BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Reforma i largon si gjyqtarë, partia deputet i shpall!

Reforma i largon si gjyqtarë, partia deputet i shpall!

Si kundërvënie ndaj reformës në drejtësi për t`i bërë karshillëk ligjit më të rëndësishëm, investim kombëtar dhe ndërkombëtar, pranuar me sforco, parë si djalli zi,anatemuar përditë nga shumë faktorë politik, në një betejë që zgjat prej vitesh për ta shpallur tërë veprimtarinë e institucioneve të drejtësisë, si të padrejtë,politika nxiton të korrigjojë drejtësinë duke përdorur mekanizëm pabarazinë. Një nga format më klasike, është marrja në mbrojtje e të larguarve edhe pse kanë një mal me problematika, mangësi, bëma mbi shpinë,shumë prej tyre në tria fushat e investigimit, profesional,pasuror, karakterit individual, duke i shpallur viktima të subjektivizmit të organeve vendimmarrëse, KLP, KLGJ e organeve të tjera që merren me përgatitjen e dosjeve për secilin gjyqtar apo prokuror që i nënshtrohet vettingut. Reflektimi i pare për çdo prokuror e gjyqtar, është deklarata në mbrojtje të figurës së gjyqtarit që sipas partisë, të pëlqyerve të saj,u kanë rënë në qafë. Ia kanë futur kot. Janë treguar të pasaktë. Ambicioz e kapriçoz. Dhe i shoqërojnë me një varg meritash të cilat nuk ua njeh askush në shoqëri, po puna qëndron ndryshe në parti. Vlerësimet me superelativa, i shkëlqyer, i shumëditur, mbrojtës i së vërtetës, i ndershëm,largpamës, trim, i drejtë, i pavaruar, e cilësime të tjera radhazi pa kufi. Ai ose ajo, gjyqtar e prokuror, sipas deklaratave të liderëve të partisë, zëdhënësve, i shënjuari është kuadër me vlera, kurajoz, i ka dhënë shumë drejtësisë. Drejtësisë të vlerësuar vetëm nga një palë me themel interesa në të shkuarën dhe të ardhmen. Gjyqtarë që i kanë shërbyer partisë e jo drejtësisë, janë të super vlerësuarit e partisë. Për këta lloj gjyqtarësh, partia jep njëmijë garanci, mbyll jo një, po dy sy për qindra padrejtësi. Mjafton të mbrohet i përzgjedhuri i preferuari i nënës parti. Të ruhet nga shkarkimi, të mbetet në sistemin e drejtësisë, garanti i partisë. Ky është harmonizimi dhe infiltrimi i politikës dhe vet sistemit tonë të drejtësisë.Gjyqtarë që nuk kanë mundur të justifikojnë pasuri në mijëra metër katror truall, pemtari, konto e shtëpi, llogari, autovetura milionshe, vila, resorte, shkollime të fëmijëve në univeristete prestigjoze, shoqërimin me individ të papërshtatshëm, pa përjashtuar këtu sjelljen, jo korrekte në kuptimin më të ngushtë të moralit, gati janë shpallur si dëshmor të subjektivizmit, organeve vendimmarrëse të reformës në drejtësi dhe vendimeve me porosi dhe ata akuzohen për herezi. Jo pa qëllim,largimi nga detyra, pezullimi, akuzat e vërtetuar, prova të sakta të pakundërshtueshme,janë konsideruar nga partia të qëllimshme. Jo si të larguar nga reforma, siç thuhet rëndom, po nga rama-forma,me urdhër, porosi, presion. Deklarohet kështu, pothuaj për shumicën e të larguarve. Mjafton mbështetja e partisë, si garanci dhe simpati për çdo individ që vërtetë mundet të kenë probleme me organet e drejtësisë, po i ka punët grurë me liderët e partisë. Kuptohet, sa gjyqtar të pavarur kanë qenë gjatë tërë periudhës në sistemin e drejtësisë, këtë burra e gra që reforma i largon, politika dhe liderët i mbrojnë si të ishin, jo njolla e drejtësisë, po ikona të ndershmërisë të Shqipërisë. Mbrojtja me çdo çmim, pa i lënë asnjë minutë me këmbë në tokë, gjyqtarëve të preferuar, u jepet status i pamerituar, për merita në shërbim të politikës. Të gjithë vlerësohen me notën dhjetë, si burra e gra me integritet, vendosmëri, dituri, kulturë juridike pa kufi. Sa serioz janë politikanët që marrin në mbrojte dhe etiketojnë viktima të gjithë ata që i largojnë organet e drejtësisë nga sistemi, si gjyqtarë dhe prokurorë të drejtësisë? Ta quash subjektivizëm këtë veprim të politikës, dobësi për njerëzit e “mire” të drejtësisë që po i merr në qafë reforma, është pak të quhet subjektivizëm dhe anësi. Gjyqtarët i njohin praktikat e hetimit, provat, faktet, ligjin pasi kjo është puna e tyre,vite të gjata nën mantelin e zi, përball peshores së drejtësisë dhe çekiçit përplasur në tavolinë si pikë fundore në krye të një maratone hetimore. Trajtuar në këtë mënyrë, janë jo emra të përveçëm, po numër i madh gjyqtarësh. Në background-in e tyre profesional nuk kanë reflektuar thjesht aftësi, objektivitet për të dhënë drejtësi, por i kanë shërbyer kauzës personale të liderit politik, vet partisë. Janë bindur për ta kthyer kodin në interes të partisë dhe jo në dhënien e drejtësisë. Janë të shumta çështjet e rëndësishme, në se do jepej drejtësi, objektivitet për ministra, ish ministra, skandale, vjedhje zgjedhore, korrupsion edhe kur faktet kanë qenë të lehtësisht të verifikueshme, i kanë shpëtuar drejtësisë me një këshillime, ndërprerje të procesit në gjykim. Kjo është arsyeja themelore që ne Shqipëri, para drejtësisë nuk vihet asnjë peshë e rëndë, peshk i madh, siç është slogani në tërë këto vite. Veç marrjes në mbrojtje, shkundja nga pluhuri, ngjitur mbi pelerinën e zezë, kostumit të drejtësisë, përdhosjes së ligjit, jo pak emra dalluar për vendime skandaloze, jashtë çdo kriteri ligjor, janë afishuar, si specialistë të kualitetit të parë nga liderët tanë. Mjafton të kenë mbyllur sytë para veprimeve të atyre që kanë pasur pushtet dhe i kanë rrotulluar punët siç dinë vet. Kështu ish Prokurori i Përgjithshëm, Llalla, u mbrojt deri në fund. Drejtësia e ndëshkoi, po politika e ledhatoi. DASH,i hoqi të drejtën për të shkuar në Amerikë, partitë politik e trajtuan si besnik. Vet Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij, e cilësoi të papërlyer, etalon në drejtësi. Mjafton të jesh mik i partisë dhe tërë kusuret t`ia faturosh drejtësisë. Sjellje tipike dhe trajtim subjektivist,është qëndrimi i PD-së, atyre që këndojnë të njëjtin avaz nga mëngjesi në mëngjes dhe i thurin himne dekriminalizimit dhe ngrenë në qiell si fitore madhore, largimin e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive për njolla në biografi. Nuk kemi asgjë me qytetarin,Gjin Gjoni. As me lejen prindërore, fituar me votë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Nuk paragjykojmë dorëheqjen, qëndrimin larg sistemit për një vit. Nuk e ngatërrojmë me njësitë e shërbimit, diti fry në Rinas, pasuri në emër të bashkëshortes së tij. Të gjitha këto janë personale dhe le t`i gjykojë drejtësia. Këtu e kemi fjalën për atë që bën dhe ndërmerr, si nisma partia. U çorr për vite me radhë PD, Basha e Berisha, Meta e Monika në mbrojtje të pastërtisë së Kuvendit të Shqipërisë. Bëjnë llogari: Larguam 17 dhe më shumë do largojmë. Njëmijë mund të shkojnë. Pastruam parlamentin, bashkitë, administratën nga krimi… Liderët e politikës nga PD tek LSI, numërojnë me emër e mbiemër, fis e ris, nga i pari tek i fundit, deputet dhe bashki. Për të gjitha këto,meritojnë lavdi. Po në kundërshtim me ketë filozofi, është po kjo parti që gjyqtarë të larguar me dëshirë ose pahir, me vendim nga organet e drejtësisë, i promovon si të ishin burra dhe gra,krenaria e më të mirëve të Shqipërisë. Vetëm se kanë bërë ushtarin e partisë. Sa dha dorëheqjen, gjyqtari, Gjin Gjoni nga drejtësia, menjëherë në prehër e mori partia. Në qytetin e besëlidhjes së madhe, në Lezhën legjendare, të parin në listë vendosi partia zotin Gjoni,larguar nga drejtësia. Ishte kjo, kryearsyeja që ambasadorja, Yuri Kim, bëri deklaratën me nxitim. Politikën paralajmëroi, të heqë dorë nga marrëzitë dhe ta mbajë të pastër parlamentin nga gjithë ata që drejtësia rrëzon apo largon për mitmarrje, korupsion. Veprohet kështu kur diskutohet hapur për kandidatë e si do bëhej në se listat mbyllen në sarkofag?! Është tepër, të themi, se PD-LSI e ka kthyer në lajtmotiv dekriminalizimin. Po është e pabesueshme të pres me padurim, të kthejë në sistemin politik ata që drejtësia u thotë ik! Kësaj politike, mbrojtja me një mijë mënyra, i thonë: Bëni si të doni, hani, pini e këndoni, do jeni mes nesh në politikë, sa të doni, derisa të rrojë, lalë Gjoni!