BREAKING NEWS

Ç'do të ndodhë pas pak? Yuri Kim bën lëvizjen e papritur

Ç'do të ndodhë pas pak? Yuri Kim bën lëvizjen e
x

Opinion / Editorial

Rëndësia e frontit të dytë të luftës me koronavirusin

Rëndësia e frontit të dytë të luftës me

Pandemia e COVID 19 e ka kapur të papërgatitur botën, por problemi nuk është vetëm shëndetësor. Krahas betejës së përditshme për të ulur valën e infektimeve dhe për të mos lejuar kolapsimin e shërbimit spitalor, bllokimi i aktiviteteve normale të punës dhe të biznesit ka shtuar kudo ankthin për një rrëzim të fortë të ekonomisë.

Frika se mbyllja drastike e miliarda njerëzve në karantinë për një kohë të gjate do të shoqërohet me një krizë të madhe që nuk do të kursejë askënd, është evidente. Madje në jo pak vende ka një debat të ndezur nëse ia vlen ky izolim, që mund të shpëtoje qindra mijëra apo miliona jetë sot, por ndërkaq mund të kërcënojë të ardhmen e vetë jetës në planet.

Dhe ndërkohë që askush në Nju Jork, Londër, Paris, Romë apo Berlin nuk të thotë dot se kur mund të kapërcehet rreziku dhe jeta të kthehet në rrjedhën normale, është e tepërt që këtë përgjigje ta kërkosh në Shqipëri. Jemi të pakrahasueshëm në të gjitha aspektet dhe fakti që edhe shtetet më të fuqishme të globit po e vuajnë keq sulmin e armikut të padukshëm na jep më shumë shpresë dhe besim se çlirimi do të arrihet përpara se të ketë shkaktuar dëme të pariparueshme.

Por pavarësisht diferencave të mëdha që kanë të bëjnë me fuqinë, pasurinë dhe kapacitetet financiare dhe njerëzore, secili vend duhet të hartoje politikën dhe strategjinë e vet, jo thjesht për të dominuar valën e koronavirusit, por mbi të gjitha për të dalë sa më të pa dëmtuar prej kësaj lufte, që me sa duket nuk do të jetë e shkurtër.

Ndaj edhe Shqipëria nuk ka pse pret që të bëjë vetëm detyrën e saj të parë duke u mbrojtur nga COVID 19, por duhet, që paralelisht me këtë, të parashikojë dhe përgatitet për të ardhmen e vet pas përfundimit të luftës.

Dhe kjo sigurisht që nuk mund të jetë një detyrë e mjekëve dhe infermierëve, të cilët janë boll të ngarkuar edhe me kaq, në vijën e parë të frontit. Ata janë shndërruar këto kohë në mbrojtësit kryesorë të jetës dhe të vazhdimit të saj në të gjithë botën dhe për këtë shërbim e kanë merituar respektin dhe admirimin e të gjithëve.

Ndaj edhe janë të kudogjendur në të gjitha lajmet dhe kronikat e çdo ekrani apo media tjetër në të gjithë globin. Dhe me të drejtë se vetëm falë tyre po arrihet të mbahet në një farë mënyre nën kontroll shpërthimi i mëtejshëm i pandemisë.

Por krahas përpjekjeve për të shpëtuar jetë në ditët e vështira të luftës me koronavirusin, nuk duhet harruar e nesërmja që na pret, kur rreziku të ketë kaluar. Dhe në këtë kontekst, asnjë vend në botë, sado i pasur qoftë, nuk e ka luksin që të përqendrohet sot vetëm në përballimin e sëmundjes, pa menduar për ekonominë që goditet nga paraliza e gjatë. Ndërsa vendet e varfra si Shqipëria, pa diskutim që e kanë edhe më vështirë se të tjerat dhe për këtë duhet të jenë dyfish te shqetësuara.

Ndaj edhe sot është koha që të dëgjohen dhe të pyeten ekspertët e ekonomisë, ndoshta po aq edhe se mjekët, me të cilët krenohemi të gjithë. Nuk kemi pse presim që ta zgjidhë në fillim Amerika me Gjermaninë që të fillojmë edhe ne të mendojmë për këtë çështje.

E para, se nuk kemi të njëjtin imunitet ndaj një krize të mundshme ekonomike për të gjitha arsyet që thamë më lart. Por më kryesorja, sepse nuk ka një strategji unike në përballimin e epidemisë sot në botë, por ka taktika dhe qasje të ndryshme, të cilat nganjëherë janë edhe diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën.

Pavarësisht se nuk ka një datë kur e keqja do të kalojë, kjo nuk duhet ti pengojë ekspertët e ekonomisë që të parashikojnë dhe japin zgjidhje për të gjithë skenarët e mundshëm. Vetëm nëse mendohet dhe projektohet drejt e ardhmja sakrificat që po bëhen sot në frontin e betejës për te shpëtuar jetë do t’ia vlejnë dhe do të kenë realisht kuptim.