BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Reforma zgjedhore e sheqerosur nga përpara me bishtnime nga prapa

Reforma zgjedhore e sheqerosur nga përpara me bishtnime nga prapa

Reforma zgjedhore në Shqipëri, kaloi përmes një kalvari mundimesh e përpjekjesh, në labirinte e kthina, me prapaskena, fije që i lëviznin liderët politikë që nga llozhat e partive. U bë realitet, falë këmbënguljes diplomatike, sakrificës për t`u errur e gdhirë në dialog, të ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, të BE-së, Soreka, të Anglisë, Gjermanisë dhe këshillat dashamirëse të komisionerit europian. Kompromisi u shoqërua me një shtendosje litari dhe qetësim e pak relaks popullor. Të lodhurit nga negociatat pafund në tokën amerikane, në ambasadë morën frymë lirisht dhe një of e zgjatur, u ndje në cepat e Shqipërisë. Po nuk ishte e thënë të merrte fund kalvari i grindjeve dhe të shuheshin sherrnajat e dashnorëve negociatorë, shkuesve që nuk dinë dhe nuk duan të merren vesh. U duk se kapaku u mbyll dhe reforma u vulos nga mendjet e ndritura, korifenjve që na udhëheqin në këto tri dekada dhe rioshët që sapo kanë futur këmbët në politikë, po që e matin veten me liderët e spikatur botërorë. Vërtet u vendos vula, u hodh firma, u pi shampanja, u hap një portë, po çatia e reformës u plasarit në shumë vende, si një rrobë e qepur keq dhe nisi të rrjedhë ende pa u tharë llaçi. Pakënaqësi dhe pasiguri, vërshuan nga selitë rozë, blu, mavi. Me reformën po ndodh si me proverbin “Dardha e ka bishtin prapa”. Atje ku mbaroi katërshja politike, të famshmit e deleguar të forcave politike, “Këshillin i të Urtëve”, ku u ulën në tavolinë ikanakët, të ardhurit rishtas, lësistët, socialistët, pdistët dhe më e reja në politikë zonja Hajdari, opozitarja e cila sapo doli nga takimi triumfuese, u shkarkua njëlloj si gjeneral Zhuvkovi kur fluturonte nga Tirana në Moskë. Lëmshi i ligjit u bë gjëmbaç, si trupi i iriqit në pyll kur del nga strofkulla natën në vesë dhe nisi të mbështjellë rreth vetes tërë fijet që shtriheshin si rrjetë merimangash, në skenë e prapaskenë. Për t`u habitur, qëndrimi i atyre që u dakordësuan dhe dhanë pëlqimin dhe ata që prisnin tërë kënaqësi dështimin e marrëveshjes. Jo pak politikanë të kazanit, ata që qëndrojnë në pritje të presë së radhës që më pas të kenë mundësinë të përfitojnë nga çfarë mbetet, pas dyluftimit të gladiatorëve të peshave të rënda, ashtu siç kanë përfituar ndër tri dekada, nxituan t`i kundërvihen hapur reformës së dakordësuar. Altoparlantët ngritën volumin në kupë të qiellit. Ekranet u çanë për fitoren e rikthimit në kohët e kaluara të politizimit të administrimit zgjedhor dhe mospranimin e refuzimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it. Nuk ishte e thënë në vitin njëzetë, të shekullit të njëzetë e një, të kemi administrim teknik, si gjithë vendet demokratike. Jetojmë kohën e komisarëve politikë, thirrur për mbikëqyrje të procesit zgjedhor nga partitë. I gjithë synimi, të ndahet torta, jo sipas votës, po forcës së atyre që administrojnë votën e popullit. Në qendrat e votimit e numërimit, mundësisht, të delegohen me kompetenca të plota qëndrestarët, trimat, të varurit, ata që të marrin gjak në vetull, mbrojtësit e padiskutueshëm të vullneteve partiake. Pas tolerancës ekstreme deri në nënshtrim të mazhorancës, Gjiknurit nga halli, më në fund fitoi opozita politike, duke vendosur kontrollin e procesit. Tani e tutje do kemi komisionerë me tesër partie dhe të gjithë do krenohemi me luftën që do bëjë në komisione secili, vuri bojë në gisht, kush pa vëngër, cili tregoi votën, e fantazi të tjera që nuk i mungojnë politikës shqiptare? Edhe në kohët e vjetra, burrat në kuvende, pa shkruar asgjë, vendosnin në besa- besë, pa asnjë arbitër dhe i qëndronin vendimeve të marra bashkërisht, pa i hequr asnjë presje. Kush bënte ndryshe zhburrërohej, mbetej i turpëruar dhe largohej nga kuvendi i odave. Fjala ishte e shenjtë, zbatohej deri në detaje. Ishte për turp që ndonjëri nga pjesëmarrësit në dakordësi, të çedonte dhe të vepronte ndryshe. Po sot me marrëveshje të shkruara me kompromis të arritur në mirëkuptim pse veprohet ndryshe dhe a kanë moral, turp, liderët që pasi kanë dhënë fjalën ndryshojnë pllakën, duke kërkuar qiqra në hell? Si është e mundur që një marrëveshje, faqe botës, të shpalosura në ëord, shkruar shqip e anglisht dhe trimat tanë të bëjnë sikur nuk ka ngjarë asgjë? Marrëveshje e firmosur dhe noterizuar me firma dhe vula, si eradet e Sulltanit, si munden udhëheqësit tanë të mëdhenj, pas sheqerosjes në fillim, kulaçit, ëmbëlsirës, thirrjes fitore e thellë, të ngjitin qindra bishta, të bishtnojnë e të vendosin stërkëmbësha për ta bërë nul marrëveshjen për reformën dhe ligjin zgjedhor? Mos harroni, se këto marrëveshje janë garantuar nga arbitër të paanshëm, të pavarur, që nuk kanë asnjë interes politik dhe nuk janë palë të hedhin të tolerojnë konkretizimin e reformës, ta aktualizojnë dhe të vendoset për rregullat e shkruara. Ata që u betuan dhe brohoritën, fitore, vetëm një ditë e zgjatën entuziazmin, ditët në vijim, nisën avazin e Mukes, pretendimet, kërkesat, pa përmbajtje, jashtë kontekstit të marrëveshjes. Është traditë e njohur, këtu tek ne, mungesa e seriozitetit dhe mbajtjes së premtimit edhe kur ai është i shpallur botërisht, i njohur nga tërë shqiptarët. Kjo është një fatkeqësi nga e cila vuajnë pothuaj tërë forcat tona politike, po opozita e sotme e ka kthyer në ves mosmbajtjen e premtimeve. PD, LSI dhe partitë rreth tyre nuk i binden edhe të shkruarave prej tyre dhe i grisin faqe tërë botës, le më të besohen se do mbajnë premtimet e betimet me të cilat janë hedhur në fushatë dhe propagandojnë bollëkun dhe plotësimin e dëshirave të shqiptarëve, duke gënjyer e mashtruar, pa asnjë kud e masë. Të paktën të thonë gënjeshtra të bardha dhe t`i lënë përrallat me mbret, se qytetarët shqiptarë nuk janë në vitin zero, kanë dëgjuar shumë premtime dhe në fund janë ushqyer me zhgënjime. Sa u hodhën firmat te marrëveshja, menjëherë nisën pretendimet radhë. Duam Komision Qendror politik kur ishin për teknik. Të balancuar. Të miratohen nga Avokatja e Popullit, që është pjesë e strukturave të PD-së dhe e deleguara e tyre me marrëveshjen e 17 majit, e vetmja që pati fatin të qëndrojë në detyrë në një organ të pavarur. Kush nuk e di, le të shikojë emërimet e përfaqësuesve të avokates nëpër qendra qytetesh dhe do kuptojë se janë të gjithë anëtarë të devotshëm të Partisë Demokratike. A do bënte ndryshe avokatja jonë me ata që certifikojnë zgjedhjet? E bukur për të qenë e vërtetë, po fatkeqësisht e pamundur të ndodhë. Pasi na ëmbëlsuan me sheqer, partitë politike i shtojnë bishtnaja vetë marrëveshjes, e nxinë, duke e grisur të parën dhe duke hedhur ide e kërkesa të cilat janë të papranueshme, jo vetëm ligjërisht, po edhe logjikisht. Kompromiset tek ne, kanë pasur gjithnjë fatin e keq dhe sapo është tharë boja me të cilën janë shkruar, janë hedhur në kosh. Kujtoni, historitë e tërë kompromiseve nga viti 1990 me vendosjen e pluralizmit politik. Kujtoni, si u hedh në kosh, marrëveshja e pajtimit kombëtar pas ngjarjeve tragjike të vitit 1997. Kujtoni gjithçka dhe do kuptoni sa pak serioz janë firmëtarët tanë. Korit të opozitës së dorëzuar i bashkohen opozitarët e rinj, të cilët i bien të njëjtës vegël muzikore dhe ndjekin të njëjtën melodi. Opozita, së pari PD, shigjetojnë deputetët e listës së vetë dhe qëndrimin e tyre ia faturojnë mazhorancës, sikur ata t`i ketë deleguar në atë sallë qeveria kur dihet se janë produkt i propozimeve dhe listave të mbyllura të PD dhe LSI-së. Këtë manovër, populli e etiketon: E bëjnë dobiçin dhe ta lënë në derë! Opozitarët e rinj, zoti Murrizi, Hajdari, Gjoni e të tjerët, tregojnë dhëmbët dhe i bëjnë karshillëk, jo vetëm faktorëve politikë shqiptarë, po edhe atyre ndërkombëtarë. Zonja Hajdari e mendon veten si politikane e perspektivës dhe mirë bën. Ajo deri tani ka folur me Zërin e Amerikës, gati si e dërguara e saj. Po e trysnuar nga kolegët, nisi t`i vërë edhe ajo bishta reformës edhe pse është një prej katërshes që e vulosi marrëveshjen. Kësaj i thonë, as më shumë as më pak, dridhe like, dredhi për të fituar kredibilitet para deputetëve të vet. Edhe pse kompromis me defekte, pranuar nga të gjithë, sot në betejën për ta konkretizuar dhe formalizuar reformën, duke shkruar gjithë rregullat, partitë politike i shtojnë bishta, kokë, këmbë e duar, duke e bërë një trup të përçudnuar. Kështu, vetëm reformë nuk do të jetë dhe zbatim të saj nuk do të ketë. PD, Basha, Monika, më shumë, mendojnë e shikojnë anën materiale, tenderin për kontrollin biometrik, se vetë reformën, vlerësuar si garanci për të ardhmen. Edhe pse e sheqerosën, e lyen me bojë plot shkëlqim, i bënë marketing, edhe pse i shtojnë bishta, përsëri fajin ua ka Rama?! Po cili është faji i tij në të vërtetë? Që i pranoi të gjitha? Kjo po, është e drejtë! Në takimet e Këshillit Politik, post marrëveshjes, kanë vërshuar e-malilet, kërkesat ekstra, ankesat, pretendimet, ultimatumet, akuzat. Bishta, bishta, bishta! Sa shumë bishta, deri në infinit bishta! Shtesa, shtesa, shtesa, si sapun mbi gunë. Në fund ultimatumi: Ju, mazhoranca, keni detyrë të bëni si them unë! Bëni atë që duam ne, ose vdes reforma zgjedhore!