BREAKING NEWS

“Një krim shtetëror”/ Artan Hoxha plas ‘bombën’, zbulon emrat e vrasësve të Remzi Hoxhës, mes tyre edhe figura të rëndësishme politike (FOTO)

“Një krim shtetëror”/ Artan Hoxha plas
x

Opinion / Editorial

Rotacionet politike fryt i votës, jo presion i botës, zonja Duma!

Rotacionet politike fryt i votës, jo presion i botës, zonja Duma!

Menuja e politikës nga mëngjesi në mesnatë, gjatë kësaj periudhe, është fjala rotacion, pjata e parë rokadë, e dyta, përmbysje, e treta ndryshim, me radhë, ëmbëlsira triumf, aperitivi mbarim, frutat frikësim, në përfundim, ndryshim i palës në pushtet dhe e ardhmja e garantuar e ndritur që e pret popullin shqiptar me opozitën në ballë. E gjitha kjo lumturi është garanci, mjafton të ikin këta, lugatët, malukatët, të gjatët, tutorët, oligarkët dhe të vijnë ata, triumfatorët, novatorët, qiellorët, të virgjrit, pa një ditë jete sundimtarë, liderë të rrallë, të sapozbriturit nga planetë të tjerë, si të jenë jo tokësorë po alienë. Fushata elektorale këtë herë ka nisur me tërsëllima, britma, bubullima, kërcënime, mallkime apokaliptike, për varje, atentate, parashikime, trysni dhe shumë egërsi. Lulzim Basha deklaron se sa në pushtet të vijë, do u nxjerri pushtetarëve tym të zi. Betohet se do japë porosi në drejtësi, çudi se drejtësia në demokraci nuk merr asnjë porosi se e vetmja garanci është ligji që Rama me gjithë qeveri, qelinë do ketë shtëpi. Dhe nis e përfundon fjalimet në cepat e fshatrave, bizneset private, rrugica e bulevarde, podiume apo konferencat në seli se sapo në pushtet të vijë dhe kostumin e kryeministrit të veshi, të gjithë pushtetarët do i vari tek sheshi. Është koha kur të gjithë skalionet e opozitës nga i pari në fund të rreshtit, janë bërë gaztorë e oratorë. Kush e kush, të flasi me fjalë të mëdha, të këputi sa më shumë broçkulla, të premtojë qiejt, të zbresë diejt në tokë dhe t`ia fusi fare kot. Çdo opozitar që e gjykon veten të parë sa i jepet rasti, figura të para deri te i fundit, flasin me zë të lartë, gërthasin e bërtasin. Me fjalë të mëdha. Dhe nisin ligjërimin. Sa të vijmë në pushtet Shqipëria do bëhet presporitet dhe do ketë supershtet. Nuk të çudisin premtimet, as të ledhatojnë lajkatimet aq më pak të mbushin mendjen kryetarët e partive në opozitë se Shqipëria nën drejtimin e lidershipit të ri do bëhet më shumë se Zvicër dhe Gjermani. Ndihesh vërtet keq kur u duket se mjaftojnë përrallat me na ishte e ç’na ishte për të na mbushur mendjen se priten ndryshime të mëdha. Kështu flasin të gjitha ata që bëjnë sikur s`kanë qenë kurrë në pushtet në këta tridhjetë vjet. Edhe pse tri dekada sundimtarë, bëjnë sikur nusërojnë për herë të parë. Është vërtet qesharake kur dëgjon politikanë tek të tetëdhjetat, flokëbardhë, dhëmbërënë, faqerreshkur, kërrusur e tkurrur nga pesha e pushtetit të bëjnë sikur nisin sot këtë rrugëtim dhe flasin si të mos kenë qenë asnjëherë në drejtim të vendit tim. Kaq pa kujtesë na llogarisin vallë, kaq mendjeshkurtër na kujtojnë ne shqiptarët, bashkatdhetarët që bëmat e tyre t’i harrojmë? Si do na e fshijnë kujtesën të mos mendojmë 1992-in? Të lëmë në arkivin e harresës famëkeqin 1996? Gërdecin ta lëmë në shenjtninë e tij? Gjyqësorin që në këto tri dekada ka bërë kërdinë? Rrugën e Kombit me vjedhjen 250 milionë të mos e kujtojmë dhe mbylljen me procedurë ta legjitimojmë? Paktin e detit Jon në ujë ta lëmë të notojë dhe askush të mos ta kujtojnë? Të shuajmë nga kujtesa katër martirët e protestës që u kaluan në plumb para kryeministrisë nga plumbat e gardës të Shqipërisë? Të lëmë në skuta trunore vjedhjen e votës apo dhunën në mes të bulevardit me dinamit, sulmet mbi Kuvendin e Shqipërisë, Kryeministrisë, policisë, gardës, të mos kujtojmë harkëtarët, shigjetarët, këpucëhedhësit, bojatisësit, fishekzjarrët, kapsolla në duar e në ballë të djemve dhe vajzave si të ishin pushtues dhe jo bijë e bija të shqiptarëve?!? Kur iu thua pretendentëve për pushtet të paduruarve për të marrë në duar qeverinë, menjëherë të deklarojnë: Është e shkuara nuk merremi me ato që kaluan, po me ato që do vijnë! Dëgjon. Dhe nis e vë mendjen në punë fermeri. Ku ishit ju këto tridhjetë vjet? Çfarë na sollët në kuletë? Cilat toka na ujitët dhe cilat fara na garantuat apo çmimin e naftës na zeruat? Po tokat që kurrë nuk na i hipotekuat? Po grandet që i harruat? E me radhë numëron fermeri nga Konispoli deri në Vermosh se të gjithë u ushqyen me premtime dhe lugën bosh. E mendon mjeku e infermieri: Cilin spital rehabilituat? Po pagat sa na i lartësuat? Sot bëni be e rrufe se do na jepni paga milionere? Të njëjtën pyetje bënë mësuesia. Për shkollat e reja të harruara. Emërimet politike pa meritokraci, po vetëm me tester anëtarësi, miqësi, fisni. Bizneset, po ashtu nuk janë ndjerë të lumtur dhe fjala nuk mjafton. Bëhet vetëm për t’u dukur. Invalidët kanë të drejtë ca më shumë. Atyre u bëhen premtimet lumë. Të papunët, të pagjumët, naftëtarët me kontrata milionëshe me firma fantazëm. Administrata e politizuar. Të flakurit në rrugë për politikë nuk kanë harruar se kur ishit në pushtet nuk iu ndryshua ndonjë gjë në buxhet. Dhe opozita jonë flet me shifra, simbolika, premtime lumë, plane me pesë e dhjetë pika, çeqe me miliona euro në dorë, çdo familje e punëtorë janë vënë nën terrorin shifror. Flasin liderët e opozitës, bëjnë llogari për deputet me numra rendor tre e katër shifrorë, fitoret i vlerësojnë me metra katror deri edhe me bekimin qiellor. Opozita ka tetë vjet që ka mbjellë farën e pemës pushtet. E ka ujitur, prashitur, krasitur. E ka ledhatuar me dashuri. Po fatkeqësisht nuk ka arritur të përfitojë frytin e pushtetit dhe të gëzojë privilegjet, punësimet, postet, autoritetin, podiumet, vakancat, shëtitjet, kapardisjet. Në realitet pushteti në demokraci është superpërgjegjësi dhe nuk ka vend për eufori aq më pak për vetëkënaqësi dhe kapardi. Ndryshe nga kudo në demokraci, këtu tek ne pushteti fatkeqësisht deri tani është parë më shumë si përfitim se vënie të shtetit në shërbim të atyre që të ngjitin në piedestal dhe të japin fuqinë për të bërë shtet dhe sjell ndryshim në jetën e vet. E thamë që në nisje se, liderët opozitarë, përditë flasin për rotacion dhe rokadë të pushtetit, ikjen e këtyre dhe ardhjen e atyre. Objektivi për të ardhur në pushtet, është e drejtë, në demokraci, është normalitet. Dhe në këtë aspekt opozita është në logjikën e vet. Ajo që nuk ka sens është mënyra si kërkojnë të krijojnë iluzione e të imponojnë opinionin e gjerë shoqëror me bombardime e fjalime horror çdo orë. Në këtë sipërmarrje të gjithë janë në të njëjtin front. Kush ngre zërin më shumë, cili kërkon të jetë më imponues, të sjelli argumenta me kërcënime, ata që e nisin fjalimin e mbyllin me fyerje e mallkime. Në radhë me liderët e partive të opozitës në koalicion, secili zgjedh armën e preferuar për t`u mbushur mendjen shqiptarëve se kryeministri dhe ky pushet ka mbaruar. Se frika i ka strukur në një cep të hutuar. Në kuadrin e deklaratave për rotacionin e pushtetit i erdhi radha zonjës Grida Duma. Pas provave gjenerale me familje të torturuara nga tërmeti i nëntorit 2019, filmimeve dhe rolit të komentatores të thotë edhe ajo fjalën e vet për rotacionin që na pret. Zonja Duma në studion Ditari A2, rotacionin politik, rokadën e pushtetit, ikjen e këtyre dhe ardhjen e atyre, e analizon nga një kënd paksa i veçantë. Për Dumën rotacioni është i përfunduar. Mbetet vetëm 25 prilli për ta konfirmuar. Deri këtu asgjë të keqe nuk ka. Po kur flet për mënyrën si do bëhet rokada, këtu zonja Duma i largohet mekanizmit universal, si në gjithë botën, dhe e zëvendëson votën duke vënë në krye Botën, ndërkombëtarët. Për Dumën mazhoranca e sotme është e konsumuar, e korruptuar. Nuk ka më ç`ti japi Shqipërisë. Se kjo qeveri nuk sjell në Shqipëri asnjë investim të ri. Se qeveria e ka futur vendin në borxhe. Se ndryshimi do vijë sipas saj nga bashkimi. Se PD do bashkohet me të gjithë, mjafton ta shpëtojnë Shqipërinë nga kjo qeveri dhe ky gjatoshi!? Po ajo që të vret nuk është as ndryshimi as rokada a rotacioni politik. Në demokraci përjashtuar militantët automatë të opozitës që gjykuan se do merrnin pushtetin me dhunë dhe bojkote, braktisje të institucioneve çka rezultoi bllof i pamundur të gjithë e dinë se pushtetin ta jep vota e popullit. Vendos sovrani kush do jetë në krye. Këtë e di shumë mirë edhe politikania elokuente, zonja Grida Duma. Po çuditërisht, Duma ka rënë pre e pasionit, etheve të pushtetit. Ndoshta kërkon t`u thotë të sajve, atyre poshtë e atyre lartë në kupolë se ajo është në vijën e parë të frontit popullor. Në këtë angazhim ka humbur objektivitetin, arsyetimin, jo vetëm logjikë, po edhe principin demokratik. Për Dumën, fitorja është e sigurtë. Dhe arsyetimin e vazhdon: Ndërkombëtarët, bota, sipas saj është në anën tonë e kanë deklaruar me zë e figurë se rotacioni është i pashmangshëm. Fitorja e sigurtë?! Askush nuk i trembet rotacionit. Asaj që i tremben shqiptarët, është mentaliteti i politikanëve tanë, gjykimi subjektiv, emocional, analiza pa asnjë sens e objektivitet i zonjës Grida se pushtetin nuk ta siguron vota, po bota. Pra pushtetin nuk ta jep popullit, vota, po bota. E thonë këtë ata që deri dje nuk pyesnin për ndërkombëtarët bile i kishin vënë në shënjestër të parët. Deri sot ne që jetojmë në Shqipëri nuk kemi dëgjuar ndonjë ndërkombëtar të ketë deklaruar fitore për asnjërën palë. As për mazhorancën as për opozitën. Ndërkombëtarët nuk janë populli votues. Ata kanë rolin e tyre të rëndësishëm për ecurinë e përparimin e demokracisë. Për reformat dhe hartimin e ligjeve, po kurrsesi nuk mund të bëhen lojtarë të fituesve apo humbësve në zgjedhje. Kushdo fitojë e vendos vota e popullit shqiptar dhe asnjë personalitet ndërkombëtar. Ndaj zonja Grida Duma zbuti emocionet. Pushtetin ta jep vota, jo bota! Grida e di shumë mirë këtë. Ushqimi me iluzione i mbështetësve iu prish punë, jo vetëm partisë, vetë Gridës, po së pari shqiptarëve dhe Shqipërisë!