BREAKING NEWS

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh prapaskenat: Marrëdhëniet u normalizuan pas 20 muajsh, ja për çfarë ramë dakord!

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh
x

Opinion / Editorial

Reforma zgjedhore e dritë-hijet e referendumit

Reforma zgjedhore e dritë-hijet e referendumit

Në demokraci, ujdia buron e bazohet tek vota e ligji!

Këshilli Politik, si Byroja qëmoti, është sajesa më e fundit e përçudnimit demokratik kur i jepet autoritet një tryeze farse që nëpërkëmb rregullat e vendimmarrjes demokratike dhe kjo pak ditë pas precedentit të platformës presidenciale dhe zhurmës me të. Ulen në tryezën e sajuar ca që mbetën rrugëve sepse nuk njohin tryezat institucionale, shmangen të tjerë që ligji zgjedhor i diskriminon si të “vegjël” ndonëse kauzat u peshojnë, krijojnë tymnaja për tym të “bardhë”, por prodhojë vetëm gjëegjëza mediatike që hanë kohë të vyer se edhe sikur të bien në ujdi, vulën nuk e kanë “kapterët” atje, por “mareshalët” e ngeshëm gjetkë… Tryezat informale janë gjithnjë një shans për emancipimin demokratik të politikës dhe kohezionin social, por jo si “parazit” në kurriz të tryezave institucionale. Parlamenti nuk duhet të degradojë në zyrë noterizimi. Aty dhe vetëm aty duhet të vlojë debati real dhe vihet vula më pas. Këshilli Politik si sajesë e ditës nuk mund të dominojë Parlamentin ndryshe i bie që farsë të jetë Parlamenti, dhe atëherë vërtet nevojitet një ligj zgjedhor që mundëson meritë e dinjitet për çdo përfaqësues të popullit në të. Në demokraci nuk ecet me ujdi kulimash, por me ligje dhe përfaqësim me votë. Jo me “besa” odash, por delegim me votë dhe institucion. Vetë fjala “ujdi” partiake tashmë ka marrë kuptim të keq sepse gjithnjë është shpërdoruar e ka degraduar në pazar politik me justifikimin se “kompromisi nënkupton lëshim reciprok”! Lëshimi reciprok në kurriz të ligjit dhe së drejtës është degradim i demokracisë që të vetmin mekanizëm të ndarjes së shapit nga sheqeri ka votën e lirë dhe zbatimin e ligjit. Takimet e dakordësia partiake duhet të inkurajohen dhe mirëpriten në politikë, por gjithnjë si mjet informal dhe jo precedent që bëhet “normë” apo fjala e fundit në vendimmarrje madhore në demokraci. Mirë, keq, Kuvendi është zot e shkop katër vjet dhe autoritetin atij vetëm votuesi ia jep apo ia merr! Nëse palët nuk bien në ujdi në respekt të ligjit, atëherë fjalën e ka Parlamenti dhe më tej, vota në zgjedhjet që pasojnë. Ujdia e vetme parimore që i jep kredo votës dhe shtetit ligjor dhe jo kulisave partiake është ajo me votuesin dhe me ligjin si mishërues i konsensusit në kohë dhe për të gjithë shoqërinë. Kurrsesi ajo mes tellallëve partiakë për pazare të ditës dhe shantazhe politike që synojnë statuskuonë problematike në vend.

Ujdia partiake si alibi për nëpërkëmbje reformash dhe ortakëri!

Si parti në pushtet, PS duhet të dëshmojë përgjegjshmëri ligjore e demokratike për të mos inkurajuar praktikat e tryezave farsë që nëpërkëmbin institucionet. Aq më tepër përballë një politike hileqare që ndër vite zgjodhi të bojkotojë deri institucionet, tentoi precedentin e paligjshmërisë me votën dhe provokoi, por nuk i eci, të mbillte anarkinë në vend. Vicklat e PD e kompani që hall kanë sa të ulen në tryezë dhe pastaj zvarritin me yçkla e retorika boshe duke hedhur gurë në lumë, nuk habisin më. E kanë zakon arrogancën në pushtet dhe viktimizimin në opozitë. Nga arbitrariteti i qeverisjes së ‘90 apo pas 2005 (ndonëse në pushtet me paterica), kundërvënia e anatemimi ndaj Kushtetutës, cirku me çadër në bulevard për pazare nate etj. PS, më shumë se ujdinë me PD e bishtat e saj, duhet të vlerësojë dakordësinë me votuesin që e votoi, partnerët SHBA e BE që janë kujdestarë të demokracisë dhe ligjet e shtetit ligjor. Ndryshe, është po aq bashkëfajtore në zvarritjen e reformave dhe “mullarin” e problemeve pafund. Tashmë që tryeza e Këshillit Politik “skadoi”, pengmarrja e reformës zgjedhore nuk duhet të vazhdojë më. Debati duhet urgjentisht të kalojë në Kuvend, ku me mëndje të hapur, duhet të dëgjohen edhe partitë që nuk kanë përfaqësim në Kuvend apo grupe interesi qytetar. Dhe nëse ka vend për ujdi, ashtu qoftë. Por të paktën ditën me diell, deri edhe tek qeveria “kujdestare” e dorëzimi dy muaj para zgjedhjeve i çelësave të disa ministrive opozitës që mund të sanksionohet në Kushtetutë për çdo palë zgjedhje në të ardhmen. Fundja, 2 muaj nuk kompromentojnë 4 vjet ushtrim pushteti dhe ndërkohë hiqet çdo merak politik e qytetar.

Ca ligji zgjedhor, ca votuesi vetë!

Legjislacioni zgjedhor ka nevojë gjithnjë për përmirësim për më shumë dinjitet dhe merita në atë sallë. Nëse duhet rishikuar, në pamundësi të STV irlandez që heq merakun e të “keqes më të madhe”, varianti efektiv mbetet ai mazhoritar me korrigjim proporcional kombëtar. Rivendos meritën dhe dinjitetin e deputetit të popullit dhe me shtetin ligjor shumë më solid sot, i pret rrugën të fortëve të rrugës dhe atyre politik. Dhe nëse koha nuk premton, të hapen listat për ligjin ekzistues proporcional rajonal. Politika e tranzicionit është përfolur shumë për abuzim ndaj dhe nuk habit ngurrimi për të kaluar reforma që nuk i shkojnë për shtat. U degradua reforma e pronës për të legalizuar edhe abuzimin me pronën e pasurinë, u arnua Kushtetuta për të miratuar ligj zgjedhor që garanton imunitet politik ndaj veprimit të ligjit dhe vetë drejtësia u kap gjatë për të mbrojtur abuzimin kur e drejta adresohej në gjykatë. Sikurse me drejtësinë e pronën, edhe reforma zgjedhore evidenton konflikt interesi mes saj dhe politikës abuzive. Vota e lirë nuk mund të pranohet nga ata që humbasin prej saj. Dhe sa kohë shpiken tryeza farsë që i hedhin hi syve publikut e Perëndimit dhe synojnë ujdi që cungojnë reformën në emër të “lëshimit reciprok”, politika abuzive ruan shanset për karrige në Kuvend dhe imunitetin politik që vjen me të. Përtej kritikave për sistemin zgjedhor, “topi” mbetet tek votuesi. Sado të stonojë ligji zgjedhor, është në dorën e qytetarit kë parti të votojë. Nëse apriori shtyhet të zgjedhë mes dy të këqijave, t’i refuzojë të dyja dhe votojë një të tretë. Nëse nuk ka një të tretë, të frymëzojë një të tretë apo dhe organizohet vetë e të krijojë një të tretë që krye-premtim të saj të ketë ligjin e ri zgjedhor apo referendum për të. Ndryshe, të qaravitesh gjithë kohën ndaj ligjit zgjedhor kur ndërkohë kryqin në letrën e votimit e kemi vetë në dorë, është alibi për mefshtësi intelektuale e qytetare në demokraci.

“Magjia” e referendumit!

Kemi përjetuar më shumë se një variant zgjedhor ndaj mund dhe duhet të reflektojmë. Por debati dhe vula e kanë vendin në Kuvend. Por, edhe referendumi, sado premtues e “hyjnor”, mbetet thikë me dy presa. Referendumi sërish është votim dhe nëse politika e kulisave akuzohet se manipulon e helmon opinionin publik në vijimësi me kulm sa herë ka votime, atëherë asgjë nuk do e pengojë të manipulojë edhe referendumin e radhës me dallimin e madh se kësaj here, “verdikti” do të ketë “vulë” plebishitare dhe me të do spekulohet duke u mbyllur gojën reformatorëve në politikë. Ndonëse formë direkte e demokracisë, referendumi nuk është automatikisht bartës i së vërtetës dhe objektivitetit politik. Për më tepër, referendumi, aq sa mjet për goditjen e statuskuosë së abuzimit, mund të jetë dhe alibia për vetë këtë statuskuo për më tej! Referendumi kërkon frymë që duhet të krijohet dhe bartet nga qytetarë me integritet dhe të respektuar në shoqëri. Nga mbledhja e firmave për peticion nëse politika nuk hap udhë vetë apo ngushton objektin e referendumit, tek argumenti publik që vë në vështirësi politikën dhe nxit debatin e brendshëm dhe reformimin partiak etj. Ndryshe, edhe nëse ndodh, do të jetë fasadë dhe një rifreskim “licence” për abuzimin politik. Lajm i mirë është fakti se Perëndimi e sidomos SHBA, e kanë ndarë mendjen dhe nuk heqin dorë prej nesh. Herët a vonë, si reforma në drejtësi, ashtu dhe ajo elektorale do të futen në hulli sepse Shqipëria është pjesë e “mozaikut” perëndimor dhe afërmendsh, anomalia demokratike atyre u vret sytë. Nuk ka të bëjë fare me retorikën e sovranitetit që mbetet guva e atyre që tremben nga reformat. E kemi dorëzuar atë bashkë me kërkesën për anëtarësim në BE apo kur u pranuam në NATO e institucione ndërkombëtare. Dhe më mirë të lëshosh sovranitet tek një tryezë partnerësh ku ndahet e mira e përbashkët sesa të shtrohet ai si “beze” tavoline ku ulen, jo se i zë halli i shoqërisë, por halli i tyre dhe që pastaj e bëjnë tërkuzë se i detyron po ai.