Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Opinion / Editorial

Rëndësia që pati Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër 1943-1944

Rëndësia që pati Zona e Parë Operative

Formacioni me paraqitje të veçantë

Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër (Z1Op) u krijua më 4 gusht 1943, në Kuç të Kurveleshit. Z1Op ishte një tip formacioni me paraqitje të veçantë, me karakteristika dalluese nga ato të formacioneve të mëparshme apo ato pasuese, si BrS etj. Si tip formacioni ajo mbeti e vetmja në llojin e vet në shkallë vendi dhe nuk u pasua nga të tjerë. Në pikëpamje ushtarake përbënte një formacion të shkallës operative me mundësi të mëdha luftarake, por edhe administrative dhe me rezerva të pashtershme njerëzore, morale e materiale në shërbim të luftës dhe të misionit të saj çlirimtar. Z1Op u shtri në qarqet e Vlorës dhe të Gjirokastrës, si dhe në krahinën e Mallakastrës dhe pati disa karakteristika të veçanta si: një sipërfaqe mjaft të gjerë, me dalje në det dhe kufi me Greqinë prej disa km; terren tepër të përshtatshëm për mbrojtje, për sulm dhe për prita; shtrihej në mjaft zona e krahina të çliruara, me tradita atdhetare të ndezura duke u kthyer në baza të fuqishme të LANÇ-it, në prag të krijimit e gjatë funksionimit të shtabit të Zonës; popullsia në shumicën dërmuese ishte e lidhur me luftëtarët e lirisë dhe kishte traditë luftarake; u bë një burim i pashtershëm e i përhershëm për furnizimin e formacioneve partizane me luftëtarë, me ushqime e veshmbathje, duke krijuar kushte edhe për formimin e formacioneve më të mëdha të ushtrisë së rregullt, krahas plotësimit të nevojave të formacioneve të veta luftarake partizane e vullnetare; rol luajtën edhe besimet fetare, veçanërisht ai bektashian, që ishte më i përhapur në zonë.

Organizatore dhe pjesëmarrëse në luftë

Z1Op, në vartësi nga koha dhe rrethanat, organizoi dhe kreu veprime luftarake fillimisht me forcat e veta partizane e vullnetare, deri në nëntor 1943 dhe, më pas, edhe në bashkëveprim me njësitë sulmuese të SHP, deri më tetor 1944, kur pushoi veprimtarinë. Analiza e funksionimit të Komandës e Shtabit të ZIOp me gjithë shkallët hierarkike të saj, si dhe e veprimtarisë së dendur të saj, evidencon qartazi dy shtylla mbi të cilat ajo është mbështetur dhe ka realizuar detyrat që shtronte Këshilli i Përgjithshëm ANÇ, si dhe SHPUNÇSH, funksioni luftarak dhe administrativ i saj.

Zona në funksionin e saj luftarak ka qenë organizatore dhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë duke luajtur rol të rëndësishëm edhe në momentet më kyçe në veprimtarinë luftarake të vet UNÇSH. Kështu mund të theksojmë: veprimet e njëkohshme për përballimin e sulmit gjerman dhe çarmatosjen e forcave italiane pas kapitullimit të këtij të fundit; realizimin me sukses për kushtet e kohën e luftës së parë ballore në Drashovicë, në Konispol me 1943 etj; përballimin e gjendjes dhe zhvillimeve komplekse luftarake të krijuar gjatë dy mësymjeve të mëdha e të përgjithshme gjermane gjatë Dimrit 1943-1944 dhe të Qershorit 1944, krahas disa operacioneve të pjesshme të forcave gjermane dhe të bashkëpunëtorëve të tyre; pjesëmarrjen aktive në Kundërmësymjen Pranverore të UNÇSH (prill-maj 1944); çlirimin e plotë të qyteteve dhe të territorit të vet zonës në bashkëpunim me njësitë e UNÇSH, apo dhe vetëm dhe mbrojtjen e punimeve të Kongresit të Përmetit.

ZIOp në funksion administrativ

Komanda dhe shtabi i ZIOp në funksionin e vet administrativ, ka kryer një kompleks detyrash, më kryesoret janë: ngritja, forcimi dhe mbrojtja e pushtetit të popullit në luftën që realizohej nëpërmjet këshillave NÇ të fshatrave, krahinave, qyteteve e qarqeve; puna politike, sqaruese dhe mobilizuese me popullin, mbrojtje e popullsisë nga operacionet dhe veprimet luftarake të armikut dhe veglave të tij, si dhe ndihma për kapërcimin e vështirësive të operacioneve të armikut, në veçanti dhe të gjendjes së luftës në tërësi; dhënia e ndihmës për familjet më me nevojë e veçanërisht të atyre partizane, të dëshmorëve etj; mobilizimi dhe furnizimi i formacioneve luftarake me luftëtarë e materiale në çdo kohë e situatë; sigurimi i të dhënave informative, përpunimi i tyre dhe marrja e masave për përballimin e operacioneve të vazhdueshme; organizimi e riorganizimi i vazhdueshëm i formacioneve partizane të zonës, të pushtetit ushtarak të prapavijave, duke bërë furnizime me forca njerëzore e materiale; sigurimi i funksionimit të pushtetit të prapavijave në zonat e çliruara dhe vendosja në to e spitaleve, depove, punëtorive etj; në vartësi nga mundësitë ringritja e funksionimin e sistemit arsimor veçanërisht atij fillor e 7-vjeçar; rindërtimi e mirëmbajtja e rrugëve, i linjave telefonike etj; likuidimi i agjenturës zerviste, demaskimi i bashkëpunëtorëve të nazistëve dhe i veprimtarisë së tyre armiqësore etj. Z1Op zhvilloi veprimtarinë në krahinën gjeografike në Shqipërinë Jugperëndimore, me një sipërfaqe mbi 6. 000 km2. Përfshinte tërësisht rrethet Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Mallakastër dhe pjesërisht Fierin. Përbëhet kryesisht prej malesh me drejtim veri-jug, gryka, lugina e fusha.

Rrugët e Shqipërisë Jugore ishin me rëndësi për pushtuesin, në pikëpamje ushtarake, sepse ndërmjet tyre bënin furnizimet, manovrimet, tërheqjen e forcave e të mjeteve, vendosjen e lidhjeve midis forcave të vetë e garnizoneve të shumtë të shtrirë në zonë dhe në krahinat e deri në shtetin fqinj. Zona paraqet një teren tepër të përshtatshëm për lëvizje dhe manovrime të formacioneve të lehta luftarake, sikurse ishin forcat partizane, për mbrojtje të manovruar, për prita dhe për t’u maskuar dhe si bazë nisjeje, për sulme të përgatitura mirë dhe me kujdes, për shkëputje kontakti luftarak, tërheqje të forcave etj.

Komandant, kapiten Islam Radovicka

Lindur më 22 shkurt 1889, në fshatin Radovickë të Përmetit. Kreu shkollën qytetëse, gjimnazin dhe përfundoi Shkollën Ushtarake në Tiranë. Si oficer karriere dhe me dëshirën e mirë për të ecur përpara, shërbeu në disa reparte dhe struktura të ndryshme të ushtrisë, si në degët ushtarake dhe të organizimit të paraushtarakëve, nëndrejtor në Shkollën e Rekrutimit në Shkodër, komandanti i Autorepartit të Ushtrisë dhe punoi në specialitetin e rekrutimit në degët e zonave të Kolonjës, Mirditës, Shkodrës, Sarandës etj.

Në shkurt 1943 u lidh me LANÇ-in. Mori pjesë në të gjitha veprimet luftarake që organizoheshin dhe zhvilloheshin në zonën e Përmetit. Për aftësitë e tij të veçanta, si ushtarak karriere, i përgatitur, atdhetar dhe me reputacion në këtë zonë iu besua udhëheqja dhe drejtimi i këtij shtabi të veçantë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në ecurinë e luftës, me rritjen e UNÇSH, figura e tij erdhi duke u rritur, në sajë të aftësive të tij drejtuese, organizuese e luftarake në fushën e luftimeve të formacioneve partizane që komandonte. Në luftimet dhe operacionet që u kryen në këtë zonë, u ndie dora dhe mendimi i tij si ushtarak me funksione të larta dhe i kalitur në provat e luftës. Në të gjitha dokumentet, urdhrat, komunikatat dhe udhëzimet e këtij shtabi është mendimi profesional dhe aftësia e tij prej komandanti dhe udhëheqësi ushtarak.

Komisar politik, toger Bedri Spahiu

Lindi në qytetin e Gjirokastrës më 13 korrik 1908. Kreu në Stamboll shkollën italiane. Përfundon Shkollën Ushtarake në Tiranë në degën e artilerisë më 1931 dhe u titullua oficer. Radhitet që në fillim në lëvizjen komuniste në qytetin e Gjirokastrës. Me potencialin e tij intelektual, me aftësitë e tij ushtarake dhe komunikuese e organizuese, bëhet një nga organizatorët e kryengritjes së armatosur që në fillimet e saj. U zgjodh sekretar politik i partisë për Gjirokastrën. Me dinamizmin dhe oratorinë e tij fiton popullaritet dhe luan një rol të veçantë në gjallërimin e lëvizjes në Shqipërinë e Jugut. Në korrik 1943, zgjidhet anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, si dhe caktohet komisari i ZIOp. Duke qenë në krye të operacioneve të fuqishme, që u zhvilluan në këtë zonë, dha një kontribut të madh për rritjen e lëvizjes ushtarake dhe formimin e disa njësive. Në kushtet e një lufte popullore, në këtë detyrë shfaqi aftësi të spikatura të një ushtaraku me kulturë, me ndikimin edhe në përgatitjen e të gjitha materialeve luftarake, duke merituar me të drejtë nderim dhe respekt nga partizanët dhe populli i kësaj krahine. Në të gjithë veprimtarinë politike të zonës fjala e tij, nëpërmjet përpilimit, veçanërisht të gjithë dokumentacionit propagandistik të kohës, pati një rëndësi të madhe për frymëzimin dhe ngritjen në luftë të masave popullore. Epërsia e tij intelektuale, njohës i çështjeve ushtarake, dha ndihmesë në hartimin e urdhrave, udhëzimeve dhe instruksioneve, që dilnin nga Shtabi i ZIOp.