BREAKING NEWS

Mjekësia shqiptare në zi, ndahet nga jeta mjeku i njohur (EMRI+FOTO)

Mjekësia shqiptare në zi, ndahet nga jeta mjeku i njohur (EMRI+FOTO)
x

Opinion / Editorial

Reforma zgjedhore, çlirimi i politikës dhe votës së lirë

Reforma zgjedhore, çlirimi i politikës dhe votës së

Kjo reformë e shumëpritur për ndryshimin e sistemit zgjedhor, do të jetë një çlirim jo vetëm për politikën konfliktuale, por edhe për votën e lirë. Ajo do të jetë reflektim i parimeve të trashëgimisë zgjedhore europiane, siç janë zgjedhjet universale, të barabarta, të lira, të fshehta dhe të drejtpërdrejta. Ato kanë një vlerësim të dyfishtë për demokracinë në Shqipëri, si për ndryshimin e sistemit ashtu dhe për votën e lirë. Kjo për vetë faktin, sepse në të gjithë botën demokratike, vota konsiderohet atraksion dhe gravitet i shpresës së qytetarëve, për të ardhmen e tyre të përbashkët. Lidhur me këtë precedent që ka të bëjë me lirinë e votës, Petrik Willson shkruan: "Përpara se të mund të qeverisen, njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehen". E thënë ndryshe ajo është streha më e sigurtë e sovranit, që jo vetëm e mbron atë, por i çon edhe më tej vlerat e demokracisë. Kjo reformë do të mund të shërojë sëmundjen e konfliktualitetit politik, që e ka dëmtuar aq shumë shtetndërtimin dhe progresin demokratik të vendit. Shqipëria nuk mund të mbetet më peng e qëndrimeve kontroverse, që prodhuan aq shumë mosmarrëveshje, patologji sociale e psikologjike. Ndryshimi i këtij sistemi si një domosdoshmëri imperative, që vjen edhe si një detyrim i plotësimit të detyrave, të vëna nga aleatët tanë strategjikë SHBA e BE, për kushtet e pranimit në union. Historia e hidhur e zgjedhjeve në këto 29 vjet, nuk mund të mbajë peng proceset integruese. Shqiptarët jo vetëm nuk harrojnë, por nuk mund të murosin tragjikomedinë zgjedhore të vitit 1996, si një nga shembujt më të paprecedentë të shkatërrimit të sistemit të votës. Ata nuk mund të harrojnë pazaret e Dushkut të Lushnjës, por as edhe kutinë e zezë të fshatit Rabije në Fier, ku u gjetën 300 vota vetëm për të djathtën dhe asnjë votë për partitë e majta. Nga analizat e deritanishme të proceseve zgjedhore, del se ato kanë patur natyrë eksperimentale, që janë karakterizuar e përshkuar nga problematika e dukuri negative. Të gjitha këto përfundime të nxjerra edhe nga institucionet ndërkombëtare, kanë të njëjtin emërues të përbashkët, mungesën e vullnetit politik për bashkëpunim. Në 29 vite janë mbajtur 17 zgjedhje, duke ndërhyrë në legjislacion 12 herë, gjë që tregon se edhe kjo reformë, ka ndjekur të njëjtën rrugë si dhe telenovela e drejtësisë. Mendimet e hedhura nga aktorët protagonistë për ndryshimet reformuese të këtij sistemi, herë bashkohen e herë ndahen, gjë që tregon mungesë serioziteti tek palët, duke mos respektuar edhe propozimet e organizmave ndërkombëtare, me përfaqësuesit e tyre të OSBE-ODHIR. Aktorët që janë angazhuar në këtë proces reformues, duhet të binden, se nëpërmjet kësaj reforme shoqëria jonë po i jep fund një sistemi të degraduar abuziv, me formula mikse e kompesuese, që nuk realizoheshin mbi baza ekspertize, ku vendimmarrja politike të ishte vijim i produktit të saj. Një ligj si nevojë e domosdoshme do t'i detyronte partitë politike, sipas nenit 9 të Kushtetutës, për t’iu bërë më demokratike, më atraktive e më funksionale brenda tyre. Kjo do të rriste shkallën e nivelit politik, por dhe do t'i shërbente më mirë bashkëpunimit midis tyre, për interesat e përbashkëta kombëtare. Partitë politike nuk duhet të anashkalojnë rekomandimet e organizmave OSBE-ODHIR, që lidhen me përcaktimin e mekanizmave, për shmangien e presionit ndaj administratës publike, të abuzivizmit, depolitizimi i KQZ dhe të gjithë piramidës. Gjatë procesit partitë duhet të heshtin, duke evituar, situatat dramatike si ato që kanë ndodhur në vijimësi në zgjedhjet e kaluara në vite, të cilat me ndërhyrjet e jashtëligjshme, krijonin sherre, mos pranim rezultati, akuza e kundërakuza për abuzime, për shitblerje votash e të tjera. Jo më larg se në vitin 2017, pati rreth 400 akuza, që u bënë objekt gjykimi dhe sherri, të cilat vazhdojnë akoma midis palëve, qoftë edhe për të justifikuar humbjet. Ajo që do t'i jepte fund konfliktualitetit politik, sherreve, egoizmit dhe abuzivizmit me shitjen dhe blerjen e votave, është kalimi i tyre nën administrimin dhe kontrollin e shoqërisë civile. Sistemi proporcional me lista të hapura, me kandidatë të propozuar nga sovrani, do të përbënte kthesën vendimtare të sistemit zgjedhor. Kjo reformë po aq e rëndësishme sa edhe ajo e drejtësisë, nuk mund të konturohet sipas standardeve të pranueshme për të gjitha palët, nesë në themel të saj nuk vihen propozimet e shoqërisë civile, në tetor të vitit të kaluar, që do të jenë përcaktuese në sistemin zgjedhor. Këto propozime që përbëjnë subjektin dhe lëndën e parë për të, konvergojnë edhe me ato të OSBE-ODHIR, që për grupin e punës duhet të jenë shinat e shtrimit të saj. Ajo do të përbëjë një përmbysje të madhe për shumë arsye, të cilat do të kenë si objekt depolitizimin e strukturave zgjedhore, në të gjithë piramidën e shtrirjes nga qëndra në bazë. Ajo duhet t'u heqë monopolin partive politike, duke mos patur më pushtet mbi to, duke jua deleguar këtë të drejtë, ashtu si në të gjithë botën demokratike, shoqërisë civile. Fushatat elektorale nuk kanë pse mbështeten nga burime shtetërore financiare, duke prerë lidhjet me elementët kriminalë, si dhe minimizimin e shpenzimeve parlamentare, për krijimin e elitave intelektuale, për programe e ide konkurruese, por jo për ushtarë rreshti në komisione mbush për tre. Zbatimi i propozimeve të shoqërisë civile dhe ato të ndërkombëtarëve, do krijojnë standarde në përputhje me kushtet specifike të vendit, por edhe të përvojës së demokracive të zhvilluara. Por që ky sistem të dalë në rrolin e tij të shumëpritur, nuk mjafton vetëm kuadri ligjor, por edhe respektimi i të drejtës së sovranit brenda dhe jashtë vendit, duke siguruar pjesmarrjen qytetare në vendimmarrjen demokratike. Vetëm kështu do të sigurohet besimi në procesin politik, si dhe sigurimin e infrastrukturës zgjedhore që do të garantojë çdo proces të radhës. Të gjithë e dimë që demokracia është një rrjet institucionesh, që i ka rrënjët në kulturën politike. Sistemi institucional mund të përcaktojë kuadrin e një kulture të tillë, por ai nuk mund të krijojë ose sigurojë qëndrueshmërinë e saj. Demokracia ngrihet mbi një sistem institucional dhe procesesh, që përfshijnë zgjedhje të përgjithshme, përfaqësim parlamentar dhe kontroll mbi pushtetet nëpërmjet sistemit të llogaridhënies. Qytetarët janë aktorët me vullnet dhe aftësi, që duke u identifikuar me sistemin politik të demokracisë, do të luajnë rrolin përcaktues në zhvillimet e saj. Çdo sistem zgjedhor, mund të funksionojë vetëm nëse mbështetet tek humbësit, tek pakica e cila pranon rezultatin. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne kthehemi vite pas, tek konfliktet që kemi vuajtur aq shumë, në vend që të bëjmë përpara, për të fuqizuar kohezionin shoqëror, për një të ardhme të garantuar.