BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Rrotacion pushteti apo rrotacion kabineti?!

Rrotacion pushteti apo rrotacion kabineti?!

Tragjikomedia me emrin modern dhe intrigues “Rrotacion pushteti”, ka patur sezonin e saj të zakonshëm në prag të çdo zgjedhjeje qendrore apo vendore qoftë, të cilat, të dyja sëbashku në këto tri dekada të “lulëzimit” të sistemit “derrmërrkratik” në vendin tonë, e tejkalojnë shifrën pesëmbëdhjetë. Nga pikëpamja formale, edhe sezoni i tanishëm i shfaqjes së tragjikomedisë, është pothuaj idem me sezonet e shkuara: Subjekti i njëjtë, personazhet pothuaj po ato, regjisura e pandryshuar ndërkombëtare, skena e shfaqjes me të njëjtat ngjyra – mavi e blu, po ashtu dhe spektatorët e “galerisë”, të cilët mund të jenë mplakur, por nuk kanë patur ndryshime të theksuara demografike.

Ndërsa në substancë, tragjikomedia në fjalë ka disa risi tepër interesante e të dallueshme nga sezonet paraardhëse. Kësaj radhe shfaqja ka nisur jo gjashtë muaj para ditës së konkurrimit, si zakonisht, por mbi një vit para datës finale. Së dyti, lufta midis atyre që duan të kapërcejnë në mandatin e tretë të qeverisjes dhe atyre që duan ta rrëmbejnë qeverisjen, ka marrë e po merr përmasa të frikshme, çka nuk është çudi të na lënë pa shfaqje fare, domethënë pa zgjedhje. Të parët kërkojnë të marrin mandatin e tretë të qeverisjes, duke shënuar një rekord në ciklin e zakonshëm të “rrotacionit”, por nga ana tjetër, ky veprim do të linte kundërshtarët në limitet minimale të zahireve, që kanë mbledhur në qeverisjen e tyre të kaluar. Së treti: Tragjikomedia në fjalë kësaj radhe po luhet në sfondin e pandemisë botërore, ku çështja e shpëtimit të jetës së njerëzve, duhej të ishte preokupimi i parë i klasës politike në pushtet, apo në pritje të tij, çka për fat të keq nuk po ndodh. Në tre muajt e parë të “koronës”, kreu i ekzekutivit nuk la asnjë ditë pa dalë në “lëmin” e betejës kundër armikut të padukshëm me emrin e koduar COVID-19. Dhe nëse nuk mundi ta përballojë atë më masa shëndetësore, që ia kishin katranosur PPP-të e famshme, të paktën urdhëroi qytetarët të fshiheshin poshtë krevateve, gjer sa të kalonte hasmi i padukshëm që na kishte pllakosur në derë.

Por pas tre muajsh, situata ndryshoi. Jo situata e koronës! Ajo nuk e ndali dhe nuk po e ndal “vrullin” në “misionin“ e saj kundër njerëzimit. Ndryshoi situata tek forcat politike. Në skenë doli me të gjitha përmasat e saj “Pandemia” e zgjedhjeve të ardhshme politike, “vaksina” e të cilave nuk po gjendet për tri dekada me radhë, me gjithë mobilizimin e ndërkombëtarëve, këtej e matanë Atlantikut.

Gjatë pandemisë së shkaktuar nga “korona”, ne qytetarët shqiptarë ndoqëm angazhimin e lavdërueshëm dhe sakrificat e ekipeve mjekësore, kryesisht ato të spitalit infektiv të QSUT. Por nuk iu shmangëm as mesazheve të përnatshme të kryeministrit dhe komenteve e analizave të medias së shkruar, e veçanërisht të studiove televizive. Të parët, mjekët, na ngjallnin admirim dhe shpresë, ndërsa të dytët, kryeministri me shpurën e analistëve, komentatorëve dhe llafollogëve, na bënin ne qytetarëve të strukeshim akoma më thellë poshtë krevateve, ku ishim fshehur prej “koronës”.

E kundërta po ndodh me “koronën e zgjedhjeve”. Ndryshe nga sikleti e kiameti që ka mbërthyer politikanët, qeveritarët, parlamentarët, e ndërkombëtarët, për “koronën e zgjedhjeve” qytetarët nuk po e trazojnë menderen. Me përjashtim të disa militantëve të tri partive kryesore, që shpresojnë se, pas fitores së partisë së tyre mund të sigurojnë një karrige zyre, qytetarët e tjerë, që mbushin galerinë ku rri populli, e që përbëjnë kontingjentin kryesor të votave, jo vetëm nuk po e ndjekin luftën elektorale tashmë të filluar të “demave të zinj” të politikës, por madje po e injorojnë atë, duke shtuar elektoratin e quajtur gri.

Pse ky indiferentizëm i masës së qytetarëve, në eventin e tyre kryesor, siç janë zgjedhjet e përfaqësuesve të tyre në pushtet, event që përbën dhe thelbin e demokracisë së drejtpërdrejt? Mos vallë ka humbur tek qytetarët besimi në dobinë e votës së tyre?

Para se të japim një përcaktim të besueshëm, le të hapim një parantezë të shkurtër, që lidhet drejtpërsëdrejti me zgjedhjet, apo votimet, të cilat në sistemin demokratik pretendohet se realizojnë rrotacionin e pushtetit!

Jo pa qëllim, shkrimit tim modest, i vura titullin: “Rrotacion pushteti, apo rrotacion kabineti”. Cilët nga këta dy “togfjalëshat” e mësipërm është i vërtetë? Apologjetët e sistemit aktual, përfshirë dhe profesorë e filozofë me mjekër, thërrasin me të madhe se “në sistemin demokratik borgjez, pushteti ndërrohet (merret) me votë dhe jo me dhunë (kryengritje, revolucion)”. Kjo është dhe mbetet një gënjeshtër e trashë. Mund të themi me bindje se gjer më sot, në asnjë kohë, e në asnjë vend, pushteti nuk është ndërruar (marrë, mbrojtur) me anën e votave. Përkundrazi, në të gjitha rastet është përdorur dhuna, kryengritja, apo revolucioni, si e vetmja mënyrë për kalimin e pushtetit, nga një klasë shoqërore në një tjetër. Dhe ndarja në klasa e shoqërisë njerëzore, edhe sot në shekullin e njëzet e një, është e dallueshme. Por që të mos humbasim në lëmin e madh të filozofisë, le t’i referohemi telegrafisht historisë së pushtetit në tri dekadat e fundit në vendin tonë, histori e cila është përjetuar nga pjesa dërmuese e qytetarëve shqiptarë.

Në fundvitet nëntëdhjetë, shqiptarët panë me sytë e tyre se pushteti popullor i sistemit socialist, nuk u rrëzua me vota, por me dhunë. Forcat e vetëquajtura “demokratike”, kishin mbi një vit që, me urën e zjarrit në dorë dhe të prirë nga amerikani Rajerson, i vunë flakën Shqipërisë, dhe duke “gërshetuar” votën me krimin, vrasjet e djegiet, arritën të sillnin në pushtet borgjezët e vjetër e të rinj, të cilët, tani pas tri dekadave stazh, kanë arritur pothuajse plotësisht në “stadin” e sivëllezërve perëndimorë, si nga forma ashtu dhe nga përmbajtja e sistemit borgjez-kapitalist. Pas marrjes me dhunë të pushtetit dhe hartimit të ligjeve në interes e në mbrojtje të kastës së tyre, borgjezët e rinj, nxorën në skenë dhe propaganduan e propagandojnë me të madhe “vlerën” e votës së “sovranit” popull, në ndërrimin dhe përsosjen e pushtetit të vetëquajtur “demokratik”. Kjo përsosje, sipas tyre do të realizohej nëpërmjet “rrotacionit të pushtetit”. Teorikisht këtë “rrotacion” e ka në dorë vota e sovranit, e cila ushtrohet periodikisht në çdo katër vjet. Mirëpo, “rrota” e rrotacionit është në pronësi të kastës borgjeze në pushtet. Kjo e fundit është kujdesur dhe kujdeset që, në perimetrin e “rrotës”, të jenë vetëm forca politike përfaqësuese dhe mbrojtëse të interesave të saj, në mënyrë që gjatë “rrotacionit” (rrotullimit), “rrota” në fjalë të mos dalë nga “boshti” i karrocës së madhe të sistemit borgjez. Kjo skemë e ka bërë dhe e bën nul, forcën teorike të votës së sovranit popull.

Megjithatë, togfjalëshi “rrotacioni i pushtetit”, vazhdon të mbetet në skenën e propagandës së sistemit borgjez, me emërtimin fallso “demokratik”. Ndërsa në skenën e vërtetë të jetës, në vend të “rrotacionit të pushtetit”, realizohet “rrotacioni i kabinetit”. Me këtë mënyrë djallëzore të “rrotacionit të kabinetit”, borgjezia në pushtet nuk bën gjë tjetër, veçse e kalon këtë të fundit, pushtetin, nga dora e djathtë në dorën e majtë dhe anasjelltas.

Marrëveshja e 5 qershorit për “reformën zgjedhore”, realizuar nën “kujdesin” e përfaqësuesve të BE dhe ambasadores amerikane, në selinë e kësaj të fundit, është shembulli më sinjifikativ, që na tregon shkoqur se, edhe në zgjedhjet e ardhshme të prill-majit 2021, nuk do të ketë rrotacion pushteti, por rrotacion kabineti. Ose thënë më shkoqur, karrocës së madhe të qeverisjes borgjeze, do t’i ndërrohen “kuajt”.

Kjo gjë ka vënë në siklet e në kiamet “kuajt” e karrocës, ndaj dhe ata kanë harruar pandeminë e koronës dhe po merren me “pandeminë” e zgjedhjeve të ardhshme. A do t’ia gjejnë “vaksinën” kësaj pandemie? Me siguri që po. Mjafton një takim i dytë në selinë e ambasadës së mikut tonë të madh dhe, “kuajt” e ardhshëm, do të jenë gati të mbrehen në “karrocën” e pushtetit borgjez, e cila ka marrë më shumë vrima e plasaritje se sa vitet e lindjes dhe ekzistencës së saj.

Këtë “mesele” të dalë boje, e kanë kuptuar tashmë edhe qytetarët shqiptarë, të cilët, në pamundësi për të kapur me votë “postin e kuajve” të pushtetit borgjez, rropaten në hallet e tyre të shumta, dhe në darkë “ksehasen” duke pare në televizor, telekomedinë e përnatshme me titull: “Rrotacion pushteti apo rrotacion kabineti”!