BREAKING NEWS

795 raste të reja me koronavirus 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë jep detajet

795 raste të reja me koronavirus 24 orët e fundit, Ministria e
x

Opinion / Editorial

Republikë partish apo demokraci e vërtetë…

Republikë partish apo demokraci e vërtetë…

Nënë Tereza  ka thënë se ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha në këtë tokë, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Shkak për këtë thënie të mençur,  janë kronikat bajate televizive të shpërndarjes së ndihmave tek njerëzit nevojtarë, fukarenj e të pamundur. Mirë ata që shpërndajnë ndihma nuk kanë turp që reklamojnë trasta absurde me 2 kg makarona, një oriz, një sheqer dhe një pije freskuese, po si nuk u vjen zor dhe televizioneve që i ndjekim me kamera e gazetarë, a thua se po transmetojnë një mrekulli dhe nuk mendojnë se në këtë mënyrë ulin dinjitetin e vëllait, mikut apo bashkëqytetarit të tyre, duke e nxjerr në ekran të shpërfytyruar për një trastë bosh! Disa herë planet tona madhore për të bërë gjëra të mëdha, më në fund  ndeshen me shanset tona për të bërë gjëra të vogla drejt dhe në kohë.  Ne s’mund të ndryshojmë botën, por për ta bërë këtë botë me më pak dhimbje ne mund të përkushtohemi gjithashtu. E gjitha që ne mund të bëjmë është që të përqendrohemi në këto akte të vogla të mirë-bërjes, gjëra që mund t’i bëj çdokush drejt e mirë në këtë kohë dhe pa aspak tejmundim e shpenzime. Rruga ime më e favorshme që të jem në shërbim, është të ndërtoj ritualin personal të ndihmës dhe të praktikojë shpeshherë akte mirëbërjeje, ndoshta nga gjëra të imta e të padukshme që më japin një ndjenjë të panumërt qetësie shpirtërore dhe mendore.

Shpeshherë, shumë të përfolurat akte të mirëbërjes janë aktet e dhurimit të miliona lekëve prej bashkëpunëtorëve të mëdhenj të biznesit ose të ndonjë fushe tjetër, por një orë punë e papaguar në një azil pleqsh, ose në ndonjë shtëpi me të tillë njerëz në nevojë, një takim me dikë që ka nevojë të largojë stresin, apo dhe më tutje në raste e nevoja të panumërta emergjence nuk mund të jetë e pamundur dhe e parealizueshme. Këtu nevojitet pak më shumë etje për të parë realisht traditën, për të parë shpirtin e shqiptarit në shekuj, dhe jo aspak me degradimin e vullnetarizmave politike, ose masovike të një kohe pa bereqet.

Trishtohemi kur shikojmë në ekran lajme nga njerëz të qeshur, të kollarisur, të ngrënë e të pirë dhe nxjerrin nga goja porosi, japin mesazhe si të lajmë duart, na mbani me shpresë, me fjalë të mira se punët janë mirë, ju rrini brenda, ne punojmë nga jashtë, paratë do shpërndahen, ne nuk vuajmë për bukë.

A e kuptoni ju se me këtë mënyrë pune tregoni se ushqeheni e lumturoheni me trishtimin, vuajtjet dhe depersonalizimin e atij teleshikuesi që e keni kthyer në një shtamë para ekranit? A e dini ju se bamirësia është shpirtërore dhe ndihma e shtetit është detyrë dhe jo lëmoshë për qytetarët e vet?

Ne pretendojmë se jemi një Republikë normale, dhe nga ana tjetër shikojmë kronika sikur këtu është Siri apo një vend geto andej nga Afrika, duke nxjerr grumbuj romësh fatkeqë nëpër që rrugë që kërkojnë të mbledhin kanaçe e duke lypur bukë. Mjaft më me fjalë të mira dhe trastën bosh. Jepini hallexhinjve mundësinë për të jetuar si njerëz normalë dhe mjaft më me ato ekrane të shitura tek politikanët hajdutë që keni pas. Kemi nevojë për pak optimizëm dhe shpresë në këtë kohë pandemie. Jemi i vetmi vend në botë ku qeveria ka “koronavirusin e vet” dhe opozita “koronavirusin e vet”, dhe të dyja palët me fjalë të mira dhe trasta bosh.