BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Sapo unë “Minisupermeni” të bëhem Kryeministër...!

Sapo unë “Minisupermeni” të bëhem

Do ta quaj kështu, “Minisupermen” Kryeministrin e ardhshëm sepse kështu i pëlqen atij ta quajnë siç i quajti ata dy biznesmenë në Korçë. Gjatë vizitës në Qytetin e Korçës, midis të tjerave, zbuloi edhe dy biznesmenë duke iu drejtuar pjesëmarrësve : “Ndodhem në praninë e dy sipërmarrësve, Luanit, që është edhe pronar i këtij dyqani, minisupermarketi dhe të Besjanit, që është një sipërmarrës i ri”! Në gjuhën e biznesit nuk ka mini-supermarket, por ka market, minimarket dhe supermarket, kurse ne “frymorët” me siguri që kështu ka qejf ta quajnë. “Supermen” dhe duke qenë se është “kalues” edhe në letërsi, me siguri që “Kryeministri” i ardhshëm ka qejf që ta quajnë “Minisupermen”! Sikur nuk të mbush mendjen që të jetë kalues edhe në lëndët e Gjuhës dhe Letërsisë, por edhe shumë faj nuk ka pasi nuk e ka mësuar në shkollë sepse është marrë vetëm me punën e përkthyesit dhe të kamarierit për shumë vite prandaj ka filluar të bëjë testin për të marrë sa më shumë njohuri jo vetëm në punët e organizimit dhe drejtimit të Qeverisë, por të ketë njohuri edhe për lëndët që nuk i ka bërë në shkollë si matematikë, histori, letërsi, gjeografi, etj. Hajde e thuaj pastaj që Saliu e ka gabim kur i thotë që “je tapë topi në matematikë”. Por “Kryeministri” i ri nuk ka shfaqur dobësi vetëm në tabelën e shumëzimit në matematikë por edhe në lëndët e tjera. në letërsi, në gjeografi, edhe në ekonomi. Gjatë vizitës në qytetin e Gjirokastrës, Dasho Alikoja i Lazaratit i fali edhe “Matematika-1” që ai ta mësojë përmendësh dhe të mos bëjë gabime në tabelën e shumëzimit. Në këmbim të kësaj, “Kryeministri” i ri bëri edhe shumë premtime. Siç dihet në Gjirokastër, nuk gjenden pronat sepse Rilindja e ka hequr arkivin e shtetit. “Kryeministri” premtoi midis të tjerave që Gjirokastrës “t’i kthejë dinjitetin dhe do ta bëjë atë jo vetëm qytet muzeal por edhe universitar”. Po kështu, edhe spitalin “Omer Nishani” të këtij qyteti, do ta bëjë jo vetëm rajonal, por edhe universitar. “Kryeministri” e njeh mirë tashmë gjendjen e vështirë sidomos të pensionistëve dhe shtresave në nevojë, prandaj edhe mori vendimin e menjëhershëm aty për aty. “Nuk do të ketë pension më të ulët se 250 dhe 300 dollarë. Paga minimale, do të jetë 300 dollarë. Mjeku do të marë 1200 dollarë , ndihmës mjeku 700 dollarë dhe nuk do të ketë mësues që të marrë më pak se 800 dollarë. Tani po na hapen sytë dhe po shohim se sa larg Europës që kemi mbetur. Ky, do të jetë kushti i parë që do të na afrojë me qytetarët e Europës dhe në qoftë se do të marrim këto paga dhe pensione, me siguri që jo vetëm nuk do të largohen nga vendi mësuesit, mjekët dhe infermierët, por edhe ata që kanë ikur, do të rrëmbejnë valixhet dhe do t’ia mbathin vrapit për në Shqipëri. Nuk i thonë shaka, i thonë tridhjetë vite të humbura kot që përpëlitemi me një pension qesharak dhe mbetëm gjithë ditën duke kruar xhepat jo vetëm në ditët e fundit të muajit por edhe tre katër ditë mbas marrjes së pensionit. Sikur të ishte fitues në zgjedhjet lokale apo të përgjithshme që ka marrë pjesë, edhe mund të ishte “dehur” nga sukseset, por ka qenë gjithmonë humbës dhe kjo është një “favor” i madh për këtë “Kryeministër” të ardhshëm pasi pësimet, tashmë i janë bërë mësime, dhe nuk ka asnjë forcë e asnjë pengesë në rrugën e tij si “Kryeministri” i vendit i cili është në kulmin e energjive të tij. Ato boshllëqe që ka pasur në fushën e njohurive po i plotëson dora dorës dhe si i tillë do të jetë “kryeministri” i kompletuar dhe vizionar mbasi kohët e fundit e ka “braktisur” zyrën e tij dhe shkon në ç’do qytet e në ç’do fshat, ku bisedon gju më gju me popullin si dikur “Udhëheqësi i Lavdishëm”. I dëgjon me vëmendje, këshillat e fermerëve me eksperiencë dhe nuk vonon të japi edhe drejtimin, por nganjëherë, seç i bën për të qeshur, si në rastin e një fermeri në Fier. Fermeri, i ankohet për prodhimet e tij, për punëtorët që po i largohen sepse nuk mund të mbulojë shpenzimet për ata, prodhimi nuk po shitet dhe kanë vështirësi në plehra kimike etj. Mbasi e pyet për hallet, për vështirësitë në fushën e prodhimeve të tij e pyet: Sa punëtorë keni në biznesin tuaj? “Kam pasur pesëdhjetë, por që tani më janë larguar dhjetë prej tyre. dhe në të ardhmen do të largohen edhe të tjerë sepse nuk mund t’i paguaj me këtë prodhim që kam”. “Ëhë, e kuptoj, d.m.th keni pasur pesëdhjetë, janë larguar dhjetë prej tyre d.m.th tani, ju kanë mbetur vetëm dy punëtorë ë?”. “Po jo z Basha nga pesëdhjetë po të heqim dhjetë nuk mbeten dy”. “E kuptova. Unë ju jap fjalën se sapo të bëhem Kryeministër ç’do vit do t’i jap bujqësisë 100 milionë dollarë që ajo të eci dhe ç’do biznesi, të madh apo të vogël, në vitin e parë do të jenë zero taksat derisa ata të marrin veten. Siç duket Kryeministri i ardhshëm e ka dëgjuar atë përrallën “Vurr –Kopan” që sa herë i binin me shkop shejtanit ai i nxirrte paratë lumë. Më poshtë “Kryeministri” i ardhshëm vazhdoi: “Kjo është kriza ekonomike që e ka burimin tek dështimet e njëpasnjëshme dhe keqalokimet e financave publike nga ana e qeverisë. Shqipëria duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve dhe këtë kemi parasysh me taksën e sheshtë 9% për biznesin mbi 140 milion, me taksen 0.5% të xhiros për të gjithë biznesin e vogël nën 140 milion lekë. Asnjë tatim, asnjë taksë tjetër, të punojnë lirisht. Këtë kemi parasysh me karantinën e inspektoriateve vitin e parë të qeverisjes time të ardhshme. Një vit karantinë do të thotë: Nuk do të shikojnë inspektorë me sy deri sa ne të kemi ligjin dhe zbatimin e ligjit në nivele europiane. Në asnjë vend të Europës nuk vjen inspektori sa hap qepenin e derisa mbyll qepenin, tatimorja, ambjentalisti, higjenisti t’i bëjë terror biznesit”, -tha Basha. Çfarë gabimi të madh që nuk e kemi zgjedhur z. Basha para shtatë viteve më parë e cila kjo na ka lënë shtatë vite jashtë Europës dhe një vit akoma duhet që të vijnë zgjedhjet e ardhshme bëhen tetë vite të humbura dhe gjendemi jashtë dyerve të Europës. Më poshtë, ai vazhdoi: “Ja, këtë ka bërë Edi Rama me Oligarkët e tij, i cili po e falimenton ekonominë dhe në vend që ai të punësojë sa më shumë siç edhe ka premtuar, po i largohen edhe ata që janë të punësuar.. Sapo unë të vij si Kryeministër, gjithçka do të zgjidhet dhe bëni si të bëni deri në zgjedhjet e ardhshme..”!. . “ Në takimin me banorët e Farkës në Tiranë, midis të tjerave ju tha atyre: - Unë, kam ardhur edhe herë të tjera këtu në Mullet dhe e njoh mirë gjendjen tuaj të vështirë ekonomike.

Edhe këtu i doli përsëri një defekt në gjeografi, i cili nuk njeh zonat përreth Kryeqytetit, po kur nesër ai si Kryeministër të shkojë cep më cep të Shqipërisë? I bie për detyrë që të mësojë edhe gjeografinë..Me një entuziazëm të pa përshkruar, serbes serbes shkon nëpër qytete e fshatra, si për t’u promovuar si “Kryeministër” i ardhshëm që si duket do të sjellë shpresën tek qytetarët dhe do t’i japi frymë ekonomisë së zhytur në krizë e do të “çlirojë” biznesin e madh e te vogël që “po shkon drejt falimentimit”! Siç dihet qyteti i Elbasanit, shquhet për bugaçet aq të shijshme. Në takimin me një prej furrëtarëve që nxirrte bugaçe të ngrohta e pyet: - Si ju shkojnë punët? -Jo mirë, përgjigjet furrtari. “Detyrimisht, nuk ka se si t’ju shkojnë punët mirë përderisa edhe bugaçet tuaja, i përvetësojnë Oligarkët e Ramës, dhe juve, nuk ju mbetet asgjë pavarësisht që i prodhoni vetë”, iu përgjigj “Kryeministri”. Në takimet e shumta që ai ka bërë me punonjës e biznesmenë, ka treguar me prova që është një Udhëheqës i cili do të marë në dorë fatet e vendit. Nga pritja “madhështore” që atij i është bërë në ç’do qytet ku ka shkuar sidomos në Korçë, krahu i tij i djathtë Salianji është shprehur : - Nuk kam parë ndonjëherë një pritje të tillë madhështorë që i është bërë ndonjë Kryetari të Opozitës, siç i është bërë z. Basha”. Kjo është e kuptueshme, që më shumë se atij i bëhet pritje si Kryetar i Opozitës, i bëhet si “Kryeministër” i ardhshëm. Kohët e fundit, edhe Presidenti po e thërret shpesh në zyrën e tij edhe për ta paraqitur si “Kryeministër” të ardhshëm, por edhe si opozitar që është aktualisht. Siç duket Presidenti tashmë është i bindur që ai nuk e gënjen më kur ta pyesë për orën dhe jo vetëm kaq, por edhe z. Basha, nuk shkon sikur shkonte më parë në “strehën e fundit të maskarenjve” por shkon tek një President që më shumë se i tillë, është opozitar, megjithëse është i bindur që kjo “dashuri” nuk do të jetë e përhershme, por vetëm për pak kohë, aq sa z. Basha, të fillojë përsëri të ngatërrojë orën kur ta pyesë Presidenti. Dëgjojmë ditët e fundit që së shpejti z. Basha do të shkojë edhe në Kosovë. Me siguri që edhe atje do të shkojë si “Kryeministër” i ardhshëm, sepse i duket sikur është një “gjysmë” duke marrë “miratimin” vetëm në Shqipëri dhe kjo është e ditur që pa shkuar edhe në Kosovë, ai nuk mund të bëhet një “Kryeministër” i të gjithë shqiptarëve. Ah more popull se mos këtu është vetëm njëri nga këta politikanë e do të bëjmë si do të bëjmë, por këtu si këta që janë në pushtet edhe ata që kërkojnë të vijnë, janë të gjithë “pse s’më qan moj nëne”.