BREAKING NEWS

Koronavirusi drejt zhdukjes në Shqipëri, ja sa persona kanë rezultuar të infektuar me Covid-19 në 24 orët e fundit, asnjë humbje jete

Koronavirusi drejt zhdukjes në Shqipëri, ja sa persona kanë
x
BREAKING NEWS

Mjekësia në zi/ Ndahet nga jeta mjeku i njohur shqiptar, kolegët e tij japin lajmin e trishtë: Humbje e madhe! (EMRI+FOTO)

Mjekësia në zi/ Ndahet nga jeta mjeku i njohur shqiptar, kolegët
x

Opinion / Editorial

Rama e fton për bashkëpunim, Basha e kërcënon me arrestim!

Rama e fton për bashkëpunim, Basha e kërcënon me arrestim!

Kjo metoda e kërcënimeve për arrestime po bëhet gati strategji politike. Edhe pse është anti vlerave të demokracisë. Liderë politikë, kërkojnë me këmbëngulje të shfaqen jo si politikanë, po prokurorë me hekura në dorë që të arrestojnë kur të dëshirojnë. Arrestimi i kundërshtarëve po hyn në zhargonin e përditshëm si dëshmi e papjekurisë politike dhe bërjes lëmsh të pushteteve. Aq më tepër përmasë groteske kur shënjestrohet kryetari i PS, kryeministri i Shqipërisë, konfirmuar për herë të tretë me epërsi të dukshme nga partia e renditur e dyta në zgjedhjet e 25 prillit. Në realitet është pretendim fantazmagorik, hiperbolik dhe fantazist. Kërcënimet me arrestim të kundërshtarëve politikë të deklaruara me pompozitet nga krerët e opozitës rreshtuar në koalicionin PD-AN, gjatë fushatës u dukën si shashka tymuese, për t’u dhënë guxim militantëve dhe motivuar pjesëmarrjen në zgjedhje me votën pro pretendentëve për pushtet. Kur kërcënimet për arrestime, u shndërruan në kalë beteje për kryetarin e PD-së, në opinionin e gjerë shoqëror mes qytetarëve të zakonshëm, u cilësua më shumë si prokuror e gjyqtar se kryetar. Nuk munguan hamendësimet përse Basha, kërcënonte me arrestime në një kohë kur ndalimi, heqja e lirisë, gjykimi, dënimi me burg, është e drejtë kushtetuese e policisë-prokurorisë dhe gjykatave të Shqipërisë? Arrestimet bëhen vetëm nëse provohet fajësia, atëherë merret edhe vendimi për heqjen e lirisë për cilindo. Ndryshe duket si drejtësi partizançe si qëmoti që me një urdhër pushkatoheshe dhe me një fjalë goje dënoheshe. Përkundër kërcënimeve me burg nga liderët e opozitës. mazhoranca asnjëherë nuk e përmend fjalën burg, apo arrestim. Kjo do ishte e papranueshme. Nëse do ndodhte nga politika do ishte e drejtë të konceptohej si frikësim dhe intimidim i opozitës, veprim kriminal dhe bolshevik i mazhorancës, e cila edhe pa këto kërcënime akuzohet në mënyrë permanente si dhunuese e të drejtave të individit, së pari të opozitës që shpallet si progresiste dhe shpresë e padiskutueshme e shqiptarëve për demokraci funksionale dhe mirëqenie. Është në të drejtën e opozitës të zhvillojë beteja pa fund për të mundur me votë mazhorancën dhe për të fituar përmes zgjedhjeve dhe votës së lirë e të ndershme. Të ngrejë në qiell skandalet, dërmojë e godasë bëmat e kundërshtarëve me fakte e prova. Të çojë në këmbë të pakënaqurit, të zhvillojë betejën e vet për të vënë para përgjegjësisë pushtetin për të gjitha rastet kur punët nuk ecin a konstatohen shkelje të rënda të përdorimit të buxhetit, korrupsionit dhe shpërdorime të fondeve publike. Për të gjitha këto, opozita ka qytetarët me vete, mbështetje të fuqishme në rrugën e saj për të goditur fenomene të tilla që nuk dëmtojnë vetëm opozitën, po vetë shtetin, kombin shqiptar që nuk ka pse vuan papërgjegjshmërinë e zyrtarëve dhe administratës, subjektivizmin, dëmtimin e ekonomisë dhe bëhet pengesë e progresit dhe zhvillimit. Është e drejta e opozitës të ngrejë qytetarët në këmbë nëse shkelen të drejtat e liritë dhe bëhet pengesë për të integruar Shqipërinë në BE. Për të gjitha këto, opozita ka tërë të drejtën me vete. Po kur strategjia politike minimizohet tek kërcënimi grotesk se do futin në burg liderët e mazhorancës, kur prangat i tunden para syve kryeministrit Edi Rama, vetëm se ai shihet si pengesë për ardhjen e PD dhe koalicionit bashkangjitur në pushtet. Kur fyhet, denigrohet, shahet, mallkohet, kur në çdo cep rruge, në malet e Dibrës, Kukësit, sheshe e shtigje, ku kalon Rama, nxirret dikush të bërtasë si plakat e marra të fshatit, sloganin “Rama ik”, apo më keq kur kërcënon kryeopozitari me burg e dërgim pas hekurave si kundërshtar politik, deklaron se po i soset durimi dhe do japi verdiktin final, atëherë qytetarët me të drejtë gjykojnë se lideri i opozitës është në hall të madh. Është në trishtim të thellë, i tronditur, i drobitur. Se nuk bën kryetarin e partisë po kryeprokurorin e Shqipërisë. Edhe pse nuk është përfaqësuesi i akuzës, Kryetar i Gjykatës së Apelit, drejtues i Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka tagrin të dënojë asnjë hajdut ordiner. Jo më kryeministrin e vendit. Dëgjon përbetime të tilla dhe gjykon me të drejtë se kryeopozitari është nën pushtetin e humbjes, mllefi i ka mpirë arsyen, i ka goditur logjikën, i ka prekur psikikën. Asnjë kryeopozitar në botë nuk guxon t`i kërcasë dhëmbët e të bëjë fuqiplotin se ka në dorë Kodin Penal se të fut e të liron nga burgu. A ka këtu ndarje pushtetesh? Apo Basha kërkon t’u thotë të tijëve: E shikon sa guxim kam? Vetëm e fut në burg Edi Ramën. Se vetëm me mua shpëtoni prej tij! Kur kryeopozitari ka marrë në duar drejtësinë? Që kur Basha ka fituar të drejtën për të futur më qeli kryeministrin apo një qytetar të zakonshëm të këtij vendi? Si guxon Lulzim Basha të kërcënojë me arrestime direkte të bëjë pretencën, gjykimin, dënimin në një kohë kur fituesi i zgjedhjeve, para dhe pas 25 prillit e fton për bashkëpunim dhe për të bërë politikë në interes të Shqipërisë, qytetarëve dhe të ardhmes për të gjetur gjuhën e përbashkët të ecjes përpara pa u ndalur për të zhvilluar ekonominë rritur mirëqenien dhe përfunduar reformat e mëdha që presin të konkretizohen?! Si mund të justifikohet kryepozitari të përdor pa reshtur kërcënime për arrestime si të zbriste nga kupola e drejtësisë hyjnore? Me kërcënimet për arrestime në një kohë kur nuk ka asnjë mundësi praktike së paku sot kur është në hall të madh duket si alibi përballë zhgënjimit të demokratëve që i përgatiti shpirtërisht për fitore me çdo kusht, kur është nën goditjet e fuqishme të atyre që kërkojnë një PD ndryshe dhe duan reformim të partisë. Pikërisht nga halli merr guximin të kërcënojë me arrestimin e Edi Ramës! Edhe nëse është strategji për mos të mbajtur përgjegjësi, për mos dhënë llogari para partisë, për të bërë të viktimizuarin, të hedhi lumin, të ruajë kolltukun dhe selinë, partinë, firmën e vulën, të ruajë pasurinë e privilegjet, të vjelë përfitime e të shtojë fitimet, vila e resorte e llogari nuk justifikohet agresiviteti. Të hiqesh sikur të kanë vjedhur fitoren, të bësh triumfatorin, të tundësh prangat në duar, të bësh policinë sekrete të diktaturës me arrestime për të dënuar cilindo që rrezikon pushtetin nuk është baras me fitore të pushtetit. Kërcënime të tilla u ngjasojnë atyre të gjeneralit irakian në prag të pushtimit të Irakut nga forcat amerikane në kërkim të armëve kimike kur garantonte fitoren mbi ushtrinë amerikane. Gjenerali mori nofkën Ali Komiku. Tani radhën për këtë epitet e ka Basha si Bashkomiku me kërcënimet që bën. Jo që humbi zgjedhjet, po edhe nëse do kushte fituar në asnjë mënyrë nuk përligjet të përdor slogane të kësaj natyre, të trimërohet e të ngrejë zërin për arrestime që e bëjnë politikan të dobët dhe asgjë nga ato që deklaron edhe vetë nuk i beson. Kur kundërshtari politik të shtrin dorën e bashkëpunimit, më e pakta duhet të heshtësh, nëse nuk e pranon ftesën. Ka mijëra mënyra për ta hedhur poshtë. Po me argumenta veç, pa mllef dhe urrejtje. Tek e fundit është dora e shqiptarit për shqiptarin. Nuk është lutje as paragjykim aq më pak kurth apo miklim për të futur në thes opozitën, e cila ka integritetin e vet dhe merr vendimet sipas politikave dhe qëndrimeve që u duken më afër interesave të saj në rrugëtimin për pushtet. Po kurrsesi nuk ka vend për të bërë heroin dhe burrin e fortë. Nuk të merr askush seriozisht kur sapo humbe në betejë, nuk je fitues, po humbës dhe jo njëherë po pesë radhazi. Se nuk ke fituar asnjë betejë edhe pse lufta vazhdon dhe siç ka deklaruar Basha, tani nis rruga e fitores. Arrestimi i cilitdo në Shqipëri nuk bëhet me dëshira. Nuk ka bazë urrejtjen dhe mllefin. Janë veprat penale ato që motivojnë organet e drejtësisë të marrin lirinë e cilitdo. Besojmë, se Lulzim Basha e di kaq gjë aq më tepër që është shkolluar jurist në Holandë, ku nuk të prek askush, vetëm se nuk të pëlqen ty apo e shikon si pengesë për marrjen e pushtetit. E dimë që Basha ka ngarkesa. Sapo humbi një betejë që e cilësoi gjatë tërë fushatës vendimtare. U vetemërua kryeministër. Në mjediset e SHQUP-it e thërrisnin kryeministër. Ku mijëra të tjerë kishin ndarë tortën dhe prisnin të rrëmbenin lugët për ta shqyer ekonominë shqiptare. Premtimet fluturake nuk mund të zbatohen edhe me një ekonomi me tridhjetë për qind rritje. Biden, Presidenti i SHBA-së ditën e fitores kur pa pesimizmin që përfshiu humbësit, mbështetësit e Trump, iu drejtua atyre me fjalët: E di sa jeni mërzitur. E di se vuani. Sa herë e kam provuar këtë ndjesi! Po ky nuk është fundi. Kështu edhe Basha duhet të ngrihet në rolin që i takon. Të shkundi nga supet trishtimin dhe të flaki tutje pesimizmin, të reformojë partinë, ta përgatis për betejat e radhës fare pranë. Po nëse e gjithë strategjia e opozitës, kufizohet tek arrestimet dhe denigrimet, kërcënimet për zhdukje e nxjerrje jashtë skenës politike të kundërshtarëve, pa pasur asgjë në dorë, kjo gjuhë nuk flet për demokraci. Të kërcënosh me arrestime nuk është vetëm guxim i marrë. Nuk është thjesht të trembësh dikë aq më pak të mendosh se kështu fiton zemrat e militantëve, trimërohesh para tyre apo se ke kaq shumë fuqi sa të marrësh guximin për të deklaruar gjepura si këto që nuk të japin asnjë përfitim, të zvogëlojnë e të minimizojnë, të bëjnë liliput, komik, qesharak në sy të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Nëse kryeministri të fton për bashkëpunim, jo se është në pamundësi të drejtojë, se i mungojnë numrat, po për një politikë të re në emër dhe interesit të vendit dhe të ardhmes, dorës së shtrirë nuk mund t`i kundërvihesh me qëndrime ekstreme me cinizëm, fyerje aq më pak me tundje të prangave. Në të vërtetë, ky qëndrim nuk të çon askund. Të kthen në trasetë e betejave mes armiqsh dhe jo në bashkëpunim mes shqiptarëve që jetojnë në të njëjtin atdhe, flasim një gjuhë dhe mbi partitë duhet të vëmë Shqipërinë dhe ardhmërinë. Nëse Lulzim Basha e trajton ftesën me përçmim, është e keqja e tij. Nëse e gjykon si kurth nuk e ka kuptuar demokracinë. Nëse e sheh si dobësi, kjo është e keqja e tij. Papajtueshmëri mes palëve politike nuk do të thotë mos të gjenden pika takimi. Kundërshtarët politikë nuk janë armiq. Nuk kanë qëllime të papajtueshme. Mes tyre janë shqiptarët. Është Shqipëria. Atdheu ynë. Janë fëmijët tanë. E ardhmja e tyre. Është ekonomia. Janë reformat e mëdha. Është objektivi për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Në vitin 2021 nuk ka vend për luftë, zjarr, flakë, molotov, revolucion. Dhuna e protestat nuk janë zgjidhje. Braktisja e institucioneve nuk të shpëton. Palët në demokraci janë të dënuar të dialogojnë, të debatojnë. Të bien apo mos bien dakord kur është fjala për objektiva madhore për të shtruar shinat ku do eci vendi ynë në shekullin që jetojmë. Bashkëpunimi është detyrim që e imponon sistemi demokratik. Në vendet me demokraci reale, bashkëpunimi është ligjësi, praktikë e njohur, strategji, model. Vetëm në Shqipëri, kryetari i opozitës, ftesën e kryeministrit e trajton kurth, dobësi dhe i përgjigjet, jo me bashkëpunim, po me kërcënime për arrestim. Epo kështu nuk ecet. Nuk është politikë serioze kur ftesës për bashkëpunim, t`i përgjigjesh me arrestime. Të sillesh, jo si kryetar i partisë, drejtues i gjykatës dhe prokurorisë.