BREAKING NEWS

Muharrem Xhafa rrëfen të pathënat: Ja si Ramiz Alia në fshehtësi të plotë e me dredhi, i orientuar, i udhëzuar, dhe i detyruar prej agjenturave të huaja organizoi lëvizjen e Dhjetorit ’90, nga infiltrimi i spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit, te pazar...

Muharrem Xhafa rrëfen të pathënat: Ja si Ramiz Alia në
x
BREAKING NEWS

Ja sekretet e errëta që fsheh “Foltorja”, Evi Kokalari u plas skandalet Shkëlzenit, Ilir Metës, Albana Vokshit, Flamur Nokës, Edi Palokës dhe Abi Malltezit: Si më kanë kërcënuar njerëzit e Sali Berishës, ju tregoj të gjitha pazaret e tyre të pista...

Ja sekretet e errëta që fsheh “Foltorja”, Evi Kokalari u
x
BREAKING NEWS

Britania “mesazh” SPAK-ut për Sali Berishën, ambasadori King Smith kërkon të nisë hetimi penal ndaj të korruptuarve dhe paralajmëron një tjetër listë me “non-grata”, Londra e përkushtuar të çmontojë lidhjet mes krimit, korrupsionit dhe politikës...

Britania “mesazh” SPAK-ut për Sali Berishën, ambasadori
x
BREAKING NEWS

SPAK i ka futur nën hetim, zbardhet pasuria e Damian Gjiknurit dhe Olta Xhaçkës, nga apartamentet, garazhet, te llogaritë bankare, ja dokumentet

SPAK i ka futur nën hetim, zbardhet pasuria e Damian Gjiknurit dhe Olta
x
BREAKING NEWS

Ja pse Edi Rama sulmoi amerikanët dhe SPAK në Kongres, zbardhet lista me deputetë, ish-deputetë, ministra, ish-ministra dhe kryebashkiakë që presin radhën për në qelinë e burgut

Ja pse Edi Rama sulmoi amerikanët dhe SPAK në Kongres, zbardhet lista
x
BREAKING NEWS

Nga Azem Hajdari, Shinasi Rama, Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko, te Sabri Godo dhe Remzi Lani, Ilir Demalia nxjerr listën “bombë” të personazheve “VIP” që ishin pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Partisë së Punës, ja pseudonimet...

Nga Azem Hajdari, Shinasi Rama, Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Gramoz
x
BREAKING NEWS

Olsi Rama i përfshirë në trafiqe, Gazment Bardhi kërcënon Edi Ramën dhe pritet të bëjë publike më 14 dhjetor 2023 dosjen e vëllait të kryeministrit

Olsi Rama i përfshirë në trafiqe, Gazment Bardhi
x
BREAKING NEWS

Gjysma e qeverisë në burg dhe gjysma nën hetim, Edi Rama mbledh Kongresin e PS dhe nis sulm frontal kundër SHBA dhe SPAK, në panik nga republika e prokurorëve

Gjysma e qeverisë në burg dhe gjysma nën hetim, Edi Rama mbledh
x

Opinion / Editorial

“Revolucionarë “të vrerosur, “proletarë” me vila apo topahipas të krekosur?!

“Revolucionarë “të vrerosur, “proletarë”

Mbi 45 vjet më parë, në pikun e rinisë sime, po mbaronim studimet e larta në Degën e vetme të Gazetarisë në Universitetin e dashur të Tiranës. Prushi i ëndrrave dhe pasioneve rrinte kurdoherë ndezur. Po prisnim jo pa ankth fatin e emërimeve në gazeta, revista, e në radiotelevizione qendrore e lokale. Ishim vetëm 13 vetë, të përzgjedhur me konkurs nga një Komision i posaçëm profesionist e serioz (historia e konkurrimit si ushtar dhe e emërimit tim, ndoshta meriton një shkrim më vete). 13 nga dhjetra pjesëmarrës në auditorin e madh të Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike (sot diplomohen mbi 200 vetë gati çdo vit, shifër që të habit e të trondit !). Mjaft të rinj e të reja që pohojnë fare lehtësisht e me tringëllimë fodulleske “jemi gazetarë”(pa shkruar e botuar asnjë rresht në Media) nuk i gjen hiç nëpër redaksira (?!). Dhe ashtu të shkrifur në kënaqësi, vazhdojnë të deklarojnë plot krenari boshe e pa qoshe: “Jemi me arsim të lartë…”. Dhe qahen e shajnë qeveritë dhe politikanët që nuk u sigurojnë punë “sipas zanatit”. Zanat mavria ! Në Universitet siç hynë ashtu dolën. Dhe mbeten jashtë lëndinave të bukura, punëshumta e lodhëse të Gazetarisë së vërtetë. Paaftësia, mediokriteti, llafazanëria e ulokllëku i shoqëron në çdo hap. Se kush i zgjodhi e i përzgjodhi me mender “tender” apo pa “tender” , si e qysh, një Zot në qiell e di. Mjafton të mbahen në këmbë dega përkatëse, personeli mësimdhënës e ai administrativ (?). Manovrat pa lezet e pa bereqet, duke ripagëzuar e ngritur pjacën me emrin “evropian” e përrallandjellës “Shkenca Komunikimi”, mendoj se nuk e kanë shpëtuar gazetarinë bio. Brezit tim kjo i dhemb shumë. Temë debati kurdoherë e nxehtë që rrallë i qasen “analistët” me thasë në ekrane, opinionistët, `moderatorët, editorialistët, drejtorët, kolumnistët, publicistët me mjekër e pa mjekër, aktivistët etj. Por le të mos arratisemi nga fillimi dhe tema kryesore e këtij shkrimi… Ashtu energjik, me plot kërkesa, synime e qëllime krejt idealiste, sikur po përcillnim pasditet dhe mbrëmjet e fundit vezulluese përgjatë Bulevardit emër ndritur “Dëshmorët e Kombit. Po trokiste Festivali i Këngës në Radiotelevizion, ngjarje kulturore kulmore e çdo viti. Shokëve dhe shoqeve nuk u kisha treguar për një hap të “guximshëm” e si në ilegalitet : Vendosa në heshtje dhe një ditë trokita në portën e RTSH, duke dorëzuar një tekst kënge të sapokrijuar. Motiv i ditës. Prit e prit ndonjë përgjigje nga drejtuesit e Festivalit dhe më në fund mora sihariqin se ishte miratuar. Fluturova nga gëzimi. Nuk ishte gjë e vockël për një student stazhier. Në vigjilje të Vitit të Ri, emrin tim si autor për herë të parë në ekran, do e dëgjonte gjithë njerëzia ! Rashë dakord për “ndonjë fjalë” që mund të zëvendësohej për hir të harmonizimit me muzikën. Mbi të gjitha, do e këndonte Artisti i Popullit, Ramiz Kovaçi. Krutani bariton që në djalërinë e tij kish tundur skenat jo dosido të Sofjes e Romës dhe u diplomua me medalje të artë. Apo Pëllumb Katroshi i paharruar. Ndërsa bustin e Ramizit mund ta gjeni edhe në mjediset e Operës së Izmirit, atje ku mbylli sytë përgjithmonë në 1994….Emocionet pozitive dhe negative që përjetova nuk shqiten lehtë :”Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni”, kompozitori Tasim Hoshafi, autori i tekstit unë. Kur mbaroi konferencierja, isha ngurosur i tëri. Titull tjetër për tjetër dhe tekst i masakruar jo pak ! E kam vuajtur gjatë dhe hidhur. As fola e as shkrova kurrë publikisht. Veçse sot e kësaj dite, ajo mbeti pjesëmarrja ime e parë dhe e fundit. Zhgënjimi i rëndë e bëri të vetën… Pastaj nëpër vitet e punës si gazetar profesionist, mu qep e nuk mu nda një “huq” proteste e rebelimi, sa herë binte dhe bie ndonjë sëpatë shefi a botuesi mbi shkrimet e mia. Mirëpo, kënga për Proletarët e botës me sa duket la gjurmë të thella !...E kujtova këtë episod jo të këndshëm, kur po hidhja mbrëmë ca shënime për ata politikanë që na bëjnë thirrje për “Revolucion” nëpër tribuna e tubime partiake në vitin 2022 (!). Bota e qytetëruar qesh e tallet. Dhe buzëqesha e meditova edhe për këngën e atij Festivali. Ndërsa një miku im i vjetër lab, djalë partizani trim nga Lumi i Vlorës, ia mori si lehtë asaj këngës së mirënjohur, jo pa qesëndi : “Revolucioni që ka nisë/ Tym edhe flak’ qielli i Shqipërisë!”. Mjaft nga ata që e kënduan për herë të parë, dhanë jetën “si me le” në Luftën e shenjtë Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë. Se kënga “Shqiponjat Partizane” e shkodranit të mirë, Kolë Jakova, mori dhenë e sterenë dhe ngriti në këmbë luftëtarë të të gjitha moshave në fshatra e qytete. Shumë u kthyen në yje të pashuar që feksin përjetësisht në qiellin e Shqipërisë sonë hallemadhe. Ata ishin, janë e do të mbeten demokratët dhe idealistët më të mëdhenj të kombit. Dhanë gjakun. Dhanë jetën në lule të jetës ! Ç’të jepnin më tepër për mëmëdheun ?... Por djemtë dhe vajzat e nënave që ranë për një Botë të Re pa oligarkë, pa bejlerë, agallarë e zuzarë që mashtrojnë e kusarojnë një popull të tërë dhe me pacipërinë e tyre nxehen e shkrehen kundër korrupsionit, nuk mund të mos drithërohen në varre. Mendoj se Dëshmorët nuk kanë asgjë të përbashkët me Polit(h)ikën e 30 viteve Tranzicion “yrrja-byrrja”. Madje kur liderët kalanderë shkojnë të “vrerosur” atje ku prehen Shqiponjat e Lirisë me rrënjët në gjak e sakrifica(pasi kanë dalë nga vilat me makina të rënda luksoze e me plot gardistë të Republikës), mua shpesh më vjen për të vjellë. Nuk ka fyerje më të madhe që u bëhet të rënëve të Atdheut nga këta hipokritë e hajdutë të fëlliqur në politikë ! Tranzicion që vendi e provoi dhe e pagoi tepër dhimbshëm e brinjë më brinjë. Rrokullimë në jerm që nuk po ndalet ende nga pushtpushtetet djathtas e majtas. Ndërsa liderët e tjetërsuar u kthyen shpejt në grabitqarë të pangopur pasurie përballë syve të cmeritur të taksapaguesve me qesen “sa një kokërr hudhër”. Të njëjtat fytyra tashmë të urryera masivisht, bëjnë thirrje për Revolucion nga mjediset e luksit të tyre të shfrenuar. Fukarenjtë shajnë e mallkojnë me shpirt të sakatosur. Realisht, përditë po shtohen ata që i falen “kohës së Enverit”. Kjo është e vërteta. Si pranë koshave të plehrave nëpër qytete ku gërmohet natën me thonj e me duar; si në Rendin Publik ku mund të hash koqen e plumbit duke pirë kafe në bare e trotuare në zemër të qytetit; si nga pusitë zezona të gjakmarrjes e hakmarrjes mesjetare; si në vrasjen e grave me kobure, thika e hanxharë(burrëri e tredhur!); si në marrjen e jetës së vëllait nga vëllai “për një ledh, për një kufi prone” të ndarë me boriet “antikomuniste” të kapitalizmit “social” etj. Fjalët në thonjëza janë të një kënge të vjetër sa Çlirimi i vendit, që tregonte jo pa krenari zhdukjen e kësaj plage të llahtarshme që do kullojë në breza elegji tragjedish e dhimbje gjer në kockë edhe për ngujimet paradoksale “me kuç e me maç”. Realitete që nuk mohohen dot. Brezi i ri i lindur në Pluralizëm, dëgjon i shushatur e disi mosbesues përmes gjëmimeve të propagandës agresive e iluzive partiake, politikës “qorre pas kasolles” e militantizmit ulërak vetëm me celularë në duar(pa asnjë libër letërsie, historie,, publicistik e filozofik !). Mbyten kafenetë përditë në emër të Lirisë shterpë. Asnjë diskutim pasionant për kulturën e vërtetë, për filmat, bibliotekat apo për çështje të mëdha kombëtare e lokale. Dinë më mirë muzikën e këngën tallava vulgare me tekste mizerabël; dinë se kush nga “vipat”(kupto: rripat) është shtatzënë apo kush bashkëjeton me partnerin sevdalli të disa femrave “yll”; dinë targat dhe llojet e makinave multimilionerë të moshatarëve me nëna e baballarë biznesmenë e politikanë bosë me “rrogën” e Dovletit(shteti)…Përfytyroni nesër këta pinjollë injorantë, pjella të atyre që sot shqyejnë gurmazin për “Revolucion”, nëpër istikame shteti e pushteti ! Mjerë Shqipëria !

-Më dëgjo pak mua, o miku im në metropol ! Aman, më qafsh, a e kanë pagëzuar me emrat xixëllues “ revolucion tekniko-shkencor, industrial, anti-imperialist, demokratiko-borgjez, ideologjik apo kulturor” ?! Le t’i vëmë kapak muhabetit : Revolucion për kolltuqe pushteti apo evolucion pa huqe e ulluqe “dovleti” ? Mos vallë është si ajo “rruga e vetme për përmbysjen e kapitalizmit nëpërmjet vendosjes së diktaturës së proletariatit pas rrëmbimit të pushtetit politik…nëpërmjet revoltës e kryengritjes. Më shqip, “përmbysje me dhunë e një rendi shoqëror, politik e ekonomik”. Sa para bën, po na ikën dhe shtatori, lumi-lumi që na mori ! Mjafton të mendojmë, të punojmë dhe të jetojmë si revolucionarë. Aman, u thuaj të mbajnë dorën si luftëtarë (jo si lapërdharë) të paepur nga vilat hijerënda e verbuese në Kryeqytet e në Bregdet; në Gjirin(kupto: gjirizin) e Lalëzit; në Gjirin e Kurvave(kështu thirrej dikur në anën perëndimore të liqenit të Tiranës; në Farkë, Lundër, Surrel, në “Teksas”(Qerret i Kavajës) e gjetkë. Kjo “ndërgjegje revolucionare” do e shmangë rivendosjen e kapitalizmit të pashpirt dhe pa din e iman ?!

Njerëzia pyet: Mos vallë do të katandisen në TOPAHIPAS (jo mish për top) me të dalë ku të dalë, mjafton që të shpëtojnë paq vilat, apartamentet, dyqanet, pallatet, tokat e zaptuara, llogaritë e mbarsura bankare që po pëlcasin nga mbipesha vrastare. Të gjitha janë “siguruar” nga rroga e “Dovletit” dhe jo nga fukarallëku e uria e miletit ! I keni vënë re ? Aq shumë e kanë shtrënguar rripin e kursimit dhe kanë tharë zorrën, sa nuk u dallohet dot lehtë barku nga kurrizi… Sa për “topahipasit”, të kuptohemi, nuk janë nga ata që luajnë në dy skuadra : në njërën mileti u shtron shpinën dhe rri përkulur duke rënkuar e mbajtur liderët e regjur në Tranzicion, kurdoherë kaluar. Dhe hedhin vickla e presin topin e qelbur të korrupsionit e të kusarëve me çizme e pa çizme. Oi, oi, po na çudisin me ato që po përrallisin përditë ! Nuk e fshehim, një merak e kemi : Mos na ndërliksen keqazi me synimet e Revolucionit të parë në Shqipëri, me atë demokratiko-borgjez të qershorit 1924 ?!

Po përse vallë, sot në 2022 na flasin si të ndërkryer nga një lloj tërbimi të marrosur bulevardesk e donkishotesk ? Dhe në fund, nuk arrijnë të ndërsejnë dot as qentë e mëhallës për të sulmuar “të paudhët” e hipur në kolltuqe e pasurira erërënda…Apo janë mësuar të trillojnë e të bëjnë me barrë edhe priftin e hoxhën ? Po pse hiqen xhanëm sikur u këputet shpirti për proletarët e mbytur në varfëri ! Politikanët profkatarë i harruan shpejt udhët e shtigjet nga erdhën dhe lundrojnë në bollëk, luks e pasuri të pistë. Këto këllira politike mbi 30 vjeçare (djathtas e majtas) duhet të shporren me hir e me pahir. Përndryshe, Shqipëria jonë me siguri do të lëngojë gjatë ! Kishte të drejtë Kiço Spiri ose Këthja siç e thërrisnin në Gjirokastër vjershëtorin origjinal të Dashurisë e Politikës , kur ligjëronte: “Mora pushkën dola malit,/ Të luftoja për atdhe,/ Ku ta dija unë i varfri,/ Se armiku ishim ne ?!”...