Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sekserët jo vetëm në drejtësi, po në çdo fushë të drejtimit të shtetit

Postuar: 16/08/2018 - 07:14

E kemi të vështirë në shqiptarët të biem në një mendje për ndonjë problem. Ndaj dhe zgjidhjet i kemi gjithnjë e më të vështira. Aq sa edhe lukunia e reformave që kemi ndërmarrë gjatë afro 30 viteve të gjysmë demokracisë sonë nuk na kanë sjellë ndonjë gjë, veç rrokopujës në çdo sferë të jetës. Një zallamahi që sot na ka bërë mosbesues të gjithçkaje që na shohin sytë. Bile edhe Vettingut po i besojmë se po kryhet nën hyqmin e ndërkombëtarëve. Se tanët dinë vetëm të mbrojnë njëri tjetrin, të mbrojnë maskarenjtë që ta themi hapur, i kemi në krye të të gjitha institucioneve shtetërore.

Nga gjithë gjyqtaro - prokurorët që iu bindën dhe dolën para Vettingut, afro gjysma e tyre rezultuan jo të pastër, bile në një masë të madhe të mbuluar me llum gjithfarësh, sa ndotën gjithë mjedisin albanez. Tashmë këtij lloj llumi nuk do t’i lejohet as puna si avokatë, gjë që ka sjellë një rrokopujë dhe grindje mes shqiptarëve. Si zakonisht, disa kërkojnë me këmbëngulje që të mos u hiqet e drejta e avokatllëkut këtij malli të llumosur deri në grykë me justifikimin se, shkelen të drejtat e njeriut. Por, të mos harrojmë se, ishin këta birbo që kishin zënë të gjitha vrimat e Drejtësisë, duke shkelur çdo të drejtë të hallexhinjve e duke dhënë vendime jo mbi bazën e së drejtës, po të investimit nën dorë. Aq sa sot, këta plazhistë të Durrësit kanë fituar vetëm neverinë e shumicës së shqiptarëve. Është kjo arsyeja që jo vetëm lukunia e avokatëve, por edhe e gjyqtaro-prokurorëve u futën në rrjetën e sekserllëkut. Ishin këta sekserë, që brenda dy dhjetë vjeçarëve shkatërruan plotësisht sistemin e Drejtësisë me të vetmin synim, pasurimin e tejskajshëm të vetvetes. Fakti se janë 21 sekserë të llojit gjyqtaro- prokuror që nuk justifikuan shumat marramendëse të pasurisë së tyre, sapo ka nisur hetimi i Vettingut, është vetëm një tregues që tregon nivelin e vërtetë se ku ka rënë sistemi i Drejtësisë.

E turpshme është, po sekserët deri tani kishin pushtuar gjithcka në këtë sistem, të cilit nuk kishte shqiptar që t’i besonte. Aq sa sekserët, dukshëm dukej se kishin pushtuar edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucioni që deri tani ka patur nën hyqmin e tij emërimin, apo ndëshkimin e gjyqtaro prokurorëve, në rastet kur shkelnin të drejtat e njeriut të hallexhinjve shqiptarë. Po të gjithë e kemi parë se si ky institucion që drejtohet nga Presidenti i Republikës ishte kthyer në mashë mbrojtëse i sekserëve të Drejtësisë. Ç’nuk na kanë parë sytë te ky sistem krejtësisht i korruptuar, po ishte ky me nder Këshill i Lartë i Drejtësisë që ishte gjithnjë mbrojtës i sekserëve hajdutë e plaçkitës të Drejtësisë. Është ky këshill i Lartë i Drejtësisë që as zverdhet, as skuqet sot, kur Vettingu po zbulon pasuritë e stërmëdha të sekserëve të Drejtësisë, që vetë ky me nder Këshill i Lartë i Drejtësisë i ka emëruar në vendet kyçe të Drejtësisë.

Mjafton lapagjosllëku i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që Vettingu të jetë i domosdoshëm për analizën jo vetëm të plazhistëve të Durrësit që tashmë duket se janë krejt të ndotur, po edhe të të gjithë klasës politike, si fajtorja kryesore për gjendjen në të cilën ndodhet kjo Shqipëria jonë. Jo vetëm e zhytur në varfëri, po në një pisllëk gjithfarësh, sa po e kemi vështirë ta pastrojmë të gjithin menjëherë.

Përpjekjet e klasës politike për të minimizuar pasojat e Vettingut që ka nisur të ushtrohet mbi gjyqtaro-prokurorët është vetëm fillimi i daljes në dritë të maskarallëqeve të pafundme të plazhistëve të Durrësit, apo me nder klasës politike që në çdo sferë të jetës ka vendosur pinjollët e familjes që edhe pse gjysmëanalfabetë janë kthyer në agallarë të sundimit në zyrat shtetërore. Me të tillë sekserë, as sot, as nesër nuk duhet të presim ndonjë ditë të hajrit. Kërkohet vetëm largimi sa më i shpejtë dhe përgjithmonë i gjithë kësaj klase politike që nuk di gjë tjetër vetëm të ndryshojë një herë në 8 vjet karrigen e pushtetit, duke marrë nëpër këmbë e duke shtypur çdo të drejtë dhe ëndërr të shqiptarëve.

Sot shqiptarët, në një masë të madhe nuk i besojnë asnjë lloj institucioni shtetëror. Indiferentizmi dhe mosbesimi i tyre prishet vetëm nga planet e largimit nga Shqipëria. Deri këtu kemi arritur sa të mos i besojmë as Presidentit të Republikës. Ndodh kështu, sepse, ndërsa varfërohemi nga dita në ditë, askund nuk gjejmë zgjidhje, pasi gjithçka është nën hyqmin e sekserëve nopranë që kanë zënë të gjitha zyrat e shtetit. Aq sa sot të gjithë themi me një zë: kemi një gjysmë shtet familjaro-nopran që drejtohet familjarisht nga sekserë pa asnjë dinjitet.

Ndoshta kjo është arsyeja e vërtetë që në këtë Shqipërinë tonë mungojnë edhe protestat si një formë ankese ndaj varfërisë që na ka instaluar kjo klasë politike. Është qesharake, po klasa politike organizon një herë në hënëz një protestë dhe krenohet se protestë të tillë nuk kanë parë shqiptarët. Çfarë proteste? Dalin militantët e një partie nga gjithë Shqipëria, grumbullohen një orë në Tiranë dhe këtë na e quajtkan “protestë madhështore”. Më shumë se një idiotizëm me brirë. Grumbullimi i shëtitësve nga i gjithë vendi, një orë në Tiranë, një herë në hënëz nga Partitë Politike nuk është as protestë, as shëtitje. Po një gomarllëk politik, të vetmen gjë që di të bëjë sot klasa politike albaneze që krenohet vetëm se ka mundur të ngrejë 129 Parti Politike, që të gjitha drejtohen nga sekserë të palëvizshëm prej afro 30 vitesh. Edhe pse kanë bërë vetëm një vërë në ujë, nuk dinë të lëshojnë vendin ndokujt tjetër. Kështu kemi mbetur ne shqiptarët, sa jemi bërë lolo te miqtë tanë ndërkombëtarë që kanë mbetur të çuditur me çfarë u shohin sytë. Një vend që drejtohet në mënyrën më groteske nga sekserë krejtësisht të pamoralshëm. Të tillë ishin dje, janë sot, dhe do të jenë nesër. Ndaj kemi humbur shpresën se e nesërmja do të mund të jetë më e mirë.

Pastrimi i sistemit të Drejtësisë në një masë të madhe po vlerësohet nga shqiptarët edhe për një fakt tjetër, që tashmë e shohim dhe i besojmë të gjithë. E gjithë reforma po kryhet nën monitorimin e miqve ndërkombëtarë. Janë ata, pa kemi nisur të besojmë te një e nesërme më e mirë. Pa pjesëmarrjen e tyre, vështirë se do të arrinim ta pastronim një ditë sistemin e Drejtësisë. Përderisa, të gjithë jemi të bindur se në këtë gjysmë shtetin tonë, gjithçka është nën tutelën e një grupi familjar sa ka sjellë mosbesimin e shqiptarëve te të gjitha institucionet shtetërore. Gjithçka, pushteti, klasa politike, drejtësia e gjithçka tjetër është nën tutelën e çuditshme të familjes që vetëm ndërron karrige, po mbetet e njëjta që punon vetëm për vete, duke varfëruar gjithnjë e më shumë shumicën e shqiptarëve.

Nga Riza HOXHA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2018 - 07:06

 Protestat e opozitës tonë ngjajnë shumë me informacionet që jepeshin përditë në seksionet e bujqësisë në Komitetet Ekzekutive për sipërfaqet që mbillnin kooperativat bujqësore dhe fermat në vitet e komunizm

Postuar: 14/11/2018 - 07:05

 Shteti, duket se është e kundërta e asaj që thotë kënga për të dashurën.

Postuar: 14/11/2018 - 07:03

 Më thanë se edhe tre njerëz të kulturës, intelektualizmit kishin aplikuar për llotarinë ame

Postuar: 13/11/2018 - 07:13

Shqipëria sot, si një shtet demokratik, sigurues i kushteve dhe shanseve të barabarta dhe për më

Postuar: 13/11/2018 - 07:12

Kjo kohë e fundit është një model i thjeshtëzuar rrumpallëku "nacional" që na bën sa ba

Postuar: 13/11/2018 - 07:11

Shtrati i Prokustit apo "turra e druve"?

Postuar: 11/11/2018 - 07:44

Nuk janë as të parat dhe as të fundit ato pamje me deklamacione që grekët bëjnë në tokën shqiptar