Lajme të tjera
BREAKING NEWS

“3 programe të reja nxitjeje të ...”, kryeministri Rama bën publik vendimin më të fundit të qeverisë dhe jep lajmin e mirë

“3 programe të reja nxitjeje të ...”, kryeministri Rama
x

Opinion / Editorial

 Reforma e drejtësisë, si “çeku i bardhë”?!

 Reforma e drejtësisë, si “çeku i

(Letër e hapur për ambasadoren e SHBA, zonjën Yuri Kim)

E nderuara ambasadore e SHBA! Fillimisht po ju drejtoj përshëndetjen e traditës së çdo shqiptari: Mirë se erdhët në vendin tonë, Shqipëri! Në vijim, doemos duhet edhe prezantimi, të cilin unë po e realizoj thjesht: Jam një anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, por letra ime për ju, nuk ka probleme sistemesh e ideologjish, sepse ne gjendemi në anët e kundërta të gjykimit për këto çështje. Ajo që dua të transmetoj tek ju, lidhet me vendim tim, Shqipërinë, e cila ka lindur shumë kohë më përpara, se sistemet shoqërore të kapitalizmit e komunizmit dhe ideologjive të tyre përkatëse.

Vendit tim të vogël, i ndodhur në “kryqëzimin” e interesave të të mëdhenjve, për të siguruar mbijetesën, në të shumtën e kohës i është dashur të futet në “kullën e ngujimit”, duke marrë në sy pasojat e saj të ashpra. Megjithatë, në rrugën e tij dymijë vjeçare, që nga pushtimi romak, paraardhësit e mi patën edhe momente ngadhënjimi. Të paktën në dy raste ata arritën të shënonin dy epoka të ndritshme, rrezet e të cilave depërtuan gjer në skajet më të largëta të kontinentit e më tej. Epoka e Skënderbeut - Gjergj Kastriotit në Mesjetë, dhe epoka e Enver Hoxhës në kohët moderne, do të mbeten si dy pishtarë të zjarrtë, që u ndriçojnë rrugën jo vetëm shqiptarëve, por u japin shenjë e besim edhe gjithë vendeve e popujve të vegjël, se edhe ata mund të zhvillohen e prosperohen si gjithë vendet e popujt e mëdhenj e të fuqishëm.

Por po e kaloj këtë pasazh lavdie e krenarie, sepse vendi e populli im aktualisht nuk është në ditët e epokave që përmenda, por në ditët më të vështira të historisë së tij. Padyshim, shkaktar i kësaj gjendjeje në zgrip, nuk është populli, por paria e tij e korruptuar dhe e degjeneruar. Pas kësaj fraze të fundit, ju me të drejtë mund të thoni se: “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”. Por unë do të shtoja: Po ata që na “ndihmuan” për ta hedhur gomarin në baltë, a nuk duhet të na japin një dorë për ta nxjerrë prej saj?! Është pikërisht ky arsyetim i thjeshtë, që më nxit t’ju drejtohem me këtë letër të hapur, e cila nuk ka vetëm “sosin”, por edhe ndonjë mendim, që besoj ia vlen ta merrni në konsideratë.

Titullit të shkrimit në formë letre, unë i vura në fund një pikëpyetje dhe një pikëçuditëse. Me këto dy shenja, dua të them se për reformën në drejtësi, që vendi juaj i madh ka ndërmarrë për të realizuar në vendin tim, unë bëj pjesë në vijën e parë të skepticizmit. Por gjithsesi, kam edhe një shpresë të vakët, e cila nëse realizohet, do të përmbyste konceptet e mia, në favor të të mirës së përgjithshme që kërkon të realizojë kjo reformë. Ku qëndron skepticizmi im për këtë çështje dhe pse e rreshtova reformën e famshme të ditëve të sotme, me “çekun e bardhë” të vitit 1990?

Në ditët e para të “revolucionit demokratik”, krahas kolegut tuaj, Rajersonit, prej SHBA-së në drejtim të vendit tonë, u tha se ishte “nisur” edhe një çek i stërmadh, i cili u quajt i “bardhë”. U quajt i tillë, ngase kishte të gjitha firmat e vulat e duhura, ndërsa shifra në dollarë, do të plotësohej prej ne shqiptarëve. Të entuziazmuar nga ky “çek” i dalë nga “Suzami”, ne përlamë kazmën dhe shembëm me themel ato që kishim ndërtuar për gjysmë shekulli me radhë. I shembëm se ato ishin të socializmit, dhe në vend të tyre u gatitëm të ngrinim mrekullitë e kapitalizmit, që po na vinin peshqesh, si të ishim në ditën e Pashkëve. Rezultati i këtij çeku, tashmë dihet nga të gjithë. “Çeku i famshëm”, rezultoi me rreth 2 milionë dollarë, të cilët nuk mbuluan as shpenzimet e pritjes së Sekretarit të Shtetit tuaj, Bejker, ku morën pjesë më shumë se gjysmë milioni shqiptarë.

Pas “çekut të bardhë”, që na doli i zi sterrë, patëm edhe disa çeqe të tjera, ndër vedi apo dhe me miq, që rezultuan me të njëjtën ngjyrë si i pari; si për shembull: Piramidat e fajdeve, që shembën shtetin; “Bombën atomike” të Gërdecit, ku bëmë tym edhe fishekët e fundit të ushtrisë; e gjer tek 21 Janari, ku bëmë kurban edhe gjakun e pafajshëm të katër qytetarëve mu në mes të bulevardit. Nuk po përmendim, për mungesë vendi, “intermexot” e shumta midis këtyre dramave kryesore te jetës sonë “demokratike”.

Falë këtyre “veprave” të pashoqe në historinë e një vendi, punët tona morën rrokullimën, dhe sot të gjithë e shohim veten në buzë të greminës. Për të dalë nga kjo situatë, paria jonë politike e shtetërore, ndihmuar edhe nga këshilltarët ndërkombëtarë, dolën me nevojën e një reforme kardinale në drejtësi, e cila u quajt dhe vijon të quhet shpëtimtare për vendin. Reforma nisi këtu e katër-pesë vjet më parë, shoqëruar me një reklamë e një propagandë sa për njëqind “çeqe të bardha” të vitit ‘90. Që nga viti 2014, e sidomos nga viti 2016 kur u hodhën firmat “unanime” të 140 deputetëve tanë “trima”, e gjer më sot, është folur e shkruar aq shumë për reformën shpëtimtare të drejtësisë, sa po të rreshtohen gjithë fjalët e thëna e të shkruara, mund të rrethohej mbi dhjetë herë Globi tokësor. Tani në fund të katër-pesë vjeçarit, falë këtyre fjalëve e reklamave për reformën, kemi arritur të shkallmojmë gjithë ngrehinën e pushtetit të tretë, atë të gjyqësorit, duke lënë në diell të hapur, apo shi të lagur mbi 30 mijë dosje në bodrumet e Gjykatës së Lartë, dhe dhjetëra e qindra mijëra dosje të tjera në sirtarët e gjykatave më të ulta të Republikës. Në rezultante të kësaj “odiseje” drejtësie, qytetarët shqiptarë, në pamundësi për të marrë një përgjigje për problemet e tyre nga “Kadilerët” e kohës moderne, kanë thirrur në skenë “Kanunin” e Lek Dukagjinit...

Zonja Ambasadore, përfaqësuesit tanë në politikë e në pushtet, ju kanë raportuar, ose do t’ju raportojnë se: “Tashmë janë ngritur e po ngrihen organet kryesore të reformës së re të drejtësisë”. Në të njëjtën kohë, në një deklaratë që ju bëtë ditën e mbërritjes në Tiranë, thoshit se po prisni me padurim t’i përvisheni punës, veçanërisht punës për reformën në fjalë. Deklaratën tuaj, unë e afrova me veprimin e ish-kolegut tuaj, ambasadorit Arvizu, i cili në vitin 2011 përveshi mëngët për të kontrolluar ndershmërinë e votave për bashkinë e kryeqytetit. Mirëpo, falë makinacioneve të Berishës me kompani, votat në fjalë u vodhën e u manipuluan në mes të ditës, dhe Arvizusë i mbetën llërët përveshur, e ne shqiptarëve buza e paqeshur. Nuk dëshiroj që kjo të ndodhë me ju.

Përmenda më lart Berishën, por nuk janë më pak pehlivanë edhe kolegët e tij majtas e djathtas të këtyre tri dekadave të fundit. Këta soj politikanësh, siç shihet në praktikë, kanë trashëguar veset e parisë sonë të mesjetës, ku gënjeshtra, mashtrimi dhe tradhtia kanë qenë “asetet” e tyre kryesore për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit të pamerituar. Këta të sotmit, ashtu si stërgjyshërit e tyre të moçëm, ta bëjnë “tetëshin” pa i kuptuar, nëse nuk i vrojton me vigjilencë.

Para dy shekujsh, Napolon Bonaparti i shkruante përfaqësuesit të tij në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, që “të kishte kujdes se Veziri i Janinës mund të të fusë në rrjetë, në mos të ka futur tashmë”! E theksova këtë episod, që ju e nderuara Ambasadore ta keni parasysh, kur të komunikoni me parinë tonë të sotme, që është “tëpkë”, si paria dhe administrata e Pashait të famshëm të Janinës. Në rënç në kurthin e tyre, reforma e famshme, e sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti juaj, do të përfundojë në fiasko, çka do të ishte një zhgënjim i madh për popullin tonë dhe një disfatë për kapacitetet e shtetit që përfaqësoni. E nënvizoj këtë shqetësim, sepse, siç marrim vesh këto ditë, SPAK-u ka nisur punën me dosjen e kryetarit të Bashkisë së Bulqizës, që thonë se thithte drogë në lokal. Kjo gjë, është tepër qesharake për një organ, i cili ka pesë vjet që gatitet për të nisur nga dosjet e mëdha të krimit shtetëror, e jo të merret me gramët e drogës, gjykimi i së cilës realizohet nga emërtesat administrative. Nëse SPAK-un do ta angazhojmë më dosje drogash, gardhesh e shkurorëzimesh, duke lënë mënjanë dosjet e mëdha, atëherë bosët e këtyre të fundit, do të arrijnë që gjynahet e tyre t’i përcjellin në kalendat greke, çka është dhe qëllimi i tyre emergjent.

Zonja Ambasadore, në vijim të letrës sime, dua të shënoj edhe një propozim konkret, i cili po të realizohet, jam i sigurtë se siguron në një kohë shumë më të shkurtër suksesin e reformës. SPAK-u dhe organet që janë ngritur tashmë, le të fillojnë me dosjen e 21 Janarit 2011. Është një dosje super e kompletuar, sa edhe gjykata e thjeshtë e një rajoni, do ta zbardhte gjer në detaje. Në këtë dosje të zezë, gjenden të katër figurat kryesore, Berisha, Basha, Meta e Rama, rreth të cilëve vërtiten pothuaj të gjitha dosjet e korrupsionit e të krimit të ndodhura në këto tri dekada në vendin tonë. Po të merret kjo dosje e të çohet në sallën e gjyqit, jam i sigurt se të katër këto figura “emblematike” do të përfundojnë në qelitë e burgut, ose më e pakta, do të dalin si kërtolla të kalbura nga politika shqiptare. Dhe ajo që është më kryesorja, pas rënies së kësaj katërsheje, “piramida” e krimit dhe korrupsionit, do të shembet brenda javës, sikur të ishte një kala prej rëre, që ndërtojnë fëmijët në bregun e detit. Ky veprim do të ishte një gur prove për qëllimin e reformës së drejtësisë, e cila do të shpëtonte edhe nga epiteti i “çekut të bardhë”, që mbase unë e emërtova me pa të drejtë në krye të shkrimit tim.

Së fundi edhe një konsideratë si komunist, për reformën e drejtësisë, për të cilën po flasim: Siç kemi mësuar në shkollën e mesme, matematika ka edhe “teoremat” edhe “aksiomat” e saj. Teoremat, na thotë ajo, duhen vërtetuar, ndërsa aksiomat nuk kanë nevojë të vërtetohen. Ato janë të vërtetuara, ndaj dhe quhen “aksiomë”. Sipas meje, sistemi kapitalist dhe finalja e tij, imperializmi, nuk mund të realizojnë reforma të plota e të ndershme drejtësie. Thjesht për faktin se ky sistem ka në themel padrejtësinë, e prodhon atë çdo ditë, dhe për pasojë nuk mund të dënojë vetveten. Sistemi në fjalë, me padrejtësinë e tij shoqërore, është një teoremë e vërtetuar katërcipërisht. Ai është një “aksiomë”!

 Megjithatë, nëse në rastin e kapitalizmit shqiptar, do të arrihet të realizohet një reformë drejtësie e vërtetë, atëherë mua më mbetet të bëj autokritikë publike, gjë që do ta pranoja me shumë gëzim, sepse bëhet fjalë për mbrothësinë e vendit tim, i cili siç shënova në krye, ka lindur shumë më përpara se sistemet shoqërore të kapitalizmit e komunizmit dhe ideologjive të tyre përkatëse.