BREAKING NEWS

Pas Berishës, Genc Ruli shënjestron Metën dhe e cilëson LSI parti klienteliste, Basha në luftë të hapur me paraardhësin dhe Presidentin

Pas Berishës, Genc Ruli shënjestron Metën dhe e cilëson LSI
x

Opinion / Editorial

Refleksione nga biseda e gazetarit Fevziu me kryeministrin Rama

Refleksione nga biseda e gazetarit Fevziu me kryeministrin Rama

Ndoqa një bisedë të gazetarit Blendi Fevziu me kryeministrin Edi Rama në zyrën e tij në Kryeministri, që si rrallë herë në mbyllje të saj, të mbeten gjurmë që trokasin lehtë në kujtesë, edhe kur koha rrjedh vrullshëm në ngjarje më të rëndësishme. Profili i bisedës ishte në kuadrin e evidentimit të jetës personale dhe veprimtarisë shtetërore të liderëve, që kanë qeverisur vendin në këto 30 vjet të ashtuquajtura demokraci. Çdo individ ka një biografi. Por kur flitet për personalitete shtetërore, që ndryshojnë për mirë apo për keq jetën e qytetarëve të një vendi dhe kanë ndikim mbarëkombëtar, pesha e bisedës merr rëndësi tjetër dhe kureshtja shtohet. Secili prej liderëve që kanë qeverisur vendin në këta 30 vjet pluralizëm, qofshin të majtë apo të djathtë, kanë kontributin e tyre, për mirë dhe për keq. Në këndvështrimin e tyre, të gjithë deklarohen se kanë punuar e sakrifikuar për të mirën e kombit. Barometri që mat vlerat pozitive dhe negative të çdo lideri, është populli, që vjel pasojat e politikës së tyre. Bilanci i ndryshimeve, bëhet duke parë sfondin e arritjeve dhe dështimeve të ekonomisë kombëtare dhe mirëqenien e popullit në këto vite. Kjo është një temë e gjatë, që kërkon një analizë të thelluar në “laboratorin” e rrëfimeve të gjithë kryeministrave, që e kanë qeverisur vendin tonë në këta 30 vjet. Por ajo që më ngacmoi për të bërë këtë shkrim është një dukuri e veçantë, që nuk është prekur gjatë këtyre viteve, evidentimi i historisë së qeverisë në marrëdhënie me jashtë, nëpërmjet dhuratave e relikteve që i janë dhënë kryeministrit të vendit nga homologët e huaj gjatë vizitave, takimeve apo kontakteve personale. Gazetari Fevziu, në fund të intervistës duke vizituar muzeun institucional të Kryeministrisë, paraqiti mjediset ku ishin vendosur fondi i dhuratave të grumbulluara në shtatë vite të qeverisjes Rama. Në këtë sfond, lexojmë dy dukuri mbresëlënëse. Së pari, në morinë e dhuratave që ka marrë kryeministri Rama, që përbënin një kolorit interesant, kishte shumë prej tyre që shënonin një vlerë të çmuar monetare. Së dyti, mënyra e ekspozimit, aranzhimi dhe renditja e tyre, tregonin për një nivel të lartë artistik dhe kulturor. Edhe vetë zyra e kryeministrit, të cilën e kam vizituar te kryeministrat e mëparshëm, kishte pësuar ndryshime në mobilimin e saj, në sensin e së bukurës. Muzeu që ka krijuar kryeministri Rama, është një risi dhe model që përcjell mesazhe për çdo shtetar, se si mund të sillet me privilegjet që të krijon pozita shtetërore. Në vështrimin vizual, ai muze tregon klasin intelektual, qytetar dhe karakterial. Mënyra e ekspozimit dhe aranzhimit, janë refleks i qytetarisë dhe intelektualizmit të një kryeministri artist. Nga pikëpamja karakteriale, janë shfaqje individuale të kultivuara nga edukata familjare, që ajo që i takon shoqërisë, nuk është pronë e jotja. “Çdo njeri merr dy edukata: njërën nga prindërit që i japin përvojën e tyre jetësore, tjetrën, atë më të rëndësishmen, e merr vetë”, shkruan Telman. Në atë zyrë gjatë viteve të pluralizmit, kanë qeverisur shumë kryeministra dhe me jetëgjatësi më të madhe se Rama, por s’kanë lënë asnjë trashëgimi muzeale nga dhuratat që kanë përfituar për hir të pozitës shtetërore. Ata, të kujtojnë vargjet lapidar, të poetit të madh Ali Asllani, që kur vijnë në pushtet jetojnë me moton: “ Hani pini dhe rrëmbeni, është koha e çakejve, hani pini dhe rrëmbeni, është koha e maskarenjve. Hani pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa mbushni arka, të pa brekë ju gjeti dreka, milionerë ju gjeti darka”. Dhe sot kryeministrat tanë të “nderuar”, janë shndërruar në sheikë të Shqipërisë së varfër, me filozofinë konceptuale se pushteti është: “Ha, merr, dhe ik, si ta kenë pushtetin çiflig”. Ato dhurata janë të çmuara, jo thjesht për vlerën e tyre monetare që mbartin, po të përvetësohen nga individi kryeshtetar, por dhe për historinë e një kombi, se ato mbajnë në vetvete data, flasin për takime, marrëveshje, vizita shtetërore, nënshkrime kontratash të veprave madhore me karakter kombëtar, etj. Çdo qytetar i këtij vendi me të drejtë mund të pyesë, po kryeministrat paraardhës ku i kanë çuar dhuratat që kanë fituar si përfaqësues të popullit? Përgjigjia dihet, në shtëpi, për derisa s’ka asnjë relike në Kryeministri. Krijimi i asaj ekspozeje befasuese, që të krijonte një ndjesi të veçantë, si një model i ri i parealizuar deri më sot, ka të bëjë me qytetarinë e kryeministrit Rama, që rrjedh nga një familje intelektuale e shquar qytetare, që ka lënë gjurmë në ndërgjegjen dhe karakterin e tij. Por jo vetëm, ka edhe të tjerë edhe pse nuk kanë një trashëgimi intelektuale, normat morale i kanë bërë që të jenë të ndershëm, korrektë dhe intuitivë, për të bërë gjëra që lenë gjurmë në memorien e kombit. Një element tjetër që ra në sy te shikuesit dhe që mu transmetua nga biseda të ndryshme mes miqsh, ishte se intervista prej tre orësh, qe strukturuar në ato parametra korrekt, sa që rrodhi natyrshëm, me një qytetari, për ta pasur zili. Kjo erdhi edhe për meritë të gazetarit Blendi Fevziu, që ndryshe nga herët e tjera, që ka qenë acarues, në këtë rast, qytetaria mes dy aktorëve ishte komplementare. Pavarësisht diapazonit të pyetjeve të gazetarit Fevziu, që nisnin nga trualli familjar edhe për çështje intime, sensitive, apo edhe për çështje të mprehta të jetës private, e deri në nivele të ndryshme të veprimtarisë shtetërore, gjuha e komunikimit ishte tepër korrekte. Komunikimi është art. Për të realizuar një intervistë të nivelit të lartë intelektual dhe qytetar, duhet që të dy aktorët, si intervistuesi dhe i intervistuari, të tregojnë klasin e tyre individual. Njëri po të çedojë, prishet balanca dhe degjeneron intervista, siç ka ndodhur në shumë raste, që kalojnë deri edhe në fyerje dhe humbasin dhe etikën qytetare, pa folur më për atë institucionale, në një televizion kombëtar.

Kjo intervistë në tërë elementët e saj, ishte strukturuar si një model sjellje, nga ku mund të mësojnë si gazetarët, ashtu dhe shtetarët, të çdo niveli qofshin ata.