BREAKING NEWS

Sa do bjerë ekonomia pas krizës së COVID-19? Rama i befason të gjithë me përgjigjen e tij

Sa do bjerë ekonomia pas krizës së COVID-19? Rama i befason
x

Opinion / Editorial

Republika e drejtësisë së kapur

Republika e drejtësisë së kapur

Pak ditë më parë, edhe pse nuk e shprehu publikisht, zv/ministri i Financave dhe Ekonomisë u detyrua të japë dorëheqjen për një firmë të hedhur pa menduar mirë mbi një leje absurde vijimi aktiviteti të një kompanie private, e cila nuk kishte më arsye të vazhdonte shërbimin që bënte. Në mungesë të informacionit për humbjen e të drejtës së vijimit të aktivitetit të kësaj kompanie, ngaqë tenderin për këtë të drejtë e kishte fituar një kompani e njohur ndërkombëtare e fushës, zyrtari vendos në mirëbesim firmën e tij. Një firmë që i kushtoi largimin nga detyra. Kjo firmë shërbeu si artifica ligjore dhe gjyqësore, ku një gjykatës u bazua për të dhënë një tjetër vendim absurd, duke i mohuar kompanisë ndërkombëtare të zhvillojë një aktivitet të fituar me një tender ndërkombëtar të ligjshëm. Dhe duke “ligjëruar” kompaninë e cila prej gjashtë muajsh duhej të ishte shpallur operuese e paligjshme e aktivitetit të humbur në tender të hapur ndërkombëtar, të ishte gjobitur dhe larguar. Ky është shteti ynë dhe drejtësia jonë e kapur. Këta janë shembujt që i bëjnë ata të huaj që kanë vendosur të rrezikojnë kapitalet dhe kohën e tyre këtu, për t’u larguar një orë e më parë. Ose të tjerë që duan të vijnë, për t’u shkurajuar të provojnë realitetin tonë. Kompania që vuri në lojë autoritetin e një shteti të tërë dhe provoi me një sërë gjyqesh qesharake dhe groteske se ajo di të dalë edhe mbi interesin publik dhe të drejtën shtetërore, ka “meritë” dhe fuqi faktin që aksionere e vetme e saj është bashkëshortja e një gjyqtari. Ky gjyqtar ka bërë kohën e mire dhe të keqe në sistemin tonë të drejtësisë për vite me radhë, në emër të milionave të së shoqes, si anëtar i “qeverisë” më të krimbur të “Godinës të së Drejtës” tek ne. Vendimi absurd i gjykatës pak ditë më parë dhe dorëheqja e zv.ministrit të Financave dhe Ekonomisë, për shkak të firmës së dhënë mbi lejen absurde, vulosën një sagë të shëmtuar që kishte nisur në muajin shtator 2019. Kohë kur biznesi i së shoqes së gjyqtarit duhej të linte një shërbim që e kishte fituar në gusht 2019 një kompani amerikane rivale e këtij biznesi. Nëpërmjet një gare të hapur ndërkombëtare për shërbimin “duty free” të shitjes së mallrave pa tatimin mbi vlerën e shtuar në mjediset e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Tender i zhvilluar jo nga qeveria shqiptare, por nga kompania private që administron aeroportin. Më 1 shtator 2019, investuesi i huaj priste me të drejtën legjitime të fitimit të tenderit të merrte në përdorim dyqanet “duty free” në Rinas. Dhe kompania që administron aeroportin kishte nënshkruar kontratën me këtë qiraxhi të ri të ligjshëm. Por jo. Investuesi i huaj duhej të shikonte se kishte kundër të gjithë shtetin shqiptar në dorë të një drejtësie të kapur. Kompania e bashkëshortes së gjyqtarit e hedh në gjyq fituesin e ri, pa patur asnjë lidhje me të, nëpërmjet artificave dhe makinacioneve juridike. Me qëllim që procesi i marrjes së dyqaneve nën administrim nga fituesi i këtij shërbimi të shtyhej pafund. Gjë që realisht ndodhi. Gjyqe pas gjyqesh, gjyqtarët viheshin të zellshëm në shërbim të bashkëshortes së gjyqtarit ende të gjithëpushtetshëm, kush e kush t’i “bëjë nderin” më të madh. Nga kjo garë e shpifur, investuesi i huaj, kompania e njohur amerikane International Cruise Duty Free, me qendër në Majemi shikon një absurd të denjë për shtetin më të korruptuar afrikan, një kontratë dhe leje legjitime ushtrimi aktiviteti që t’i rrijë e pavlerë si letër bakalli në dorë, për periudhën 1 shtator 2019-12 shkurt 2020. Deri në ditën ku gjykata jonë e radhës, Gjykata Administrative i jep të drejtë sërish kompanisë vendase. E cila, edhe pse e ka humbur tenderin, edhe pse ligjërisht me të gjitha rregullat botërore dhe kontraktuale të biznesit duhej të ishte larguar, zhvillon e qetë aktivitetin e paligjshëm prej gjashtë muajsh. E “armatosur” me vendime gjykatash njëri më absurd se tjetri, të bazuar në një grumbull rregullash proceduriale të verbra gjyqësore. Dhe kryesorja: pa asnjë kriter për shkeljen e interesit madhor të shtetit dhe qytetarëve të këtij vendi: trajtimi i barabartë dhe dinjitoz i investuesit të huaj dhe të drejtave të tij të ligjshme në vendin tonë. Mesazhi i vetëm i çekiçit të drunjtë të (pa)drejtësisë së këtyre gjykatësve të kapur: Largohuni ju të huaj seriozë që vini për të shërbyer ose investuar në Shqipëri! Ky vend ka zot vetëm ata që të paguajnë nën dorë, të mbrojtur dhe inkurajuar nga politikanë që shpirtin ia kanë shitur parasë.