BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Sa lehtësisht liderët tanë politikë e barazojnë veten me popullin!

Sa lehtësisht liderët tanë politikë e barazojnë veten

Është paksa groteske dhe e çuditshme se si liderët tanë politikë e konvertojnë veten si funksionarë të larte, duke u barazuar me popullin. Nuk është fjala kur flasin në emër të tij, se kjo është tanimë e njohur deri diku edhe e pranuar në fjalorin e përditshëm dhe shqiptarët janë mësuar me këtë lloj zhargoni, i cili nuk i habit dhe as ua vret më veshin sepse e dëgjojnë aq shumë herë gjatë ditës sa u janë bërë refren i mërzitshëm. Barazimi i emrave të përveçëm me popullin, është një traditë shumëshekullore këtu tek ne. Po është edhe një lloj donkishotizmi provincial. Është ndryshe t`i drejtohesh popullit në emrin që përfaqëson dhe krejt e kundërta të flasësh sikur je njehsuar me një popull të tërë në çdo centimetër katror të territorit shqiptar. Njehsimi me popullin i individëve që zotërojnë një pushtet të caktuar, deleguar në ato funksione përmes vullnetit të një pakice apo përfaqësuesve të zgjedhur nuk është baras me qe0nien popull edhe pse mund të jesh president, kryetari i opozitës, kryeministër apo deputet a ministër. Secili prej këtyre funksionarëve përfaqëson një grup të caktuar individësh që kurrsesi nuk mund të barazohen me një popull shumë milionësh. Edhe burrat e shteteve të mëdha, kurrë nuk pretendojnë se janë në postet e larta shtetërore dhe kanë të drejtën të flasin në emër të të gjithëve. Janë ata që i kanë votuar njëqind milionë qytetarë dhe nuk guxojnë të njehsohen me popullin! Për ne shqiptarët, barazimi i udhëheqësve me popullin, është një mani e cila ka marrë jetë më së shumti në vitet që lamë pas, në sistemin komunist. Ishte pothuaj normale që secili, sa i vinin përballë një mikrofon apo ngjitej në podium, ta niste ligjërimin dhe ta përfundonte me fjalën magjike populli në gojë. Ishte vërtetë e papranueshme që edhe në mes të natës kur trokitej në emër të sigurimit të shtetit në portën e një personi që do arrestohej, fjala standarde që i komunikohej personit nën akuzë ishte:- Në emër të popullit, jeni i arrestuar! Me të drejtë, me humor thuhej në mjediset e zakonshme larg syrit dhe veshit të sigurimsave se dikush pas mesnate kur i shkuan në banesë dhe do ta arrestonin në emër të popullit je i arrestuar, qytetari nën zë iu drejtua operativit të sigurimit për ç`popull më thua, se tani populli fle gjumë dhe as e di që ju jeni këtu dhe më arrestoni dhe të më merrni në emër të tij?! Kjo formulë standarde me kalimin e kohës u zëvendësua me sloganin në emër të ligjit apo formula të tjera të cilat janë më normale dhe të pranueshme që vërtetojnë seriozitet dhe realizëm dhe jo ëndrra në diell sikur një punonjës i zakonshëm që kishte tagrin e arrestimeve në mesnatë të fliste në emër të gjithë shqiptarëve. Në ligjëratat e liderëve të politikës komuniste, ishte normale të flitej në emër të popullit, jo se ata përfaqësonin gjithë popullin dhe kishin lejen e tij për të dhënë urdhëra dhe marrë vendime, po tek e fundit ishim nën diktaturë dhe mund të motivohej, të flitej dhe veprohej në emër të populli sepse nuk njihej as ndarja mazhorancë e opozitë. Pothujse të gjithë ishin nën një sigël dhe në drejtim ishte vetëm Partia e Punës së Shqipërisë. Sot kohët kanë ndryshuar. Jetojmë në demokraci, ku populli nuk është atribut i askujt në kuptimin i vetëm pasi ndarja politike është në pjesë të shumta, një mozaik që përbën pluralizmin politik. Ndaj sot të flitet në emër të popullit, të urdhërohet në emër të tij, të deklarosh se unë jam populli, të barazosh veten si lider politik me popullin që jeton këtu dhe atë që është në diasporë, është një megalomani që nuk ka as kufij as logjikë. Nëse dëgjon edhe një ligjëratë të zakonshme të kryetarit të PD-së. Lulzim Basha, habitesh për guximin me të cilën na drejtohet në emër të popullit. Po për cilin popull e ka fjalën Basha, sepse popull jemi të gjithë dhe jo pak as që duan t`ia dinë nëse përfshihen në përkufizimin popull të Bashës pasi nuk e gjejnë veten në partinë që ai sot drejton? Me të njëjtën gjuhë na drejtohet sa herë mbanë ligjërata edhe Nard Ndoka apo Fatmir Mediu e më tej Agron Duka e Vangjel Dule. Edhe ata barasvlerësohen me popullin. E mbajnë veten si ekuivalencë e gjithë popullit. Fjalori i tyre është tipik. Ne, populli do ta përmbysim Edi Ramën pasi i ka shfrytëzuar shqiptarët. Populli do i tregoj vendin sikur ai atje në krye të qeverisë të ketë zbritur nga qielli dhe jo nga vota e mbështetësve të tij. Bile në emër të popullit flasin edhe disa artistë që qëndrojnë dezhurnë para ish-godinës se teatrit popullor, të cilët dhe ata flasin në emër të popullit. Është bërë gati refren që secili nga liderët tanë në politikë kur i bie rasti të na drejtohen nga tribunat e partive deri edhe nga Presidenca të flasin në emër të popullit. Kurrë nuk dëgjon të thuhet: Unë mendoj. Unë gjykoj. Ne si forcë politike, qytetarët që na mbështesin do të jemi fitues në 25 prill! Deri këtu secili ka të drejtën e ligjshme të referoj mbështetësit e vet që e votojnë dhe janë në një front dhe këtu jemi brenda logjikës dhe normalitetit. Tejkalimet dhe teprimet vijnë sapo nis të flitet në emër të gjithë popullit. Ju, iu përgjigj një pyetjeje të gazetares në Presidencë, presidenti Ilir Meta kur e pyetën si do vepronte ai nëse fitonte zgjedhjet e ardhshme Edi Rama për të marrë pushtetin për herë të tretë, u përgjigj fare shkurt. Ju, duhet të keni më shumë besim tek ne populli?! Presidenti nuk u përgjigj në emër të tij, si president apo Ilir Meta, po si të përfaqësonte gjithë popullin shqiptar. Ai vërtet mbahet si garanti i unitetit kombëtar, po kurrsesi nuk është baras me popullin shqiptar aq më tepër për qëndrimet që ka mbajtur në emër të një pakice të caktuar dhe betejën permanente që është duke zhvilluar gjatë tërë kësaj periudhe kur ka shprehur papajtueshmëri ekstreme me mazhorancën qeverisëse dhe ka zhvilluar debate jo konstruktive me përfaqësuesit e mazhorancës. Është normale që mes dy institucioneve të rëndësishme të ketë mospërputhje mes palëve, po jo deri në fyerje e denigrim apo etiketime që flasin për një politikë konfliktuale dhe të ashpër që krijon në popull ndasi dhe përçarje ekstreme. Në emër të popullit dhe barazimi me të, është një praktikë që na ndjekë prej vitesh, këtu në vendin tonë. Është vërtet megalomani e pajustifikueshme dhe një mburrje pa kufi që një politikan, qoftë në mazhorancë apo opozitë, individ i zakonshëm që i ka veshur vetes një kostum politik apo një opinionist, a analist që i jepet shansi të dal në ekranet e televizionit të flasi në emër të shqiptarëve dhe të barazohet me popullin. Një individ pavarësisht nga pesha e funksioni nuk mund kurrsesi të kapardiset se është i njehsuar dhe ekuivalent me një popull të tërë. Kjo më shumë se burracakëri e megalomani është dredhi. Dhe populli shqiptar e njeh këtë filozofi. Është koha që liderët tanë politikë, të zbresin me këmbë në tokë dhe të flasin në emër individual apo si funksionar dhe jo si të ishin vetë populli shqiptar!