BREAKING NEWS

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë shqiptare po kërcënohen rrezikshëm’, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të bujshme në vend

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë
x

Opinion / Editorial

Sfida e 10 nëntorit, provë për politikën e progresit ose të obskuritetit

Sfida e 10 nëntorit, provë për politikën e progresit ose

Nëse shumica e shqiptarëve, pavarësisht nga turbulencat që po shkundin BE, sendërtimin e të ardhmes e mbështesin tek fryma europiane, politika shqiptare nuk shkëputet dot nga filozofia obskuritetit. Diskutimet maratonë për reformën zgjedhore, nuk e kanë zbritur nga sundimi i arketipit leninist i epokës që lamë pas, se partia është mbi të gjitha. Në të njëjtën kohë kur Presidenca e unionit, kërkon prej saj, angazhim konkret për 15 detyrat deri më 10 Nëntor, si dhe përballimin e emergjencave kombëtare dhe konturimin e reformave, politika shqiptare është zhytur në sherret dhe llogaritë e luftës për vota e pushtet. Por më keq akoma janë lëvizjet dhe deklaratat e krerëve të opozitës, për rehabilitimin dhe kthimin e politikës së vjetër, e cila u ngjan tregjeve të rrobave të vjetra të gabit. Këtë lëvizje të liderëve të opozitës po e dikton paaftësia e tyre, për të rindërtuar parti vizionare, me identitete për përfaqësim politik, si garanci e të ardhmes. Kjo opozitë e mbetur pa lidership, e përçarë, pa struktura të rindërtuara dhe pa kauzë, i ngjan një ndërmarrje e dalë në ankand. Metamorfoza e analizave brenda saj, pa ndierë përgjegjësi për shkërmoqjen e saj, e kanë zbritur në shkallën më të ulët të identitetit, si një formacion konkurrues që pretendon për të drejtuar shtet. Përpjekjet e saj për t'u konturuar si një formacion politik bashkëkohor, pas ndarjes aventureske, janë davaritur aq shumë sa që kërkon një ristrukturim nga themelet. E megjithatë kjo opozitë e rënë plotësisht në depresion, vazhdon të hallakatet me retorikat revolucionare, duke menduar se me tullumbacet që hedh Lulzimi në takimet me qytetarët, mund të vijë në pushtet. Por Lulzimi dhe aleatët e tjerë, sa nuk është vonë, që të mos pësojnë fatin e merituar të Kserksit, i cili i mundur dhe shkatërruar plotësisht, mundi të shpëtojë kokën duke u futur midis kufomave të ushtrisë së tij. Të luash kartën e patriotizmit, duke afruar figura që nuk i kanë sjellë asgjë pozitive kësaj shoqërie, duke i idealizuar vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet, kur doktrina e tyre si ajo e Berishës ishte fatale për Shqipërinë, kjo i kalon kufijtë e patologjisë politike. Por më sa duket politika shqiptare, nuk ka marrë vesh se çfarë po ndodh rreth saj, ngaqë të gjitha bateritë po i punojnë për vota e pushtet. Nëse BE ka nisur sfidën për kapërcimin e krizës së pandemisë, çfarë mbetet për Shqipërinë dhe politikën e saj, për të sfiduar krizën ekonomike? Në vend që forcat politike të reagojnë për t'u përballur me emergjencat dhe krizën politike, duke lehtësuar sadopak rëndesën e saj mbi qytetarët, vazhdojnë të mos dakordësohen edhe për projektet e reformave që vetë i kanë firmosur. BE po punon me moton: "Sëbashku për rimëkëmbjen e Europës", atëherë përse të mos ketë një qasje të tillë edhe për politikën shqiptare? Si ka mundësi që edhe në këto momente të vështira nuk bëhemi bashkë, për të nxjerrë përfundime e detyra në përballimin e krizës? Qytetarët shqiptarë as që duan të dinë për hallin e partive për zgjedhjet, sepse ato janë në duart e tyre, por ata duan strategji për të dalë nga kriza, duan mbrojtjen e shëndetit, rimëkëmbjen ekonomike, duan strehimin e njerëzve të goditur nga fatkeqësia natyrore, si dhe konsolidimin e kohezionit social. Në këtë kontekst kjo klasë politike e shkërmoqur, duhet të ndjekë me vëmendje angazhimin e BE në krah të BP, e në mënyrë të veçantë të Shqipërisë, për plotësimin e kushteve për anëtarësim. Nëse administrimi i procesit zgjedhor mbeti politik për arsye kohe, kjo nuk do të thotë se nuk do t'i shkohet deri në fund, të gjithë elementëve të ndryshimit të sistemit. Këtë duhet ta vënë vath në vesh, të gjithë aktorët politikë si brenda ashtu dhe jashtë saj. Orientimet e OSBE/ODIHR nuk mungojnë, sepse ato janë shinat ku mbështetet kjo reformë, e cila nuk mund të quhet e përmbyllur pa ndryshuar plotësisht sistemi. Ardhja e Gjermanisë në krye të presidencës, është një ogur i mirë edhe për qytetarët shqiptarë, të cilët aspirojnë, që atë që nuk bëri Europa për një shekull, të mund ta bëjë këtë fund viti. Nëse Europa po ndërton strategji e masa konkrete, për investime në mbrojtje të klimës, në dixhitalizim e kërkime shkencore, këto nuk janë mundësi për Shqipërinë. Asaj i kërkohen detyrat e shtëpisë për anëtarësim, që sipas presidencës gjermane, ato duhet të jenë nxitje për të vënë në moto politikën shqiptare dhe jo mollë sherri. A duhet ta nxisë politikën shqiptare, presidenca gjermane si një perspektivë e besueshme? Sigurisht që po, sepse është momenti më i favorshëm. për t'u përafruar me BE, por ajo që merr përparësi është vënia në provë e kësaj politike, se sa është e idealizuar për interesat e qytetarëve shqiptarë. Nëse BE nëpërmjet presidencës gjermane, po merret me hartimin e kuadrit të negocimit për Shqipërinë, për nisjen e bisedimeve, po politika shqiptare me çfarë duhet të merret? Nëse u gjet një konsensus politik për Kodin Zgjedhor, kjo nuk mjafton pa u dakordësuar edhe për elementët e tjerë të reformës, siç është patatja e nxehtë e listave të hapura, që u jep fund allishverisheve të partive për pushtetin e votës, i cili duhet t'i mbetet vetëm sovranit. Por nëse Brukseli ka ndezur dritën jeshile, klasa politike shqiptare, ka mbetur në semafor të kuq. Ajo duhet medoemos të dëgjojë dhe të respektojë porositë e kancelares Merkel, e cila ngul këmbë që politika shqiptare, t'u japë fund lojërave të pingpongut dhe të konturojë sa më shpejt Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Plotësimi i këtyre dy gjykatave, është sa kompleks edhe delikat, për vetë lojërat e politikës së inkriminuar bashkë me presidentin aktual, që ka bërë çdo përpjekje për ngadalësimin e procedurave për kompletim. Rrugët janë të përcaktuara me ligj, por një ndihmë efikase është edhe opinioni i Venecias, që udhëzon institucionet, të bashkëpunojnë për një drejtësi të pavarur dhe për të gjithë. Data 10 Nëntor nuk është larg, por edhe afër, nëse politika shqiptare do të zbresë nga kali, për të kuptuar se sa të rëndësishme janë detyrat e vëna nga Brukseli. Konferenca e anëtarësimit kërkon angazhim konkret dhe jo demagogji boshe, siç e kanë në moral partitë shqiptare. Në këtë konferencë ndërqeveritare me Shqipërinë, kërkohet përmbushja e detyrave dhe jo dënglat e partive për vota e pushtet. Demokracia është rrotacion dhe jo pushtet i përhershëm, siç është bërë edukatë dhe pjesë e moralit të partive politike në Shqipëri, këtë duhet ta kuptojë mirë edhe sovrani, i cili duhet t'i zbresë nga froni këta sundimtarë të përhershëm të demokracisë. Më shumë se kushdo këtë duhet ta kuptojë politika, e cila të kthehet dhe të marrë në dorë çështjet e përgjithshme të Marsit 2020, që kërkon Këshilli Europian. Kështu e vetmja rrugë që do na çojë tek integrimi, është bashkëpunimi i partive, nëse jemi për të bërë përpara apo do të mbetemi peng të hijeve të zeza, që bëjnë ç’është e mundur të kthehemi në pikën 0. Këtë dështim nuk do ja u falin kurrë qytetarët e këtij vendi partive politike, të cilat janë përgjegjëse për mos shkatërrimin e perandorisë së krimit, për luftën e pamjaftueshme ndaj korrupsionit, për ngadalësimin e proceseve reformuese, e mbi të gjitha për mos respektimin dhe sundimin e ligjit. Sfida e 10 Nëntorit, do të jetë prova më e mirë e partive politike, për të demonstruar se e vetmja kauzë e tyre, është t'i bashkëngjitemi familjes europiane, e jo të mbeten në pozita obskuriteti.