BREAKING NEWS

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi
x

Opinion / Editorial

Rimbursimi dhe kontrolli tatimor

Rimbursimi dhe kontrolli tatimor

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjatë vitit 2019 u auditua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për periudhën nga 01.01.2018 deri më 31.12.2018. Auditimi u bazua në ligjin material të Kontrollit të Lartë të Shtetit, referenca të tjera ligjore si dhe në kërkesat e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit. Qëllimi i auditimit ishte vlerësimi objektiv, profesional e i pavarur i përputhjes së veprimeve procedurale, administrative, ekonomike e financiare, me kriteret dhe kërkesat e legjislacionit në fuqi, vlerësimi dhe evidentimi i shkeljeve të parimeve të ligjshmërisë dhe menaxhimit të shëndoshë financiar si dhe shfrytëzimin me eficencë, efektivitet dhe ekonomicitet të pasurisë shtetërore dhe fondeve publike. Fushëveprimi auditimit ishte auditimi i veprimtarisë së këtij institucioni sipas drejtimeve të përcaktuara në programin e auditimit, si dhe çështjeve të tjera të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit gjykoi të rëndësishme për tu bërë publike. Midis të tjerash në programin e auditimit me risk, u përcaktua auditimi i dokumentacionit të praktikave te rimbursimit dhe funksioni i kontrollit tatimor, si dhe monitorimi i punës së drejtorive rajonale tatimore mbi kontrollin tatimor, lidhur me zbatimin e legjislacionit fiskal. Sipas ligjit nr. 92/2014 “Për TVSH-në” një person i tatueshëm gëzon të drejtën e rimbursimit të tepricës së kreditimit tatimor të TVSH-së, nëse personi i tatueshëm ka mbartur tepricën e TVSH së zbritshme për 3 muaj radhazi, dhe TVSH-ja e kërkuar për t’u rimbursuar tejkalon shumën prej 400 000 lekë. Në zbatim të këtij ligji, përveç akteve të tjera nënligjore, zbatohet dhe VKM Nr. 953, datë 29. 12. 2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në RSH”, i ndryshuar, përveç të tjerash, për kategoritë e eksportuesve për qëllim të rimbursimit të TVSH-së përcakton se kur vlera e eksporteve është më shumë se 70% e vlerës së përgjithshme të shitjeve, dhe që plotësojnë dhe disa kritere të tjera rimbursohet automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, si persona me risk zero, që nënkupton rimbursim të menjëhershëm pa iu nënshtruar analizës së procedurës së analizës së riskut. Në rastet kur vlera e eksporteve përbën më shumë se 50% deri në 70% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, rimbursimi kryhet brenda 30 ditëve, por duke iu nënshtruar më parë procedurës së analizës së riskut. Të gjithë personat e tjerë të tatueshëm që kryejnë eksporte, rimbursohen brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim duke iu nënshtruar procedurës së analizës së riskut. Sa më sipër legjislatori ka përcaktuar me të drejtë rimbursimin e TVSH-së në afate të shkurtra kohore, pasi kthimi i likuiditeteve të subjektit tatimor në kohën e duhur është një e drejtë e garantuar me ligj dhe njëkohësisht krijon kushte normale për ecurinë e biznesit. Bazuar në ligjin material dhe nëpërmjet strukturave të saj, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për vitin ushtrimor 2018, ka trajtuar gjithsej 987 kërkesa të paraqitura për rimbursim, nga të cilat nuk janë pranuar 403 kërkesa për mosplotësim të kritereve ligjore dhe janë pranuar 987 kërkesa me vlerë 22,2 miliardë lekë. Nga kërkesat e pranuara janë miratuar për rimbursim 822 kërkesa në vlerë 16,6 miliardë lekë dhe janë rimbursuar 803 tatimpagues në shumën 14,3 miliardë lekë. DPT përbën peshën specifike më të madhe në shumën e rimbursuar në shumën 14, 2 miliarde lekë, ndërsa Drejtoritë Rajonale Tatimore kanë rimbursuar 0,15 miliardë lekë. Sipas drejtorive rajonale tatimore peshën më ta madhe të shumës së rimbursuar e zë Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj në shumën 8 miliardë lekë ose 56% e totalit, DRT Tiranë në shumën 2. 2 miliard lekë ose 16% e totalit, DRT Durrës në shumën 1,1miliardë lekë ose 8% e totalit dhe DRT Fier në shumën 0. 9 miliardë lekë ose 7% e totalit. Përveç shumës së rimbursuar, Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ka raportuar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë detyrimet e prapambetura të krijuara rishtazi për rimbursimin e TVSH-së në bazë vjetore, gjendjen e stokut të rimbursimit për datën 31. 12. 2018 në shumën 20, 741, 781 mijë lekë. Në pasqyrat financiare të institucionit, gjendjen e stokut të rimbursimeve është pasqyruar në shumën 16, 839, 662 mijë lekë. Në këto dy raportime ka mospërputhje për shumën 3,891,869 lekë, për 171 kërkesa për rimbursim për subjekte në proces kontrolli, të cilat prej tyre konsiderohen të pamaturuara për faktin se kontrolli tatimor nuk ka përfunduar dhe shuma për rimbursim nuk është miratuar. Diferenca në shumën 3,891,869 mijë lekë qëndron pezull më datë 31.12.2018 dhe nuk pasqyrohet si detyrim i lindur dhe i kontabilizuar “de facto” në kontabilitet në DPT. Grupin më të madh në stokun e kërkesave të parimbursuara e përbëjnë “Pagesat me këste”, në shumën 13,227,907 mijë lekë, për të cilat faktikisht rimbursimi i menjëhershëm i gjithë shumës së kërkuar dhe miratuar dhe brenda afatit ligjor do të ishte një pakësim i konsiderueshëm i menjëhershëm dhe ndjeshëm në pakësimin e të ardhurave tatimore në momentin e rimbursimit, duke vënë në vështirësi buxhetin e shtetit. Por pagesa me këste si veprim procedural, jo vetëm për rastet ne proces, por edhe rastet e përfunduara, nuk gjen mbështetje në legjislacionin fiskal dhe mbart risk në vetvete. Pavarësisht se në heshtje nga tatimpaguesi pranohet pagesa me këste, organi tatimor në asnjë rast nuk disponon një Akt Marrëveshje të nënshkruar nga palët për dakordësinë e kësaj mënyre pagese. Mungesa e bazës ligjore dhe/ose akt marrëveshjes për pagesë me këste, rrit rrezikun për pagesë kamatëvonesash për periudhën 30 ditë pas bërjes së pagesës deri në kryerjen e rimbursimit të plotë, sipas Ligjit nr. 9920 datë 19. 05. 2008 “Për Procedurat Tatimore në RSH”, i ndryshuar, duke rrënduar shpenzimet në buxhetit e shtetit. Nga Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së, procedura e rimbursimit të TVSH-së për eksportuesit e kategorizuar si eksportues me “Risk zero” sipas VKM 953/2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, datë 24. 07. 2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, nuk kryhet automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së (por mbi 90 ditë dhe më tej) dhe duke mos ruajtur radhën e pagesave sipas parimit të metodës “First In First Out” (FIFO). Kategoria “Eksportues të tjerë” bëjnë vazhdimisht kërkesa për rimbursim, por për kërkesat e paraqitura subjektet kanë detyrim ligjor të paraqesin deklarata doganore të eksportit, pasi për çdo rast ata janë eksportues sipas Kodit Doganor. Por Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së nuk ka kërkuar paraqitjen e deklaratave doganore të eksportit, së bashku me faturën tatimore të kësaj deklarate si dokument provues për eksport, veprime këto në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, në kërkesat e miratuara konstatohet se i njëjti tatimpagues, herë klasifikohet si eksportues me “Risk zero” herë si “Eksportues të tjerë”, edhe për faktin e mosparaqitjes së deklaratave doganore të eksportit. Kjo sjell paqartësi në kategorizimin e eksportuesve sipas VKM 953, pasi nuk gjen përgjigje pyetja me risk zero kategorizohet kërkesa e subjektit apo vetë personi i tatueshëm. Mos njoftimi për këtë kategori se tatimpaguesi gëzon të drejtën e rimbursimit automatikisht brenda 30 ditëve dhe pa analizë risku, përbën shkelje të së drejtës së tatimpaguesit në përputhje me të VKM 953/2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, datë 24. 07. 2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, pasi kërkesa për miratim nuk nënshtrohet analizës së riskut, dhe kontrollit tatimor para ose pas rimbursimit tejzgjat procedurën dhe vonesën për pagesë të rimbursimit. Përveç procedurës së rimbursimit nga pranimi i kërkesës deri në pagesën e shumës së miratuar, një vend të rëndësishëm në këtë proces zë kontrolli tatimor në vend ose nga zyra për përcaktimin e shumës së miratuar për rimbursim. Në këtë proces konstatohet se kontrolli tatimor përgjithësisht rezulton pa gjetje të shkeljes së legjislacionit tatimor ose thënë ndryshe me zbulueshmëri zero. Kontrollit tatimor planifikohet për kontroll brenda afatit ligjor, por nuk përfundon brenda këtij afati dhe për pasojë shtyhet momenti i pagesës, duke vënë padrejtësisht në vështirësi serioze aktivitetin e tatimpaguesit për disponim likuiditetesh, jo për faj të tyre, por për mos angazhim të plotë të strukturave tatimore për përmbushjen e detyrave funksionale në përputhje më ligjin. Nga kontrolli tatimor i ushtruar në këtë kategori eksportuesish rezulton se ka mangësi në kontrollin e subjekteve tatimorë që operojnë nën regjimin e përpunimit aktiv. Në këto kontrolle dokumentacion doganor, në kontrollin dhe mbylljen e këtij regjimi nuk përdoret gjerësisht. Madje në praktikë përdoret dokumentacioni i paraqitur nga vetë subjekti, pasi nuk ka të dhënave nga organet doganore, në mungesë të bashkëpunimit institucional për këmbim informacioni për mbikëqyrjen e autorizimeve doganore. Në funksionin kontrollues të cilësisë së raporteve të kontrollit të drejtorive rajonale, nga auditimi rezultoi se strukturat kontrolluese, në pothuaj të gjitha raportet e kontrollit nga grupet e kontrollit të DPT-së, për kontrolle të ushtruara ku kërkohet analiza me zgjedhjen e raport kontrolleve me objekt rimbursimin e TVSH-së, apo të tatimit mbi fitimin, dhe zbatimi i proceduarve ligjore për rimbursimin, nuk kanë ushtruar asnjë kontroll mbi këto raporte kontrolli, nuk kanë kryer asnjë analizë ekonomike financiare për shumat e rimbursuara, duke mos realizuar një nga pikat më të rëndësishme të kontrollit për rimbursimin e TVSH-së që prek drejtpërdrejt të ardhurat buxhetore. Raportet e kontrollit tatimor të kryera nga inspektorët e kontrollit tatimor në DRT-të, në asnjë rast nuk kalojnë për rishikim të cilësisë në Sektorin e Cilësisë dhe Standardizimit të Procedurave, e cila ka si funksion dhe përgjegjësi funksionale parësore shqyrtimin dhe analizimin e raporteve të kontrollit mbajtur në tatimpagues nga strukturat e kontrollit të DRT-ve. Sa më sipër ndikimi i kontrollit tatimor në procesin e miratimit të rimbursimit të TVSH është shumë i ulët ose pothuaj inekzistent.

*Audituese në Departamentin e Buxhetit të Shtetit, KLSH