BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Refuzimi i së vërtetës në fund të mandatit!

Refuzimi i së vërtetës në fund të mandatit!

Në fundin e mandatit të dytë të tij, Sali Berisha refuzonte të shikonte qartësisht realitetin, të kuptonte çfarë po ndodhte politikisht dhe praktikisht te shoqëria shqiptare. Ai ishte mbushur plot "hare" dhe besim te vetja dhe partia e tij, të lidershipi që drejtonte. Ishte plot suksese sipas tij, për rrugët e shtruara, për investimet e mëdha kapitale dhe për nderet që i kishte bërë "duke punuar" vendit të tij, popullit të tij. Të tillë individë refuzojnë të shikojnë të vërtetën, të shikojnë realitetin dhe të kuptojnë humorin e vërtetë të shoqërisë. Berisha bridhte vend për vend dhe shikonte gjithçka, inauguronte dhe takonte gjithshka përveç humorit të prishur të shoqërisë, besimit të humbur për qeverisjen e tij dhe të miqve të tij e sidomos të kuptonte arsyet dhe argumentet në shoqëri, pse nuk mund të ishte realisht - më i miri. Kujtonte se nuk e duan vetëm PS-ja dhe Rama. Ra si parti dhe si individ në zgjedhjet e 2013-ës. Ra me Lulzimin dhe pothuaj të gjithë ata që kërkojnë pa ndryshuar asgjë prej asaj kohe, një mandat politik sot kur Edi Rama është pothuaj i "pikturuar" si Sali Berisha i 2013-ës. Rama thotë kështu sot: Më ikën mendja kur thonë dil shiko realitetin. Këta që thonë kështu nuk kanë bërë në jetën e tyre aq kilometra nëpër Shqipëri. E ka fjalën për veten që prek dhe shikon Shqipërinë. Sigurisht që edhe unë jam një njeri që bëj shumë, po shumë kilometra nëpër Shqipërinë e sotme. Po po dhe nuk kam pse një kryeministër të më thotë - një fjali të tillë që mbase vlen për shumë gazetarë që nuk shikojnë më larg se sa stacioni tv ku piqen ose digjen lajmet. Por unë nuk shikoj atë që "Edi Rama dhe të tijët duan të shikojnë". Sigurisht që Rama ka bërë vepra që duhet t’i përmendësh pa i hyrë problemit a i bëri mirë, apo u vodh në tender. Ka bërë "qendrat urbane" nëpër Shqipëri që nuk duhen mohuar dhe disa rrugë gjithashtu. Ka bërë "Lungomaren", ka bërë rrugën e bukur të Pogradecit rreth liqenit, ka bërë Shirokën, ka bërë rrugën për Vermosh dhe ka bërë plot të tilla, por a janë këto "lumturia e shoqërisë shqiptare". Mjaftojnë këto që njerëzit të jenë "lumturakë" e në mos të lumtur, të qetë për qeverisjen e Ramës. Pra pyetja është: A e bëjnë të lumtur shqiptarin këto dhe shumë si këto? Shqipëria është ndërtuar dhe nga Monarkia, biles është ndërtuar mjaft mirë sidomos në qendër të Tiranës, në disa magjistrale rrugore dhe disa investime nga më të ndryshmet. Shqipëria është ndërtuar dhe nga fashizmi. Gjatë pushtimit fashist italian janë bërë vepra shumë të mira urbane dhe rrugë të shumta. Diktatura e Enverit ka bërë mijëra vepra të mëdha ndërtimore, bujqësore dhe urbano-prodhuese. Nuk mund t’ia mohojë askush. Nazizmi ka bërë super vepra në Gjermani dhe kudo, Stalinizmi dhe diktatura sovjete po ashtu që nga urbaniteti dhe industrializimi. E pa diskutim dhe Berisha dhe Rama do të bënin. Kanë bërë dhe njerëzit në liri. Por megjithëse kanë ndërtuar, regjimet kishin të përbashkët mungesën e lumturisë, padrejtësinë dhe demokracinë e përdhunuar. Kishin mungesë të jashtëzakonshme drejtësinë shoqërore në kulm të pikërisht padrejtësisë. Kishin varfërinë relative ose të përgjithshme, por padrejtësia ishte kulmi i mungesës shoqërore, e cila i klasifikonte të padenja për t’u mbajtur në qeverisje. Pse e bënin këtë gjë? Sepse refuzonin realitetin dhe të vërtetën. Ishin regjime anti popullore dhe pikë. Pra i kishin rënë pëllëmbë për pëllëmbë shtetit dhe ata. Edi Rama refuzon sot të besojë se shoqëria vuan nga padrejtësia politike dhe shoqërore. Vuan në çdo zyrë të shtetit dhe pushtetit vendor. E të dyja i ka Edi Rama sepse ka pranuar ti ketë të dy pushtetet. Shoqëria gëzohet për "Lungomaren" dhe "Shirokën" e mrekullueshme, por ky gëzim është një orë kur shkon atje, kurse 23 orët e tjera të ditës përballet me arrogancën e padrejtësisë ligjore dhe politike dhe padyshim dhe asaj të rrugës. E këtë gjë Rama nuk do ta shikojë as ta pranojë. Sepse po të ishin të lumtur nën regjimin e tij, nuk do të kërkonte të ikte e gjithë mosha e re dhe akoma më pak e re nga ky vend. Rama nuk do të shikojë se shoqëria kupton dhe vuan nga inkompetenca dhe nga "derrbederrët" në zyra, nga arroganca e grave që përdoren nga burrat në politikë, nga burra super të korruptuar në politikë të lidhur dhe me biznesin. Vuan nga taksimet arrogante dhe karburanti i shtrenjtë më shumë se kudo. Rama nuk do ta pranojë se kjo shoqëri është mërzitur nga batutat bajate të tijat për sukseset që janë bërë si të Berishës dikur dhe përpara Berishës si të Enverit kur nuk kishte më tru. Rama nuk do të pranojë se shqiptarët nuk mund të besojnë më në një sistem shkollor dhe arsimor që vuan dhe është bërë horizontal (në fakt është me shpinë në tokë) në mënyrë tragjike. Nga një sistem arsimor që mbush vetëm letra dhe pastaj nuk bën mësim dhe nuk edukon fare. Nuk do të besojë Rama se shëndetësia është një krim kundër shoqërisë me format dhe përmbajtjen e vet. Rama mjaftohet vetëm me inaugurimet e tij dhe të Manastirliut të tij. Ai nuk pranon të vërtetën për rendin publik dhe hapësirën e madhe të pakontrolluar dot nga policia akoma më dobët se sa dikur po në mandat të tij. Rama kujton se konkubinat politike të tij po e nderojnë me marrëzitë që nxjerrin nga goja. Kryeministri i Shqipërisë së sotme është kthyer në butaforinë e Berishës dhe të marrëve të kohës së diktaturës që thoshin - armiku na ka zili për sukseset tona socialiste. Rama ka përfunduar pothuaj tashmë jo një vepër realiste si tablo e vendit (pikturë e tij), por një "instilacion" si do ai vetë, apo ja merr mendja si duhet të jetë. Por Rama nuk kupton dot ose nuk do të kuptojë humorin dhe prishjen e qejfit e zemërimin e shoqërisë ndaj tij dhe maxhorancës për pasigurinë që ka sot. Për një pasiguri për jetën, punën dhe pronën? Nuk do dhe me sa duket Rama ka marrë fund si intelektual për t’u frenuar dhe dalë përballë pasqyrës për të thënë "a jam vërtetë më i bukur se sa Lulzimi unë". Po pavarësisht se nuk i lyen flokët. Sepse kështu e mat pushtetin ai. Po pra me fluturat e bukura nëpër mure. Rama si Berisha mendon se atë nuk e duan apo e sulmojnë apo nuk e pranojnë demokratët. Nuk do të besojë se është Rama vetë që e ka prishur me shtresën e mesme, me intelektualët, me një brez të vjetër të ndershëm që besuan se ai nuk do të bëjë fajet e Berishës në korrupsion dhe shtet drejtim. Rama përkundrazi ju ra në qafë me arrogancën e barsoletave të tij, akoma më shumë se sa Berisha. E ky nuk është model demokratik i shtetërimit, por model tiranokrat i pushtetërimit ku lidershipi në fund nuk pranon të drejtën dhe refuzon të vërtetën. Në këtë moment, kur të tilla regjime shtyjnë ose marrin një mandat tjetër - bëjnë fajet akoma më të mëdha, duke shkuar deri në krim shtetëror dhe politik ose duke ngushtuar rrënjësisht demokracinë.