BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Saga e publikimit të dosjeve në ngut e sipër

Saga e publikimit të dosjeve në ngut e sipër

Hapja e dosjeve të komunizmit pas gati tre dekadash është diçka tepër e vonuar dhe zor se ngjall më interes. Tashmë shumica e atyre që konsideroheshin ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit pothuajse kanë ndërruar jetë ose janë në atë fazë. Në momentin kur ja kanë hedhur paq ish-funksionarë të lartë të regjimit ët vjetër, të cilët kanë dhënë vendime për internime masive dhe pushkatime, mëkati i këtyre të artit, kryesisht shkrimtarë ngjan tepër minor dhe i pagjasë. Kjo polemikë nuk është asfare e re dhe duket sikur gjithçka zhvillohet sipas një skenari të shkruar kohë më parë dhe të mbajtur në sirtarë për situata specifike. Në këtë kontekst edhe “zbulimi” i fundit i Agron Tufës nga ekzili në lidhje me shkrimtarin Nasho Jorgaqi nuk është Eureka! Të tilla akuza janë hedhur edhe për të tjerë syresh, që i përkasin kampit tjetër, të ish-të përndjekurve. I fundit ishte aludimi për Martin Camajn. Dhe Auron Tare foli me fakte dhe dokumenta. Nuk bëj avokatin e askujt për vërtetësinë e fakteve të pretenduara, por dua ta trajtoj në një këndvështrim më të gjerë dhe realist. Dua ta ndaj bashkëpunëtorin, informatorin që merrej me spiunime shokësh dhe kolegësh i ndodhur nën trysni apo edhe me vullnet të plotë për shkak të bindjeve apo karakterit të dobët, nga vlera letrare që ka prodhuar. Për të parën “pastë faqen e zezë” dhe le ta brejë ndërgjegjja, ose të japë llogari tek Krijuesi (nuk mbetet borxh pa u shlyer në këtë dynja); sa për të dytën duhet trajtuar pa reminishenca. Libri më i dëgjuar i Nasho Jorgaqit është “Mërgata e qyqeve”. Sot edhe unë jam i të njëjtit mendim se i ka shërbyer propagandës së kohës, por dikur nuk arrija të perceptoja si të tillë. Ne, popullit të thjeshtë na ishin mbyllur të gjitha kanalet e komunikimit dhe tresnim ç’na servirnin në sofër. Madje edhe kur thoshin se në Perëndim vuanin për bukë, apo se vriteshin njerëzit në radhë për preshtë tanë të transportuar me “Albanie” prapë i besonim. Deri në këtë pikë ishim të verbër, të paliri. Si njeri i letrave do thoja se stili i Nasho Jorgaqit ka qenë i admirueshëm dhe gjuha mjaft shprehëse. Pra, sido ta vërtisim ka diçka që mbetet dhe nuk mund ta zhdukim me degë e me rrënjë. Madje edhe Kadareja megjithë njohjen ndërkombëtare që ka arritur, vazhdon të lakohet si shkrimtar oborri, në raport me atë çka parashtruar në veprat e veta. Por tekefundit është shkrimtari ynë më i njohur dhe me famën e tij më shumë na ka dhënë se na ka marrë si popull. Disidenca e pretenduar ngjan absurde dhe pa sens. Po t’i hulumtojmë me lupën e purifikimit zor se në del dikush i panjollë dhe na duhet ta zhbëjmë gjithçka nga e para. Ajo që ka interes është të kuptojmë se si kanë evoluar gjërat në këtë lëmi: jemi më mirë se dikur apo më keq? Në këtë hapësirë lirie të pluralizmit vihet re se mungon indoktrinimi, por veprat në tërësi janë të dobëta dhe gjuha shqipe është bjerrë në atë farë feje sa të dhimbset. Kjo për shkak të papërgjegjshmërisë, të monopolizimit dhe komercializmit. Nëse veprat e shkrimtarëve të djeshëm raportin më të vërtetën e kanë të diskutueshëm, mund të shërbejnë si model për elementët stilistikë dhe gjuhësor. Dhe më kryesorja kemi nevojë për pajtim, për paqe sociale, për një frymë të re bashkëpunimi dhe tolerance në përpjekjen tonë për progres. Meqë jemi këtu, zoti Tufa mund ta kishte cekur më herët këtë çështje dhe të mos fliste nga përtej oqeanit, për show. Ai ka qenë njeri me kredite të gjithëpranuara në këtë periudhë, nuk i kanë munguar mundësitë, hapësira për t’u shprehur, për të bërë karrierë, gjë që shumë bashkëvuajtësve dhe jo vetëm u ka munguar. Mllefet e akumuluara nuk të shpien askund, përveçse i bëjnë të vërtetat të diskutueshme.