Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sa shumë kemi nevojë të jemi bashkë

Postuar: 01/12/2019 - 07:42

Tërmeti që ra mëngjesin e së martës, tregoi edhe një herë se sa e nevojshme dhe e domosdoshme është që të jemi të gjithë bashkë. Ne shqiptarët jemi të paktë në potenciale njerëzore dhe materiale, ndaj kjo na detyron që të jemi të bashkuar e bashkëveprues me njëri -tjetrin. Në çdo kohë. Njeriu për njeriun ka nevojë si në gëzime ashtu edhe në hidhërime, por sidomos vështirësitë nuk kalohen kurrë vetëm. Shqiptarët kanë treguar gjatë historisë, se janë shumë solidarë me njëri-tjetrin, se janë më të shumta gjërat që na bashkojnë, se ato që na ndajnë. Edhe dasma edhe vdekja nuk kalohen kurrë pa njerëz, pa komshiun, pa farefisin, pa shokun dhe mikun, pa bashkëqytetarin tënd. Se edhe dhimbja më e madhe bëhet më e lehtë, kur jemi të gjithë bashkë. Edhe këto ditë tepër të vështira për disa banorë të Durrësit, Thumanës e Tiranës, ne shqiptarët jemi të gjithë bashkë dhe dhimbjen e madhe që ka prekur të dëmtuarit, mundohemi ta përpjesëtojmë bashkarisht. Jemi të gatshëm që të gjitha dëmet e humbjet t’i riparojmë me solidaritetin tonë, me përjashtim të jetëve që mori fuqia e papërballueshme e natyrës. Kjo dhimbje u bë më e madhe, sepse fatkeqësia na qëlloi në ditët e festave të nëntorit. Askujt nuk i bën dora të ngrejë në këtë 28 Nëntor flamurin e Ismail Qemalit, se ai është ulur në gjysmë shtizë për 41 viktimat që e lanë jetën në gërmadha. Askujt nuk i bëhet të vejë një kurorë në përkujtim të dëshmorëve që derdhën gjakun, sepse nuk është i paktë dhe gjaku i atyre viktimave që dora e egër e natyrës ua rrëmbeu jetën pafajësisht. Jemi të gjithë fytyrëngrysur e zemërvrarë në këtë nëntor të 2019, por jo të shushatur, të çorganizuar e të paralizuar. Ashtu siç porositi dhe kryeministri, dita e 28 Nëntorit nuk do të jetë as festive dhe as ditë zie, por ditë solidariteti. Janë ngritur të gjithë në këmbë, i madh e i vogël, në Jug e Veri dhe mundohet secili të japë një ndihmë, të shprehë një ngushëllim, të shprehë një fjalë të ngrohtë për të zbutur sado pak dhimbjen. Dhe të bën përshtypje se askush nuk kërkon të vetëdeklarohet, se sa ndihmë dha e si e dha kontributin e tij, se kjo është ndihmë shpirti, ndihmë zemre e shqiptarit për shqiptarin. Nxënësit e shkollës së mesme “Sandër Prosi” ishin me pushime, por kërkuan të hapej shkolla, ashtu si shumë shkollarë të tjerë, që me datën 28 të grumbulloheshin tek shkolla e të jepnin kontributin e tyre për të dëmtuarit nga tërmeti. Dhe ajo që la gjurmë prekëse ishte se secili vendoste pakon me ndihma (që ishte e konsiderueshme) dhe largohej i prekur thellë, e askush nuk pranoi të shënojmë emrin e tij. Në këtë moment një vajzë u shpreh: “Nuk ka rëndësi emri, rëndësi ka që në këto ditë ne jemi bashkë, e gjithë Shqipëria. Kjo është ndihma e shqiptarit për shqiptarin”. Këto ditë po përjetojmë edhe një herë si shqiptarë madhështinë e të jetuarit bashkë. Sa shumë vlerë ka t’i duash njerëzit, t’u zbutësh dhimbjen, e t’i ndihmosh ata pa interes, si vëllai vëllanë, si miku mikun. Jemi pak për t’u ndarë, e jemi të fuqishëm kur bëhemi bashkë. Sa mirë do të ishte që humanizmin dhe solidaritetin njerëzor ta manifestonim çdo ditë edhe në punët e marrëdhëniet tona të përditshme edhe në politikë edhe në strukturat e shtetit edhe në shkolla edhe në art e shkencë. Për fatin e keq, ne shpesh kujtohemi për shokë e miq vetëm kur biem keq, vlerësojmë kontributet e karakterin e një njeriu, e i bëjmë atij elozhe e temenara si një njeri “ i mrekullueshëm” vetëm kur ai ndahet përgjithmonë prej nesh. Vetëm kur vdes një njeri, vetëm kur na bien fatkeqësi, na shkon mendja se ka një Perëndi që ka gjithçka në dorë. Feja na jep një vlerësim të madh moral: “Të punojmë sikur nuk do të vdesim kurrë, e të sillemi sikur do të vdesim nesër”. Një popull i vogël dhe i varfër, ashtu të bashkuar në vëllazëri me njëri -tjetrin ne kemi përballuar të gjitha fatkeqësitë e zotit dhe të robit dhe e kemi mbajtur solidaritetin në majat më të larta. Kështu kemi përballuar edhe tërmetet. Sipas studimeve sizmike, Shqipëria shtrihet në një rajon të prekshëm nga tërmetet. Lavdrim e kryelartësi nuk ka para forcave të errta të natyrës, por ne kemi qëndruar edhe falë bashkëpunimit e solidaritetit me njëri-tjetrin. Sipas sizmologëve vendin tonë e prekin mesatarisht në vit, 4 deri në 5 tërmete 6 ballësh. Ndër tre tërmetet e fuqishëm që kanë prekur vendin tonë historikisht, ai i 17 tetorit 1851, që ra në rajonin e Beratit e shkaktoi 400 viktima, i 30 nëntorit 1967, që shkaktoi 12 viktima dhe 177 fshatra të shkatërruara plotësisht dhe i 15 prillit 1979, që pati 40 të vdekur dhe mijëra shtëpi të shkatërruara, radhitet edhe tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit. Deklarimi i monizmit se “tërmeti tund malet, por jo zemrat e shqiptarit”, tregoi dhe tregon, se nuk është thjesht parullë e slogan socialist. Përballimi i situatave të vështira, si edhe kjo e këtyre ditëve, tregon se kur duhet ne dimë të jemi bashkë. Po pse këtë harmoni, solidaritet e përkrahje humane për njëri –tjetrin, nuk e tregojmë çdo ditë në jetën tonë të përditshme?! Si harrojmë se jemi njerëz, se duhet ta duam njëri- tjetrin vazhdimisht, se një ditë, si pasaniku dhe i varfëri, politikani dhe njeriu i papushtetshëm, intelektuali dhe injoranti, krimineli dhe hajduti do të vdesin. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se gjithsecili ka për të ndrequr e për të bërë ndryshe diçka në punën e sjelljen e tij. Politikani duhet ta uli tonin me kundërshtarin e tij politik, pushtetari e nëpunësi t’i shërbejë më me shumë dashuri e kulturë qytetarit të thjeshtë, nxënësi e studenti duhet ta vlerësojnë më shumë dijen e ta ndihmojnë më shumë njeri - tjetrin, vëllai të mos vrasë vëllanë për një gardh apo avlli, shoferi taksist të mos rrihet me kolegun e tij se i mori një pasagjer që i takonte ta merrte ai, ustai të mos grindet me ustain se i ka rrëmbyer punën që mund ta bënte ai, të papunët që shullëhen gjithë ditën tek sheshi “Partizani” të mos shahen e grinden me njëri–tjetrin se kush të zërë i pari radhën për t’i shkuar pas bosit, që i merr me të zgjedhur aty ku janë çdo mëngjes. Aty në mes të sheshit ku shullëhen në diell gjithë ditën. Të gjithëve na duhet të jemi më zemërgjerë, më tolerantë me njëri–tjetrin, duke filluar nga familja, lagjja, shoqëria, partitë e të gjithë të mendojmë për të mirën e tjetrit si për të mirën e vet. Është momenti këtu të kujtojmë atë që shkruan në kujtimet e tij ish-presidenti amerikan, Bill Klinton: “Kemi nevojë për njëri-tjetrin”, shprehet ai. Nuk kemi njerëz të tepërt që mund t’i humbasim. Tjetri. Tjetri. Tjetri. Kemi arritur në një pikë sa t’i tjetërsojmë. Po kjo është Amerika. Nuk ka të tjerë, jemi vetëm ne. Një vend nën një zot, i pandarë, me liri dhe drejtësi”. Kur Klintoni thotë kështu për Amerikën, së cilës nuk i dihet fillimi e fundi, është e para në botë për gjithçka, por për ne shqiptarët, që jemi një grusht njerëzish, në një pëllëmbë vend, ç’farë mund të thuhet?! Po përjetojmë një tragjedi të madhe, por edhe një solidaritet të pallogaritshëm. Gjithçka në këtë dhimbje, është njerëzore. Nuk ka britma, ulërima, kaos, se dhimbjet e mëdha shprehen me heshtje. Nuk ka as urdhra e diktate, “bëj këtë e jep atë”, por secili ndërhyn natyrshëm, ndihmon e jep atë që e konsideron të nevojshme për t’u dhënë. Shqipëria është e vogël për t’u grindur e për t’i ngrënë kokat njëri-tjetrit, jeta është tepër e shkurtër për të bërë keq, ndaj duhet gëzuar në harmoni e bashkëpunim të sinqertë, duke i dhënë dorën atij që ka më shumë nevojë për ndihmë, e të meritojmë me dinjitet emrin e madh shqiptar. Natyrisht duke mos harruar kurrë, se gjaku i derdhur mbetet gjak dhe se atë nuk e zëvendëson dot askush.

Nga Ramazan SHERJA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Ka debat dhe diskutime sot mbi atë që quhet nga KM si ligji mbi "anti shpifjen".

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Mbrojtja me çdo çmim e të vetëve, militantëve, të zgjedhurve, funksionarëve, ish-administratorëve

Postuar: 13/12/2019 - 07:09

Siç dihet poetit racist, austriakut Handke iu dha çmimi Nobel në letërsi për meritën e “për

Postuar: 12/12/2019 - 07:07

Sigurisht që koha e sotme ka nxjerrë në pah dhe iniciatorë dhe emra të rinj "fantastikë të p

Postuar: 12/12/2019 - 07:06

Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim t

Postuar: 12/12/2019 - 07:05

Përmbysja e sistemit komunist në 1990-ën ishte vepër e shumicës së shqiptarëve, në radhë të parë

Postuar: 12/12/2019 - 07:04

Mbas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që pllakosi dhe tronditi zemrat e shqiptarëve të kudon