BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

"Replikantët" janë armiq të demokracisë dhe qytetarit shqiptar!

"Replikantët" janë armiq të demokracisë dhe

Fundi i diktaturës ose më mirë të them 15-të vitet e fundit, gjeneruan dhe "replikantët" e prodhimit të diktaturës ose atë brez që filloi të quhej - vepra më e shkëlqyer e partisë. Ishin me një këmbë nga diktatura dhe me një këmbë nga degradimi i saj. U krijuan pa ideale, pa ndershmëri, pa moral qytetar dhe të korruptueshëm si vetë pandershmëria e fundit të diktaturës ku pothuaj çdo gjë vidhej në shtet. Ky brez është si në filmin e famshëm "Replicant" (bio organizma me veti të shumëfishuara) pikërisht brezi që po replikonte të famshmit idealistë të diktaturës, por me vese shumë të ndyra dhe pothuaj të gjithë me "kualitetin" e korruptuesit dhe të korruptuarit. Të gjitha ato që morën anëtarësinë e partisë ishin jo komunistë, por "anëtarë partie" ose sikundër ju thoshte populli e shoqëria - anëtarë leverdie. Dukeshin sikur ishin me partinë dhe nuk ishin me të, dukeshin sikur po bënin jetën e partisë dhe bënin jetën e leverdisë. Bënin sikur ishin të ndershëm dhe përvidheshin në punë dhe kudo. Dukeshin sikur meriton benefite kur në fakt, po i llastonte regjimi dhe kur ishin më të pamerituarit e mundshëm dhe më mediokritetet e shoqërisë. Shumica u ngritën nga humbëtirat e Shqipërisë, për në Tiranë dhe një pjesë tjetër si djem të aristokracisë së komunistëve injorantë shqiptarë ose atyre që nuk ishin injorantë, por që ishin të indoktrinuar dhe disi të zotët t’i shpëtonin Enverit. Brezi që prodhoi të tillë dhe vazhdoi edhe gjatë Ramiz Alisë e Nexhmijes është më i poshtri që ka parë ndonjëherë historia e shtetit shqiptar. Këta janë "replikantët" e ideologjisë dhe enverizmit butaforik shqiptar, që nuk donin asgjë përveç vetes dhe privilegjeve të tyre. Ishin "biohumanoidi" i prodhuar nga laboratori i PPSH-së me zotësi të plota për përfitim, imoralitet dhe grabitje në sundim. Ky "replikant" politik, u lartësua mbi bazën e mohimit të të drejtave, zotësive dhe aftësive, të shumë qytetarëve shqiptarë të persekutuar ideologjikisht dhe politikisht. Duke filluar nga ndalimi i shkollës dhe punës në drejtim të shtetit dhe shoqërisë, në art dhe kulturë, në arsim dhe drejtësi. U ndalua qytetari i ndershëm shqiptar që të bënte përpjetë replikanti i PPSH-së dhe Nexhmijes së Enverit. Të tillë replikantë politikë kemi sot. Ata u programuan me veti të larta për keq. Ishin kulmi pandershmërisë, kulmi marrëzisë në korrupsion dhe kulmi i imoralitetit njerëzor. Ata kanë tridhjetë vjet që kanë marrë frenat e shtetit shqiptar. Kanë tridhjetë vjet që përdhunojnë shqiptarin qytetar të mirë dhe të ndershëm, por dhe demokracinë në Shqipëri. Kulmi i këtij "Replikanti" është Sali Berisha. Me një këmbë në kohë të idealistëve dhe plotësisht me mendje dhe trup në kohë të anëtarëve të leverdisë - partia e mori nga folklorizmi, për ta përgatitur si replikant politik ndërkohë që ju mohonte shkollimin dhe drejtimin mijëra fëmijëve dhe të rinjve me breza qytetarë dhe edukuar në urbanitet. Ju mohoi sepse donte një replikant si ai (Sali Berisha) ta kishte në çdo kohë, si një individ të fortë në mbijetesë politike. Mbi persekutimin e mijëra qytetarëve të ndershëm shqiptarë u ngrit "replikanti Sali Berisha". Çfarë bëri? Gjithçka kundër urbanitetit, civilizimit, qytetarit normal shqiptar, kundër demokracisë, kundër pronës, kundër lirisë, kundër rregullit dhe kundër shtet formimit. Bëri gjithçka pro informalitetit, pro rrëmujës, pro gangsterëve, pro krahinarizmit dhe folklorizmit, pro deformimit të demokracisë. "Replikanti i dytë" është Fatos Nano. Njeriu që njihte shumë mirë bllokun dhe marrëzitë deformuese qytetare të tij. Njeriu që ishte plotësisht "anëtari i leverdisë" me plot kuptimin e fjalës. Që la të veprohej në korrupsion çdo qelizë e PS-së dhe shtetit shqiptar. Që ngriti në kult llafazanërinë boshe, e cila nuk bënte kurrfarë pune dhe që prodhoi shtetin prej kartoni, shtetin më të lëkundur dhe të rrëzueshëm nga vetë brenda partisë së tij. "Replikanti" i tretë, por më i llastuari dhe arroganti është Edi Rama. Ai që koha e Nexhmijes dhe Ramizit e bënë dhe e lanë të jetë pedagog dhe pse e dinin se e kanë armik, por që e kishin përgatitur për "replikant të tyre ndryshe". Po ndoshta më të merituarin, më të elaburuarin si medemek modern dhe medemek rebeluar. Që nuk e ndëshkonin për çfarë thoshte, sepse e dinin se nesër do të bënte pikërisht replikën e tyre më interesante dhe moderne. E bënë këtë investim madhor duke ju hequr të drejtën shumë djemve që luanin më mirë se sa ai basketboll, që shkruanin më mirë dhe më qartë se ai, që ishin më të qartë se Rama se në çfarë "mut-sihane" po jetonim në atë kohë. Lejuan Ramën dhe morën në qafë djem dhe vajza shumë më të zotë se sa një njeri fluturash në mure dhe monologjesh patetike sot dhe dje. Krijuan monstra të një shteti fluturash dhe arrogance në korrupsion. Lëshuan në fluturim Ramën dhe futën në burg apo penalizuan shumë njerëz të zot të cilët nuk mund të bëheshin asnjëherë "replikantë" të politikës së regjimit dhe baballarëve të djemve që në regjim prodhoheshin si të tillë. Çfarë ka bërë një replikant i tillë? Asgjë përveç se deformimin më spektakolar të demokracisë post berishiane të cilën folkloriku e kishte përdhunuar. Rama demokracinë në Shqipëri nga e përdhunuar nga Berisha e nxori në trotuar dhe i tha do të punosh për mua natë ditë. Ngriti shtetin e arrogantëve në vjedhje dhe shtetin e njerëzve pa moral që nga pushteti, deri në qelizën ku morali mbështetet dhe është familja. I fundit që po përmend është folkloriku tjetër Meta, si një replikant i pikërisht kohës së fundit. Pa asnjë pudër dhe pa asnjë miligram moral politik. Të katër këta njerëz kanë zgjidhur dhe lidhur pushtetin e tyre në Shqipëri. Marrëveshjet Nano-Berisha, Berisha-Rama, Nano-Rama, Meta-Rama, Berisha-Meta, Meta-Rama, etj. etj. - kanë prodhuar Shqipërinë më të degraduar si shtet, si demokraci të qelbur dhe përdhunuar dhe kanë prekur lirinë e shqiptarëve. Replikantët Berisha, Rama dhe Meta, me replikën e replikantëve ose Bashën, janë sot degradim në vijim, i shtetit shqiptar dhe armiqtë e vendosur të qytetarit shqiptar, i cili kërkon të jetojë në rregull dhe një shtet demokraci. Ata kanë shkatërruar dhe nuk do të lejojnë sa të jenë të lirë dhe në pushtete të lartë drejtësinë në Shqipëri. Kush i huaj që i konsideron realisht partnerë (në përgjithësi nuk janë partnerë fare për ta) të tillë replikantë të regjimit diktaturë, ose po ndëshkon shqiptarët, ose nuk do t’ia dijë për to fare. Ata (replikantët) kanë deformuar pa kthim pronën në Shqipëri. Replika e replikantit Rama ose Veliaj, ka shkatërruar pa kthimin konceptin urbanitet normal. Organizmat replikante Mjaft dhe 99-sha dhe që sot po përgatiten të tjerë si "Thurje" apo "Nisma" janë replikat e reja të replikantëve dhe nuk kanë kurrfarë dallimi në të keqen që do ti shkaktojnë qytetarit normal dhe të ndershëm shqiptar. Replikantët janë armiq të qytetarit shqiptar, armiq të demokracisë dhe padyshim armiq dhe të kombit e lirisë në veçanti.