BREAKING NEWS

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre ‘Rithemelimit’, arsyet e vërteta të distancimit të grupit të Bardhit nga Lulzim Basha, panikun që ka shpërthyer brenda tyre dhe lajmet e hidhura që e presin Sali Berishën

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’, përveç Metës, Berishës dhe Shkëlzenit rrezikon prangat një juriste amerikane, ish-presidenti po përgatitet për ditët e zeza në SPAK, ja strategjia që po ndjek për të shpëtuar nga arresti me burg...

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’,
x
BREAKING NEWS

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për të monitoruar SPAK dhe përmbysur reformën në drejtësi, ja pse është alarmuar “Treknëdëshi i Bermudës”

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për
x
BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x

Opinion / Editorial

Sa herë e kanë “vrarë” Edi Ramën deri tani?!

Sa herë e kanë “vrarë” Edi Ramën deri tani?!

Sa herë dëshirojnë, liderët opozitar të duken si të guximshëm, sypatrembur, të fortë, që kanë në dorë jetën e të gjithëve dhe mund të tërheqin këmbëzën nëse u cënohet interesi vetijak apo familjar, partisë apo pushtetit për ata që i pengojnë në rrugëtimin për pushtet në tavolinë, paralajmërojnë vrasjen e Kryeministrit Edi Rama. Bile e paraqesin si akt të kryer.

Sapo erdhi në pushtet në vitin 2013, Rama si rrallë kush para tij është vrarë e rivrarë, sulmuar me të gjitha format nga fjala tek mallkimet e urrejtja, deri te kërcënimet për pushkatim me plumb ballit. Ky është çmimi që duhet të paguajë një kryeqeveritar në një vend si Shqipëria me këtë opozitë të çartur. Sa për largim, as nga kreu i qeverisë as që mund të bëhet llogari pasi kjo është e përminutshme. Në çdo sekondë nga podiumet partiake betohen të gjithë se do ta përmbysin. Ajo që është tronditëse dhe jashtë çdo parametri demokratik është betimi për zhdukjen fizike përmes të gjitha formave nga më klasiket tek më të sofistikuarat. Njëherë deklarohet se do zhduket nga zoti. Të nesërmen nga një plumb ballit. Një ditë si individ, pastaj familjarisht. Gjithnjë me plumbin ballit. Njëherë me varje. Tjetrën me mbytje në Lanë. Të gjitha format e vdekjes i përkunden para syve sikur të ishte armiku më i madh i tërë kohëve, jo vetëm i Shqiptarëve, po tërë globit nga Alaska deri në Hono Lulu. Të vetëpërzgjedhurit dhe vullnetarët, ata që kanë marrë përsipër ta zhdukin janë të shumtë. Nga tërë spektri opozitar nga më të vjetrit tek më të rinjtë, ata që kanë përvojë në këto lloj punësh, deri tek ca deputetë rioshë, që sapo kanë nisur rrugëtimin politik dhe si vlerë të tyre kanë meritat e babait apo të vëllait. I pari që ka vendosur për vrasjen e Edia Ramës është ish Kryeministri dhe Presidenti i Republikës, Sali Berisha. Ai është i armatosur me artilerinë e rëndë dhe pothuaj i përgatit nga një vrasje në ditë. E vret nga zyra ovale në katin e sipërm të kullave, në Facebook, në portale, njëherë përmes ‘qytetarit dixhital” dhe jo pak herë me deklarata direkte të bëra nga podiumet e kuvendit apo nga mesi i turmave të acaruara para Kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë. Ai zgjedh për çdo rast një mënyrë të re të sofistikuar vrasje. Pa pyetur shumë për efektin që kanë deklaratat e tij me një tonacion që duket sikur sapo e ka kryer vrasjen dhe është ulur në shoqërinë e militantëve të partisë, duke iu dhënë sihariqin e madh se Ai iku, e qëroi. Tani radha është e atyre që vijnë pas tij. Po pengesa e madhe iku nga mesi dhe rruga për në fron është e hapur. Askush nuk mund të pengojë askënd nga “progresistët” që do sjellin lumturinë në këtë vend pas gjashtë viteve që e kanë humbur atë. Dhe ngrihen dollitë dhe urohet për veprën që ka bërë dhe për lumturinë që u ka dhënë shqiptarëve me heqjen qafe të të keqes më të madhe të shekullit nga kryet e shqiptarëve. Dhe gëzimi merr dhenë, dhe ngrihen dollitë e urohet që e ka kryer këtë trimëri, duke lartësuar në qiell meritat e tij. I dyti që e vret përditë Ramën, është Lulzim Basha. Pasi e ka vrarë Berisha ai e rivret. Me fjalime. Me deklarata. Me ultimatume. Me protesta me rrethime të Kryeministrisë me molotovët kundër Kuvendit të Shqipërisë. I bie që Basha të ketë bërë rvivrasje, ose të ketë vrarë për herë të dytë atë që më parë e ka vrarë kryetari paraardhës i PD-së. Basha nuk flet për largim të Ramës përmes votës popullore, po i do largimin fare nga kjo botë. Metodat që premton janë të frikshme. Deri më parë kur kemi njohur kryetarin Basha përmes buzëqeshjeve dhe rrezatimit të qytetarisë nuk na kishte shkuar kurrë ndër mend se ai mund të fshihte nën lëkurë dashurinë për të rivrarë nuk prisnim të kishte në majë të gjuhës vrasjen, zhdukjen, rrëmbimin, poshtërimin apo linçimin. Atë e mendonim si njeriun buzagaz që bënte opozitë të qytetëruar, ishte i edukuar dhe me kulturë. Po ja që edhe Basha nuk bëri asgjë tjetër veç ndoqi rrugëtimin e Berishës në lidhje me urrejtjen për Ramën.

Po vargu i atyre që duan të vrasin Kryeministrin nuk mbaron me numrin dy. Lista e kryemistërvrasësve vijon. Një vrasëse permanente e Kryeministrit është padyshim Monika Kryemadhi. Ajo pasi nuk ia arriti ta vriste me çizme në parlament, me molotov, para Kryeministrisë, me kapsolla me hunj, me bojëra, me miell e vezë, i përgatit Ramës vrasje të shumëfishtë. Fillimisht me vrasje të butë, siç janë ato me armë që i përkasin veshmbathjeve, këpucët dhe çizmet. Më pas me lëndë të buta, si miell e vezë. Kur nuk arrin rezultati i duhur me këto mjete, Kryemadhi ka kërkuar ndihmën e zotave. Ajo ka dashur që atë që nuk mund ta bëjë njeriu ta bëjë vetë zoti. Një kapërcim shumë i madh ky dhe një pretendim që u takon vetëm perëndive. Po nuk e ka lënë vetëm me kaq se edhe ajo i mendon se është një gjysëm perëndi. Ka thënë shumë herë se vdekja e pret se o ikën ai, ose Shqipëria nuk bëhet. Rrallë mund të ketë ndodhur që një individ të ketë sulmuar më shumë nga zonja Monika. Po gjithnjë i ka zgjedhur zhdukjen fizike nga kjo botë. Më pas nën shembullin e liderëve, zbresin në fushëbetejë ca politikanë periferikë dhe deputetë, të cilët edhe ata bëjnë ritin e tyre në lidhje me kërcënimet për vrasje kryeministrore. Si të rinj janë edhe më entuziastë se gjyshërit dhe të parët e tyre. Ata e quajnë fare të lehtë marrjen e jetës. Nëse do bëhej fjalë për jetën e një njeriu të zakonshëm asnjëri prej tyre nuk do bënte kaq zhurmë. Tek e fundit, këto do ishin vrasje të zakonshme. Nuk të japin lavdi. Nuk të bëjnë të njohur. Nuk do shkruante shtypi, do mungonin komentet në TV dhe opinionistët nuk do t’i bënin objekt të programeve të tyre. Tek e fundit, ata do gjykoheshin si të luanin lodra çiliminjsh ose si lojëra me kukulla. Po atëherë, si duhet bërë që të dëgjohet krisma e tyre deri në fund të globit dhe menjëherë të shpalleshin vrasës të rëndësishëm? Edhe pse të rinj, me pretendimin si të shkolluar në perëndim edhe këta flasin me krenari për vrase, mburren e fryhen si të kenë bërë heroizëm. Edhe pse përpiqen të jenë origjinalë, të gjithë janë në sinkron me liderët e tyre politikë. Dhe për t’i dhënë një arsye të fortë këtij akti, ia numërojnë të gjitha të këqijat që ai i ka sjellë vendit dhe shqiptarëve. Natyrisht për kërcënimin me marrje jete, liderët e opozitës i vendosin në një sfond që lidhet me hallet e popullit, me shkeljen e të drejtave të tij, me braktisjen e demokracisë, me korrupsionin, me largimet klandestine, me kërkesat për azil në shtetet huaja. Për të justifikuar këtë akt makabër, që edhe në sistemet naziste e fashiste, po edhe në diktatura nuk deklaroheshin kaq hapur, zgjidhej një gjuhë më e moderuar edhe për ata që ishin vënë në shënjestër të sistemit politik. Askush edhe në ato kohë nuk guxonte të dilte në tribuna në radio dhe të deklaronte se do vrasin të parin e qeverisë apo një personalitet periferik të politikës. Edhe pse në sistemet diktatoriale, bëhej kujdes që të mbuloheshin krimet kundër udhëheqësve dhe nëse bëheshin, maskoheshin me qëllim që të arrihej objektivi po edhe të mos ngjallej panik në popull. Këtu tek ne, kohët e fundit nuk ka më asnjë maskë dhe asnjë kujdes për të shpallur dënimet me vdekje. Edhe pse shoqëria jonë në shembullin e Europës e ka hequr dënimin me vdekje, liderët e frontit të bashkuar të opozitës e kanë vënë në rend të ditës këtë dënim. Edhe pse në ligj dhe Kodin Penal, një dënim i tillë është hequr, edhe pse opinioni i gjerë shoqëror kërkon të rivendoset ky ligj, shteti shqiptar e quan këtë kërkesë të pamundur pasi bie ndesh me të drejtat e njeriut dhe BE-së. Megjithatë, fronti i bashkuar opozitar e ka në rend të ditës dënimin me vdekje. Dhe jo për njerëzit që kryejnë një krim të rëndë as për ata që ia kanë bërë borxh qytetarëve me aktet e tyre vandale dhe me pasoja fatale, për përdhunues, vrasës me pagesë, trafikantë, po për të parin e qeverisë i cili faj të vetëm ka se drejton qeverinë e Shqipërisë dhe është shpallur non grata nga politika opozitare, e cila çdo dështim në politikë dhe mungesën e votimit në zgjedhjet e përgjithshme apo lokale ia faturojnë Ramës. Ai është për ta pengesa kryesore që PD dhe LSI janë në opozitë. Që ata kanë dorëzuar mandatin e deputetit. Që janë në rrugë dhe rrethojnë institucionet kryesore të vendit si të ishin pushtues dhe jo shqiptar. Të paktën njëherë në javë bëjnë agresorin. Në vargun e gjatë të atyre që kanë shpallur zhdukjen e Kryeministrit të Shqipërisë dhe mburren me këtë atentat që duan ti bëjnë, renditen edhe disa ish deputetë.

Balliu, i riu nga “Unaza e Madhe” e vret përditë kryeministrin, duke qenë në krye të skuadrës së vet që e udhëheq kundër qeverisë për katër muaj. Ai përditë lëshon nga një ultimatum. E vret ditën, e vret natën, njëherë në Tiranë të nesërmen në Surrel. E vret kudo që e gjen. Të njejtën gjë bën edhe Bylykbashi. Edhe ai, pasi i numëron ditët që i kanë mbetur, njofton për zhdukjen, jo simbolike, po fizike. Po juristi, ia lë në dorë këtë akt popullit të varfëruar dhe të irrituar. Radha për kryerjen e vrasjes së Kryeministrit është e gjatë. Përditë e përnatë shtohen vrasësit si killera të porositur. Të gjithë bëjnë ultimatum për dënim me vdekje. Sa herë e kanë vrarë e rivrarë deri sot këtë kryeministrin tonë? Sa jetë ka vallë ai që e vrasin përditë dhe nuk mbaron, po çdo ditë e shohim sa në mbledhje të qeverisë aq në rrugë, në ara, në baipase, në biznese në portale?! Po kryeministrin veç vrasësve direkt, ka edhe jo pak që e duan të vdekur indirekt. Ata flasin nga ana tjetër e gardhit. Jo drejtpërdrejt. Paska me doreza. Vrasje me dy e tre kuptime. Herë me kritika, jo pak herë ultimatume për përmbysje e mosvlerësim të reformave. Këta janë vrasës indirektë. Ata veprojnë në fushën e vrasjeve të buta. Nëse do iu referoheshim rastvrasjeve që i bëhen Ramës prej vitesh me të drejtë do pyesnim: Sa jetë ka vallë ky Kryeministri i Shqipërisë, që e vrasin përditë dhe ai mbet në krye të qeverisë, gjallë e mbi të gjallët? Me këto vrasjet e përminutshme, vrasësit e drejtpërdrejtë edhe ata imagjinarë dhe indirektë e kanë bërë Ramën si Akili që nuk e zinte shigjeta si të ishte i pavdekshëm. Megjithatë, edhe pse përditë e vrasin dhe rivrasin, ata do vazhdojnë të bëjnë të njejtin ritual deri sa të na zhgënjejnë të gjithëve me ultimatumet dhe t’i përcjellim kërcënimet e tyre me shaka e të qeshura.

Nga Bardhyl BEJKO