Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rroftë Lulzimi dhe Monika se do na i zgjidhin të gjitha

Postuar: 15/03/2019 - 07:19

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, në një zonë elektorale të Sarandës, kandidati për deputet kërkoi nga shtabet elektorale të njihesh me shqetësimet e qytetarëve të zonës së tij elektorale dhe këto kërkesa të evidentoheshin në një pasqyrë të posaçme për t’i grupuar dhe trajtuar. Të ndaheshin cila ishte emergjent, kush e mundshme dhe të tjerat që ishin të pazgjidhshme. Për dy ditë u regjistruan 2000 kërkesa. Dhe numri u shtua në ditët pasardhëse. Shqetësime nga më të ndryshmet. Shumë prej tyre të pabazuara, të tjerat për sorollatje të institucioneve vendore e qendrore. Jo pak edhe të pamundura për zgjidhje se ishin të karakterit natyral, biologjik, organik, të pariparueshme. Mes shumë kërkesave, ishte edhe ajo e një qytetari. Ai, kandidatit i ankohej se nuk i lindte nusja e djalit prej dhjetë viteve, martuar dhe nuk ishte bërë ende gjysh. Kandidati porositi që kjo kërkesë të vendosesh mënjanë bashkë me disa të tjera të përafërta. Dhe mbi to shkroi: “Të pamundura për zgjidhje”. Kjo përgjigje nuk u erdhi për shtat ankuesve dhe si të tillë deklaruan votën kundër. Po ç`të bënte deputeti i ardhshëm për kërkesa, plotësimi i të cilave dilte përtej mundësive të tij zyrtare dhe njerëzore? Të shitej se ishte Shenjt dhe kishte fuqi mbinatyrore apo se përfaqësonte Mesian në tokë? Nga opinioni qytetar u vlerësua këmbëngulja për të gjitha zgjidhjet e mundshme dhe u harrua me një buzëqeshje të lehtë dhe tregohet si anektodë ankesa e vjehrrit për nusen e shtëpisë. Që politikanët do të bëjnë edhe diellin edhe shiun, të premtojnë se janë fuqia e mbinatyrshme që mjafton të ngrenë gishtin, të sjellin në tokë parajsën, të bëjnë ditën e natën, kjo është një histori e njohur tek ne. Shkurt të gënjejnë pa kufi, sikur të kenë përpara një turmë pa mendim dhe ca kokëboshë që hanë gjithçka, mjafton t’u serviret në pjatë luksi dhe me garniturë të këndshme.

Kjo mënyrë e të bërit politikë, që nisi në vitin 1990, me çeqet e bardha dhe iluzionin se do hanim me lugë floriri, sikur do hapej porta e Susamit të përrallave dhe do derdheshin dollarët nga qielli, do niste epoka e lumturisë, do ishim shteti më të zhvilluar në botë për tre- katër vjet, është përsëritur dendur në këto tri dekada. Është një melodi e njohur kjo tanimë. Po sidoqoftë është mbajtur një parametër dhe kanë qenë disa vija kufizuese që u ruajtën të mos kapërceheshin se populli shqiptar nuk ishte më ai i vitit 1990, të hante çdo gjë që fluturonte dhe servirej nga politikanët mashtrues. Po shembulli i cituar në nisje të këtij shkrimi nuk është asgjë para batërdisë së premtimeve pa kufi, sikur do të ngjiten detin në majat e maleve dhe malet do ti bëjnë fusha, varfëria do marri fund dhe vendi do jetë fener ndriçues, mjafton fare pak mund që bën sot, Basha. Mjafton transferimi i pushtetit tek Basha dhe Monika. Se në momentin e dorëzimit të pushtetit sipas premtimeve, Shqipëria do ndryshojë rrënjësisht. Këtu, si me magji, secili do ta gjejë veten në parajsë se do jetojë në kopshtet e Edenit. E keni parë të gjithë, si Basha dhe Monika në ankthin dhe rropatjet e mundimshme për të siguruar pjesëmarrjen në protestën e 16 marsit me qëllim që të mos ketë rrudhje nga ajo e 16 shkurtit, edhe për faktin se do interpretohej si braktisje e elektoratit dhe rënie e fuqisë opozitare pas largimit demostrativ nga Kuvendi i Shqipërisë me djegien e mandateve, kudo që shkel Basha dhe Monika, cilitdo që i jep dorën, i transmeton një buzëqeshje, i derdhin premtimet si të ishin gjethe rrapi në vjeshtë. Me “Nilin” e gënjeshtrave kërkon të përmbytë mendjet e qytetarëve dhe të eksitojë militantët që rrethojnë, Basha në marshimin nëpër Shqipëri. Kur një fermer, diku në zonën e Korçës, i tregoi pëllëmbët e duarve me kallo, duke i thënë se i kishte nga punët e shumta, ai pa pritur një sekondë i tha: I shikoj. Ke shumë të drejtë. Eja në 16 mars në Tiranë, do i zgjidh. Kur një biznesmen i vogël në Tiranë i tregoj një fletë gjobe nuk vonoi ti thoshte se ia kishte vendosur banda në pushtet. Edhe ai duhet të vinte në Tiranë doemos, atje para Kryeministrisë do t’ia zgjidhte hallin. Basha garantoi se gjobat do merrnin fund bashkë me pushtetin e krimit. Vetëm të vinte në Tiranë. Në Urën Vajgurore, dikush në takim iu qa për qumështin, po nëse kërkonte drejtësi edhe ai duhet të vinte në Tiranë se halli do merrte fund. Si i keni mollët pyeti, pretendenti për kryeministër, si ka shkuar tregu? E si të shkonte iu përgjigj fermeri korçar, 6 kg njëqind lekë. Ai, me të drejtë se ka humbur mundin dhe ka shpenzuar miliona pa fituar asgjë nga puna e tij. Dhe duhet t’ia zgjidhë shteti. Po ajo që të çudit, ishte përgjigja: Eja në Tiranë në 16 mars, atje patjetër do e zgjidhim. Dhe kështu me radhë për pataten në Kukës, fasulet, duhanin, bostanin, vajin, kripën, shtëpinë, legalizimin, kudo shqetësimet marrin vetëm një përgjigje. Ejani në “Mekën” e opozitës, ejani në ditën Haxhit, bëhuni bashkë në Tiranë ta përmbysim këtë qeveri që u ka marrë shpirtin, u detyron të paguani taksa dhe u mbifaturon ujë dhe energji! Ka vetëm një çelës për t’i hapur rrugë tërë halleve të popullit shqiptar. Është çelësi magjik i Bashës. Është protesta në 16 mars. Këtu nisin rrugën për skëterrë, ata që mbajnë sot pushtetin me bandat e krimit dhe shtigjet e lirisë e lumturisë me pushtetin e ri të Bashës dhe Monikës. Kaq gojëlëshuar është Basha e Monika me premtimet që lëshojnë sa thua: Ku kemi qenë deri sot? Si është e mundur që nuk i kemi zbuluar më shpejt dhe kemi humbur kohën kot nëpër labirintet e këtyre mafiozëve që vetëm dinë të vjedhin dhe nuk i kanë kualitet për të drejtuar këtë vend? Është koha të kemi vëmendje maksimale për ato që premton lideri i PD, Shën Basha dhe Shën Monika. Të hapim sytë nga ata, ndryshe do humbasim shansin historik që na pret. Ndaj të gjithë në Tiranë në 16 mars, ditën e shpresës së madhe që kur e thotë Basha duhet ta besoni se pas saj siç ka vendosur ai, tik-taku i Ramës është në finish. Këtu merr fund e keqja. Dhe në kor të këndojmë: -Koha e Ramës ka mbarue, koha e Bashës ka fillue! Koha e lumturisë dhe e shpresës për një jetë të lumtur sa është zgjue! Vetëm mos të harrojnë shqiptarët të shkojnë në Tiranë, atje pret dita e kthesës së madhe.

Politika e premtimeve ka vite që ka ngritur shtëpinë e vet këtu tek ne. Realisht ka shekuj. Është stili i të bërit politikë. Premtimet për të zgjidhur gjithçka sikur të kishin shkopin magjik është një lojë e cila turpëron së pari ata që e bëjnë një lojë të tillë. Pastaj ata që i besojnë dhe i kthejnë në flamur të betejave për karrige. Basha dhe Monika, janë të parët që nuk i besojnë premtimet e tyre. Të tjerët vijnë shkallë-shkallë, duke shkuar deri tek qytetari në skajin më të largët të vendit dhe jo pa arsye. Premtime dëgjuam në tërë këto vite. Të gjitha shkrinë si vesa e mëngjesit dhe mbi shpinën e qytetarëve mbeti pluhuri i harresës. Vetëm ata që marrin pushtet, premtimet tejkalojnë parashikimet. Ata po, dalin të fituar. Dhe këtë e kanë provuar të gjithë politikanët tanë. Kanë provuar biznesin më të madh atë të politikës. Edhe pse politika ka një moral, ka një cak, një cipë, edhe me premtimet, fatkeqësisht kjo sëmundje nuk ka kufi. Ata që mashtrojnë, duke premtuar qiellin dhe tokën, parajsën dhe lumturinë zgjidhje të çdo problemi, mjafton të sigurojnë një grusht protestuesish më shumë bëhen të paturp. Gënjejnë, edhe pse të gjithë janë vënë në provë. Basha dhe Monika, PD dhe LSI e kanë drejtuar këtë vend më shumë se njëherë. Premtimet e bujshme, kanë zhgënjyer tërë shqiptarët. Jo vetëm një rast, po në të gjitha herët që kanë pasur pushtet. Dhe qytetarët kanë vijuar të kenë të njejtat probleme e halle. Është e dënueshme që sa të jesh në opozitë të premtosh qiejt, shoqëri pa taksa, pa pagesë të energjisë dhe të vish në pushtet e dyfishosh taksat korrupsionin dhe vjedhjet. Besimi tek premtimet, Basha-Monika, është ti trajtosh shqiptarët, individë me kujtesë të dobët, inegzistentë, si foshnje që kënaqen me ledhatime e puthje, buzëqeshje e lajka. Do të thotë të mos i marrësh seriozisht bashkëkombasit e tu. Se mund të premtosh që do i bësh të gjitha, po nesër kur portofoli i shtetit mbetet bosh dhe vendi kërkon investime si do veprosh? Do bësh piramidat apo do vësh në funksion fajdet e shtrëngim të rripit deri në vrimën e fundit? Edhe pse para propagandës së ethshme, populli nuk ia ha këto mashtrime. I duket si dëgjon ende vargjet e një kënge vite të shkuara: “Rroftë Duçja, rroftë mbreti që na sjell sheqer nga deti”. Kur realisht deti na sillte bukën e hidhur, plagë, dhimbje dhe lot. Dhe shqiptarët nuk i pranojnë këto gënjeshtra dhe miklime, edhe pse të sheqerosura. Lajkat, premtimet, gënjeshtrat, hipokrizitë nuk zënë vend tek shqiptarët e vitit 2019! Ndaj qesëndia dhe indiferenca është ajo që i përcjell këto premtime. Dhe refreni që dëgjohet ngado: - Rroftë Lulzimi dhe Monika që do na i zgjidhin të gjitha! Në të vërtetë Basha dhe Monika do ta bëjnë lëmsh më shumë se kurrë, edhe pse premtimet i bëjnë lumë.

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/03/2019 - 16:17

Kreu i shtetit është shndëruar në një turist presidencial, duke përdorur paratë e shtetit nëpër ture pa asnjë vlerë politike për vendin.

Postuar: 20/03/2019 - 07:14

Njeriu "par exelance" i akuzuar si intriganti, manipulatori, tradhtari, por dhe sundimt

Postuar: 20/03/2019 - 07:13

Një video e djalit 21 vjeçar, krejtësisht paqësor dhe pa asnjë shenjë dhune, të një ish deputeti

Postuar: 20/03/2019 - 07:12

...Përsëri Partia Socialiste mbetet forca më serioze politike në vend.

Postuar: 20/03/2019 - 07:09

Miq,

LDE - Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë ka një kumt për çdo shqiptar.

Postuar: 19/03/2019 - 07:11

Beteja kundër parlamentit dhe vet parlamentarizmit në Shqipëri ka kohë që ka filluar.

Postuar: 19/03/2019 - 07:10

Njeriu gënjen nga halli, gënjen për qejf, gënjen kur nuk është i zoti të bëjë detyrën që i ngarko