BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Rrugëtim në vite pranë Dritëroit...

Rrugëtim në vite pranë Dritëroit...

Në katër vitet e mija studentore, por veçanërisht pas viteve ‘90, kam qenë në kontakte e rrugëtim të vazhdueshëm me Dritëroin. Pothuajse në të gjithë Shqipërinë nga Tirana e Pogradeci, nga Skrapari e Himara, nga Korça, Durrësi e deri në Menkulasin e tij... Katër vjet, 1997-2001 qëndruam të ulur pranë një tavoline të sallës së Kuvendit të Shqipërisë si deputetë. Në fund të ditës po së bashku ngjisnim shkallët e pallatit në fund të Rrugës së Dibrës në Tiranë ku ai banonte dhe unë largohesha pasi ia “dorëzoja” të mirës Sadije. Ishte Sadija, ajo që na nxiti të shkruanim disa radhë kujtimesh me rastin e dy vjetorit të vdekjes së tij, por është e pamundur këto të thuhen vetëm në disa faqe e të përshkruhen episode të tëra të lidhjeve tona tepër njerëzore. Unë si student i tij, dashamirës i letërsisë, mik e shok, mësues që e ndjeja veten si nxënës, kur ai fliste, por edhe si bashkëshoqërues jo vetëm në jetën politike, por edhe në davete e muhabete tavolinash, ku përzihej rakia e mishi, qejfi e ahengu, në raste që ai i krijonte dhe i shijonte po me aq lezet. Por le të kujtoj disa nga këto episode të jetës në vite...

1. Mësimi nga gabimet ose si na e hodhi Xhebro Gjika në Vlorë

Në fillim të viteve ‘70 ndonëse nuk e kisha menduar më parë, unë u regjistrova në degën e gazetarisë të Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike. Pedagogët e kësaj dege ishin figura të njohura të gazetarisë shqiptare si Zihni Reso, Hamit Boriçi, Vangjush Gambeta, Dritëro Agolli, Xhiku etj. Ndryshe nga leksionet e pedagogëve të tjerë, Dritëroi nuk na jepte leksione klasike për degën e gazetarisë. “Leksionet” e profesor Dritëroit ishin në copa letrash në formën e skedarëve ku ai mbante shënime e histori personale nga puna e tij si gazetar. Ja ç’na tregoi ai për një ngjarje që i kishte ndodhur një gazetari të ri, të cilin Dritëroi e kishte dërguar të bënte një reportazh për rezultate të larta të një kooperative të Labërisë në Lumin e Vlorës. Gazetari i ri takoi kryetarin e kooperativës, të njohurin Xhebro Gjika, një ish-partizan dhe kuadër i bujqësisë. Gazetari iu prezantua kryetarit të kooperativës se vinte nga gazeta “Zëri i Popullit” dhe se kërkonte informacion për arritjet e kooperativës.

-Nuk dua të më fshehësh edhe të metat, - i tha gazetari.

-Por ja, - vazhdoi Xhebroja, i njohur për humorin e tij, - kudo na ka ecur puna dhe kemi rezultate, vetëm në një sektor kemi ngecur.

-Ku? - e pyeti gazetari me këmbëngulje.

-Jemi keq me pjelljen e mushkave, kemi mbetur mbrapa e s’po bëjmë tutje.

Gazetari u kthye në redaksi me një goxha reportazh dhe ma dorëzoi mua me kënaqësinë se kishte zbuluar edhe sukseset, por edhe gabimet. E lexova me kujdes dhe kënaqësi se më pëlqeu reportazhi i gazetarit të ri, por kur arrita te episodi i zhvillimit të sektorit të pjelljes së mushkave e pashë që Xhebro Gjika ia kishte hedhur. E thirra dhe i thashë:

-Ore po këtë punën e mushkave seriozisht e ke?

-Po, po, - më tha.

-Po mirë, more, a nuk e di ti, se mushka ka baba gomarin e nënë pelën. E ku pjellin mushkat more i uruar...

-Ja kështu ka ndodhur kur nuk njeh jetën e fshatit, - përfundoi leksionin Dritëroi, - prandaj gazetarë të ardhshëm, njihini faktet e jetës ashtu siç janë, thellohuni në to, se ndryshe gaboni e tallen njerëzia kur lexojnë të tilla broçkulla. Ja ky ishte një nga mësimet e porositë që na jepte Dritëroi, histori të cilën mund ta ketë shkruar e treguar edhe gjetkë, por në ato vite të parët që kishim dëgjuar, ishim ne studentët e degës se gazetarisë, Zenepja, Frroku, Ilirjani, Tomorri, Doloreza, Apostoli, Arminda etj.

2. Një skraparlli i mençur si Kahreman Ylli më ndryshoi rrjedhën e jetës

Gjatë viteve ‘80 - ‘90 shpesh gjendeshim familjarisht në Pogradec, Dritëroi e donte dhe e vlerësonte çdo gjë pogradecare, njerëzit, klimën, ushqimin, pijen, shoqërinë, intelektualët me në krye Lasgush Poradecin. Po në këto relacione isha dhe unë me Pogradecin e një nga fshatrat e tij të bukur buzë liqenit, Tushemishtin. Takoheshim rregullisht te hoteli i Pandit, Mileniumi, Dritëroi me Sadijen, Anën e mbesat e tjera të tij dhe unë me Anidën dhe dy djemtë e mi. Një ditë tek flisnim për letërsinë e politikën më pyeti:

-Ore Spartak, ti je me origjinë nga Skrapari.

-Po, - ju përgjigja, - por banoj në Durrës prej shumë vitesh.

-Keni raki të mirë ju skraparllinjtë, - vazhdoi ai, - por ju skraparllinjtë keni dhe një fjalë të urtë që thotë: Nusen edhe kaun merre nga fshati. Kjo Anida, gruaja jote është mbesa e Kahreman Yllit apo jo? - më ngacmoi muhabetin ai, - por a e di ti se unë u bëra shkrimtar vetëm në sajë të Kahreman Yllit? Pastaj vazhdoi të më tregojë historinë se si ishte bërë gazetar e shkrimtar...:

-Vazhdoja gjimnazin e Gjirokastrës, në vitet ‘50, mësoja shumë dhe ëndërroja shumë të bëhesha një veteriner i zoti. Isha djalë fshati dhe nuk kishte gjë më të bukur për mua të merresha me kafshët e bimët dhe doja në mënyrë të veçantë kuajt e zogjtë. Veteriner ishte zanati që kërkoja të arrija ndërsa letërsia ishte pasioni im rinor, ku unë angazhohesha tek shkruaja ndonjë vjershë apo tregim të shkurtër të cilat i afishonim te Këndi i Letrarit të Ri të shkollës. Një ditë në shkollë vjen ministri i Arsimit i asaj kohe, Kahreman Ylli, siç e mbaj mend një burrë i gjatë, i pashëm e i veshur me sqimë. Ai hyri klasë më klasë, takoi mësues e pedagogët tanë dhe u ndal edhe te Këndi i Letrarit të Ri. Lexoi me kujdes disa shkrime e ndër to dhe një vjershën time. Me sa duket i pëlqeu pasi i kërkoi mësuesit tim të letërsisë, për të ditur më shumë kush është ky nxënës me emrin Dritëro Agolli. Unë u afrova dhe u prezantova, ai më hodhi dorën në qafë e më përgëzoi për vjershën. -Për çfarë dëshiron të studiosh? - më pyeti.

-Për veteriner, - iu përgjigja me një frymë. - Më pëlqejnë kafshët, - vazhdova unë shpjegimin.

Ai qeshi.

-Shumë mirë, - më tha dhe nuk e zgjati bisedën.

Kaluan kohë dhe mua m’u plotësua dëshira të vazhdoja shkollën e lartë për veterinari, por mbas ca ditësh më njoftuan se e drejta e studimit për të vazhduar veterinarinë ishte anuluar. Unë do të shkoja në studime për letërsi në Leningrad (Shën Petërsburg). Ka urdhëruar ministri, më thanë dhe unë u nisa në Bashkimin Sovjetik, vazhdova për letërsi për t’u bërë gazetar e shkrimtar. Kështu ai skraparlliu yt i dëgjuar e i respektuar, ma “prishi” ëndrrën e veterinerit...

3. Në Athinë me Aristidh Kolën dhe Dino Kubatin

Ka qenë vera e vitit 1996, kur unë rastësisht takova në hotel Tirana një vajzë me origjinë nga Tepelena, e cila kishte ardhur në Tiranë me burrin e saj, shkrimtarin e njohur Dino Kubati. Në muhabet e sipër ata më pyetën dhe më kërkuan nëse mund të organizonim një takim në Athinë me shkrimtarë dhe intelektualë grekë. Familja Kubatis banonte në ishullin e Salaminës ku zotëronin edhe një stacion radiofonik e cila transmetonte gjithë ditën muzikë shqiptare. Bisedova me Sadijen dhe më pas me Dritëroin, programuam edhe vizitën që do të bënim në Athinë dhe u nisëm bashkarisht. Në Athinë e kishim rregulluar që të banonim ato ditë të qëndrimit te një miku im emigrant, sindikalist i vjetër, Myftar Kurti, i cili na hapi dyert e shtëpisë me kënaqësi të madhe e me zemërgjerësi duke krijuar një ambjent mjaft të këndshëm. Të nesërmen mikpritësi ynë Dino Kubati kishte organizuar takimin në një ambjent shumë luksoz të Akademisë në Athinë, me intelektualë dhe disa shkrimtarë grekë, por nuk mungonin as emigrantët shqiptarë. Ç’është e vërteta Dritëroi ashtu siç e kishte zakon, përpara takimit i rrëkëlleu nja dy gota dhe pas prezantimit që i bëri mikpritësi, e mori fjalën mjaft i entuziazmuar. Duke qenë se Dinua e prezantoi Dritëroin si shkrimtarin më të madh shqiptar, kur e mori fjalën tha me humor: “Se unë jam jo vetëm shkrimtari më i madh shqiptar, por edhe më i madh në Ballkan. Këtu në Greqi mua ma kalon vetëm Nikos Kazanzaqis, por ai ka vdekur”. Salla qeshi me të madhe dhe Dritëroi vazhdoi me humorin e tij duke folur për letërsinë shqiptare, por edhe shkrimtarë të tjerë të Ballkanit. Më pas, duke falënderuar popullin grek për pritjen që u kishte bërë emigrantëve shqiptarë ai vazhdoi se këtu në Greqi prej qindra vjetësh jetojnë miliona shqiptarë të vjetër që ju dhe ne i quajmë arvanitas. Këta arvanitasit, theksoi Dritëroi, kanë luajtur një rol të madh për kulturën greke, por edhe një rol të madh patriotik pasi disa nga udhëheqësit kryesorë të revolucionit grek të vitit 1891, kanë qenë arvanitas dhe përmendi me radhë një sërë emrash. Edhe sot në kohët moderne arvanitasit kanë luajtur një rol të rëndësishëm, sepse, ja ministrja juaj e Kulturës, Melina Mërkuri, apo ministri i Jashtëm, Pangallos, janë arvanitas. Dhe me të qeshur tha se do t’ju them një fjalë të urtë greke, që e përdorni ju këtu në Greqi: “Poshtë çdo shkëmbi, po ta ngresh do të gjesh një arvanitas”. Salla reagoi me ovacione kuptohet, sepse një pjesë e mirë e saj ishin emigrantët shqiptarë të pranishëm. Në mbrëmje të ftuar nga studiuesi dhe publicisti i madh arvanitas Aristidh Kola ne shkuam në shtëpinë e tij, ku kaluam një mbrëmje të gëzuar dhe, para se të ndaheshim, ky personalitet i madh na dhuroi të gjitha botimet e tij për çështjen arvanitase. Të presim, i tha Dritëroi, të vish edhe ti në Shqipëri bashkë me këtë greken tënde që ke për grua. Do vi, u përgjigj Aristidh Kola, por pas ca kohësh ndodhi që ai në rrethana ende të pashpjeguara mirë, u gjend i vdekur.

4. Të hëngërt dreqi Lek Dukagini!

Gjatë vitit 1997-2001, së bashku me Dritëroin qëndronim të ulur në radhën e parë të karrigeve të sallës së Kuvendit të Shqipërisë. E ndiqja me vëmendje tërë kohës që ai shumicën e kohës shkruante në copa letrash, mbante shënime pa e patur shumë mendjen në sherret që në ato vite ishin pothuajse në çdo seancë. Më ka mbetur në kujtesë një episod i atyre viteve kur deputeti Gafurr Mazreku pas një grindjeje fizike me deputetët Azem Hajdari e Pal Dajçi, të nesërmen erdhi me pistoletë në sallë dhe qëlloi disa herë në drejtim të Azem Hajdarit. E tërë atmosfera pas këtyre ngjarjeve u tensionua dhe Dritëroi që nuk e kishte ndjekur ngjarjen me vëmendje, më pyeti: Çfarë ndodhi? Gafurri ka plagosur Azemin, i thashë. Tundi kokën me keqardhje dhe lëshoi një frazë të cilën aty për aty nuk e kuptova: Të hëngërt dreqi Lek Dukagjini! - ishte fraza e tij, duke e lidhur këtë ngjarje me hakmarrjen. Azemi është nga Tropoja ndërsa Gafurri nga Hasi, të dy e kanë mendjen te kanuni i Lekë Dukagjinit, nuk janë çliruar prej tij, tha ai i menduar.

5. Demokratët e Skraparit janë si socialistët e Tiranës

Kishim vajtur në Çorovodë së bashku me Dritëroin, Fehmi Abdiun, Bashkim Cakën dhe Moikom Zeqon për disa takime elektorale. Populli kishte mbushur sheshin, por ama te njerëzit shikohej një farë shqetësimi për praninë e forcave të policisë dhe SHIK-ut.

-Mos kini frikë nga njeri, - buçiti zëri i Dritëroit, - sepse këtu janë trimat e malokut Sali Berisha, por ne kemi edhe një malok tjetër pozitiv Fehmi Abdiun, kemi juristin e shquar Bashkim Caka, kemi poetin e madh Moikom Zeqo dhe skraparlliun trim Spartak Braho, por këtu me ne janë dhe demokratët e Skraparit sepse demokratët e Skraparit, janë njëlloj si socialistët e Tiranës.

I tërë sheshi gumëzhiti nga të qeshurat e duartrokitjet nga këto fjalë të Dritëroit.

6. President do të zgjedhim xha Silen nga Tushemishti

Ishte qershori i 2002 dhe kur partitë kërkonin kandidatura për presidentin e radhës. Ishim vendosur tek hotel “Milenium”, kur atje mbërriti edhe gazetari Alfred Peza, i cili i kërkoi një intervistë Dritëroit.

-Ç’mendim keni ju Dritëro, cilin duhet të zgjedhim si president? Dritëroi u mendua një copë herë.

-Po ja, - tha, - unë do të mendoja se presidenti më i mirë do të ishte xha Silja (Vasil Llakmani, një fshatar i mençur nga Tushemishti me të cilin Dritëroi kalonte tërë kohën bashkarisht duke llafosur e duke pirë ndonjë gotë verë apo raki). A e ngrejmë një gotë për shëndetin e xha Siles dhe të bëhet ky president i Republikës. Hajde gëzuar, - dhe e rrëkëlleu gotën me fund si i zënë në faj nga Sadija. - Hë Spartak, sot kemi bërë një punë të madhe, kemi zgjedhur dhe Presidentin, - dhe qeshi nën zë.

Në hotel “Mileniumi”, kaloi shumë vite e kohë të periudhës së verës me Sadijen, fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij, me shokët bashkëmoshatarë, Aqifin e Ibrahimin... Nga Dritëroi kam një kujtim të paharruar. Është një kartolinë e zakonshme, por me një dedikim, të cilin sa herë e lexoj, më prek dhe e ruaj si gjënë më të çmuar prej tij. Në atë kartolinë ai shkruan: “I dashur Spartak,

Të uroj mirësi jo vetëm për vitin e ri 2014, por edhe për vitet që vijnë. Mirësi për Nidën, djemtë e tu që janë të dashur dhe të gjithë të afërmit e t që janë snikë. Ti je për mua një mik me vlera që unë të çmoj shumë, të çmoj edhe për heshtjen tënde, heshtje që ti et! Rrofsh”.

Dritëro Agolli 17.12.2014

(Shkëputur nga libri “Masakroni Servet Pëllumbin”, me rastin e datëlindjes së Dritëroit)