BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Rasti Morina përqesh drejtësinë dhe mjekësinë!

Rasti Morina përqesh drejtësinë dhe mjekësinë!

Ka shumë histori me këngëtare në Shqipëri të cilat fatkeqësisht mbeten të ngatërruara me praninë e tyre në ngjarje tragjike. Akuzohet një atentator, pranë tij bashkëshoqëruese me të, në vendin jo të duhur, në kohën e papërshtatshme gjendet një artiste. Diku një modele në të njëjtën shtëpi, larg mijëra kilometër, shoqëruar me një individ, akuzuar si bos i drogave të forta. Modelja bën jetë luksi dhe shijon ekzotikën e oqeanit dhe pasurinë pa fund, siguruar përmes trafikimit të drogës. Çuditërisht, jo pak aktore, vajza që kanë bërë kërcimtaren në televizione, banore të big brother, artiste që veç talentit që u ka falur natyra i shtojnë jetës së tyre përfitimet që vijnë nga bashkëjetesa dhe shoqëria me çuna të kamur që nuk i kanë për gjë makinat e shtrenjta, jetën e luksit në hotelet me pesë yje, plazhet më të kushtueshme të botës. Qëndrojnë në mjediset e luksit, duke dërguar në smartphone e portale, foto të jetës luksoze mes të mirave që të tjerët as i ëndërrojnë. Në të gjitha rastet kur shoqëruesit e tyre të kamur në rrugë të padrejta presin biletën e burgut, vetëm atëherë kujtohen për atë copëz jetë mes luksit, po që një ditë merr fund pasi ajo nuk është e përjetshme, është një ëndërr që përfundon shumë shpejt. Përgjithësisht modelet, këngëtaret, artistët, velinat që zgjedhin këto rrugë, përfundojnë të pacënueshme dhe ligji ndaj tyre bëhet tolerant, drejtësia ngre duart dhe në përfundim dërgohen në shtëpi. Në kujtesën e çdo shqiptari, ka me dhjetëra raste se si vajza të kulturuara me cilësi të veçanta që natyra u ka dhënë dhuntinë e zërit magjik apo artistik, ia dalin të mbeten të pacënuara, të paprekuara si të ishin monumente të kulturës apo objekte të mbrojtura nga shteti. Një qëndrim i tillë flet për inferioritet të njerëzve të drejtësisë, mostrajtim të barabartë të individëve që kryejnë të njëjtin faj. Frika se mos akuzohen se dënuan kulturën apo u morën me këngëtare e artiste të shquara i bën, jo pak gjyqtarë të mbyllin sytë përballë të talentuarave, duke i trajtuar si klas ekstra që nuk i kap ligji dhe janë të mbrojtura nga kuarca e artistes apo bukuroshes. Slogani, para ligjit të gjithë të barabartë nuk është për to. Ato janë të imunizuara përballë çdo prokurori dhe si të tilla iu duket se mbeten të paprekshme dhe vijojnë të bëjnë të njëjtat gabime. Vetëm kur përballen me drejtësinë e shteteve të tjera, ligji i godet dhe i dënon si gjithë qytetarët dhe shtetasit e tjerë. Gjykata dhe drejtësia tregon se nuk tundohet nëse janë këngëtare apo kërcimtare, aktore të mëdha apo femra publike. Vetëm për një telefon artiste me famë botërore, janë vënë para bankës së të akuzuarit dhe janë dënuar sipas ligjeve në fuqi. Ky është ligji dhe kjo është drejtësia. Gjithë qëndrimet e tjera janë përulje para famës dhe mbyllje sysh përballë individëve publikë. Ky qëndrim veç inferioritetit dhe moszbatimit të barabartë të ligjit, flet edhe për një fakt tjetër, atë që individë që mbahen për vipa nuk duan t’ia dinë se ka ligje dhe shkojnë me mendimin se do ia hedhin pa u prekur fare nga drejtësia. Kot jemi këngëtare ne! Ne jemi yje. Jemi dikush dhe nuk mund të trajtohemi të barabartë me gjithë anonimët. Dhe si të tilla nisin të kryejnë akte të padenja, duke shkelur ligjin me të dyja këmbët. Nuk do bënim asnjë historik të shkelësve të ligjit nga vipat nëse ditët e fundit gjatë kontrollit rutinë të policisë, këngëtarja Fjolla Morina nuk do ishte kapur me dy pistoleta e fishekë, po që shpejt u bënë pistoleta lodër dhe çakmak pistoletë. Nëse Morina do trajtohej njolloj me tërë ata që shkelin ligjin dhe kapen me armë të cilat nuk dihet ku përfundojnë dhe pse mbahen nga një këngëtare, e cila nuk ka nevojë të jetë e armatosur sepse si armë të saj ka këngën, zërin dhe famën. Pikërisht, kjo është arsyeja që Morina mban armë dhe kërkon të kalojë para hundës së policisë, duke gjykuar se është e paprekshme dhe para saj cilido polic mbyll sytë dhe më e pakta do t`i bëjë ndonjë kompliment, duke e krahasuar me Celine Dion apo Madonën. E veshur me këtë aureolë paprekshmërie, këngëtarja mund të shërbejë shumë mirë për të bërë korrieren e transportimit të armëve sepse e gjykon veten të pakontrollueshme e të paprekshme. Si mund të vihet dorë mbi një këngëtare të njohur dhe cili do guxonte të kontrollonte në doganë Morinën? Mendimi i paprekshmërisë, u jep kurajon të kryejnë vepra të paligjshme. Kodi i ri Penal, armëmbajtjen pa leje e cilëson krim të rëndë dhe e dënon me shumë vite burg. Po kjo është për mua. Për ty. Për ata dhe ato, po kurrsesi për një si kjo, e cila nuk është kushdo. Nuk është popull. As ka lidhje me një të ri që mban armë pa leje dhe shëtit si burracak nëpër rrugët e qytetit. Në kulmin e aksionit dhe kontrollit të policisë, Morina, guxoi jo vetëm të trafikojë dy armë nga pika e kalimit të Morinës, po edhe kur kapet me dy pistoleta, ia arrin t`ia hedhë paq, duke përqeshur, jo vetëm mjekësinë për shtatzëninë, po edhe drejtësinë. I njëjti krim nuk ka të njëjtën peshë. Mendoni sikur në vend të Morinës të ishte një fshatar nga Kukësi apo Tropoja, Konispoli apo Vithkuqi apo çdo fshat i Shqipërisë deri ku do të shkonte drejtësia?! Ai do rrasej në burg pa u menduar dy herë. Statistika e policisë do pasurohej me arrestimin e bujshëm. Drejtësia do pasuronte treguesit e dënimeve shembullore. Po kjo nuk mund të ndodhte për Fjollën. Kur flasim për qëndrimin e mbajtur ndaj këngëtares për një krim të tillë kurrsesi nuk kemi asgjë me personin Morina. Ajo që duam të nënvizojmë është sjellja me shumë standarde e drejtësisë shqiptare, e cila nëse je askush të dënon me vite burg, po kur je dikush, një emër i njohur aq më tepër këngëtare del e larë dhe për dënim merr shkuarjen në shtëpi. Arrest shtëpie edhe pse je kapur me dy pistoleta të cilave nuk u dihet prejardhja dhe qëllimi i trafikimit sepse nuk besojmë që Fjolla ka dashur të kopjojë Galicën pasi ajo i mbante armët për të luftuar për atdhe. Morina, para se të shkonte para trupit gjykues për t’u njohur me masën e sigurisë nuk u mjaftua me një vepër krimi atë të transportimit të pistoletave. Ajo mashtroi trupin gjykues me një të pavërtetë që u desh mendimi i specializuar i mjekëve të tregonin mashtrimin me shtatzëninë. Kuptohet, përdorimi i alibisë së shtatzënisë ishte një manovër tjetër për t’i shpëtuar arrestit me burg. Po edhe pse me dy shkelje ligjore të rënda, trafikim armësh dhe mashtrim flagrant, Morina në përfundim të gjykimit kundrejt një garancie pasurore, shkoi në shtëpi dhe të jetë e sigurtë që fama që ka dhe emri që ka bërë, janë kamerdarja më e sigurtë për të kapërcyer çdo vështirësi e pengesë. Në përfundim, le të hapi porën e shtëpisë e të dalë nëpër rrugët e Tiranës apo Prishtinës, ku të dojë dhe si të dojë. Rroftë imuniteti si artise dhe zëri. Emri dhe fama, fansat që e mbështesin në skenë dhe e duartrokasin si këngëtare. Tek e fundit edhe pistoletat i ka pasur vetëm si rekuizitë për ndonjë rol kinematografik apo ndonjë videoclip. Gjithë të tjerat janë fantazi dhe ligësi. Fjolla, le ta përqeshi, jo vetëm drejtësinë dhe mjekësinë, po edhe tërë shoqërinë. Për Fjollën dhe tërë Fjollat nuk ka ligj e drejtësi. Fjolla me dy pistoleta në çantë në një udhëtim me shoqërues, duket si në rolet e Silivester Stalone e Çak Norris apo Vandami në filmat aksion. Po nëse aktorët e mëdhenj bëjnë rolet në filma, shumica në studion e Hollivudit, si skenë, Fjolla ka zgjedhur një territor shumë kilometër katror. Nëse aktorët e mëdhenj, i mbajnë armët për të krijuar efekte emocionale për rolet që luajnë nuk dihet pse i mban këngëtarja, e cila në emër të famës bën transportuesen me çantën firmato brenda të cilës kishte fshehur armë që marrin jetë. Kuptohet se ajo nuk është atentatore, largqoftë dhe nuk vret dot një mizë, po armët veç kanë vetëm atë destinacion, të vrasin, mjafton të bien në duar të gabuara kriminelësh qoftë edhe aksidentalisht. Këngëtarja Morina në shkelje të ligjit duhet të përballej me rreptësinë dhe paanshmërinë e tij, si garant i barazisë mes qytetarëve. Po jo, ajo me një lehtësi të çuditshme, si ti kërkonin ndjesë që e kishin ndaluar i përcolli në shtëpi. Hyri në pallatin e drejtësisë nga porta dhe u largua prej andej nga dritarja mbi qilimin fluturues të përulësisë së njerëzve të drejtësisë, të cilët janë atje për të zbatuar ligjin dhe jo për të bërë diferencime që bien erë privilegje dhe pabarazi para një vepre penale që ligji nuk të fal aq më tepër me ndryshimet më të fundit në Kodin Penal. Mesa duket ka një kod tjetër për VIPAT. Ata gjithnjë gjejnë të çara për të kaluar e për t’u strehuar në limane të qeta edhe pse fajtor. Drejtësia shqiptare edhe pse në mesin e një reforme të trumbetuar si rrënjësore foli me simbolika se nuk është e barabartë dhe tregohet inferiore para emrave dhe individëve që kanë një famë si këngëtarë apo artistë. Drejtësia në rastin e Morinës foli për përulje dhe thyerje përballë famës. Tregoi se është me standarde të shumëfishta. Nesër për raste analoge të jeni të bindur nëse përballë togave të zeza del ndonjë emër pa adresë, fshatar nga thellësitë pa mbështetje, i pangjashëm me këngëtaren Morina, do rraset pa një pa dy në qeli në pritje të dënimit të rreptë. Dhe mirë t’i bëhet se ka shkelur ligjin. Po edhe Fjolla Morina është qytetare dhe nuk është e imunizuar përballë drejtësisë. Ky trajtim i diferencuar subjektiv, është fyerje së pari për vetë reformën dhe gjyqtarët që mbyllën sytë vetëm se kishin frikë mos i akuzonin se u nxituan për të dënuar një këngëtare të njohur. Patën frikë se i akuzonin se ata janë kundër kulturës kombëtare. Se duan të duken si të drejtë me një këngëtare, e cila nuk i ka bërë keq askujt dhe lënë të lirë vrasësit. Ky gjykim, është jo vetëm i dëmshëm, po edhe kundër vetë drejtësisë dhe parimit të barazisë para ligjit. Në këtë rast nuk është këngëtarja e keqja e madhe dhe halli i saj, po fenomeni. Të jeni të bindur që të tjerë emra të njohur do përshkojnë rrugët e Shqipërisë në ditët që vijnë me municione pse jo edhe me drogë apo para për t`i nxjerrë jashtë kufijve. Mjafton të gjenden transportuesit, korrierët VIPA, të paprekshëm. Vetëm të jenë emra të njohur pasi kanë status të posaçëm dhe janë të imunizuar para ligjit dhe nuk i prek askush. Këtë sjell diferencimi nga drejtësia dhe ndarja e shkelësve, të ligjit dhe të mirë, të përkëdhelur, të paprekshëm dhe kriminel, të këqij, individë që e kanë vendin në qeli. Drejtësia tregoi faqe botës dhe shqiptarëve se: Për një pulë shkon në qeli dhe një duzinë me armë e municione të gjejnë edhe shtëpi. Ky është fat artisti dhe këngëtari, paçka se përqesh drejtësinë për armatimin dhe vetë mjekësinë për shtatzëninë.