BREAKING NEWS

Pas Berishës, Genc Ruli shënjestron Metën dhe e cilëson LSI parti klienteliste, Basha në luftë të hapur me paraardhësin dhe Presidentin

Pas Berishës, Genc Ruli shënjestron Metën dhe e cilëson LSI
x

Opinion / Editorial

Sepse atëherë, në kohën e dikurshme, kishte burra shteti!

Sepse atëherë, në kohën e dikurshme, kishte burra shteti!

Dhe Lufta Nacionalçlirimtare sapo kishte përfunduar me fitoren e formacioneve partizane të udhëhequr nga PKSH dhe Enver Hoxha. Kjo luftë, sikurse dihet ishte jo vetëm një fitore e madhe për popullin shqiptar në planin e brendshëm, por dhe një akt i madh i largpamësisë së popullit tonë, që në momentet nga më të vështirat, diti me largpamësi të ruante vetëdijen e tij politike, duke u bërë dhe mbështetëse e Aleatëve të mëdhenj URSS, Britanisë së Madhe, Amerikës dhe gjithë popujve dhe vendeve të tjera liridashëse që ju bënë mbështetje këtij koalicioni në planin e jashtëm. Natyrisht që pati dhe forca të tjera si “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti” të cilat e përkrahën nazi-fashizmin, por ato, me gjithë aktin e tyre të tradhtisë duke bashkëpunuar me armikun, nuk arritën dot që t’i imponoheshin aspak vullnetit politik të popullit tonë. Dhe ndodhi ajo që pritej. Nën marshin e tyre funebër, si kufoma politike, një pjesë mori arratinë, teksa pjesa tjetër priste me ankth fatin duke shkulur flokët e lutur për mëshirë. Gjithsesi, ende kur Shqipëria përjetonte plagët e veta e teksa nga trarët e fshatrave dhe qyteteve të përzhëlitura ende nuk kishte mbaruar tymi i luftës populli priste me padurim të gëzonte frytet e fitores. Kjo jo thjesht se ishin çliruar nga armiku barbar, por në horizontin e ri dhe të përflakur, priteshin agime të reja. Kështu, që më 2 dhjetor 1945 u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste demokratike të Shqipërisë, të cilat dihen se u fituan nga Fronti Nacionalçlirimtar. Sot dalin “analistë e opinionistë” duke pretenduar se ato zgjedhje nuk ishin demokratike, se gjoja na qenkësh ajo PKSH-ja që vendosi për fatin e zgjedhjeve. Po kush duhej të vendoste mos vallë bejlerët e agallarët, bashibozukët e “Ballit Kombëtar” dhe bajraktarët e “legalitetit”?! Partia Komuniste e cila tashmë e shtrinte aktivitetin e vet te Fronti Popullor, nuk mund të tradhtonte premtimin që i kishte bërë popullit të vet, se mbas çlirimit do të ishte ai popull shqiptar, i cili do të vendoste për fatet e veta dhe jo më feudo-borgjezët, bejlerët e jugut dhe kapedanët veriorë. Nëse PKSH-ja dhe fronti, do t’ua linin në dorë këtë punë, klasës që kishte bashkëpunuar me armikun dhe atyre intelektualëve frikacakë që prisnin se nga do anonte balanca e fitores, atëherë populli shqiptar në këtë rast do kishte realizuar vetëm një aspiratë të tij, atë çlirimin kombëtar, por jo çlirimin shoqëror. Dhe nëse do të veprohej ashtu, atëherë kjo do të thoshte se do të ruhej forma e vjetër e shtetit, pra, përsëri do të kishim një shtypje e shfrytëzim të njeriut nga njeriu. Për herë të parë në historinë shumë shekullore të popullit tonë më 11 janar 1946 do të ndaheshin nga njëra-tjetra dy botë të ndryshme. Propozimi i shokut Hysni Kapo që në emër të deputetëve të Vlorës mbështetur në aspiratat e gjithë popullit shqiptar propozoi që forma e regjimit politik të Shqipërisë të quhej Republikë Popullore. Propozim ky i cili u prit me brohoritje të mëdha dhe nga populli i kryeqytetit i mbledhur në qendër të Tiranës, nga ku ndiqte punimet nëpërmjet radio-altoparlantit, të instaluar në një nga sheshet kryesore përpara godinës ku zhvillohej seanca e parë e Kuvendit të deputetëve të dalë nga gjiri i popullit. Të shtënat e topave të fitores, këmbanat dhe sirenat që ushtonin, paralajmëronin për një botë të re e të paparë kurrë ndonjë herë në historinë e këtij populli të shumëvuajtur. Por nëse vërejmë me vëmendje, do të mbërrinim në përfundime se ky akt madhor kur vendosej pushteti i popullit, zanafillën e vet të themeleve nuk e kishte te të shtënat e fitores, por te ritmet dhe momentet të cilat u hodhën me kujdes e të mirëmenduara hap pas hapi. Pikërisht ato fillojnë që nga Konferenca e Pezës, ku u vendos të krijoheshin këshillat antifashiste Na-Çl, të cilat shërbenin si baza e pushtetit të ardhshëm demokratik, e kanë në Kongresin e Përmetit, ku u krijua Këshilli Antifashist Na-Çl e deri në Mbledhjen e Beratit, me krijimin e Qeverisë së Përkohshme Demokratike. Pra, PKSH i pati dhënë provat se do t’i qëndronte besnike premtimeve të bëra ndaj popullit të vet dhe sa qe e gjallë fryma revolucionare dhe për aq kohë sa PKSH-ja nën udhëheqjen e Enver Hoxhës dhe shokëve të tij u qëndroi besnikë këtyre idealeve me të vërtetë Republika ishte dhe ngeli e popullit. Ajo ishte garanci e jetës së lirë e të barabartë me njëri-tjetrin. Nuk kishte më pasanikë, bejlerë e agallarë apo si i thonë sot “boss” (mafiozë) që si shushunjat t’i pinë gjakun popullit. Me ardhjen në pushtet të bandës tradhëtare të R.Alisë, S.Berishës, F.Nanos, G.Ruçit, E.Ramës & CO; fitoret e arritura u sabotuan, pushtetin e rimorën përsëri ata që dikur i kishim përmbysur e që sot kapardisen duke shkruar himne, marshe e këngë për kolaboracionistët me fashizmin e që duart i kanë të zhytura në gjak e ende të palara sepse është historia ajo e cila nuk do t’ua heqë kurrë. Tashmë, si për ironi përballë lapidarëve të heronjve, dëshmorëve dhe brigadave tona heroike dhe partizanëve tanë legjendarë, janë ngritur dhe buste e memorialë të krerëve më të lartë tradhtarë të kombit, të cilët vazhdojnë e qëndrojnë në piedestalin e fekaleve. Piedestal ky që ua ka përgatitur vetë historia, pavarësisht se pinjollët e tyre sot na kapardisen si “kaçorrat” e dikurshëm, pra si etërit e tyre. Kanë kaluar 75 vjet që nga momenti i Republikës së lirë të popullit, dhe.... tridhjetë vite nga tradhtia që iu bë popullit. Në këto tre dekada dialektika e zhvillimit të ngjarjeve dhe fenomeneve në Shqipëri dhe koha vërtetuan katërcipërisht dhe në mënyrën më të qartë e pa as më të voglin ekuivok, se që nga ai moment kur ata (klasa aktuale) gjithë gëzim proklamuan Shqipërinë si Republikë...(por jo më “Popullore”) mbi popullin shqiptar, si një mallkim i madh historik ranë fatkeqësitë më të mëdha. Të zhytur në varfëri e në skamje, të vjedhur me dekrete piramidash deri në qelizë nga piramida shtetërore, të futur dhe të ndërsyer kundër njëri-tjetrit në luftë civile, me një popullatë që vuan nga hemorragjia dhe firua njerëzore, arratisja e intelektualëve nga të katër pikat e horizontit, gjendja e rëndë psiko-shpirtërore e një populli që vuan nën krismat e “kanunit të Lekës” të shoqëruar këto nga kallashnikovët e luftës guerrile të bandave për hakmarrje apo për zgjerim të zonave të trafikimit, sikurse dhe nga pushkatimet që bën shteti si pa të keq në mes të bulevardit e duke u ngërdheshur në mënyrën më provokative kërcënon “Provojeni dhe një herë”, vjedhjet shtetërore masive gjatë këtyre tre dekadave nëpërmjet mënyrave të tenderimit, zhytja e Shqipërisë në borxhe marramendëse, pazarllëqet për të nxjerrë në semafor prostituimi kufijtë e Shqipërisë e dhjetëra e dhjetra maskarallëqe të tjera, tregojnë fytyrën e vërtetë të Republikës që nuk është më e popullit. Por nëse nuk është më e popullit... e kujt është? Këtë e di më mirë bota tjetër, ajo që ne e përmbysëm dikur për të qenë të lirë, të barabartë e me dinjitet si komb. Por ja që ajo u ringjall si “gogolat” e dikurshëm në përrallat me fëmijë, por kësaj here nuk na qenkësh përrallë. Fatkeqësisht një realitet i hidhur. Këtë le ta mësojë brezi që vjen se... na ishte nje herë dikur një Republikë Popullore ku populli i tij për gjysmë shekulli ishte i lirë, i barabartë e me dinjitet kombëtar që nuk guxonte kush ta nëpërkëmbte, sepse atëherë në atë kohën e dikurshme kishte burra shteti, por edhe sot ka, veçse janë “Bu-burr-eca”!