BREAKING NEWS

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i republikës”, Frrok Çupi del sërish me deklaratën e fortë: Në Shqipëri fundërrinat...

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i
x

Opinion / Editorial

Roli dhe reagimi i shoqërisë civile, imperativi i vlerave të saj

Roli dhe reagimi i shoqërisë civile, imperativi i vlerave të saj

Jemi një ndër kombet ku roli dhe reagimi i shoqërisë civile, për problemet madhore ndërnjerëzore që e shqetësojë atë në të gjithë piramidën e ndërtimit të saj, është i papërfillshëm ndaj vlerave që ajo përfaqëson. Megjithëse ajo përkufizohet si një sferë jashtë familjes së shtetit dhe tregut, që përjashton bizneset fitimprurëse, roli i saj në demokraci është dhe mbetet një vlerë e shtuar. Në të gjithë botën demokratike, roli i tyre është po aq atraktiv sa dhe ai i formacioneve politike, të cilat nuk mund të bëhen palë me to, por qëndrojnë gjithnjë në oponencë përballë tyre.

Si një organizëm me baza komunitare, ato janë një zë i fuqishëm dhe konsiderohen frymëmarrje për demokracinë, gjë që nuk e shohim në hapësirat e shoqërisë sonë. Me gjithë ndryshimet që ka pësuar shoqëria, në konturimet dhe standardet demokratike, mefshtësia dhe pasiviteti i të qëndruarit larg ngjarjeve shqetësuese, nuk e kanë mundësuar të mbyllë hapësirat midis politikës, qeverisë dhe qytetarëve. Ky peizazh me ngjyra bardhë e zi tregon më së miri shkalën e progresit demokratik si dhe emancipimin e saj. Atraksioni i shoqërisë civile në lëvizjet qytetare për të drejtat e tyre, është esencial dhe shtysë për përshpejtimin e proceseve demokratike. Ato do t'i jepnin nxitje dhe frymëmarrje reformave në drejtësi, arsim, rend, në pushtetin vendor, si dhe atë në vijimësi të sistemit zgjedhor. Aktivizimi dhe natyralizimi i këtyre lëvizjeve të shoqërisë civile, do të t'i jepte më shumë impulse zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve, gjë që fatkeqësisht nuk ka ndodhur.

Në Shqipëri reagimet e shoqërisë civile, për problemet që kanë tejkaluar ekuilibrat brenda saj, kanë qenë shumë të pakta. Shembulli që evidenton një ndër to është ai i demontimit dhe asgjësimit të lëndëve kimike me rrezikshmëri të lartë, që tregoi se kur ka vullnet dhe organizim gjithçka merr rrugë për mirë. Kjo shfaqje shembullore nuk u pasua me lëvizje të tjera, për t'u bërë oponencë veprimeve autoritariste të politikës dhe mbi të gjitha vendimeve të turpshme të drejtësisë së degraduar. Një shembull që flet se sa i fuqishëm është zëri qytetar, do të sillnim atë të disa viteve më parë, kur qytetarët francezë e detyruan Parlamentin të mblidhej në mesnatë dhe të miratonte një ligj, që lidhej me shitjen e peshkut të ngordhur dhe jo të gjallë. Por shoqëria jonë është aq shumë e politizuar sa që, nuk ngrihen të protestojnë për hallet e tyre, por bëhen zbatues të verbër të drejtuesve politikë, të luftës për pushtet. Megjithëse kjo shoqëri ndjen nevojën e ndërveprimit politik ndaj tyre, për shkeljet e rënda të ligjshmërisë, të shpërdorimit të detyrës, të vënies së interesave familjare e klanore mbi ato të qytetarëve, përsëri kjo masë njerëzish janë kthyer në "skllevër" të egoizmit, e të veprimeve delirante të tyre personale. Ata janë kthyer në gangrenë brenda kësaj shoqërie, ashtu siç i quante me të drejtë Hobsi "krimba zorrësh", që edhe pse pa pushtet janë gati të shkatërrojnë gjithçka, duke i bërë atentat demokracisë. Aq shumë shfaqje negative janë demonstruar në shoqërinë shqiptare post-komuniste, sa që do të duhej një gjykatë e përmasave të "Nurenbergut"për t'u dhënë përgjigjen e merituar gjithësecilit shkaktar të ngjarjeve tronditëse. Nga këto ngjarje që e kanë tejngopur shoqërinë tonë, asaj i janë cënuar mbi të gjitha, liria, dinjiteti, morali si dhe vlerat kombëtare. Realiteti i fakteve dhe ngjarjeve që përjetoi shoqëria jonë në këto vite, u kthye në kaos të paimagjinueshëm, ku dominoi filozofia e dhunës, mashtrimit dhe hipokrizisë. Ky arsenal kaotik fenomenesh që ka trazuar aq shumë shoqërinë tonë, e ka bazën tek mos respektimi dhe zbatimi i ligjit, tek pandëshkueshmëria e së keqes, që na ka goditur në çdo qelizë, aq sa krimet janë rreshtuar si gurët kilometrikë të rrugëve.

A ka vend për protesta të shoqërisë civile, për problemet nga më madhoret, që janë murosur në kujtesën e hidhur kolektive në Shqipëri? Sigurisht që ka dhe përbëjnë një numër të konsiderueshëm, që për arsye nga më absurdet nuk janë vënë kurrë në zgjidhje. Kjo shoqëri që të vihet në rolin që meriton ashtu si në të gjithë botën demokratike, duhet të reagojë: 1-Për vendimet farsë të gjykatave të korruptuara; 2-Për vonesat e formatimit të strukturave të drejtësisë, sidomos ajo e Gjykatës Kushtetuese, për t'i dhënë fund dramës maskaradë të manipulimit nga politika; 3- Për mos gjykimin e tragjedive që përbëjnë krim shtetëror, politik dhe ekonomik. 4-Për mbetjet toksike në disa zona të vendit; 5-Për grabitjet e pasurive kombëtare, të naftës, mineraleve, të dhënies me koncesion të centraleve, për privatizimet e paligjshme etj.; 6-Për abuzimet me pushtimin e trojeve të paligjshme, që janë bërë pengesë për ndërtimin e veprave publike; 7- Për deformimet historike, për hedhjen baltë mbi figurat e heronjve të kombit, nëpër disa emisione, ku moralizohet jashtë etikës dhe përçudnohen vlerat tona kombëtare. Gama për të protestuar dhe ngritur zërin është e gjerë, që përbëhet nga problemet e shumta ndërnjerëzore në qeverisjen e popullit, në format e ushtrimit të pushtetit ndaj tyre etj.

Por ajo që bie në sy është se në Shqipëri ka një armatë të madhe shoqatash, që janë në shifrat e gjysmës së kontinentit europian, kur Rumania një vend me rreth 24 milionë banorë ka vetëm 7, Kroacia dhe Bullgaria nga 5 të tilla të dekretuara me dekrete të presidentëve respektivë. Disa nga këto shoqata të mbuluara me mister, janë kthyer në mina me sahat, sepse merren me veprimtari subversive të shërbimeve sekrete. Ato nuk përfaqësojnë zërin e shoqërisë civile, megjithëse flasin në emër të humanizmit dhe kontributeve të bamirësisë. Prandaj, shoqëria civile duhet të zgjohet nga letargjia dhe manipulimet politike, për tu ngritur në rolin që i takon si një zë i fuqishëm në mjedisin shoqëror. Ajo nuk duhet të katandiset si sindikatat, që janë bërë shtojcë e partive politike, duke humbur identitetin dhe rolin oponent përballë tyre. Për këto e të tjera çështje, që motivojnë rolin e padiskutueshëm të saj, ajo duhet ta kthejë këtë mision në kauzë, për t'u përfaqësuar denjësisht si oponente e shtetit dhe partive, për të drejtat e pamohueshme dhe të respektueshme në dobi të qytetarëve.