BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

Rendi i ri botëror, sinonim i komunizimit të shoqërisë

Rendi i ri botëror, sinonim i komunizimit të shoqërisë

Globalizimi është bërë temë e ditës. Një qeveri botërore për fatet e mbarë njerëzimit. Nuk ka më kampe rivale, armiqtë e dikurshëm, pavarësisht dukjes, janë bërë bashkë në përjetësim të pushtetit. Nëse do huazonim nga teoritë e konspiracionit, pyetjes “Kush e drejton botën” do t’i përgjigjeshim: Oligarkia! Pra një grusht njerëzish pasuria e të cilëve i kalon kufijtë e imagjinatës, që kanë kuptuar se nuk kanë interes të konfliktohen, përpos të gëzojnë reciprokisht status-quo -në, të mos lejojnë që krizat ciklike, rritja e problematikave t’i rrëzojë nga froni. Kësisoj do zhdukin që në embrion lëvizjet lokale dhe ato në rrafsh më të gjerë, do jenë në unison për çdo eventualitet. Ky ndryshim mentaliteti ka nevojë për një qasje të re në shtetbërje. Së paku në formë, në mos në përmbajtje. Një qeveri që vendos dhe kontrollon gjithë elitat, detale apo hallka të një mekanizmi të stërmadh. Konceptet si liritë dhe të drejtat e njeriut, solidariteti, kohezioni etj., tashmë janë të papranueshme dhe shkojnë drejt zhdukjes. Një qeveri e përbashkët, do të thotë vrasje e pluralizmit, kthimi në sistemin njëpartiak, ku gjithçka ishte e centralizuar dhe propaganda zinte vendin kryesor. Oligarkët kanë marrë këtë element thelbësor të komunizmit, ku mirëqenia nuk varej nga shkalla e zhvillimit, nga prodhimi direkt, por nga perceptimi që kishte udhëheqja për të, dhe punonjësit ishin të trembur në kulm dhe përkuleshin gjer në tokë për lëmoshën që u jepnin. Varfërimi dhe frika, humbja e vetëdijes përballë çdo padrejtësie shoqërore ecnin paralel. Pra, partia ideologjike tani u shndërrua në oligarki dhe mjetet e prodhimit “shtetërore” janë në duart e saj. Një qark i mbyllur ku spontaniteti dhe risitë mungojnë. Ashtu siç parashikonte Marksi, kjo është një shoqëri pa klasa, në konceptin më të mirëfilltë të saj. Sepse nuk mund të përbëjnë klasë një grup prej disa dhjetëra apo qindra personash, përballë një mase miliardëshe që zhvishet përditë nga koncepti pronë, akumulim dhe mjete jetese. Është rasti klasik kur një minoritet ekonomik me fuqi monarkësh i imponohet shumicës globale, përcakton statusin e saj të plebenjve në plan afatgjatë. Krizat e çdo lloji tani nuk janë rezultat i reformave të dështuara, por i mungesës së tyre, as dhe vetëm i prishjes së raportit të vlerës dhe mbivlerës (shpërndarjes si skema më klasike), por një projeksion dhe strategji koherente, shërbejnë si lubrifikant i mekanizmit të ndryshkur, një valvul sigurie dhe kontrolli. Globalizimi thuhet se përafron qëndrimet, zhduk dallimet dhe e shikon botën si një e tërë, si një mozaik. Faktet kanë treguar se ka thelluar ndarjen; konfliktet midis individëve, grupeve, etnive, besimeve të ndryshme kanë degjeneruar në akte makabre, terroriste dhe bota është bërë më e pasigurt. Borgjezia e dikurshme është shndërruar në autarki absolute dhe proletariati i dikurshëm (publiku i sotëm) përngjan me një masë amorfe që lëviz kuturu, pa asnjë lloj identiteti. Revolucioni teknologjik ka prodhuar veç të tjerash një bum skarcitetesh sociale, duke e zhytur botën në dekadencë.