BREAKING NEWS

Përfundon takimi 1 orësh ‘kokë më kokë’ i Lulzim Bashës me ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë

Përfundon takimi 1 orësh ‘kokë më kokë’ i
x

Opinion / Editorial

Qyteti im i dashur edhe mes heshtjes shkëlqen!

Qyteti im i dashur edhe mes heshtjes shkëlqen!

Saranda, si gjithë qytetet e Shqipërisë, ka ditë që jeton në qetësinë dhe heshtjen që kanë mbuluar kufizimet drastike prej virusit kovid-19. Është i gjithi në karantinë. Është koha që në kushte normale do ishte mbushur nga të rinjtë, maturantët e gjithë vendit të cilët para provimeve shtetërore e kanë bërë traditë të vijnë në qytetin e kaltër për t`u relaksuar e frymëzuar me bukuritë që shpalos që nga gjiri i kaltër, fshehur pas burgut. Rrugët e zhurmshme, kafetë e baret e lakumara, atje ku të rinjtë e të moshuarit ulen për të bërë bilancin e ditës, ku çiftet e reja pëshpëritshin fjalë të ëmbla dashurie dhe që jetojnë si të ishin në qiellin e shtatë, mungojnë, duke lënë të zbrazura karriget, e tavolinat të cilat sikur lotojnë nga mungesa e tyre. Në vend të të qeshurave, baret duket sikur janë mbushur me dhimbje e trishtim. Buzë deti vendi më i preferuar i qytetarëve sarandiotë është I heshtur, pllakave të gurta, u mungojnë hapat e atyre që mbrëmjeve zbresin këtu për të bërë ritualin e gjithhershëm për të thithur jodin e Jonit aq të athët e të ëmbël, të mësuar për të mbushur mushkëritë me puhinë e detit që llokoçitet në vetminë e vet, sikur të ishte i braktisur, pikërisht në këtë periudhë kur ndër vite vizitorët kanë qënë të pafund dhe jo vetëm bashkëqytetarët e përhershëm, po edhe ata që vijnë që nga Shkodra e Korça, Kukësi apo Tirana. Rrallë mund të takosh një makinë të lëvizi nëpër rrugën numër një apo pesë. Të gjithë janë të detyruar të zbatojnë rigorozisht fashat e lejuara dhe të sigurojnë autorizimin për lëvizje brenda apo jashtë qytetit. Bregdeti, u ka mbetur i gjithi pulëbardhave të cilat zbresin nga lartë e çukitin buzë rërës në kërkim të ushqimit i cili mungon në bulevard pasi në të nuk ka asnjë thërrime apo farë luledielli që flakin pasi i përtypin të rinjtë.

Sarandiotët, po bëhen të gjithë nga pak informaticienë. Kanë nisur të shënojnë kode e të hapin portale, si e vetmja rrugë e komunikimit e cila nga fizike është bërë elektronike, virtuale. Smartfonët, aifhonët janë mjetet më të përdorura, miqtë e vetëm, duke na shndërruar të gjithëve në njerëz dixhital. Gati të gjithë dhe secili ka shtuar adresa dhe emra të rinjë. Telefoni, është mjeti më i zakonshëm i komunikimit. Zilja bie deri në mesnatë duke të tronditur. Pas sinjalit pret se diçka do mësosh. Mijëra adresa interneti janë hapur, duke iu shtuar miliona të të tjerave dhe bisedat nisin herët në mëngjes dhe mbyllen pas mesnate. Ndonjë i vonuar apo nga matanë oqeanit, harron që ka kaluar ora 12 e natës dhe e nisë thirrjen sikur të ishte mesditë. Shumëkush ka ngatërruar ditën me natën. Çorinetimi kohorë është i natyrshëm dhe i justifikueshëm. Institucionet që nga bashkia deri tek kujdesi për klientin qëndrojnë të hapura në pritje të qytetarëve të cilët shkojnë në to për shumë problematika që hasin në përditshmërinë e tyre. Shumica e klientëve të energjisë nuk presin të shkojë ora tetë e mëngjesit, po paraqiten tek sportelet për të kryer pagesat pasi jo të gjithë kanë mundësinë të kryejnë veprime përmes telefonit apo kompjuterit. Administratat e institucionet punojnë me orare të reduktuar. Përjashtim bën vetëm shërbimi shëndetësor dhe mjekët e infermierët që qëndrojnë si më parë në pritje të qytetarëve për problematikat shëndetësore që kanë. E njëjta gjë edhe me supermarket e farmacitë të cilat punojnë nonstop.

Faza fillestare që i gjeti pa rezerva të mjaftueshme të dizinfektantëve, është kapërcyer dhe tani mund të gjesh alkool edhe një litrërshe. Edhe pse secili ka krijuar rezervat e veta në familje, nuk reshtet, duke blerë të tjera, duke i kthyer shtëpitë në mikrofarmaci. Studentët qëndrojnë në shtëpi dhe ndonjëri prej tyre edhe lexon ndonjë leksion, duke gjykuar se kushedi kur do çelen auditoret. E njëjta edhe për nxënësit e shkollave të mesme e ato nëntëvjeçare. Të rinjtë sarandjotë që kurrë nuk do pranonin të qëndronin në karantinë dhe do shpërthenin edhe muret prej çeliku për të shëtitur me shokët e moshës dhe për të takuar të dashurat, si me komandë janë duke iu nënshtruar këshillave të mjekëve për të qëndruar në shtëpi. Ata që nuk bëri asnjë urdhër apo këshillë e bëri frika i infektimit nga koronavirusi i cili endet kudo dhe nuk duket asgjëkund deri sa shpërthen një vatër e re. Saranda dhe zonat përreth, deri sot nuk kanë asnjë të infektuar nga kovid-19. Po kjo nuk do mbetet e përhershme. Saranda nuk është ishull I vetmuar dhe nuk ka si t`i shpëtojë rrezikut edhe pse sot është e gjitha e ngujuar. Në këtë karantinë të përgjithshme, më trimat, ata që kanë hobi fizkulturën dhe gjimnastikën, pasditeve kapërcejnë gardhin e lartë të rrethimit të shkollës “Hasan Tahsini” dhe u ngjiten paraleleve të hekurta të vendosura atje që prej dyzetë vitesh, duke u relaksuar përmes forcës për të mbajtur trupin në formë. Pasioni i tyre del mbi frikën. Këto ditë edhe pse të trishtuara, mendjen dhe shpirtin e sarandiotëve nuk e kanë zbehur asnjë grimë shkëlqimin e Jonit dhe vallëzimin e dallgëve, puhinë e detit që frynë mbi ballinat e apartamenteve që nga “Kanali i Çukës deri tutje tek Teqeja e lagjes “Baba Rexhepi”. Saranda mbetet po aq e bukur sa edhe dje. Asgjë nuk mund t`ia zbehi shkëlqimin dhe t`ia errësojë ndriçimin. Bluja e detit dhe ngjyra e bronxtë në perëndimin e diellit, janë emblema që nuk mund të mos i shijosh edhe nga ngujimi e karantina e tejzgjatur.

Ajo që mungon është prekja e blerimit dhe aroma e luleve që ka shpërthyer rreth maleve dhe kodrave që qarkojnë Sarandën. Na mungon shëtitja dhe ecja në natyrë. Mbyllja tek të gjithë bashkëqytetarët e mi, ka sjellë një ndryshim të madh në stilin e mënyrën e jetesës, tek kuptimi I vlerë s ë lirisë së lëvizjes dhe mungesa e punës. Të gjithë thonë, se u mungojnë miqtë. Të afërmit. Shokët. Fëmijët. Dhe do zoti që në këto ditë të mos na sëmuret ndonjëri nga tanët edhe për sëmundje rutinë. Menjëherë të shkon mendja tek infektimi nga kovid-19. Ajo që mungon është puna në radhë të parë pa të cilën nuk ka jetë. Kolegia e zyrës time, Denisa Çika, më thotë, se djali I saj, Eljoni, tetë vjeç në klasën e tretë, deri tani e ka suportuar qetë këtë situatë të mbylljes në shtëpi. Ka bërë detyrat, si gjithnjë. Ka lexuar. Ka parë përrallat. Po përsëri nuk është i qetë. Më mungon dielli, mami, thotë,shokët e futbollit dhe dua të dal qoftë edhe pesë minuta në rrugë. Dhe del e kthehet për t`u ngujuar përsëri. Të gjithëve na mungon shumçka. Vetëm qytetit nuk i mungojnë ditët me diell dhe detit mikut tonë të përjetshëm nuk i mungon shkëlqimi dhe bluja deri në thellësi. Është në pritje të miqve të përvitshëm. Duket si një qënie e gjallë që na pyet që nga thellësia: A do vini në gjirin tim?! U pres! Jemi miq të përjetshëm me detin. Këtu më keni! Nuk është indiferenca që na mbanë larg. Virusi, po.

Shqetësimit të qytetarëve, i është shtuar dëshpërimi i hotelierëve dhe agjentëve që kanë për profesion turizmin. Ky është sektori më i dëmtuar dhe shpresat për gjallërim janë të pakta. Pronarët e hoteleve turistike, u janë rrudhur ditët dhe u janë prapsuar rezervimet. Në horizont shpaloset një gjendje jo e mirë. Gjithsesi, shpresojnë tek mrekullia e tërheqjes së virusit dhe çlirimit të lëvizjeve dhe rikthimit të normalitetit. Çuditërisht edhe në këto ditë të karantinës, ku shumëkush, pyet për shtëpinë dhe ushqimin, diku në një segment të rrugës numër katër, mes agjencisë së mjeteve dhe spitalit, dy banorë të qytetit të Sarandës, Shpëtim Bllaca, ish ushtarak në pension dhe Sovjet Beluli, peshkatarë nuk i ndahen pasionit të tyre të kahershëm. Kujdesit për ullinjtë që kanë mbjellë para pallateve, buzë rrugës në trotuar. Ullinjtë dekorativë, janë frytë i pasionit dhe punës së tyre që edhe këto ditë vijonë. Ata dalin herët në mëngjes. Me shat, duke punuar rreth trungjeve të holla të ullinjve, me plehrat e dizinfektantët që u hedhin në kuror apo në trungje, sikur duan ti mbrojnë nga kovid-19. Pasioni për të bukurën që i shërben qytetit tonë është i admirueshëm tek ata. Dhe kur kalojmë para tyre urojmë që ullinjtë që kanë mbjellë dhe tani janë rritur të mbeten simboli i qytetarisë së Sarandës tonë. Secili duhet të mësojë se mund t`i shtojë diçka qytetit në gjerdanin e bukurive të veta nga puna dhe fantazia e tyre, ashtu siç bëjnë dy pensionistët, Sovjeti dhe Shpëtimi që edhe në këto ditë koronovirusi nuk i kanë lënë ullinjtë e tyre në vetmi. Është një vepër e bukur që bie erë qytetari dhe përkushtimi. Sa do donim që ata të dy të kishin në krah disa qindra të tjerë! Dhe është qyteti ynë, Saranda jonë do shkëlqente dhe më shumë. Asnjë virus nuk do t`ia zbehte bukurinë dhe nuk dio ia fishkte freskinë. Saranda jonë, shkëlqen edhe në këto ditë karantine, përballë virusit që kërkon t`i marrë banorët e saj për t`i degdisur drejtë errësirës. Po shkëlqimi i saj, është vaksina më e mirë në mbrojtje të jetës dhe banorëve të lidhur pazgjidhmërishtë me të. Jeta gjithnjë e ka sfiduar vdekjen. Kështu do ndodhi edhe me pandeminë me të cilën luftojmë përditë.