Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rruga 27 vjeçare e Shoqatës Patriotike Çamëria!

Postuar: 12/01/2018 - 08:40

Në fillim të vitit 1990, në mes të lëvizjes për demokraci të pritshme, krijohet Shoqata Patriotike Çamëria, si e para shoqatë në Shqipëri pas komuniste. Si një shoqatë që kishte në thelb rizgjimin e çështjes së Çamërisë. Për vetë entuziazmin që përfshin këtë komunitet shumë shpejt Shoqata Atdhetare Patriotike Çamëria, zgjoi besimin dhe shpirtin çam, përmes një aktiviteti dinamik. Ajo shumë shpejt ringjalli një entuziazëm të madh tek popullsia çame, kudo në çdo qytet të Shqipërisë. Pas krijimit të shoqatës filluan të ngrihen dhe shoqatat nëpër rrethe të ndryshme. Shoqata afroi pranë saj intelektualë të shquar të komunitetit çam, që vinin nga familje më emër të Çamërisë, dhe që ndjenin detyrimin e madh moral dhe shpirtëror për të bërë gjithçka për të fituar të drejtat e mohuara.

Nën drejtimin e kryetarit të parë Dr.Abaz Dojaka, shoqata formulon në mënyrë efikase përcaktimin e prioriteteve politike, dhe patriotike. Fillon një aktivitet të mbushur me ngjarje që shërbenin për sensibilizimin dhe ngritjen e entuziazmit dhe zgjimit të shpirtit çam. Në fillimet e veta solli një shpërthim të energjive, pavarësisht se këto shiheshin me skepticizëm nga qeveritë e Shqipërisë dhe Greqisë. Në ato momente, Shqipëria kishte shumë problem prandaj dhe veprimtaria e Shoqatës pavarësisht se ishte mjaft e gjallë, rezultatet nuk ishin në pritshmërinë e popullsisë çame, e cila kishte vite e vite që mbante peng shpirtin e drobitur. Por gjithçka që bëhej, mbahej nga një frymë e lartë patriotike. Burrat dhe gratë çame që bënë të mundur krijimin e shoqatës meritojnë një respekt të thellë, si Abaz Dajko, Emin Sejko, Ferhat Sejko, Resul Taipi, Ilmi Kasemi etj., që morën guximin intelektual dhe patriotik, por dhe të tjerë si Bashkim Braho, Qani Biraci që jo vetëm formuan të parën shoqatë pas rënies së diktaturës, por ngritën dhe historinë e komunitetit. Nderim dhe respekt për të gjithë ata që me angazhimin e tyre hapën rrugën e kërkesave për çështjen çame. Shoqata Patriotike Çamëria në këtë rrugëtim 27 vjeçar ka angazhuar për këto vite shumë personalitete, ka ngritur zërin me forcë për të bërë të ditur historinë e Çamërisë, gjenocidin ndaj kësaj popullsie, grabitjen e pronave, mohimin e të drejtave elementare njerëzore, duke përdorur çdo mundësi e formë. Kur një shtet, ndonëse anëtar i Europës është sjellë dhe sillet si një shtet diktatorial, që nuk njeh asnjë normë dhe ligj ndërkombëtar mohon dhe shpërfill të drejtat e një popullsie, sigurisht që do vijë një ditë që të vërtetat e mëdha do dalin në dritë.

Prandaj shoqata para se të kërkonte të drejtat e veta nga shteti grek, filloi të sensibilizojë qeverinë shqiptare, që të ndihej e përfshirë dhe ta trajtonte problemin çam si një problem kombëtar. Pa ditur se pikërisht në ato fillime, do ishte më e vështirë, pikërisht për të ngritur zërin në shtetin tënd, por burrat e guximshëm dhe të zgjuar çamë nuk u trembën, nuk u tërhoqën, por me besim arritën të fitojnë betejat. Për këtë edhe janë gjakosur, pranë parlamentit, nga policë të shtetit shqiptar sepse protestuan ndaj tradhtisë, që parlamenti i tyre i bëri duke i shitur interesat kombëtare, kur u tërhoq para presionit të shtetit grek. Shoqata sigurisht ka patur rrugëtimin e vet, si një nga shoqatat më të vjetra, pavarësisht se jo gjithmonë ka arritur të realizojë misionet e saj me sukses. Një gjë është e pamohueshme, se në çdo moment të historisë së saj, edhe kur për arsye të ndryshme ka humbur besimin, kanë dalë burra dhe gra patriotë me shpirt, që i kanë ngritur besimin, sepse ka qenë më e rëndësishme se shpresa jonë, për çështjen çame, nuk mund të shuhet, sepse është si një amanet i shenjtë. Sigurisht, këto përpjekje janë kombëtarizuar tanimë, si rezultat i një pune të përkushtuar i të gjithë atyre, që kanë parë tek shoqata mundësinë për të ofruar kontributin e tyre, patriotik dhe kapacitetet intelektuale. Ne kemi qenë të ndërgjegjshëm në vetëdijen tonë, se sot mund të jemi shumë, për të bërë më shumë, sepse vetëm kështu kemi mundësi, që të drejtat tona t’i adresojmë në zgjidhjen përfundimtare që është edhe afër, por dhe larg. Nëse ne nuk tregojmë se dimë të orientohemi mirë dhe të kuptojmë thellësisht se situatat gjeopolitike nuk janë aq të qëndrueshme për të humbur çdo shpresë. Krahas arritjes në aspektin kombëtar edhe ndërkombëtar, sot është reale se çështja çame nuk është më një çështje krahinore, por është një axhendë e politikës shtetërore Shqiptare. Është hedhur për diskutim nga Parlamenti Europian, nga ku kanë ardhur sinjale të njohjes së problemit çam dhe se duhet të jetë axhendë bisedimesh mes Shqipërisë dhe Greqisë. Këto sigurisht kanë ndodhur për arsyen se shoqata dhe përfaqësimi politik nuk kanë qëndruar statike para situatave të reja. Fuqinë e saj, shpirtin e saj e rriti duke i besuar partisë politike që nisi me PDI, që drejtohej nga djali patriot Tak Muhedini, që arriti të ketë në parlament Dashamir Tahirin, si përfaqësues i parë i komunitetit çam. Kjo bëri që tanimë në parlament të dëgjohej dhe zëri i komunitetit çam. Megjithëse deputeti i njohur Shpëtim Idrizi, kuptoi se problemit çam i duhej një organizim më dinamik dhe një përfaqësim dinjitoz për t’i siguruar komunitetit dhe Shoqatës Çamëria vazhdimësinë dhe forcën reale. Duke ofruar një kompromis historik organizoi dhe projektoi që e gjithë fuqia politike të Çamërisë të ishte bashkë në partinë PDIU, parti që bëri të mundur të kishin një përfaqësim historik me 5deputetë. Është e vërtetë që kjo ishte një nga momentet me emocionale të komunitetit çam, ku për herë të parë dhe shoqata Çamëria kishte djemtë e saj në parlament, djem patriotë dhe të përkushtuar si Tak Muhedini, Shpëtim Idrizi, Omer Mamo, Aqif Rakipi, Dashamir Tahiri.

Në këto situata të reja, shoqata sigurisht do niste një fillim të ri në ecurinë e saj. Shumë probleme politike që më parë ishin një angazhim i shoqatës, tanimë ishin deleguar tek PDIU dhe lideri i saj Shpëtim Idrizi. Kjo parti tregoi se ishte një përfaqësi dinjitoze e komunitetit dhe Shoqatës Patriotike Çamëria. Sot Shoqata Patriotike Çamëria ka arritjet e veta historike, që akoma janë larg kërkesave të komunitetit dhe zgjidhjes përfundimtare. Ne sot kemi një datë, 27 qershorin, që njihet si ditë e gjenocidit çam, apo paraqitja e rezolutës në parlament dhe pranimi prej saj nga trysnia e komunitetit janë bërë tubimet për çështje të ndryshme sidomos një tubim historik ku qëndruan duke protestuar përballë Ministrisë së Jashtme kur erdhi Kotzias, janë realizuar edhe varret monumentale në Kllogjer. Tanimë është më efikase dhe zëri i Çamërisë, është një zë më kumbues kombëtar! Shoqata në kushte të reja ka platformë dhe një dinamikë tjetër, e cila përqendrohet më shumë në aktivitet, për të evidentuar gjithçka nga historia, personalitetet dhe ngjarjet e veçanta të këtij komuniteti. Në fushën politike, loja luhet pa ndërprerje, ne sot aktualisht kemi një gjendje jo aq entuziaste, për vetë rezultatet e përfaqësimit tonë politik në Parlamentin shqiptar, që ishte një goditje e fortë, që ka marrë gjithë çështja çame. Ne u goditëm fort nga segmente të politikës, nga agjensi që kërkojnë që çështja çame të mos shkojë më tej. Sigurisht, në këto momente gjithë faktori çam do dijë të kapërcejë problemet aktuale, sepse nuk është hera e parë.

Personalisht i kam qëndruar me koseguencë idesë sime, se në momentin që shoqata ka një marrëdhënie deleguese për përfaqësimin politik të çështjes çame, që e ka PDIU. Shoqata është një fuqi bashkuese e forcës së komunitetit. Për këtë kam pranuar me qetësi dhe seriozitet, çdo mendim që sillte ide apo promovonte këtë ide politikisht, kështu besoj se forca jonë qëndron tek të qënurit bashkë si shoqatë dhe përfaqësi politike me PDIU dhe Shpëtim Idrizin. Besoj se situatat e reja që po kalojmë, neve duhet të na forcojnë bindjen se duke qenë bashkë, mund të arrijmë një forcë që të kemi moral për të parashtruar kërkesat dhe për të arritur rezultate. Fuqia ka burim përfaqësinë. Në këto 27 vjet të formimit të Shoqatës Patriotike Çamëria, ne gjejmë mundësinë për të ofruar shpirtin tonë, zemrën tonë, pranë motrave dhe vëllezërve patriotë. Sigurisht në këto 27 vjet, një falënderim i shkon atyre që drejtuan këtë shoqatë nga i pari Abaz Dojaka, te Ilmi Shaqe, Selman Sheme, Servet Mehmeti, Ardian Tane, që janë historia e ngritjes dhe mbajtjes gjallë të Shoqatës Patriotike Çamëria.

27 vjetori i Shoqatës Patriotike Çamëria, sot është vërtet një ngjarje e madhe historike për komunitetin çam, që shënon ditën e shpresës së madhe për drejtësi. Ne nuk mund të kthehemi nga misioni ynë, se është një amanet, një kushtrim, që duhet përmbushur. Pavarësisht nga momenti, ne jemi këtu, me guximin, frymëzimin dhe besimin se kjo është fuqia jonë që nuk ndalet./Nga Dr. Abaz HADO

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 23

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/06/2018 - 07:23

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të ligjeve për menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë, ligjit Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin, si dhe të ligjit me nr.

Postuar: 20/06/2018 - 07:21

Njerëzit e artit, njerëzit e lartësive artistike dhe kulturore, kurrën e kurrës sot, por dhe nesë

Postuar: 20/06/2018 - 07:20

Me emrin e Edi Hilës jam njohur shumë herët, që kur kam qenë një nxënës që aspiroja të merresha m

Postuar: 19/06/2018 - 07:26

Ka disa javë që një pjesë e aktorëve shqiptarë, me dhe pa kontratë pune me Teatrin Kombëtar, apo

Postuar: 19/06/2018 - 07:21

Taksimi i shumëfishtë është shkaku kryesor që sërish do ta vështirësojë zbatimin e pagesës së tar

Postuar: 19/06/2018 - 07:20

Në vitet 2013-2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka përqendruar vëmendjen në zhvillimin e auditi

Postuar: 18/06/2018 - 11:32

Analisti Fatos Lubonja ka publikuar një opinion te gazeta e njohur austriake, Der Standard, në pr