në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Jugut rrisin dobësitë. Investimet në pasuri të paluajtshme dhe projektet e zhvillimit të biznesit janë ndër metodat më të përhapura të pastrimit të të ardhurave të paligjshme”. (faqe 37 e Raportit. https://ëëë.state.gov/ëp-content/uploads/2021/02/21-00620-INLSR-Vol2_Report-FINAL.pdf). Në një tjetër raport për trafikun ndërkombëtar të drogës, DASH thotë se organizatat e trafikut të drogës janë duke e shtrirë prezencën e tyre edhe në rang global. Sasitë e kokainës kapur në Europën Perëndimore janë të lidhura me shtetas shqiptarë, të cilët e trafikojnë drogën për tregjet europiane direkt nga Turqia apo vende të Amerikës Latine, duke përfshirë edhe Azinë.

Një studim për Ballkanin nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (Global Initiative against Transnational Organized Crime – GI), një rrjet OJF-sh dhe studiuesish të pavarur, të titulluar “Analiza e flukseve të njerëzve, drogës dhe parave në Ballkanin Perëndimor” (https://globalinitiative.net/analysis/western-balkans-crime-hotspots-3/), i publikuar më 10 maj 2021, thekson se “…midis 2017 dhe 2020, Tirana përjetoi një bum ndërtimesh dhe rritje të madhe të çmimeve të pronave. Çmimi i një metri katror në një apartament banimi mesatar në Tiranë ishte rreth 861 euro në vitin 2017. Por në vitin 2020, vetëm tre vite me vonë, në kulmin e pandemisë, çmimet pothuajse u dyfishuan duke arritur nivelin e 1,400 – 2,000 eurove për një metër katror. Kudo në bregdet, grupet kriminale mendohet se kanë investuar në sektorin e turizmit, duke përfshirë hotele luksoze. Çmimet janë rritur nga 600 në 700 euro për metër katror në vitin 2017 në bregdet, në 1,000-1,200 euro në fillim të vitit 2021. Sipas tabelave të studimit, Tirana është kryeqyteti me çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në rajon (që arrijnë deri në 4 mijë euro për metër katror për kullat e reja, ndërsa luhaten mes 1400-2000 euro në pjesën qendrore të qytetit). Ekspertët kanë argumentuar se kjo rritje e lartë në kryeqytetin shqiptar nuk mund të shpjegohet me kërkesën më të lartë nga ekonomia reale ose rritjen e nivelit zyrtar të të ardhurave, por drejtohet kryesisht nga paraja nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, para e investuar në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme. Në Tiranë, aktualisht janë planifikuar projekte shtesë luksoze në qendër të qytetit që nuk pasqyrojnë forcat normale të tregut. Një ekspert i pasurive të patundshme në Shqipëri u ka shpjeguar autorëve të studimit të Global Initiative se një përqindje e madhe e njerëzve që blejnë apartamente luksoze përdorin para të paligjshme dhe paguajnë me cash. Edhe kur pagesat nuk bëhen me para, por përmes sistemit financiar dhe bankave, ekspertët argumentojnë që verifikimi e burimit të fondeve mbetet tejet sporadik. Edhe pse kërkohet që transaksione prej më shumë se 10, 000 euro të bëhen përmes transfertave bankare, kompanitë e ndërtimit bëjnë të mundur ndarjen e pagesave në këste të vogla me më pak se 10, 000 euro secila dhe të deklarojnë një çmim fiktiv më të ulët se ai reali, duke u mundësuar individëve të fshehin origjinën e vërtetë të parave të tyre. Industria e ndërtimit vazhdoi të rritet në Shqipëri edhe gjatë pandemisë nga COVID-19, pavarësisht tkurrjes së përgjithshme të ekonomisë së vendit prej kufizimeve. Në fakt, pavarësisht pandemisë së COVID-19, INSTAT regjistroi nivel të lartë të sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2020. Ndërsa në tremujorin e dytë 2020, ekonomia shqiptare u tkurr mesatarisht me 10.2%, aktiviteti i pasurive të patundshme vazhdoi të zgjerohej me 5.5%. Një sasi më e vogël të ardhurash të paligjshme kanalizohet në përdorimin e bizneseve nga trafikantët nëpërmjet financimeve cash në restorante, bare, stacione karburanti dhe kompani taksish. Këto biznese janë veçanërisht të përshtatshme për të pastruar shuma më të vogla, të cilat më pas përfshihen gjithashtu në sistemin bankar. “Paratë e pista, të gjeneruara dhe të pastruara në rajon, po mbajnë gjallë një ekosistem të krimit dhe korrupsionit”, shprehet Kristina Amerhauser, një nga autoret e studimit të Global Initiative (GI). Këtë ekosistem po e kultivon në mënyrën më të paskrupullt dhe skandaloze qeverisja e sektit Rama, që pasi vodhi dhe masakroi zgjedhjet e 25 prillit, është lëshuar në rënie të lirë drejt kapjes së plotë të shtetit dhe shndërrimit të Shqipërisë në një qendër të pakonkurrueshme në Ballkan, në shpërndarjen e kokainës drejt Perëndimit dhe në pastrimin e parave të trafiqeve të paligjshme në mbarë ekonominë e vendit.