Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rëndësia e trajnimeve për stafin auditues në KLSH

Postuar: 10/09/2019 - 07:22

Sikurse çdo Institucion Suprem Auditimi, roli parësor dhe misioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit është promovimi i llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik. Puna që KLSH kryen në përmbushje të misionit që ka, mbështetet në njohuritë e audituesve dhe kompetencën profesionale të Institucionit në tërësi. Për këtë arsye, ushtrimi i autoritetit dhe rolit si auditues i jashtëm publik varet thellësisht në aftësinë për të krijuar, përditësuar, shpërndarë dhe implementuar dijet dhe aftësitë mbi auditimin dhe fushëveprimin e tij. Njohuritë dhe menaxhimi i tyre janë thelbësor për një institucion auditimi si KLSH. Besimi i qytetarëve në punën audituese varet nga pavarësia e institucionit, cilësia, rëndësia, qartësia e raporteve të auditimit, transparenca e asaj çfarë komunikojmë, si dhe eficenca e institucionit. Puna në terren e audituesve lidhet me mbledhjen e evidencave, analizimin dhe konstatimin e problematikave, por, ndërkohë, rrezikohet gjithmonë që gjetjet të përsëriten ose të kryhen në të njëjtën mënyrë të vjetër, duke lënë mënjanë detaje të rëndësishme që gjenden diku tjetër. Për të shmangur përsëritje të kësaj natyre, njohuritë e jashtme dhe shkëmbimi i eksperiencave të cilat mund ti ofrojnë universitetet dhe akademikët që kryejnë kërkim shkencor, janë shumë të nevojshme për punonjësit e këtij institucioni. Stafi konsiderohet si aseti kryesor i një institucioni dhe më e mira për stafin përkthehet në garancinë se ai është duke u motivuar, është i angazhuar dhe i përkushtuar në arritjen e objektivave të institucionit. Si auditues, duhet të jesh jo vetëm skeptik, por edhe i etur për të zbuluar gjëra të reja. Zhvillimi profesional është i rëndësishëm për secilën organizatë auditimi, qoftë në sektorin publik apo privat. Ajo që është shumë e rëndësishme është trajnimi i përshtatur dhe i vazhdueshëm për nevoja të veçanta që lidhen me një detyrë konkrete. Për një auditues është gjithmonë nevoja për më shumë njohuri të jashtme, jo vetëm të marrë njohuri, por edhe t’i ndajë njohuritë me të tjerët. Me anë të trajnimeve të ndryshme, KLSH i jep mundësinë stafit të vet për t’u përditësuar në çdo kohë me zhvillimet në fusha të ndryshme, për avancimin në karrierë, si dhe zhvillimin personal dhe profesional të tij. Qëllimi Strategjik i KLSH-së për përmirësimin e performancës së veprimtarisë audituese ka qenë dhe mbetet nxitësi kryesor për të investuar “Në zhvillimin e njerëzve ” ose atë që quhet Kapitali Social. Produktet dhe proceset e veprimtarisë audituese të KLSH varen shumë nga cilësia e vetë audituesve!

Anëtarët dhe stafi i Institucioneve Supreme të Auditimit, duhet të kenë kualifikimet dhe integritetin moral të nevojshëm për kryerjen e detyrave të tyre. Në rekrutimin e personelit të Institucioneve Supreme të Auditimit, kërkohen njohuri të përshtatshme mbi nivelin mesatar të njohurive, shkathtësi, si dhe përvoja e duhur profesionale. Nëpërmjet zhvillimit të vazhdueshëm profesional KLSH-s i duhet të krijojë një “armatë” audituesish profesional dhe kompetent, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të rritet dobia dhe frytshmëria e auditimit, duke u përmirësuar gjithnjë e më shumë performanca e Institucionit. Vitet e fundit KLSH si institucioni i auditimit publik më të lartë, ka patur në fokus modernizimin e institucionit mbështetur në standardet e INTOSAIT dhe në moto-n “Experentia mutmutua omnibus prodest/ eksperienca e përbashkët u shërben të gjithëve”, duke u bazuar në eksperiencat ndërkombëtare të institucioneve homologe, por edhe në eksperiencën shumëvjeçare të vetë Institucionit dhe në burimet e tij njerëzore cilësore në vite. Pasi, edhe pse jemi në kohën e teknologjisë së informacionit, kapitali njerëzor është ai që e bën një institucion të suksesshëm. Vitet e fundit KLSH nëpërmjet Programit Vjetor të Zhvillimit Profesional, ka ofruar mundësi zhvillimi gjithëpërfshirëse për stafin, të cilat kanë synuar arritjen e niveleve të larta të pavarësisë, ekspertizës, kompetencës, sjelljes etike dhe cilësisë, mbështetur në standardet profesionale të ISSAI. Motoja “experentia mutua omnibus prodest” ka vijuar të udhëheqë veprimtaritë trajnuese jashtë vendit, në mbështetje të së cilës vazhdon të zbatohet tradita që gjatë vitit çdo punonjës i KLSH-s të jetë trajnuar minimalisht një herë në një nga institucionet homologe të vendeve të tjera, me të cilat KLSH ka marrëveshje bashkëpunimi apo dhe organizimi profesional që ofrojnë trajnime në fushën e auditimit dhe financave publike. Veprimtaritë për zhvillimin profesional të audituesve kanë përfshirë organizime të formave të ndryshme si trajnime, vizita studimore, takime diskutimi të ofruara brenda dhe jashtë vendit, nga ekspertë vendas e të huaj, duke siguruar kështu diversifikimin burimor të dijeve dhe njohurive. Në përgjithësi trajnimet e zhvilluara kanë qenë të formave:

Trajnim brenda KLSH: nga ekspertë dhe trajnerë staf i brendshëm i KLSH

Trajnim brenda vendit: nga ekspertë të jashtëm të institucioneve ndërkombëtare ose kombëtare;

Trajnime jashtë vendit: pjesëmarrje ne kurse trajnimi, vizita studimore, konferenca dhe seminare të organizuara nga institucione homologe apo organizata ndërkombëtare jashtë vendit.

Procesi trajnues dhe kualifikues është konsideruar pjesë e pandarë e Programit Vjetor të Zhvillimit Profesional të çdo viti auditimi, pjesë e normave të detyrueshme për çdo punonjës. Temat e trajtuara kanë adresuar njohuritë më të reja për zgjidhjen e situatave që mund të ndeshin audituesit në praktikën e punës; zotësitë, aftësinë dhe kompetencat që çdo auditues i KLSH duhet të pajiset me qëllim krijimin e një profili të lartë prestigjioz profesional. Mund të thuhet se, trajnimet ashtu siç janë konceptuar, kanë kontribuuar në mënyrë të arsyeshme dhe të konsiderueshme në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve audituese, si dhe kanë orientuar stafin në adresimin e sfidave përmes njohurive të zbatimit të angazhimeve profesionale të auditimit.

Një vëmendje dhe hapësirë e posaçme u është kushtuar, për shembull, gjatë vitit 2018 temave të pa trajtuara më parë dhe të trajtuara në themel, si: -Manuali udhëzues i KLSH mbi auditimin e mashtrimit dhe hetimin e korrupsionit; -Trajnimet në fushën e teknologjisë së informacionit, me fokus zbatimin e dokumentit mbi politikat e sigurisë së informacionit në KLSH (politikat, standardet dhe platforma udhërrëfyese për menaxhimin efektiv të proceseve të punës);

-Njohuritë e thelluara mbi aplikimin e Sistemit të Informacionit për Menaxhimin dhe Mbështetjen e Proceseve të Auditimit (SIMMPA); -Planifikimi i veprimtarisë audituese mbi bazë risku; -Auditimi i konfliktit të interesave në skemën e prokurimeve publike, -Standardet e GAO mbi Kontrollin e Brendshëm. Trajnimet dhe kualifikimet jashtë vendit kanë shtuar mundësitë e kontakteve dhe përfitimeve direkte nga shkëmbimi i përvojave. Vetëm në intervalin kohor 2015-2018, nga ana e KLSH-së janë zhvilluar gjithsej 572 aktivitete jashtë vendit, si vizita zyrtare, ëorkshop-e, marrëveshje bashkëpunimi me institucionet analoge evropiane dhe më gjerë, komitete të kontaktit, tryeza të grupeve të punës, konferenca shkencore dhe seminare trajnuese, vizita studimore në SAI-t homologe,etj. Në zbatim të politikave të zhvillimit profesional, bazuar në marrëveshje dhe marrëdhënie me institucionet ndërkombëtare të auditimit, gjatë periudhës 2013-2018, është përfituar përvojë nga programe intership-i për periudha 5-6 muaj në Gjykatën Evropiane të Audituesve (ECA), Luksemburg, ku meriton të thuhet se, numri i audituesve që kanë përfituar njohuri nga kualifikimi dhe specializimi arriti në 18. Nga ana tjetër, ka vijuar të aplikohet me sukses ndjekja e programeve të internship-it me Zyrën e Auditimit të Qeverisë Amerikane (GAO), duke shkuar deri në 5 auditues në këto 4 vite. Në fund të vitit 2018, audituesit e KLSH kishin siguruar një mesatare prej 29 ditë trajnimi/auditues, duke shënuar nivelin më të lartë të këtij treguesi përgjatë gjithë zhvillimit të institucionit ndër vite, që nga krijimi i tij. Në referencë të procedurave analitike krahasimore, indikatori i numrit të ditë trajnimeve për çdo auditues mesatar vjetor rezulton të jetë 14,5 herë më shumë se viti 2009, ku regjistroheshin vetëm 2 ditë mesatare trajnimi/auditues. Treguesit e perfomancës së trajnimeve për vitin 2018, si dhe për 8 mujorin e vitit 2019, konfirmojnë një trend të stabilizuar dhe dëshmojnë se ndër vite struktura e trajnimeve ka ndryshuar në gjithë derivatet e saj, në përputhje me kërkesat e stafit për ndryshim e zhvillim dhe ka ndjekur prioritetet bashkëkohore të avancimit profesional. Kualifikimet janë orientuar drejt njohjes së thelluar dhe zbatimit të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe Kuadrit të Praktikave Profesionale Ndërkombëtare të Auditimit Publik, duke i konsideruar si avantazh krahasues në rritjen e cilësisë së angazhimeve vijuese.

Modernizimi i institucionit nëpërmjet Programit Vjetor të Zhvillimit Profesional duhet të vazhdojë të jetë në fokus jo vetëm për KLSH, por dhe për shumë institucione të një rëndësie të veçantë. Duhet synuar përditësimi i njohurive dhe plotësimi i dijeve të audituesve me njohuri shtesë mbi qasjen e auditimit, rritja e cilësisë së auditimeve nëpërmjet përmbushjes së misionit të audituesit publik (në nivelin individual dhe institucional), të udhëhequr nga motoja dhe kredoja profesionale: “KLSH - shërbestar i qytetarit shqiptar”. Kjo pasi, rëndësi i duhet dhënë jo vetëm veprimtarisë audituese, por dhe profesionalizmit me të cilin kryhet veprimtaria institucionale për të patur një punë sa më produktive dhe auditime profesionale të cilat i afrojnë gjithnjë dhe më shumë standardeve ndërkombëtare evropiane. Trajnimet dhe Internshipet konsiderohen si një mjet shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm për të ofruar njohuri mbi auditimin e fondeve të BE-së, për shkëmbimin e njohurive mbi mjetet dhe teknikat e auditimit të sistemeve, krijimin e rrjetit të netëork-ut të audituesve të SAI-ve të vendeve që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së, etj dhe duhet të vazhdojnë të jenë pjesë e pa ndarë e Programit Vjetor të Zhvillimit Profesional.

Nga Angjela Nesturi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/09/2019 - 07:43

Gjatë periudhës së pushimeve në qytetin e Vlorës, më ndodhi, ashtu sikurse i ndodh gjithkujt, që të takoja shumë shokë e miq.

Postuar: 15/09/2019 - 07:42

Bashkimi Evropian e zgjidhi qesen për reformën në drejtësi.

Postuar: 15/09/2019 - 07:40

Nuk është hera e parë që zonja Monika Kryemadhi, Kryetarja e LSI-së, sot bashkëkryetarja e opozit

Postuar: 15/09/2019 - 07:39

Shqipëria e një establishmenti politik tashmë fajtor, për zgjatjen në tranzicionin tonë pa fund,

Postuar: 15/09/2019 - 07:36

Me armë që këndonin në duar të 23 luftëtarëve, partizanë e territorialë.

Postuar: 14/09/2019 - 07:22

 Sherre bëhen gjithandej nëpër Shqipëri.

Postuar: 14/09/2019 - 07:18

 Në takimin e rastit më të rëndësishëm përpara tetorit të mundësisë së hapjes së negociatave