Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sa real është shqetësimi i Presidentit për eliminimin e PD-së?

Postuar: 14/08/2019 - 07:11

Sado votime të kryejmë, ne shqiptarët do ta kemi mjaft të vështirë ndryshimin në themel të kësaj hale - klase politike, që për 30 vjet na ka sjellë vetëm varfëri, mjerim e mizerje. Një klasë politike që ka mundur të ngrejë një gjysmë shtet grotesk dhe një pushtet krejtësisht nepotiko – familjar. Kjo e vërtetë tashmë ua ka mbushur mendjen shqiptarëve, se ende nuk kanë ndonjë politikan të hairit për të bërë ndonjë punë të mirë. Asnjë për be. Sa sot shqiptarët thonë: “I kemi të gjithë, të gjithë në radhë, vetëm për të llokoçitur punë të pista dhe vetëm në dëm të shumicës së shqiptarëve”. Nga i pari te i fundit. Aq sa edhe Presidentin po e shohim me shumë duke ngatërruar punë se duke ndrequr punë. Ishte ai që u zgjua vonë nga gjumi dhe u kujtua të zhdekretojë 30 qershorin si ditë votimesh. “Nuk do të votohet me 30 qershor. Sepse PD dhe LSI nuk janë të pranishme”. Tashmë më 13 tetor nuk mund të jetë PS e cila votoi një herë. Po vazhdon të mbajë inatin edhe PD për të mos votuar. Atëherë ç'vlerë pati zallamahia që shkaktoi zhdekretimi i 9 qershorit? Në fund, të fundit, përgatitjet për votime ishin kryer, ishin shpenzuar edhe jo pak fonde. Kush mban përgjegjësi për mbishpenzimet që duhen kryer për votimet e 13 tetorit? Të mos harrojmë: jemi populli më i varfër i kontinentit plak. Po fondet kjo hale – klasë politikë i shpenzon pa e vrarë shumë mendjen se e di mirë se është e pandëshkueshme. Siç ka ndodhur gjatë këtyre 30 viteve, ku vendin kryesor e zë plaçkitja. Hajde ç'vete në këtë Shqipërinë tonë. Xhevahire të pafund. Po asnjë zgjidhje, nëse nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët. Është kjo farë politikanësh që e ka kthyer Shqipërinë në vendin më grotesk në këtë botë. Probleme pafund kemi, ndërsa Presidenti kujtohet të shqetësohet edhe për rrezikun e shkrirjes së PD-së. Në letrën e para disa ditëve, drejtuar kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruci, Presidenti thekson se, “duhet ta ndihmojë kryeministrin dhe kryetarin e PS-së të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish komuniste për asgjësimin e PD-së, jo vetëm si forca kryesore e opozitës sot, por edhe si forca e parë opozitare proatlantike dhe proevropiane e vendit tonë”. Ky shqetësim ka një lidhje të ngushtë edhe me atë të shtyrjes pa asnjë arsye të votimeve. Vërtet, PD po shkon drejt asgjësimit? E vetlarguar nga çdo institucion shtetëror, rreziku i vetasgjësimit është në një farë mase real. Por vështirë se besohet që në një të afërme të shpejtë PD mund të asgjësohet. Për shumë arsye, te kjo forcë politike ende ka shqiptarë që kanë nota besimi se, ajo mund të gjejë forca për t’u ringjallur me efektivitet. Natyrisht për të kryer hapa pozitivë drejt një ringjalljeje të shpejtë, i duhet të kryejë edhe operacione ndryshimi, veçanërisht në kastën e saj drejtuese. Pasi të mbajë në drejtim ende kastën që e vetpërjashtoi nga institucionet është më shumë se një budallallëk me brirë. Kasta e sotme që punoi për vetasgjësimin e PD-së duhet larguar sa më parë. Pasi edhe shumica e shqiptarëve e mbetur pa asnjë opozitë efikase nuk ia fal kësaj kaste drejtuese punën vetasgjësuese të kryer këto vitet e fundit. Të mos harrojmë, pavarësisht vetëlavdërimeve idiote që kryen shumica sot, e vërteta është se niveli i varfërisë po rritet me shpejtësi marramendëse për shumicën e shqiptarëve. Dhe për këtë varfërim të tejskajshëm askush nuk do t’ia dijë. Aq sa kanë mbetur të braktisur, sot për turp të zotit, edhe nga opozita. Pasi nuk është opozitë, ajo që vetëm kërkon pushtet pa na treguar sadopak çfarë do të bëjë nesër. Pasi edhe ajo pak vite më parë ishte në pushtet, por bëri gjatë 8 viteve vetëm një vërë në ujë. Kaq gjë sot nuk duhet ta harrojë. Gjithsesi, PD është ende larg asgjësimit. Pavarësisht çfarë ndodh nesër a pasnesër. Mjafton të kujtojmë se nën frymën e PD-së jetojnë shumë parti, kryetarët e të cilave janë deputetë thuajse të përjetshëm që zgjidhen sa herë nga listat e PD-së. Kaq gjë kjo PD nesër nuk duhet ta lejojë më. Nisur nga këto arsye, mund të themi se shqetësimi i Presidentit të Republikës për rrezikun e eliminimit të PD-së nuk është real. Realisht shumicës së shqiptarëve, që kanë vuajtur aq shumë jo vetëm në diktaturë, por edhe gjatë këtyre 30 viteve të kësaj gjysmë demokracie groteske, nuk u plas shumë nëse humb, apo del nga skena një, apo disa parti. Pasi ne shqiptarët kemi aq shumë parti sa po lëmë kokrrën e namit me partitë e panumërta për frymë të popullsisë. Kemi plot 130 parti që për numrin e popullsisë zëmë edhe vend nderi në librin e Guinness-it. I bie të kemi një parti për rreth 20 mijë banorë të mbetur ende në këto 28 mijë kilometra katrore. Në realitet, shqetësimi i zotit President evidenton një hall tjetër të tij. Evidenton shqetësimin e rrezikut të shkrirjes së partisë që vetë krijoi, të LSI-së. Vetëm se, nuk e thotë copë LSI, po përmes PD-së. LSI, kjo forcë e parë, forcë e paparë, qëndroi si me PD, si me PS në pushtet. Kështu rreth saj u mblodhën jo anëtarë e militantë, po nevojtarë për t’u punësuar. Më kalimin në opozitë, menjëherë prej saj u larguan thuajse të gjithë këshilltarët e pushtetit vendor duke iu bashkangjitur PS-së. Kësisoj nesër në votime, kjo forcë politike, vështirë të marrë ndonjë votë nga anëtarësia e saj që i ngjan aq shumë mizës së kalit. Kësisoj Presidenti është i trembur për ekzistencën e nesërme të krijesës së tij. Aq më tepër që shqiptarët i thonë thjesht LSI-së: “Parti familjare”. Krijesat familjare ne shqiptarëve na janë neveritur tashmë pasi gjatë gjithë kësaj gjysmë-demokracie ua kemi parë sherrin. Ndoshta opozitarizmi i Presidentit është rrjedhojë e mungesës së opozitës efikase në kushtet kur ajo është vetëlarguar nga të gjitha institucionet shtetërore. Pavarësisht çfarë ka ndodhur, Presidentit i duhet të luajë më shumë rolin e pajtuesit mes palëve kundërshtare. Veprimet e fundit të tij nuk e tregojnë rolin e pajtuesit që duhet të mbajë. Ndaj rreziku i rritur për LSI-në është real dhe i pranishëm, nëse nga drejtuesit e saj nuk merren masa efikase. Pasi rreziku që evidenton zoti President është krejtësisht real dhe nuk duhet lënë mënjanë nga drejtuesit partiakë. Natyrisht shqiptarëve nuk u plas shumë nëse ikën nga skena një parti, qoftë kjo edhe LSI apo PD, apo PS. Sepse thamë më sipër, kemi aq shumë parti sa na dalin dhe na teprojnë. Kemi edhe kryetarë partish aq shumë sa na bëjnë të qeshim kur nisin e llomotisin në seancat plenare të parlamentit të ringritur pasi u largua një palë dhe erdhi pala tjetër. Në fund të fundit, ne shqiptarët, më të varfrit e Evropës do të mbajmë me miliona mostrat e parlamentit të këtij vendi, që drejtohet nga lloj lloj mytebërësh të hale - klasës politike albaneze. Që deri tani vetëm na ka varfëruar e na ka dreqosur. Ndaj të gjithë duam të ikim e të shpëtojmë prej saj. Se çfarë do të ndodhë më 13 tetor ne të varfrit shqiptarë mbetet të presim e të shohim. Se nuk na plas farë çfarë do të jetë rezultati. Një gjë ë dimë mirë: Kjo halë – klasë politike e ka ndyrë aq shumë këtë vend sa edhe nëse largohet e gjitha një për një do të na duhet shumë kohë ne shqiptarëve që sot jetojmë në mjerim për të pastruar Shqipërinë nga era e ndyrë që do të lejë ajo me grupin e oligarkëve të saj dhe me grupin e plazhistëve të Durrësit që i mban pas vetes si shoqërues dhe mbrojtës.

 Nga Riza Hoxha

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 08/12/2019 - 07:54

Pas leximit të librit “Blloku” njerëz të fushës së letrave, mes të tjerave vunë në dukje sidomos faktin që libri lexohej me interes ngaqë ishte i shkruar mjaft bukur, pra të jepte një shije të mirë leximi.

Postuar: 08/12/2019 - 07:50

Në këto tri dekada që pas përmbysjes së sistemit komunist, për herë të parë ndodh një rokadë norm

Postuar: 08/12/2019 - 07:48

Tërmeti i 26 nëntorit krijoi jo pak viktima, trauma që zor se kanë për t’u harruar, por gji

Postuar: 07/12/2019 - 07:15

Është praktika më normale që një kryeministër dhe çdo qeveritar të takohet me qytetarët nga më i

Postuar: 07/12/2019 - 07:14

Kaluam një tragjedi të madhe, me humbje jetësh e materialesh, që nuk përshkruhen dhe as nuk harro

Postuar: 07/12/2019 - 07:12

Sipas vlerësimit nga shkencëtarët, në botë për çdo ditë ndodhin mijëra tërmete të intensiteteve t

Postuar: 07/12/2019 - 07:08

Vazhdon të rezultojë si një pyetje e rëndësishme ajo që tundon të gjithë: A mund të riparojnë dëm