BREAKING NEWS

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste
x

Opinion / Editorial

Riviera dhe ishulli i Sazanit në dy kohë

Riviera dhe ishulli i Sazanit në dy kohë

(Letër për ish-banorët e ishullit të Sazanit)

Ju falënderoj për postimin e fotos me brezaret (tarracat) në bregdetin e jugut, por dhe të ishullit të Sazanit, me të cilat na lidhin shumë kujtime nga më të bukurat e rinisë sonë, por dhe familjare, pasi edhe im atë ka punuar atje me nje batalion ushtarësh gjatë viteve1967-68, duke bërë pjesën më të vështirë të punës në zonën Lukovë- Shën Vasi e me tej. Edhe unë kam marrë pjese atje, kur Brigada e 11, si gjithë ndërmarrjet e Vlorës u përfshinë në këtë aksion. E dini ju Odho e Gori, se në kohën tonë bregdeti mori pamjen e një vepre arti të madhe arti dhe ishte një art i shplusur përgjatë gjithë rivierës tonë, e cila u bë jo vetëm krenaria e bujqësisë shqiptare, por me bukurinë e saj ndofta ja kalonte dhe ndonjë zone të Mesdheut? Besoj se ju kujtohen apo jo? Ato fillonin që prej Ujit të Ftohtë në Vlorë–Ksamil, Sarandë dhe si i tillë duhej të shpallej Park Kombëtar madje dhe monument kulture i agrikulturës shqiptare. Ato brezare i qëndisi rinia jonë heroike dhe ajo e aksioneve duke i bërë po aq bukur sa ishte ajo edhe vetë. U mbollën agrume gjithëlloj si dhe ullinj, të cilët ne i vaditnim rrënjë më rrënjë në një teren shumë të thyer dhe dhanë prodhim përmbi 15 vjet rresht. Në këtë aks u krijuan dhe dy ferma bujqësore, teksa tani ajo zonë është kthyer pothuajse në tokë të shkretë. U kthye e tillë sepse ju e dini që ne kemi patur dhe kemi në dy kohë të ndryshme “heronj”, por nëse në kohën e parë kishim “heronjtë e ndërtimit”, në kohën e dytë patëm “heronjtë e shkatërrimit”, por ajo më e çuditshmja është se si të parët ashtu dhe të dytët i kishim me shumicë. Do thoni ju se si është e mundur?! Po është ore si nuk është, pse kaq shpejt i harruat ju shkatërrimet masive, zjarret në ullishta, pyje dhe bizneset që u bënë në emër të shkatërrimit masiv? Unë ju them se nëse të vdekurit do të kishin mundësi të ngjalleshin një ditë, e sidomos ata që kanë punuar në ato brezare, për të kërkuar një kokërr limoni nga ku me lëngun e tij të njomin buzët, apo pak vaj ulliri të jini të bindur se ata do të vdisnin për herë të dytë duke na mallkuar ne të mbi tokës. Po ku ta dinin ata se pikërisht kohët moderne patën pjellë apo pjerdhë një Neron me pishtarin e flakës në dorë për të djegur jo vetëm brezaret, por gjithë Shqipërinë? Toka është e shenjtë, për t’u lulëzuar e ndërtuar e jo për t’u djegur miqtë e mi. Ja vërejini “inkasit” apo “aztekët” e Amerikës Latine, pse jo dhe kinezët, japonezët, aziatikët madje dhe arabët se si i kanë qëndisur që në lashtësi brezaret e tyre duke marrë tashmë dhe vlera të mëdha historike të trashëgimisë kulturore të popujve të tyre. Brezaret tona përgjatë gjithë bregdetit sot do të ishin gjerdani i artë lidhur te beli i nënës Shqipëri. Fundja ja le të marrim si shembull dhe ishullin e Sazanit ku unë me shokë e shoqe me familjarë oficerë ushtarë e marinarë për një kohë të gjatë kemi qenë atje bashkëjetues. E dini ju se sot Sazani është tërësisht i shkretë si Çernobili i Ukrainës që u boshatis dhe u rrënua nga shpërthimi i centralit atomik? Fundja në një tragjedi të padëshiruar kjo do të ndodhte, por ne or miqtë e mi, e plasëm vetë armën atomike si qindra mijëra shqiptarë edhe ne më shumë se kushdo kemi përjetuar të njëjtën situatë si ukrainasit, por njëkohësisht të njëjtën situatë si dhe me brezaret e rivierës, që me plot gojën mund ta quajmë “epoka e rrënimit”. Ne ishim dëshmitarë okularë të punës dhe heroizmit të pashoq, që u bë në ishullin e Sazanit në kohën e socializmit, të cilat sollën ndryshime të mëdha jo vetëm në aspektin ushtarak, por dhe atë social, e që ja shtuan me shumë bukurinë përrallore që i pat falur natyra, si florën dhe faunën. Shkurt ishulli u fortifikua, madje si asnjë ishull në rajon. Repartet ushtarake, por dhe familjarët, pothuajse u futën në godina te reja dhe jeta bëhej normale, me një furnizim dhe përkujdesje të veçantë, për nga vetë specifika e ishullit, i cili në një farë mënyre nuk ishte si qytetet e tjera, por dhe nga shkalla e vështirësive. Me ardhjen e të ashtuquajturës “demokraci”, në vend që të ndërtohej filloi dhe në ishull shkatërrimi, kjo për shkak të strategjisë së “zeros” dhe parullave që u hodhën në fillimet e saj, gjë që në vendet tjera të lindjes nuk ndodhi... Kthehemi te Sazani: Pas shpopullimit filloi dhe shkatërrimi i shumë vlerave historike, p.sh ish-Komanda e njësisë ndërtuar qysh më 1929 -ën është qëlluar me një predhë artilerie gjatë një stërvitje ushtarake të përbashkët në kuadër të NATO-s! Tamam si Mato Gruda, që desh të qëllonte shtëpinë e “Fizëve”. E njëjta gjë ndodhi me ish-kinemanë që ishte që prej kohës së italianëve, pa folur për godinat e banimit të familjareve dhe ato të reparteve. Kemi shkruar, folur dhe diskutuar shumë për situatën sot në ishull. Meqenëse e “çarmatosën”, të paktën të kishte ruajtur vlerat muzeale duke konservuar ndonjë gjuajtësdetar, dragamine, katër silurues, disa topa të kalibrit të ndryshëm apo dhe kundërajrorë, pa folur këtu dhe për objektet social kulturore sikurse ishte shkolla “22 Tetori” apo kino-klubi i ushtarakëve etj. Por as kjo nuk u bë. Ishulli ka ngelur tërësisht i shkretë dhe në kuadrin e 22 Tetorit, datës së çlirimit të tij. Mua më vjen të lotoj nga inati se si e kanë katandisur ashtu. Më vjen të lotoj sepse kalova me punë një pjesë të jetës sime atje në atë ishull të bekuar. Nuk është çudi që me ndonjë projekt NATO t’ia u japi përsëri grekëve, italianëve, francezëve dhe nuk është çudi t’ia japin dhe Maltës. Pse jo ishull-për ishull. Ja këto të fundit desha dhe t’ju u kujtoja or miqtë e mi meqenëse ishulli këto ditë ka dhe festën e çlirimit. (Dhëntë natyra që për inat mos e falin ishullin pikërisht në këtë datë për të ironizuar diktaturën komuniste)!

*Ish-punonjës i shërbimit social në ishullin e Sazanit