Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Reformimi i sistemit, utopi apo mundësi për ndryshim?

Postuar: 12/07/2019 - 07:09

Lufta politike është zhvilluar me konceptin e llogores “Ne” dhe “Ata”, “ të kuqët” dhe “blutë”, “populli i majtë” dhe “populli i djathtë”! Për  pasojë kjo klasë politike nuk e ka vlerësuar dhe ushtruar politikën si artin e ndërtimit dhe drejtimit të shtetit, nuk e ka konceptuar dhe zbatuar nocionin politik si mirëqeverisje, si çështje publike, si kompromis dhe konsensus, si marrëveshje dhe marrëdhënie, si debat dhe pajtim, si shpërndarje pushteti dhe të burimeve, si aktivitetin e ligjshëm, ndërmjet të cilit njerëzit bëjnë, ruajnë , përmirësojnë rregullat e përgjithshme sipas të cilave jetojnë duke zgjidhur konfliktet dhe, jo duke i nxitur ato (konflikti aktual, politik, kushtetues dhe institucional!) Ka dominuar në mënyrë permanente lufta politike konfliktuale për mbajtjen dhe marrjen e pushtetit pa rregullat e lojës. Konstatohet se në llogoret e dy partive të mëdha me aleatët e tyre, janë pozicionuar analistë, gazetarë, media, intelektualë, juristë të ndarë në dy grupime në debat konfliktual. Janë në minorancë analistët dhe intelektualët, relativisht të pavarur, por që nuk i dëgjon askush.

Përgjatë tre dekadave rezulton se mbi 14 procese zgjedhore kanë qenë me shumë probleme dhe të kontestuara dhe, tani së fundi duket hapur me prova, sistemi i vjedhjes dhe manipulimit të votës. Ka pasur dy kriza politike dhe sociale (e ‘90 dhe ‘97), ku është dashur ndërhyrja e ndërkombëtarëve për rend, qetësi, stabilitet, dy ngjarje të dhunshme shumë të rënda, ajo e ‘98 dhe ajo e 21 Janarit 2011, ku përsëri faktori ndërkombëtar ka ndërmjetësuar me palët, si dhe konflikti aktual politik dhe institucional për mbajtjen dhe marrjen e pushtetit pa rregullat e lojës. Pasojat janë shumë dimensionale.

E drejta e fjalës është fillimi i lirisë, por nevoja për të dëgjuar është ajo që i jep rëndësi kësaj të drejte. Bazuar edhe në nenin 48 të Kushtetutës të RSH, vetë ose së bashku me të tjerët, mund të shpreh kushdo ide, mendime, rekomandime ose vërejtje institucioneve të larta të shtetit. Në këtë kontekst po shpreh mendimin tim për çështje që ka kohë që janë hedhur për diskutim publik. Nëse ka një ide progresive bazuar në ligjësi dhe parime dhe nuk organizohet inplementimi, zbatimi i vërtet i saj, është njëlloj sikur mos të ekzistonte kjo ide. Më lejoni të sjell në vëmendje të opinionit publik të interesuar disa mendime që do t’i shërbenin reformimit të sistemit politik, të drejtësisë, reformës ligjore, reformës zgjedhore, reformimit të partive politike, etj..

Së pari: Vijimi i reformës në drejtësi si një nga prioritetet kryesore e strategjike, kusht i imponuar nga ndërkombëtarët dhe i pranuar nga politika me 140 vota në Parlament, si dhe nga shoqëria shqiptare, që aktualisht është në proces. Zinxhiri i reformës në drejtësi do të jetë aq i fortë, sa e fortë do jetë hallka më e dobët e tij. Reformimi i Kushtetutës së RSH me konsulencë të institucioneve ndërkombëtare. Në Kushtetutën aktuale janë ndryshuar apo edhe shtuar 37 nene, janë bërë 35 interpretime nga Gjykata Kushtetuese. Ndryshimi dhe interpretimi i këtyre neneve nga institucionet kompetente duhet rivlerësuar, brenda kompetencave që ju jep Kushtetuta dhe ligji. Abuzimi me nenet e Kushtetutës në vitin 2008, për interesa të çastit të pushtetit, është një ndër shkaqet e gjendjes.

Së dyti: Reformimi i sistemit politik. Është alternativë e arsyeshme dhe e domosdoshme kufizimi i pushtetit të kryetarit të partisë politike dhe e shefit të ekzekutivit, kryeministrit, me dy mandate 4-vjeçare. Një nga parimet themelore të demokracisë që dallon dhe ndan sistemin demokratik nga sistemi totalitar, (diktatorial), sistemin e shtetit ligjor të së drejtës, nga sistemi i partisë shtet (diktaturës), siç funksionon tek ne, është edhe zbatimi i parimit të kufizimit të pushtetit. Dihet publikisht se vetëm diktaturat funksionojnë me pushtet të pakufizuar dhe kontrollojnë të gjitha pushtetet e tjera. Aktualisht partitë politike shqiptare, kryeministrat, që janë pjellë e këtyre partive, për 30 vjet veprimtaria e tyre është mbështetur në metoda totalitare, autoritariste, në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës së RSH. Të tre kryeministrat në këto 30 vjet, kanë ushtruar pushtet autoritar, pothuaj absolut, pse jo edhe arrogant, dhe kanë kontrolluar me dorë të hekurt të gjitha pushtetet (legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor), në kundërshtim të hapur me nenin 7 të Kushtetutës së RSH. Nënvizoj se, nga partia politike apo partitë politike që fitojnë zgjedhjet, burojnë pushtetet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Ajo (partia) konsiderohet në teoritë politike si element kryesor i sigurimit dhe ushtrimit të pushtetit shtetëror. Aty është burimi i pushtetit dhe aty duhet të fillojë ndryshimi ligjor. Kufizimi i pushtetit të shefit të ekzekutivit, kryeministrit, (me dy mandate 4 vjeçare) sjell në proces ndarjen, balancimin dhe pavarësinë reale të tre pushteteve, përveç të tjerash, ku duhet të bazohet sistemi i qeverisjes demokratike. Le të bazohemi edhe tek Kushtetuta e SHBA, ku presidenti (shefi ekzekutiv) i ka të përcaktuara me ligj kufizimin e mandatit (2 herë nga 4 vjet), kriterin e moshës (të ketë mbushur moshën 40 vjeç) dhe kohën e lindjes dhe të qëndrimit në SHBA, etj.. Vetëm teknologjia moderne institucionale, procedurat, mekanizmat, ligjet, aktet nënligjore, mund të pengojnë, frenojnë, minimizojnë, rregullojnë pasionet e papërmbajtshme për lavdi (pushtet) dhe pasuri, që ata të mosrealizohen në mënyrë dhe në rrugë të paligjshme, që duken hapur tek ne.

 

Së treti: Reforma zgjedhore, si pjesë e reformës në drejtësi. Ajo duhet të shtrihet në të gjithë shoqërinë e organizuar dhe jo vetëm për zgjedhjet parlamentare, lokale e referendume, duhet të përfshijë partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile. Megjithëse zgjedhjet parlamentare e lokale janë monitoruar nga ndërkombëtarët, ato janë manipulua dhe vjedhur! Po zgjedhjet në partitë politike që nuk i monitoron askush, çfarë ka ndodhur me votën e lirë të anëtarësisë së partive?! Kur nuk funksionon vota e lirë në partitë politike, nuk ka sesi të funksionojë ajo në zgjedhjet parlamentare, lokale, e referendume. Fjala është se duhet të ketë dhe kërkohet një standard dhe vetëm një, për votën e lirë në shoqëri demokratike të organizuar. Mendoj se alternativa më e mirë është sistemimi zgjedhor proporcional rajonal i kombinuar me mazhoritar, me lista të hapura. Vota e lirë duhet të zëvendësojë veton e kryetarit në procesin e zgjedhjes së kandidatëve. “Vota e lirë” dhe jo “vota e vjedhur”, duhet të funksionojë. Duhet t’i jepet fund që partia është pronë e kryetarit të partisë.

Së katërti: Pastrimi i legjislacionit nga ligjet dhe aktet nënligjore që lejojnë vjedhjen dhe abuzimin me ligj. Ne sot hasim ligje të shtrembëruara, boshllëqe, zgavra në to dhe forcën e disa institucioneve të shtetit të deformuara bashkë me to. Konstatojmë ligje, vendime gjykatash që janë bashkautorë në padrejtësi. Tek ne ligji ka vendosur jo në pak raste forcën kolektive në dispozicion të një grupi njerëzish, ka shndërruar mbrojtjen ligjore në krim. Në një shoqëri nuk mund të ketë të keqe më të madhe sesa shndërrimi i ligjit në instrument grabitjeje. Fenomenet që pakica grabit shumicën, njëri grabit tjetrin, janë të pranishme në shoqërinë tonë. Mendoj se ligji, zinxhiri i reformës ligjore, duhet të ndjekë idenë madhore, strategjinë që të bëhen ligj, ku askush të mos grabitë askënd, askush të mos vjedhë askënd, askush të mos abuzojë me askënd. Ky është parimi i drejtësisë, i paqes, i rendit, i stabilitetit, i harmonisë. Qëllimi i reformës ligjore  duhet që ajo të pengojë në maksimumin e mundshëm mbërritjen e padrejtësisë. Kështu ne do të vlerësojmë dhe vendosim në proces drejtësinë si trashëgimia më e çmuar e shoqërisë njerëzore. I dhimbshëm është mjerimi, por nuk ka më të dhimbshme sesa padrejtësia!

Së  pesti: Është alternativa më e mirë që marrja pjesë në procesin e votimeve për zgjedhje parlamentare, vendore, referendumeve të jetë detyrim ligjor për çdo qytetar. E drejta e votës nuk ushtrohet vetëm për vete, por edhe për secilin, për të gjithë ata që nuk marrin pjesë në votime për arsye të moshës apo të shëndetit. Perëndimit i janë dashur mijëra vjet që të arrijë në liritë dhe të drejtën politike që çdo shtetas ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Fjala është për votim të përgjithshëm, që do të thotë, votimi i përgjithshëm i të aftëve. Së  gjashti: Është alternativa më e mirë që Parlamenti i Shqipërisë të përbëhet nga 100 deputetë të zgjedhur me sistemin proporcional rajonal kombinuar me mazhoritar, me lista të hapura. Për këtë vend të varfër është luks të mbahen 140 deputetë. Nëse shkurtohen 40 deputetët, do t’i kurseheshin buxhetit të shtetit  200.000 mijë euro në muaj. Shkurtimi i numrit të deputetëve do të ndikonte ndjeshëm në rritjen e cilësisë së Kuvendit, vendi ku flitet me mend “Parla-Mente” (Ukraina me popullsi 45 milionë banor ka 120 deputetë). Nëse lidershipi politik vizionar është i rrallë, që i mungon Shqipërisë, lidershipi ligjvënës është akoma më i rrallë. Është alternativë më e mirë që Presidenti i Republikës të zgjidhet direkt nga populli dhe kryetarët e bashkive me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë (dy mandate 4-vjeçare).

Së shtati: Arsimimi, mosha dhe karriera ecin bashkë. Mosha (nënkuptohet përvoja) është kriter në rrugën e karrierës. Mendoj se në ligjin për zgjedhjet duhet të shtohet se kandidati për deputet zgjidhet shtetasi shqiptar që nga lindja me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri, ka mbushur moshën 35 vjeç dhe ka të paktën një përvojë pune 15 vjet. Është e arsyeshme që në kushtetutën e RSH të shtohet: “Kryeministër mund të emërohet deputeti ose shtetasi shqiptar që nga lindja me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën  40 vjeç. Në çdo rast me të drejtë riemërimi vetëm një herë (dy mandate 4-vjeçare)”. Le të sjellim në vëmendje si shembull ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, që propagandohet si ligj i mirë. Këtij ligji i mungon kapitulli kryesor, koha e qëndrimit në një pozicion pune, afatet. Ai nuk përcakton kur nëpunësit civil i lind e drejta të aplikojë për të konkurruar në procesin e përzgjedhjes, pas kohës së qëndrimit në një pozicion pune dhe për të fituar pozicionin pasardhës. Për rrjedhojë kemi fenomenin 30-vjeçar që në postet e larta të shtetit janë vendosur 25-30-vjeçarë pa përvojë, pse jo edhe të paaftë, mediokër. S’ka më të rrezikshëm se injoranca dhe arroganca në pushtet. Të pretendosh dhe, ta bësh fakt të kryer, që një 25-vjeçar zgjidhet deputet, emërohet ministër, në funksione të tjera të larta të shtetit është sikur të pretendosh që brenda natës të bëhesh milioner.

Le të sjellim në vëmendje, në vijim t’i referohemi ligjit nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake” në FA të RSH. Nëntogerit me moshë 22 vjeç do t’i duheshin 34 vite punë dhe karrierë të suksesshme që të bëhej “Gjeneral Lejtant”. Në vijim , sipas ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, një punonjësi policie me gradën fillestare “Inspektor” do t’i duheshin 22 vjet punë dhe karrierë të suksesshme që të bëhet “Drejtues Madhor” në P.SH. Nëse nëntogeri apo punonjësi i policisë për shkaqe të arsyeshme do të liroheshin, do t’i gjenim më pas në funksione të larta; deputetë, ministra, kryetarë bashkie, etj.. Do të pranohej një deputet, ministër, kryetar bashkie 25-vjecarë, me kusht që të kishte 20 vjet përvojë të suksesshme pune!

Jam i bindur, por jo vetëm unë se po të sanksionohet në Kushtetutë, në ligj, kufizimi i pushtetit të kryeministrit, të kryetarëve të partive, të kryetarëve të bashkive, etj., do të vendosnim një gurë themeli në sistemin demokratik, do t’i jepnim fund pushtetit të pakufizuar. Këto mendime dikujt mund t’i duken hollësi, por tek hollësitë është Zoti, aty fillon ndryshimi, zgjidhja. Çfarë kërkojmë? Përshpejtimin e reformës në drejtësi, reformën kushtetuese, reformën e zgjedhjeve dhe të ligjit zgjedhor, reformimin e sistemit politik, ligjit për partitë politike, reformimin e partive politike ku të funksionojë : demokracia, mendimi ndryshe, debati i ideve dhe jo personalizimi i debatit, gjithë-përfshirja dhe jo përjashtimi; reformimi i sistemit ligjor me qëllim që ajo të pengojë në maksimumin  e mundshëm mbërritjen e padrejtësisë. Të bëjmë të mundur që ligji dhe vendimet e gjykatave të mos jenë bashkautorë me padrejtësinë. Kjo kërkon që klasa politike të dalë nga llogoret dhe të ulen në tavolinë, çka duket mision i pamundur, pa ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve.

Mendoj se kriza aktuale politike, institucionale, kushtetuese do të zgjidhet me ndërmjetësimin dhe ndërhyrjen e SHBA dhe të BE, të cilat do të detyrojnë palët të merren vesh. Është e arsyeshme që duke u mbështetur në nenin 48 të Kushtetutës, një forum i përkohshëm intelektualësh të të gjitha fushave progresiv me ndershmëri institucionale integritet moral dhe profesional, vizionar, të pavarur dhe jashtë klasës politike, t’i paraqesin lidershipit politik, mendimet, rekomandimet lidhur me reformimin e sistemit, ndërkohë t’i drejtohen për ndihmë dhe mbështetje në mënyrë të organizuar institucioneve të BE dhe SHBA që merren me Shqipërinë dhe faktorin shqiptar në Ballkan.

  Nga Andrea ÇUPA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/09/2019 - 07:20

Këtë të vërtetë e shohim më së miri te dëshmorët e LANÇ.

Postuar: 20/09/2019 - 07:18

Nuk mund të ketë më folklorizëm patetik, më fantastik, se sa kur një lider politik shkon në një t

Postuar: 20/09/2019 - 07:16

Edhe pas dy dekadave, ende nuk mundemi, apo nuk duam që t’i zgjidhim problemet politike, ek

Postuar: 19/09/2019 - 11:05

Instituti Ndërkombëtar për Studime i Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) me qendër në Ljublja

Postuar: 19/09/2019 - 07:16

Aspak nuk është hiperbolizim i çështjes dhe as titull bombastik për të tërhequr vëmendjen e lexue

Postuar: 19/09/2019 - 07:15

Të qenit shërbestar nuk është të jesh “shërbëtor”, në konotacionin negativ të fjalës

Postuar: 19/09/2019 - 07:14

E para është fjala.