BREAKING NEWS

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi: Sot është një ditë shumë e vështirë për mua

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi:
x

Opinion / Editorial

Rama, “kryeministri në detyrë”, po cili është kryeministri legjitim në Shqipëri?

Rama, “kryeministri në detyrë”, po cili është

Po bëhen disa muaj që në fjalorin e krerëve më të lartë të institucioneve kushtetuese, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ish-presidentë, kryetarët e partive, PD, Lulzim Basha, LSI-së, Monika Kryemadhi, partizave të vogla, ish-ministra e ish-deputetë në kor e etiketojnë Edi Ramën si “kryeministër në detyrë”. Në këtë mënyrë e barazojnë me pozicionin e kryeministrit, të cilit i ka mbaruar mandati, ka humbur zgjedhjet, mban kolltukun e kryeqeveritarit për ca muaj deri në dekretimin i të riut për dorëzimin e detyrës tek pasardhësi. Ndodh kështu, si në një lojë të pistë, vetëm për ta anatemuar e fyer për ta paraqitur kryeministrin si të ishte një ish, asgjë, pa mbështetje, që ka humbur zgjedhjet edhe pse pa u bërë dhe për shkaqe subjektive, si për mëshirë, qëndron në krye të detyrës. Etiketohet kështu edhe pse është kryeministri i zgjedhur nga sovrani, me votat e popullit, dekretuar nga presidenti, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me mbi pesëdhjetë për qind të votave. Është në kohën e vet dhe jo në kohë shtesë, në legjislaturën në vijim, e cila përfundon me zgjedhjet. Vetëm pas tyre nis numërimin e ditëve si kryeministër në detyrë, siç është sot zoti Hoti në Kosovë apo gjetkë. Në rast humbje të zgjedhjeve, në detyrë qëndron deri sa e lejon Kushtetuta. Edhe nëse do kishte humbur mbështetjen nga deputetët në Kuvend për një mijë arsye, Rama është kryeministër dhe kurrsesi, në detyrë apo në pozicion të pamerituar. Trajtimi subjektiv, sikur qëndron atje për mëshirë të dikujt, që i është mbushur mendja ta paraqesë si të mundur e të pafuqishëm që nuk ka as të drejtë firme firmë e vule, bile shyqyr që e lënë në zyrë, sepse edhe ajo i takon kryeministrit të supozuar, atij që në takime, mitingje, deklarata e në faqet e shtypit e mbanë veten si kryeministër legjitim. Është kjo logjikë që Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij, jo vetëm në parti sepse ata atë detyrë kanë, po edhe në median që e propagandon që në realitet është në shumicë për një milionë arsye të pabaza edhe pse sa herë tregohet me gisht si e blerë nga Rama, po që realisht është e blerë nga ata që mbështet. Etiketohet “kryeministër në detyrë”, pa asnjë të keqe, sikur t’i mungonte mbështetja totale, si të kishte humbur shumicën dhe ta kishin braktisur deputetët e partisë që e mbështesin qeverinë apo edhe shumë të tjerë që i përkasin, opozitës parlamentare. Po pse etiketohet, Edi Rama, si “kryeministër në detyrë”? Është një lapsus, një gabim, shaka apo ka brenda vetes në përmbajtje të fjalës, politikën agresive keqdashëse, shpërfillëse, anatemuese, se kështu mendohet se zhvlerësohet kryeministri kushtetues dhe në vend të tij lartësohet e çimentohet ai, i supozuari, i propaganduari, i vetëshpalluri nga opinioni mediatik e partitë në koalicionin opozitar që e emërojnë analistët dhe ata që thërrasin nga mëngjesi në mbrëmje në skenë pretendentin për kryeqeveritar, të cilit edhe një vizitë rutinë në Slloveni, e paraqesin si të ketë arritur në majat më të larta të kontakteve dhe vendimmarrjeve europiane dhe amerikane. Po cila është vlera reale e një takimi me kryeministrin e një vendi mik të kreut të opozitës shqiptare? Cila është arritja e madhe vetëm se i kushtohet pak vëmendje Shqipërisë dhe opozitës? Dihet se kryetari i opozitës, është alternativa e pushtetit dhe nuk ka asgjë të keqe, si për vizitat që kryen në shtetet mike edhe për kontaktet e personaliteteve që mbërrijnë në Shqipëri që në axhendën e tyre e kanë të programuar, kontaktin me liderin opozitar, të cilin e takojnë, jo për kortezi, po sepse kështu respektohet gjysma e sistemit, pjesa opozitare e cila në demokraci ka rol përcaktues në balancimin e pushteteve dhe në thellimin e demokracisë. Ajo që të skandalizon në etiketimet e krerëve opozitarë, është trajtimi i një vizite rutinë në Slloveni me propagandë të pashtershme me tam-tame e mburrje që nuk kanë të sosur, sikur shkoi në shtetin afër, jo kryeopozitari, po kryeqeveritari! Mediat pranë opozitës, ata që këndojnë të njëjtën melodi dhe i fryjnë fyellit në një vrimë, zhurmuan aq fort për këtë vizitë, e cila është një akt formal dhe normal dhe nuk ka vend për t`u fryrë borive, sikur është kapur qielli me dorë. Dhe po të njëjtët opinionistë dhe media, bëjnë paralelizma pa sens, duke vënë përballë këtë vizitë si të ishte takim në një planet tjetër dhe anatemojnë kryeministrin se në Itali nuk e priti askush, veç një këshilltar fundor! Ky diferencim i qëllimshëm nuk është se i prish punë kryeministrit, as e ul në sytë e opinionit të shëndosh shqiptar, ashtu sikundër propaganda e trajtimit të Lulzim Bashës në këtë vizitë si të kishte arritur majat e suksesit nuk i rregullon punë. Po kjo i duhet propagandës për të na thënë se ai, ka mbështetje mbarë ndërkombëtare dhe nuk është një individ i zakonshëm. Se Ramës BE i ka hequr vizë dhe pret, Maratonomakun Basha. Se është legjitimi?! Se të huajt e lexojnë atë ndryshe nga këtu tek ne që e shikojnë si të dobët dhe të pavotueshëm. Përderisa, na thonë ata që e frynë këtë vizitë, duke e bërë bretkosën sa një ká, sipas fabulës së njohur, kërkojnë t`u imponohen shqiptarëve për një madhështi që në realitet nuk egziston, veç në fantazinë dhe etjen për pushtet të atyre që e duan me patjetër Bashën në krye të ekzekutivit shqiptar. Trajtimi i një vizite rutinë të Bashës dhe propagandimi me superlativa i saj për të na imponuar me sloganin se ai është kryeministri legjitim, se ky që është në krye sot, është ish, vetëm dezhurnë, në detyrë i bëjnë dëm vetë Bashës. Si politikan prej tetë vitesh në opozitë, duhet t`iu ndalojë të tijëve që ta fryjnë në këtë farë feje, sa ta bëjnë të pabesueshëm. Ai duhet të zbresë me këmbët në tokë dhe këtë duhet ta bëjë vetë Basha pasi dëmi më i madh i bëhet atij se ka kohë të paraqitet si kryeministër i vërtetë dhe këtë nuk e përcaktojnë as vizitat në kancelaritë e vendeve mike as opinionistët e analistët, as militantët, po vota e popullit, e cila do provojë se cili do jetë verdikti i tij në zgjedhjet e 25 prillit që është fare pranë. Deri atëherë, Basha dhe të gjithë ata që e paraqesin si të përfunduar këtë zgjedhje dhe se është vetëm një formalitet, se ai tanimë ka hyrë në atë zyrë aq shumë të lakmuar prej tij dhe atyre që e mbështesin, le t’i bindi shqiptarët, se është ndryshe, se është vërtet i pavarur nga ata që i kanë bërë qindin këtij populli, se është distancuar prej akteve që kanë ndodhur gjatë kohës që ka qenë në drejtimin e ministrive më të rëndësishme, ajo e Infrastrukturës, asaj të Jashtme, të Brendshme apo kur kishte në dorë ndërtimin e rrugëve dhe Bashkinë e Tiranës. Kryetari i opozitës, besojmë se duhet të ketë kujtesë të freskët, se cila ishte odiseja e zgjedhjes në krye të Bashkisë së Tiranës dhe se ajo teknologji e përdorur në ato zgjedhje nuk ka për të funksionuar më, pasi nuk është një qytet i vetëm, ku u gjetën votat në kutitë e gabuara dhe nga humbës u shpall fitues. E megjithatë asnjëherë nuk u etiketua kryetar në detyrë. Të siguroj këtë mbështetje dhe pastaj le ta drejtojë qeverinë e Shqipërisë se tek e fundit rotacionet në demokraci, janë më se normale. Ajo që nuk është normale, është ngutja,vrapimi, propaganda, vetemërimi, shpallja që tani kryeministër, si tek proverbi “Babai pa lerë, djali u bë shofer”. Është vota, ajo që të bënë kryeqeveritar apo kryeopozitar. Etiketimi “kryeministri në detyrë” i Edi Ramës, si trajtim politikisht, si ish, si të ishte një hije, i flakur, pa mbështetje, përdoret si kopaçe për goditje, për ta shkurajuar, për t`i mpirë iniciativën dhe për ta bërë indiferent ndaj punëve dhe zgjidhjeve të mëdha me të cilat është i detyruar në emër të detyrës të punojë. Është në këtë vazhdë edhe kritika e mohimi pa mëshirë se Rama nuk ka bërë asgjë në këto tetë vite, sikur ai të kishte qëndruar në dhjetë metër katror të zyrës, rrethuar nga kolltukët dhe këshilltarët dhe të mos bridhte në katër cepat e Shqipërisë. Mohimi i gjithçkaje nuk e bën më të besueshme opozitën. Zerimi i punëve të kryera në këto tetë vite, është si të mbulosh me shoshë, tablonë që e shikojnë të gjithë dhe e kanë para syve. Shqipëria, ka ndryshuar dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm në këto tetë vite. Dallimi nga viti 1990 deri sot, është aq i dukshëm sa vetëm një qorr dhe keqdashës nuk e vlerëson. Reformat e mëdha, janë fryt i punës së kësaj qeverie. Dhe kjo qeveri drejtohet nga ky kryeministër. Kështu me rrugët, reformën në drejtësi, sistemin energjetik, ujin, ndryshimin rrënjësor të pamjes së qyteteve, fshatrave, progresin në bujqësi, përballimin e tri fatkeqësive natyrore, brenda harkut kohor të një viti, ku i është dashur të zhvillojë një betejë epike me tërmetin dhe pasojat e tij, me pandeminë e ulur këmbëkryq në tërë Shqipërinë dhe përmbytjet nga shiu dhe dëbora. Të gjitha këto, janë kosto shtesë, jo vetëm materiale, po edhe shoqërore. A nuk është në krye të punëve, ky, kryeministri i etiketuar në detyrë dhe jo legjitim sipas Kushtetutës? Të gjithë ata që e etiketojnë Edi Ramën si “kryeministër në detyrë” nga maja në fund të institucioneve të shtetit dhe politikës nuk janë gjë tjetër, vetëm të njëjtët që në këto tetë vite kanë hedhur shumë baltë ndaj gjithçkaje që është bërë në Shqipëri. Nëse Rama cilësohet si në detyrë nuk do ishte normale që t`i etiketonim të gjithë ata që e cilësojnë të tillë, si ilegjitimë, të pazgjedhur, hileqarë, të pamiratuar. Si do ndiheshin, pagëzuesit nëse do cilësoheshin, hije, në pritje, pa mbështetje, të paprovuar, të varur, të pafuqishëm, dezhurnë, pa popull, pa votë, në rrugë, jashtë institucioneve? Për gjithë anatemuesit dhe nihilistët, ata që e etiketojnë dhe cilësojnë si pa të keq mund të thoshim: Të votuarit janë thjesht në detyrë, ilegjitimë: Të pazgjedhurit asnjëherë, kryeministër legjitim!