BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Opinion / Editorial

Ramushi kupën e mbushi

Ramushi kupën e mbushi

Çdo njeri ka një biografi. Në rrugëtimin e gjatë nëpër lakadredhat e jetës, me veprimtarinë shoqërore, politike apo shtetërore, çdo njeri e pasuron ose e varfëron biografinë e tij. Kur bëhesh njeri publik, je nën trysninë e tërë opinionit shoqëror dhe duhet shumë kujdes që t’i rezistosh tundimeve, provokimeve dhe akuzave që vijnë nga të katër anët e horizontit politik dhe publik. Historikisht klasa politike shqiptare apo shtetare, ka një traditë të trishtë ku krerët e shtetit janë përplasur egërsisht si luanët në kafaz për të krijuar protagonizëm publik duke poshtëruar personalitetin e kundërshtarit edhe brenda familjes politike, pa folur më për krahun opozitar.

Por nuk ka ndodhur që xhelozia të kalojë kufijtë jashtë territorit shtetëror, ku nuk pleksen interesa karriere. Pas shumë polemikash mes kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, ku Haradinaj shpalos akuza tejet të rënda ndaj Ramës, për tradhti kombëtare, pika e vlimit arriti të shpërthejë vrerin mes tyre dhe Rama e paditi atë në gjykatën e Kosovës për shpifje. Polemikat përplaseshin ndaj njëri-tjetrit si një ortek, që nuk kishte të ndaluar në asnjë pikë takimi. Kohët e fundit na u shfaq në emisionin OPEN të Eni Vasilit, kryeministri Ramush Haradinaj me një vërshim të ri, me breshëri akuzash mediatike, saqë kur i dëgjoje ndieje keqardhje për autorin që kishte rënë pre e një skenari banal allaberishian. “Një karakter i mirë është pasuri për tërë jetën”, thotë Hezlit.

Meqenëse Haradinaj ka një të kaluar të admirueshme, si luftëtar aktiv për çlirimin e Kosovës nga thundra serbe dhe jo vetëm ai, por e gjithë familja e tij ka derdhur gjak për lirinë e vendit, të lëndon ky qëndrim aventuresk, që prish imazhin e dy krerëve të dy shteteve me të njëjtën kombësi. Ky është një shërbim i çmuar që i bëhet misionit serb për t’i përçarë shqiptarët dhe për të vërtetuar tezën e ideologut të tyre Rankoviçit dhe pasuesve të tij, Millosheviçit e Vuçiçit, në ditët e sotme, se shqiptarët nuk janë të aftë të krijojnë shtet, pra s’janë shtet-formues. Mjeshtri i madh i shpifjeve, intrigave e prapaskenave, e di mirë sentencën: Shpif, shpif se diçka do mbetet, se ka militantë, delirantë e injorantë, që gënjeshtrën e marrin për të vërtetë. Berisha në këtë rast u përpoq, që me një gur të vrasë dy zogj. Ai, në Shqipëri ka një rival politik, Ramën, që në betejat disa vjeçare që ka zhvilluar për pushtet i ka humbur me rezultat të thellë, saqë u detyrua me dhimbje e pendesë, të lërë Partinë Demokratike në duart e adoleshentit të tij Bashës. Ndërsa në Kosovë ka një kundërshtar, Thaçin, që i ka zbuluar dhe e ka demaskuar për shërbimin që i ka bërë, për ta mbajtur gjallë pushtetin e Millosheviçit. Hashim Thaçi, ja ka numëruar të këqijat që i ka bërë Berisha Kosovës, me vepra jo me fjalë.

Ishte Berisha që e ka përcaktuar UÇK-në si një organizatë terroriste (ku aty ishte dhe Haradinaj brenda, si një nga komandantët e luftës për çlirimin e Kosovës), u përpoq të sabotonte marrëveshjen e Rambujës, duke i bërë thirrje delegacionit që mos ta firmosnin aktin e marrëveshjes, njëkohësisht prishi embargon e naftës që i bëri Amerika kasapit të Kosovës e Ballkanit Millosheviçit, duke e furnizuar me naftë e me armë në fshehtësi, nëpërmjet Malit të Zi. Kjo strategji, që synoi ta lërë Kosovën nën thundrën e Serbisë, i dështoi dhe ju desh që sfiduesit e tij t’i akuzojë. I çiftëzoi dy kundërshtarët e tij politikë në të dy anët e kufirit, Ramën dhe Thaçin dhe i vuri nën akuzën se kanë një marrëveshje të fshehtë, në prapaskenë gjoja për t’i shitur Kosovën Serbisë. (Që Berisha vetë, do ta dëshironte po të ndodhte kështu). Si mjeshtër i sajesave dhe kthesave që është, ju desh një figurë e papërlyer në opinion, por që ta kishte të lehtë ta përpunonte e përdorte me metodat e tij djallëzore dhe më të përshtatshëm dhe të besueshëm se Haradinaj, vështirë se do gjente. Haradinaj pasi zhurmoi opinionin në Kosovë, zbriti në Tiranë në emisionin OPEN, apo “Close”, që të turbullojë mendjet e shqiptarëve, duke i menduar ata si dele. Kjo komedi u ndoq me neveri nga shumica e opinionit në Shqipëri. Por padyshim, që ka tifozë të Berishës, që e përshëndesin dhe e duartrokasin si fitore të së djathtës këtë situatë komike, që qarkullon në opinionet “mostra”, mediatike. Haradinaj, nuk duhet të harrojë një thënie të Ciceronit se: “Jeta është e shkurtër, por lavdia mund të jetë e përjetshme”. Ideatori, skenaristi dhe arkitekti i projeksionit të rrëzimit të pushtetit me dhunë, pasi e ndërzeu Partinë Demokratike për muaj të tërë në protesta të dhunshme, duke përdorur molotov, djegur e shkatërruar institucione, derisa kreu krimin makabër të 21 janarit duke vrarë në mes të bulevardit katër protestues të pafajshëm, që e përmend me krenari, si aftësi, kërkoi shtigje të reja të dalë nga rrethimi i dështimeve.

Edhe pse shkoi në ekstrem, me një veprim të panjohur në politikën shqiptare, duke nxjerrë opozitën nga Parlamenti në rrugë, përsëri rezultoi i humbur dhe akuzoi Partinë Demokratike për mungesë konsistence në qëndresën permanente të protestave që ai i quante “popullore”. Një trajtesë antikombëtare i dha dhe organizimit të mini-Shengenit Ballkanik, duke bërë fajtor dhe autor Ramën, si një faktor destabilizimi dhe cenues të interesave mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kur të gjitha këto akuza avulluan si flluska sapuni, jo vetëm në sytë e shqiptarëve, por dhe të ndërkombëtarëve, atëherë me mendjen e tij pjellore dhe djallëzore, futi në rol denigrues ndaj kundërshtarëve të tij politikë Ramush Haradinajn. Akuza e ish-kryeministrit Haradinaj, ishte për një çështje sensitive me karakter kombëtar se: Thaçi e Rama, na paskan një strategji të përbashkët për të shitur Kosovën. E që kjo shpifje intriguese të marrë qytetari, e të bëhet e besueshme në të dy anët e kufirit, Berisha ja besoi këtë Haradinajt, duke shpresuar se me të kaluarën e tij si luftëtar i UÇK-së, do ta përmbushte me sukses këtë rol të ri. Berisha, në tërë strategjinë e tij 30 vjeçare, kur ka dashur të bëjë përmbysje të pushtetit ka përdorur disa figura të lëkundur kosovarë, qyqarë, që i ka peshkuar duke i parë si deficitarë. Kujtojmë se Berisha dhe kur bëri grushtin e shtetit në shtator të 1998, ku pushtoi të gjitha institucionet, ai u mbështet nga mercenarët e Bukoshit. Ata, ishin prezentë në çdo okupim dhe shkatërrim.

Një idhull i Berishës, punonjës në televizionin publik, më ka treguar se si u pushtua televizioni ku nëpër korridoret e tij parakalonin serbë që komunikonin serbisht, pasi një pjesë e tyre nuk dinin shqip. Rolin që mori Ramushi, për të bindur popullin se Rama është tradhtar, nuk e përmbushi. Rama mund të akuzohet për shumë gjëra të tjera, por për antikombëtar nuk e beson kush, se ka dhënë prova permanente për konsekuencën e tij patriotike, me qëndrimin ndaj liderëve të fqinjëve tanë veriorë e jugorë. Ishte Rama që ja plasi Vuçiçit në shtëpinë e tij, në mes të Beogradit, se pa njohur Kosovën, Serbia s’ka të ardhme europiane e as ballkanike. Po kështu qëndrim të prerë ka mbajtur dhe me Greqinë dhe padronët e minoritetit grek në Shqipëri, duke jua bërë të qartë se si respektohen të drejtat e minoriteteve në Shqipëri. Berishës ju dogj dhe kjo kartë që deshi të luante me Haradinajn, por pastë jetë të gjatë, se ai me mendjen e tij pjellore, do shpiki apo do shpifi variante të reja për rrëzimin e Ramës.

Ai, e di më mirë se kushdo tjetër, që me atë ushtri militantësh që ka Partia Demokratike dhe me komandant Bashën në krye, e ka vështirë ta fitojë betejën. Edhe Ramushi, me komedinë që luajti, kupën e mbushi. Haradinaj, nuk duhet dënuar e kritikuar, por mëshiruar, që me miopinë e tij politike, se ka kuptuar. Lavdia vjen ngadalë, por ikën shpejt. Ajo, është më lehtë të fitohet, por më e vështirë të mbrohet. Njeriu varet si e mbyll jetën, si triumfator apo si dështak. “Lavdia është e dobishme për aq kohë sa njeriu e meriton atë”, shkruan Bjufon.