BREAKING NEWS

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë, zv/ministra, drejtorë e ish-anëtarë të LSI, zbulohen emrat që spostojnë veteranët

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë,
x

Opinion / Editorial

Sfida e mjekëve përballë propagandës politike

Sfida e mjekëve përballë propagandës politike

Bota nuk është si më parë. Njerëzimi po përballet me një armik të padukshëm dhe tejet të rrezikshëm. Asnjë etapë historike globale nuk është e krahasueshme me një kanosje të tillë që ndjell vdekje. Kësisoj edhe Shqipëria po përballet me pandeminë, e cila sulmon dhe nuk duket askund. Kjo natyre sëmundjeje që është e pazakontë dhe e paparë, (që prej më shumë se një shekulli) kërkon menaxhim perfekt për të mundësuar sadopak t’i paraprijmë një fenomeni vdekjeprurës. Nëse do të flasim me gjuhën e metaforës gjendemi përballë stuhisë në qiell të pastër e cila paralajmëron tragjedi. Në këtë kontekst për të menaxhuar suksesshëm një situatë të tillë alarmante pikësëpari duhet përgjegjshmëri politike dhe njëkohësisht angazhim deri në vetëmohim të armatës së mjekëve. Kam bindjen se nëse ky binom do të sinkronizonte të paktën komunikimin publik së paku do të ndihmonte shoqërinë shqiptare të përballonte stresin dhe do t’i kursenin nga siklete të panumërta. Kjo metodologji duhej të ishte pikënisja e nisjes për të përballuar dhe menaxhuar sa më mirë një luftë me armikun e padukshëm. Duke marrë në konsideratë këtë realitet të përçudnuar me të drejtë shtrohet pyetja: Ç’po ndodh? Përgjigja është sa tronditëse, po aq edhe shpresëdhënëse. Është tronditëse ngaqë klasa politike nuk po arrin të shkëputet në këto kohë pa kohë nga baltosja e njëri-tjetrit dhe nuk po zëvendëson gjuhën helmuese më një zë unifikues në funksion të menaxhimit të sa më suksesshëm të kësaj situate të nderë. Por, fatmirësisht atë që nuk po e bën politika janë mjekët që ngjallin shpresë. Nëse do shënjojmë bluzat e bardha ata po na dëftojnë së ka dritë në fundin e tunelit të propagandës baltosëse të politikës. Janë pikërisht armata e mjekëve, kryesisht ata që ngrysen dhe e gdhijnë njësh me pacientët që e ushqejnë me optimizëm këtë popull të traumatizuar dhe të frikësuar deri në palcë për shkak të pandemisë. Kam bindjen e thellë se nëse politika do të ishte sadopak e kujdesshme dhe tepër pak e kursyer me propagandë bajate, mjekët do të ishin më komodë në menaxhim dhe kurim. Në këtë kuadër, bëj pjesë tek ai target grup që i mëshoj fort idesë që t’i japim hapësirën, peshën dhe kredibilitetin e duhur mjekëve në përgjithësi, epidemiologëve dhe infeksionistëve në veçanti që po bëjnë ç’është e mundur për të shpëtuar jetë njerëzish në spitalet infektive. Nuk ka formë dhe mënyrë tjetër, madje nuk ka as ilaç që shërben ekskluzivisht si terapi shërimi! Por, shpresa vdes e fundit thonë. Bash kjo shpresë është tek ata burra e gra që kanë veshur mantelin e bardhë dhe kanë përveshur mëngët në funksion të shërimit të njerëzve. Mjaftojnë këto elemente për të dhënë kumtin se askush, aq me pak politika nuk ka të drejtë të pickojë armatën e mjekëve. Është jashtë çdo lloj logjike që në këtë periudhë të derdhen duhma propagandistike me tendenca intimiduese e denigruese në adresë të mjekëve. Sikur të mos mjaftonte ky nonsens, politika po bëhet pengesë për një menaxhim të suksesshëm dhe tenton të fragmentarizojë peshën dhe rëndësinë e institucionit të shëndetësisë duke u bërë promotore e përkeqësimit të situatës. Për pasojë tendenca të tilla devijuese duhen parandaluar, sepse me apo pa dashje po cënohet rëndë integriteti profesional i mjekëve duke shkuar deri në përçarje dhe dekurajim. Nëse ka një gjë që nuk justifikohet dhe më ngjall neveri është pikërisht marrëzia e klasës politike që për një grusht votash, apo të etur për pushtet mëtojnë të shkelin mbi çdo parim, kod moral e human. Mjafton të shohim se si po katandiset “familja” e mjekësisë shqiptare, sesi në mënyra tejet të gërditshme po përdoret nga politika, apo sesi disa mjekë nën hyqmin e politikave të caktuara kanë hyrë në llogoren e propagandës duke harruar misionin fisnik. Kjo është e dhimbshme dhe duhet me patjetër që t’i paraprihet fenomenit. Në këtë kohë të rrezikshme, elita politike shqiptare duhet të udhëhiqet mbi ca kritere që janë në funksion të menaxhimit të situatës. Ata duhet të bëhen tok dhe të kenë një qëndrim dhe qëllim: të punojnë fort për të lehtësuar dhe minimizuar rreziqet. Le ta lënë për një kohë tjetër, baltosjen, propagandën, kacafytjen, sot nuk është as çasti, as momenti për t’i treguar “dhëmbët” njëri- tjetrit. Maxhoranca, opozita, presidenca pse jo edhe shoqëria civile duhet t’i nënshtrohet një kulture minimale politike dhe të veshë një cipë sado të hollë civilizuese dhe t’i jap shpresë dhe t’i krijojë mundësi popullit që ta kalojë pandeminë me më pak dhimbje. Kjo është njëra anë e medaljes, nga ana tjetër është imperativ i kohës që klasa politike, të gjejë gjuhën e përbashkët dhe të shprehë njëzëri përkrahje dhe mbështetje të parezerva për mjekët. Më kryesorja nëse klasa politike do t’i bëjë një të mirë këtij vendi në këtë kohë pandemie: të paktën t’i lerë mjekët të rrugëtojnë të qetë në udhën e profesionit dhe të mos i përdorë si asete për të gjuajtur topa balte duke i kundërvënë ndaj njëri-tjetrit. Në këtë kuptim, thjeshtë po themi atë që është brenda normales në një situatë anormale, sepse po të shihnim sadopak ndërgjegjësim politik, armata e mjekëve të vazhdonte misionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar nga propaganda baltosëse. Përvoja personale ma dikton ta ndaj të mirën nga e keqja, pra si të thuash t’i jap Çezarit atë që i takon Çezarit. Edhe në kohën e monizmit ka patur epidemi, natyrisht jo të këtij lloji dhe të këtyre përmasave, por epidemi deri diku kanosëse po. Bie fjala, ka patur momente mjaft delikate dhe të mos harrojmë se mungonte infrastruktura dhe teknologjia e sotme e megjithatë ne arrinim ta përballonim, natyrisht brenda mundësinë tona. Shtrohet pyetja kush ishte çelësi i suksesit? Thjesht fare: organizim rigoroz, secili kryente detyrën e tij dhe më kryesorja autoritetet politike të kohës as e merrnin guximin të futnin hundët në punën tonë. E thënë shkurt e shqip, në kohë epidemie, mjeku ishte gjithçka dhe mbi gjithçka, përfshirë edhe kupolën e frikshme politike të kohës. Si përfundim, mendoj se edhe mjekët sidomos ata epidemiologe dhe infeksionistë nuk kërkojnë as më shumë e as më pak sesa të lihen të qetë dhe të kryejnë funksionin e tyre si në menaxhim, apo ashtu edhe në mjekim. Politika thjesht të ecë në gjurmët e mjekëve. E thjeshtë fare. Kaq!