BREAKING NEWS

Zbardhen 36 provat e PS kundër Ilir Metës, më 20 korrik raporti për shkarkimin e presidentit shkon për votim në seancë plenare, ja detajet

Zbardhen 36 provat e PS kundër Ilir Metës, më 20 korrik raporti
x

Opinion / Editorial

Rëndësia e ndryshimeve ligjore në Prokurimin Publik

Rëndësia e ndryshimeve ligjore në Prokurimin Publik

Prokurimet publike përfshijnë një seri aktivitetesh të kryera nga sektori publik, të cilat kanë si qëllim sigurimin e burimeve për arritjen e objektivave të caktuara, duke siguruar transparencë, integritet dhe llogaridhënie në shpenzimet publike. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kryerjen e auditimeve të aktiviteteve të prokurimit publik të enteve publike, luan një rol të rëndësishëm në ndihmesën dhe realizimin e detyrimit ligjor, duke u ofruar të gjithë përdoruesve të interesuar informacion të pavarur, objektiv dhe të besueshëm, konkluzione dhe mendime, bazuar në prova të mjaftueshme në përmbushjen e misionit dhe objektivave të caktuara. Duke theksuar rolin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm që auditimi i jashtëm publik ka në mbrojtjen e interesave të shtetit në fushën e prokurimeve, si edhe fakti që shpenzimet e prokurimeve publike përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të PBB-së të çdo vendi, (në vendin tonë fondi buxhetor i shpenzuar duke përdorur procedurat e prokurimit publik shkon 6.5-13% të PBB), KLSH për të audituar prokurimin e kontratave publike dhe kontratat e financuara nga donatorët në Shqipëri, përveç ngritjes së kapaciteteve audituese, ka miratuar Manualin e Auditimit të Prokurimit Publik, i cili vjen në një kohë kur sistemi i prokurimit publik i Shqipërisë, vazhdon të zhvillohet.

Ndërsa sistemi i prokurimit evoluon, kështu vepron dhe roli dhe natyra e auditimit në fushën e prokurimit, në këtë kontekst nga puna audituese në fushën e prokurimeve në procedurat e ndjekura nga Autoritetet Kontraktore, janë konstatuar mangësi dhe shkelje të ndryshme në lidhje me:

 - Kërkesat dhe domosdoshmërinë e kryerjes së prokurimeve, AK kanë programuar prokurime të panevojshme ose pamundësi për ti zhvilluar, duke krijuar mallra stok, shpërdorime, mosrealizim të investimeve, kosto për institucionin;

 - Mangësi në llogaritjen e fondit limit, në shumicën e rasteve llogaritja e fondit limit është kryer formalisht;

- Hartimin e kritereve të kualifikimit, të cilat sjellin favorizim të operatorëve ekonomikë të caktuar, pamundësi të pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë me kapacitete ekonomike, teknike, etj., më të mira se ata operatorë ekonomikë që “plotësojnë” kriteret e kualifikimit të vendosura nga AK, duke sjellë si pasojë shkeljen e parimeve të prokurimit, barazinë, konkurrencën, dhe mosarritjen e qëllimit të prokurimit si në punë, mallra/shërbime;

- Hartimin e specifikimeve teknike, të cilat nuk hartohen nga specialistë të fushës, specifikimet teknike përcaktojnë cilësinë e produktit, vlerën, kohëzgjatjen, etj.;

- Mangësi në hartimin e dokumenteve të tenderit;

- Mangësi në marrjen në dorëzim të mallrave, punëve/shërbimeve;

- Mangësi në hartimin dhe zbatimin e kontratave, zbatim i tyre pa përmbushur detyrimet kontraktuale.

Ligji për prokurimin publik është një ndër instrumentet kryesorë strategjikë që ndihmon qeverinë të arrijë objektivat ekonomike, sociale dhe të mjedisit nëpërmjet një sistemi të përgjegjshëm, efektiv dhe transparent të mirëpërdorimit të fondeve publike dhe shpenzimeve të qeverisë. E në këtë këndvështrim, ligji mbi prokurimin publik si edhe VKM në zbatim të tij, kanë pësuar ndryshime të vazhdueshme, të cilat i shërbejnë procesit të prokurimit, por kuadri ligjor duhet të jetë i plotë, me terma të mirëpërcaktuar dhe pa vakuume ligjore, të cilat lënë shteg për abuzime si nga AK ashtu edhe nga operatorët ekonomikë. Pra, nisur nga ndryshimet ligjore në këtë fushë, në lidhje me numrin e operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në prokurim, është shkelur një nga parimet bazë të prokurimit, “konkurrenca”, duke lejuar zhvillimin e procedurave edhe me 1 operator ekonomik. Referuar ndryshimeve ligjore dhe risitë që sjell ligji i ri mbi prokurimin publik (draft), në këndvështrimin auditues, lidhur me parashikimin për herë të parë të konceptit të modifikimit thelbësor të kontratave, zgjidhjen e kontratave publike gjatë kohëzgjatjes së tyre si edhe rasteve të pavlefshmërisë së kontratave pas nënshkrimit të tyre, do të sjellë më tepër favorizim të kontraktorëve për kontratat e nënshkruara për punë/mallra dhe shërbime, të cilët nuk realizojnë objektivat e kontratave, duke krijuar kushte për abuzim nga AK. Po kështu, rritja e rolit kontrollues të APP, në drejtim të verifikimit të zbatimit të ligjshmërisë në procedurat e prokurimit, përfshi ato të anuluara, monitorimit të zbatimit të kontratave, etj., i shërben procesit të prokurimit, por APP del në rolin e monopolizimit të të gjithë procesit të prokurimit (që nga hartimi i dokumenteve, nxjerrja e udhëzimeve, dhënia e mendimeve për vazhdimin ose jo të procedurave, ndërprerjen e kontratave, marrjen e masave administrative, etj.) duke zbehur rolin e institucioneve të tjera audituese. Nisur nga rëndësia dhe ndikimi i procesit të prokurimit në mirëmenaxhimin e fondeve publike, ndryshimet ligjore dhe aktet në zbatim të tyre, duhet të shoqërohen me impakt pozitiv.

*Audituese e Lartë në KLSH