BREAKING NEWS

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi: Sot është një ditë shumë e vështirë për mua

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi:
x

Opinion / Editorial

Sa kurriz të fortë kanë deputetët tanë që mbajnë mbi shpatulla gjithë ato akuza

Sa kurriz të fortë kanë deputetët tanë që

Në historinë njerëzore ka qënë dikur një kohë, që mos ardhtë kurrë, që për një fjalë goje lëshuar pa doganë, kaloje përpara grykës së pushkës dhe të merrej jeta. Më pas u zbut dënimi dhe mjaftohej me disa kërbaçë mbi kurriz. Gjithmonë mbi të ligun, sepse ai vërtet ecte së bashku me të mirin po kishte përvetësuar vesin jo virtytin. Kalonin vitet dhe zbutej më shumë dënimi nëse gaboje: mjaftohej një diskreditim përpara fshatit apo lagjes dhe i akuzuari ndryshonte vendbanim apo vendin e punës dhe nuk dukej më në vendlindje. Bëjmë fjalë për gabime dhe jo faje se ato kishin tjetër dënim. Ka ardhur një kohë që politikanëve shqiptarë vëru mbi kurriz jo një akuzë të thjeshtë, por dhjetëra akuza të rënda dhe nuk e çajnë kokën fare, madje sa më shumë akuzohen aq më shumë trimërohen përpara eprorëve të tyre që nga ana e vet as nuk skuqen kur atyre u ngarkojnë detyra më të larta. (Nëse doni emra për të konkretizuar këtë akuzë mos mi kërkoni mua se i keni me shumicë në çdo krah të politikës, majtas e djathtas dhe pothuajse përditë në ekranet e televizioneve kombëtare). Ç’është kjo paturpësi lakuriqe? Nuk bëhet fjalë këtu për “termometër” morali që politikanët t’ia vënë vetvetes dhe kur të shikojnë malin e akuzave të gjejnë zgjidhje o duke i vërtetuar se nuk janë ata të ngarkuar me këto akuza, pra janë të pastër ose të gjejnë rrugëzgjidhje tek dorëheqja. As që bëhet fjalë për një gjë të tillë. Ata sypatrembur janë gati të hedhin poshtë çdo akuzë që u bëhet edhe kur faktet janë aq të dukshme sa duhet vënë lemeria. (Doni një fakt: Llogaritë që bënte i ndjeri Dritan Prifti me presidentin Ilir Meta me bllok në dorë dhe sekuenca që i pa gjithë Shqipëria.) Por më vjen keq prej pohimit që kjo paturpësi lakuriqe, si një sëmundje lehtësisht e transmetueshme është ngjitur edhe në mentalitetin tonë, ky është edhe gjykimi dhe vlerësimi i opinionit të gjerë publik që edhe kur njihen me këto akuza ndaj tyre shkojnë dhe u japin përsëri votën në kutinë e votimit për të mbetur përsëri në politikë. Është një pajtueshmëri jashtë çdo morali me të keqen që ndikon së tepërmi në ngecjen e demokracisë që teksa e kërkojmë të gjithë, nuk e ndihmojnë të jetë e pastër. Përzgjedhja fillestare në listën e kandidatëve nuk është në dorën e votuesve sepse këtë të drejtë e kanë kryetarët e partive, por rrugën nga kandidatë në deputetë atyre ua shtrojmë ne, votuesit. Diku si militantë e diku si interesaxhinj, por edhe sepse pajtohemi me sloganin tepër negativ që midis të këqijve do të zgjedhim më pak të këqijtë, jemi ne ata që në Parlament çojmë edhe fytyra të dyshimta apo më keq akoma, njerëz që jemi të bindur se nuk e meritojnë të jenë aty. Çojmë në Parlament deputetë që na kanë ngopur me gënjeshtra, deputetë që i shikojmë që pasurohen sikur janë sheik nafte në Arabinë Saudite dhe në vend që t’u vëmë stërkëmbëshin i duartrokasim. Në atë sallë pastaj dëgjon akuza e stërakuza që një njeriu normal i ngjethin mishin, por për ata nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. As verdhen as skuqen, por me një kundërpërgjigje nga e njëjta foltore e mbyllin ndeshjen në barazim. A s’jemi ne që nga ajo foltore kemi dëgjuar akuzat që deputetët ia hedhin njëri-tjetrit nga aferat korruptive e deri tek akuzat intime familjare? I keni harruar akuzat e rënda me skërmitje dhëmbësh që u bënte Sali Berisha deputetëve të mazhorancës duke u përmendur atyre motrat prostitutë dhe shumat e stërmëdha të lekëve të fituara nga aferat korruptive? Apo anasjelltas, akuzat e deputetëve të mazhorancës për deputetët opozitarë? Po sa shpatulla të forta që kanë këta deputetë, të majtë, të qendrës apo të djathtë e të pavarur që megjithë këto akuza që rëndojnë mbi kurriz të tyre jo vetëm nuk u vjen marre, por janë aq kurajozë sa menjëherë gjejnë një ekran televiziv dhe vazhdojnë krekosen. Krekosja momentale është pak. Sapo fillon fushata e re elektorale janë nga të parët që kërkojnë votat e elektoratit për të qënë sërish në atë sallë. Unë mendoj se në krekosjen e tyre ka faj edhe media. Me dhëmb shumë një pohim i tillë sepse duhet të gjuajë me gurë shtëpinë time, por duhet thënë e vërteta edhe kur është e dhimbshme. Kjo sepse kolegët tanë në studiot televizive, që akuzat ndaj këtyre deputetëve e pushtetarëve i kanë dëgjuar si të gjithë ne, e qepin gojën dhe nuk u “kërkojnë” llogari për këto akuza. Madje hera herës duket sikur janë gati t’u fshijnë edhe djersët kur ata vihen në siklet edhe për pyetje fare të thjeshta. Janë të paktë ata që këmbëngulin deri në fund të një përgjigje nga të ftuarit për akuzat që iu janë bërë, por edhe ajo këmbëngulje ngjan më shumë si një lutje dhe jo e drejtë që ia jep pozicioni që ka në këtë rast. Unë e kuptoj sepse e kam provuar edhe vetë në dhjetëra raste etikën gazetareske që duhet ruajtur në biseda të tilla, por nëse ti je aty si përfaqësues jo vetëm i vetes, por edhe i shikuesve duhet më këmbëngulje për të sqaruar deri në detaje akuzat që bëhen fare hapur ndaj personazhit politik që ke përballë. Sepse ndodh tek ne ajo që nuk besoj se ndodh tjetër kund me deputetët tanë: bëjnë akuza nga më të rëndomtat e deri tek ato me peshë të madhe morale e ligjore dhe menjëherë dëgjon justifikime nga më të ndryshmet. Në një përplasje të tillë njëri nga të dy “deshët” e ka gabim, ose akuzuesi ose i akuzuari. Të dy nuk mund të jenë dashnorë të së vërtetës. Por në fund të dyluftimit askush nuk del i fajësuar. Normalisht që kur përplasen dy vezë njëra do të thyhet patjetër, por këto “vezët” tona deputetë jo vetëm që nuk krisen, por përkundrazi dalin më të forta. E keqja më e madhe është se sa më shumë shtohen akuzat në numër dhe sasi aq më guximtarë bëhen të akuzuarit. Dhe çuditërisht, këta të akuzuar futen në një guackë të fortë mbrojtje nga drejtuesit e partive që nuk ka drejtësi që i gjykon. Në një rrjedhë normale do të ishin këto parti vetë të interesuara që t’i çonin ata përpara drejtësisë për të siguruar pastërtinë e formacionit të tyre politik, por këtu tek ne gjen zbatim parulla “mbromë të të mbroj”. Meqë jemi në momente të hartimit të listave për këta 140 deputetë dhe më pas edhe vajtje në kutitë e votimit të bëhemi njëherë filtër i saktë që të mos kalojnë derën e atij Parlamenti njerëz që nuk e meritojnë të jenë aty. E kanë këtë të drejtë kryetarët e partive, por e kemi edhe ne votuesit. Le ta ekzekutojmë pa frikë.