BREAKING NEWS

Gjykata e Posaçme merr vendimin final, dënon me burg ish-gjyqtarin e njohur Luan Dacin

Gjykata e Posaçme merr vendimin final, dënon me burg ish-gjyqtarin e
x

Opinion / Editorial

Roli i qytetarëve në mirëqeverisjen vendore

Roli i qytetarëve në mirëqeverisjen vendore

Për mirëfunksionimin efektiv të qeverisjes vendore është thelbësore që qytetarët të kenë mundësi të kontribuojnë në mënyrë aktive për rritjen e mirëqenies së tyre nëpërmjet ushtrimit të të drejtave themelore të pjesëmarrjes aktive në politikëbërje. Funksionimi efikas i autoriteteve publike vendimmarrëse është i një rëndësie themelore për jetën e përditshme të qytetarëve dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Qeverisja lokale duhet të jetë e rëndësishme për secilin prej nesh sepse ka si detyrë të kujdeset për ofrimin e shërbimeve publike. Pushteti vendor administron ato shërbime që janë më të afërtat me jetën e përditshme të komuniteteve si furnizimin me ujë, rrugët, sigurinë publike, mirëqenien sociale dhe shumë më tepër. Mungesa e matjes së performancës në njësitë administrative të qeverisjes vendore mund të shkaktojë shumë pasoja negative për të gjithë ne. Mungesa e një analize krahasuese të performancës së bashkive sipas fushave të veprimtarisë e bën të vështirë që debatet publike të kontribuojnë pozitivisht për politikëbërjen dhe mund të çojë në përdorimin joefektiv të fondeve publike dhe mosrealizimin e investimeve të planifikuara. Hendeku midis institucioneve të qeverisjes vendore dhe qytetarëve në të gjitha njësitë administrative të Shqipërisë mbetet shqetësues. Në mënyrë që të inkurajojë ofrim më të mirë të shërbimeve publike dhe përmirësimin e llogaridhënies duke vendosur një pikë referimi për mirëqeverisjen në sektorin publik Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje në bashkëpunim me Institutin Lituanez të Tregut të Lirë dhe me mbështetjen strategjike të Atlas Network ka sjellë për herë të parë Indeksin e Performancës së Bashkive. I pilotuar për herë të parë në Shqipëri, Indeksi sjell në një këndvështrim krahasues performancën e 16 bashkive në vend bazuar në një listë prej 35 indikatorësh që matin efektivitetin e qeverive vendore në krijimin e rezultateve në shërbim të qytetarëve. Indikatorët mbi performancën e bashkive janë organizuar në katër kategori: “Bashkia për Qytetarët”, “Bashkia për Biznesin’, “Administrimi Bashkiak” dhe “Transparenca”.

Bërja e informacionit në dispozicion përmes iniciativave të transparencës është një hap i parë i rëndësishëm drejt rritjes së përgjegjësisë. Sepse kur një qeveri është transparente, qytetarët e saj mund të shohin funksionimin e saj të brendshëm - proceset, procedurat, buxhetet, përparësitë, planet dhe strategjitë e vendimmarrjes. Rezultatet e përgjithshme të Indeksit 2020 tregojnë disa fusha kryesore që kanë nevojë për përmirësime në performancën e bashkive. Vazhdimi i përmirësimeve thelbësore në infrastrukturën e furnizimit me ujë mbetet i rëndësishëm për të rritur furnizimin e qëndrueshëm dhe aplikimin e çmimeve më të përballueshme për familjet dhe ndërmarrjet që mbështeten tek furnizimi me ujë për të përmbushur shumicën e aktiviteteve të tyre të përditshme. Qasja e bizneseve në informacion vijon të jetë e kufizuar dhe koha e procedurave të biznesit si marrja e lejeve të ndërtimit varion shumë nga bashkia në bashki. Lehtësia e procedurave dhe zvogëlimi i numrit të ditëve të nevojshme për t’u pajisur me një leje ndërtimi mbetet çështje thelbësore për t'u adresuar nga disa prej bashkive në Indeks. Shumica e bashkive në fokus vazhdojnë të mbeten financiarisht shumë të varura nga grantet e qeverisë qendrore ndërsa mund të përmirësojnë ndjeshëm performancën në mbledhjen e të ardhurave dhe financimin e prioriteteve buxhetore me fondet e tyre. Në paralel, rritja e efektivitetit të administratës vendore është çështje me rëndësi parësore kur bëhet fjalë për menaxhimin financiar të bashkive dhe duhet të marrë vëmendjen e nevojshme nga drejtuesit vendorë të zgjedhur. Transparenca ndaj qytetarëve është një fushë të cilës disa prej bashkive në fokus duhet t'i kushtojnë vëmendje. Zhvillimi i platformave të internetit me informacion të dobishëm për qytetarët është shumë e rëndësishme me qëllim që t'i lejojë ata të ndjekin performancën e bashkive në zbatimin e buxheteve dhe planeve strategjike për të lejuar qytetarët të bëhen një pjesë aktive e vendimmarrjes duke monitoruar ciklin e plotë nga planifikimi në implementimin e prioriteteve të bashkive. Qeverisja efektive në sektorin publik inkurajon vendimmarrjen më të mirë dhe përdorimin efikas të burimeve dhe forcon llogaridhënien për administrimin e atyre burimeve. Qeverisja efektive karakterizohet nga një vizion i qartë, i cili siguron mekanizma mbikëqyrjeje të rëndësishme për përmirësimin e performancës së sektorit publik dhe trajtimin e korrupsionit. Qeverisja efektive mund të përmirësojë cilësinë e menaxhimit të financave publike, duke çuar në zbatim më efektiv të ndërhyrjeve të zgjedhura, ofrim më të mirë të shërbimeve dhe, në fund të fundit, rezultate më të mira për qytetarët. Gjithçka duhet të jetë në funksion të qeverisjes efektive të bashkive. Edicioni i parë i Indeksit të Performancës së Bashkive është një përpjekje e përkushtuar e ekipit të IPPM për të ndërtuar një platformë krahasuese me epiqendër në vlerësimin e performancës së bashkive në shërbim të qytetarëve, bizneseve dhe interesit publik përmes krijimit të vlerës për komunitetet dhe palët e interesuara. Sinergjia me qeverinë qendrore paralelisht me decentralizimin e mëtejshëm të kompetencave edhe financiare mbeten dimensione thelbësore për të ndërtuar një qeverisje lokale efektive dhe të qëndrueshme, e nxitur dhe orientuar nga nevojat e qytetarëve bazuar në bashkërendimin e nevojshëm për t'i adresuar ato me efikasitet më të lartë. Duke siguruar një mekanizëm për monitorimin dhe vlerësimin e qeverisjes lokale, Indeksi mund të mbështesë qeveritë në adresimin e sfidave sociale, politike dhe ekonomike me të cilat përballet rajoni i tyre. Për më tepër, të dhënat e mbledhura sigurojnë një bazë për shpërndarjen e rezultateve tek qeveritë lokale, qytetarët edhe media. Duke e bërë të disponueshme një informacion të tillë, Indeksi inkurajon evokim dhe politikëbërje të bazuar në prova dhe gjithashtu forcon angazhimin proaktiv qytetar.