Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Opinion / Editorial

Reforma në drejtësi, si qilimi i Penelopës

Reforma në drejtësi, si qilimi i Penelopës

Në fillim dua të them se Penelopa është e njohur në librin “Odisea” ose në filmin me të njëjtin titull. Nuk besoj se lexuesit s’e kanë lexuar, apo nuk e kanë parë filmin. Të gjithë janë të njohur me peripecitë e Odisesë në det, derisa arrin në ishullin e Itakës. Po ç’lidhje ka Penelopa me reformën në drejtësi? Sigurisht që ka. Penelopa i kishte dhënë fjalën Odisesë se do ta priste dhjetë vjet. Edhe pak ditë kishin mbetur nga 10 vitet. Odiseja mbërriti në Itakë. Dërgoi një kasnec për të parë gjendjen. Penelopa mbasi u bind se ishte Odiseja, shpejt e shpejt vuri vegën për të endur një qilim për dasmë. Oborrtarët prisnin me ankth të mbaronte qilimin së enduri. Por ai po vonohej. S’merrni vesh se çfarë ndodhte. Penelopa endte ditën e shthurte natën. Kuptohej e zvarriste me qëllim. Kjo u zvarrit deri ditën e fundit kur Odise hyri në pallat. Njerëzit ishin tërë qejf! Të gjithë ishin të dehur. Ca nga vera që u derdh lumë, e ca nga gëzimi! Pra, Odiseja bëri të vetën. Të gjithë morën atë që meritonin! Kështu po ndodh sot me reformën në drejtësi. Po flitet shumë, madje me zë të lartë. Të gjithë përbetohen se janë pro saj. Po pse ka ngecur? Askush nuk e thotë. Me sa di unë zanafillën reforma e ka në vitin 2016. Ajo u miratua në Parlament me 140 vota pro e asnjë kundër. Por kjo nuk ndodhi me vullnet të lirë, por me ultimatum të ndërkombëtarëve. Prandaj ajo ka ngecur. Kanë kaluar 4 vjet nga ajo kohë. Reforma ecën me hap shumë të ngadaltë. Po ta shikosh me lupë vëren se bëhet me një hap para e dy hapa mbrapa.

Lind pyetja: Kush e pengon?! Presidenti?! Nuk e besoj. Ka shumë më shumë se një, që nuk u intereson reforma. I kërkoj ndjesë ambasadës amerikane, e cila punon me mish e me shpirt që reforma të ecë përpara, por ka harruar zonja e nderuar Yuri Kim se këtu i thonë Shqipëri e jo SHBA. Ky ka qenë vend diktatorial për gati 50 vjet. Gjysmë shekulli, jo pak. Është jashtëzakonisht vështir t’i shkulësh rrënjët e komunizmit. Ato kanë hyrë thellë e janë përhapur si metastaza. Prandaj populli ynë e ka mbajtur kokën dhe vështrimin nga Perëndimi e sidomos nga vendi i lirisë, demokracisë dhe i drejtësisë, nga SHBA-ja. Edhe sot e kësaj dite ai andej i ka sytë dhe shpreson përditë. Edhe pse e di që politikanët tanë ta futin ujët nën rrogoz, -siç thotë populli. Ata gënjejnë përditë. Ata e endin qilimin ditën dhe e shthurin natën. I vënë qerres shkopinj nën rrota. Pse e bëjnë këtë?! Dihet. Ta vonojnë reformën! Që të mos realizohet sa të jetë kjo zonjë e nderuar ambasadore, dhe t’i mbetet pilaf,-siç thotë populli një ambasadori tjetër. Unë uroj të mos ndodhi kështu. Le të jem unë i gabuar, por në Shqipëri ndodhin çudira! U përpoq ambasadori Donald Lu “ta hante peshkun e madh”, por nuk mundi. Çdo vit e vinte tiganin në zjarr, por “peshqit e mëdhenj” notonin të qetë në det. Kot nuk thotë shprehja e urtë shqiptare: “Tigani në zjarr, peshku në det” ose “Peshku në det, tigani në zjarr”. Merreni si të doni ju! Si t’u vijë për mbarë! Por mos harroni! Tigani vihet në zjarr, kur peshku është në shtëpi duke u pastruar e jo kur është në det,e sidomos kur bëhet fjalë për “peshqit e mëdhenj”. Bregdeti shqiptar ka shumë “peshq të mëdhenj”, por është vështirë t’i futësh në rrjetë. Ata e kanë syrin e mprehtë. Sy shqiponje. E dallojnë peshkarexhën që shumë larg. E, sa ajo afrohet, ata rrëshqasin si ngjala në thellësi të detit, e sa largohet anija notojnë të qetë e pa asnjë problem mbi sipërfaqe të ujit. Madje me ëndje kullufitin ndonjë peshk të vogël që ndodhet aty rrotull. Priti ambasadori Lu për 6 vjet rresht, por nuk ndodhi asgjë. Asnjë “peshk i madh” nuk u fut në tigan apo në rrjetë. U largua i pezmatuar, sepse politikanët shqiptarë nuk “u gdhendën”. Ata bërtasin për reformën me zë të lartë: Të ecë përpara! Por në fakt mbrapa krahëve përpiqen të futin ujë nën rrogoz që asaj t’i lagen të gjitha fijet e mundshme. Nuk ka si shpjegohet ndryshe vonesa për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, apo të Gjykatës së Lartë. Pra, në Shqipëri kemi disa Penelopa që endin qilim. Ditën e thurin, natën e shthurin. Kështu po ndodh edhe me reformën në drejtësi. Ditën ecën një hap përpara, natën në fshehtësi kalon dy hapa mbrapa. E këtë me siguri e ka kuptuar edhe Shkëlqesia e Saj, zonja Ambasadore Yuri Kim. Ajo e di se rrënjët janë të thella. Por po mundohet t’i shkulë një e nga një, sepse është e bindur se ka shumë rrënjë dhe do i duhet kohë.

Po pse zvarritet reforma? Kuptohet. Dosjet e korrupsionit të zënë myk, ose të mos u gjendet ana. Duke qenë një “mal me dosje”, është vështirë t’ua gjesh anën. Do të duhet kohë të bëhet seleksionimi. Do të fillojë loja e ping-pongut. Kjo s’më përket mua. Kjo është për ty. Kjo është për Gjykatën e Rrethit, kjo për Gjykatën e Apelit, kjo për Gjykatën e Lartë, kjo për SPAK-un… Pra, do të përplasen sa tek njëra derë në tjetrën. Do të vërtiten këto dosje sa lart e poshtë, do t’u shkundet pak pluhuri e do të vendosen atje ku kanë qenë. Prandaj politikanët shqiptarë bëjnë si u do qejfi. Ndodh kështu sepse deputetët i ka zgjedhur partia. Me listë! Ata nuk përfaqësojnë popullin. Nuk janë zëri i tyre, por është zëri i kryetarit në pushtet apo në opozitë. E nuk janë pak 140! Po të më pyesësh mua duhen gjithsej 61 deputetë. Aq bashki ka vendi ynë. Çfarë roli ka Parlamenti? Është e qartë. Ka rol legjislativ. Pra, miraton ligje që i sjell qeveria apo dikush tjetër. Dhe këto ligje mund t’i miratosh me 140, 81, 71 apo 61 deputetë. Madje unë jam dakord që të ndryshojë Kushtetuta e të bëhet e re. Ajo të votohet nga populli. Madje sistemi të jetë mazhoritar i pastër. Si për deputetët apo kryetarët e bashkive. Duke qenë i tillë ata nuk do t’u binden kryetarëve të partive. Po, ç’ndodh sot në të vërtetë? Kur mblidhet Parlamenti, qeveria në vend që t’i japë llogari, i kërkon llogari Parlamentit. Madje e urdhëron ta miratojë ligjin që ka sjellë, pa asnjë diskutim apo debat. Deputetët,të vënë në rresht pa bërë zë, e miratojnë ligjin duke ngritur kartonat. Madje edhe deputetët e opozitës në të shumtat e herës vihen përkrah qeverisë, pa u thelluar fare në atë projekt ligj, i cili nesër do të hyjë në fuqi e do të kthehet në ligj. Po kështu unë jam kundër krijimit të partive të reja. Çdo partie të krijuar t’i vihet kusht. Po nuk patën në Parlament një grup parlamentar me 4-5 vetë të shkrihet. Duhet të vësh duart në kokë kur dëgjon se në Shqipëri ekzistojnë 80 apo 100 parti e më shumë. Po t’i rreshtosh në një vend të hapur partitë, do të shohësh që jo vetëm s’kanë anëtarë, por disa prej tyre s’kanë as kryetarë. Po të shohësh siglat e tyre asnjë s’do t’i kuptojë se për kë parti bëhet fjalë. Kur bëhen zgjedhjet gjen edhe sigla të tilla, voto: PPSHR, PRRI, PAKA, PÇSH, PRDSH, PMDE, PTRSH, PDRE, PRRVSH, PLSHR, PBPPSH, PAASH, PAMI!...e P-të nuk mbarojnë kurrë. Shqipërisë i mjaftojnë tre parti. Po të ndodhë kjo, ndoshta vendi mund të ecë disi përpara. Po kështu edhe reforma në drejtësi mund të ecë përpara. Me gjithë këto parti, që u ngjiten partive të mëdha, kuptohet që pengojnë në ecjen tonë përpara. Ato ngjiten nëpër këmbë si rrodhe dhe nuk të lënë të ecësh. Ato të marrin frymën. Të bllokojnë. Tamam si një koronavirus në trupin e shoqërisë sonë. E këto parti zhduken me ligj Parlamenti. Po s’ndodhi kjo sa më parë, kuptohet që reforma në drejtësi do të zvarritet. Sa më shumë që kjo reformë të zvarritet, aq më shumë do të rritet mali i dosjeve të korrupsionit. Duke u rritur ky mal, rrezikojnë që dosjet të rrëzohen dhe era e fortë e partive politike t’i marrë ato me vete, t’i përhapë sa andej këtej derisa t’u grisen fletët, e Byroja e Hetimit do ta ketë të vështirë t’i gjejë se kujt dosje i përkasin, ndërsa SPAK-u kur t’i marrë ato në dorë, do t’i dënojë të korruptuarit mbas vdekjes.