BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Sfurqe, kosore, hunj, kazma e lopata do na duhen për zgjedhjet e ardhshme!

Sfurqe, kosore, hunj, kazma e lopata do na duhen për zgjedhjet e ardhshme!

(Intervistë e supozuar e “Kusur Madhit” me Presidentin Ilir “Alende” Meta)

- Duhet të lini çdo punë, sepse situata ka ndryshuar në mënyrën më të pa pritur- më thanë drejtuesit e gazetës, duke më shpjeguar se nga Institucioni i Presidencës kishin dalë zëra se presidenti ynë Meta, kishte ndërruar mendim nga ajo çka kishte deklaruar një javë më parë, kështu që duhej sqaruar mirë problemi se a ishte e vërtetë që ai nga thirrja e tij me karakter luftarak e patriotik se “nëse nuk do fitonte, atëherë për interesa të popullit tonë do të jepte dorëheqjen” apo ishte një sajesë për të njollosur figurën e personifikimit të unitetit kombëtar të të gjithë trojeve tona! Me thënë të drejtën nuk kisha shumë dëshirë, sepse aty për aty mu kujtuan jo vetëm patriotët e hershëm e luftëtarë të mëdhenj të Skraparit si R. Kodheli, Z.Veleshnjia, R. Cerova, K.Ylli e dhjetra të tjerë, por dhe ca ballistë, të cilët kishin bashkëpunuar me nazi-fashistët paçka se betoheshin për “Shqipërinë e shqiptareve” dhe për dreq nuk më hiqej nga mendja një ish-drejtues i forcave partizane Xhelal Staravecka, i cili nga frika e gjermanit kishte dezertuar dhe jo vetëm se dezertoi, por u bë dhe komandant i forcave të milicisë shqiptare në shërbim të nazistëve gjermanë. Edhe pse mendoja Xhelalin nuk di pse në përfytyrim më dilte Meta hijerëndë. Dija gjithashtu se gjyshit të presidentit tonë, pikërisht këto forca nazi-balliste i kishin djegur shtëpinë dy herë dhe nipi i tij meqenëse nuk e pati fatin dy herë t’i rindërtonte ato u betua se do ta ndërtonte herën e tretë mbas 25 prillit. Sinqerisht nuk e di pse qëndrimet e tij më ngjanin shumë me ato të kryemilicit Xhelal që më 4 shkurt 1944 bashkë me Xh.Devën ishin organizatorë të masakrës në Tiranë. Ngjashmëria dhe ndjeshmëria e hidhur më shkaktohej pikërisht nga masakra e 21 janarit që në skenë doli kryexhelati Berishë, paçka se në prapaskenë ishte korrupsioni skandaloz i Ilirit dhe aleatëve të tij të të njëjtit ideal. Teksa këmbët i hidhja me përtim drejtim Presidence, për hir të së vërtetës dua të them se nuk dëshiroja ta takoja këtë djalë plangprishës, i cili në gjoksin e tij ka tatuazhuar një shqiponjë blu, e nga mbas kurrizit një qyp me flori dhe ja kështu duke medituar pa e kuptuar vërejta se sa shpejt isha afruar.

I rashë ziles së një kangjelle të hekurt teksa nga citofoni dëgjova një zë të ashpër:

Urdhëroni, këtu iu përgjigjet shërbimi i presidentit. Ju lutem kush jeni dhe me çfarë mund t’ju shërbejmë: - Ore i thashë unë nuk kam nevojë të më shërbejë njeri sepse gjithë jetën kam qenë shërbëtor, por puna është se gazeta më ka dërguar të marr një intervistë te z. President, intervistë kjo për të cilën janë të interesuar të gjithë qytetarët të majtë e të djathtë, pra pa dallim feje, krahine dhe ideje. Më quajnë “Kusur Madhi” nuk kam të bëj aspak me artistin e popullit Guri Madhi, i cili ishte shok e mik me Kristaq Ramën, babanë e Edit, jo jo aspak, mbiemri im është thjesht rastësi, ashtu sikurse dhe mbiemri i një ballisti të krahinës time, i cili e kishte jo vetëm mbiemrin Hoxha, por dhe emrin Enver. Ai sa ishte gjallë Enveri nuk e hoqi mbiemrin, por mbas 90-s se çu kujtua dhe vuri si mbiemër, emrin e fshatit të tij... ama ishte burrë dhe burrë zakoni. Sa e sa iu lutën sidomos në vitet e “demokracisë” që ai ta ndryshonte dhe emrin po ke parë ti që dhe nuk e ndryshoi!?

- “Ja një minutë të lutem, kjo histori që më treguat mua nuk më intereson, por mos u mërzitni se mbas pak do t’ju kthejmë përgjigje”, u dëgjua nga ana tjetër; teksa një roje civil ngriti pakëz si padashje xhaketën e zbërthyer nga ku i pashë një pisqollë ruse të kohës së prekomuniste. Në pritje të përgjigjes aty diku në këndin e rrethuar me kangjella pashë një tabelë shkruar me të kuqe: “TË GJITHA VOTAT PËR LESHI-n..............L(E)S(H)I”-n!

Sigurisht kuptohet se ndonjë shakaxhi thirrjen të gjitha votat për LSI-në e kishte deformuar duke futur mes tyre dhe gërmat “e” dhe “h” me bojë blu dhe nga ku thirrja për vota LSI-së kishte dalë punë leshi. Nuk arrita aspak të vazhdoja më tej në mendimin që përse e kishin lenë atje ende, apo si duket ditën e parë parulla kishte qenë e saktë, por sigurisht do e kishin deformuar ata të PS-së gjatë zgjedhjeve dhe kur them se nuk arrita të vazhdoja mendimin desha të them se ma sqaroi pikërisht ai “sigurimsi” civil, i cili pak më parë kishte ngritur cepin e xhaketës që unë t’i shikoja koburen. Joooo – më tha ai- e kanë bërë ata të PD-së nga inati që u vajtën gjithë ato vota dëm...dmth për lesh, sikurse i thonë ngandonjëherë e ndërsa donte të shtonte dhe diçka tjetër nuk mundi, sepse sapo më njoftuan se presidenti më priste në zyrën e tij. Përpara më doli një djalë i hijshëm me mbiemrin Blushi (që për fatin e keq emri nuk më kujtohet), do jetë nga Vlora mendova, sepse andej çoç kemi ca me këtë mbiemër. Gjëja e parë sapo u futa në një kënd disi të shmangura që të mos dukeshin, pashë disa vegla pune në livadhin e përparshëm gjithë bar. E çfarë nuk kishte, sqeparë, kosore, sfurqe, bishta lopatash, kazma madje si për ironinë time dhe një drapër ku afër tij jo pa qëllim kishin vendosur një çekiç. Shoqëruesi e vërejti habinë time ndaj ndërhyri duke buzëqeshur: Miku im mos i shiko ashtu sepse s’kanë të bëjnë aspak me deklaratën e presidentit! Joooo ne i kemi grumbulluar sepse sapo pastruam parasheshin e shikon sa i bukur ka dalë dhe si gjelbëron bari!

Sapo ngjita shkallët e Presidencës përmes një qilimi nuk e di përse kisha emocione. Me thënë të drejtën, emocione nuk kam pat as kur kam intervistuar Berishën. Por si duket, ishin ethe të vaksinës që kisha bërë një ditë më parë dhe nuk kishin aspak lidhje me misionin tim. Në zyrën e Presidentit nuk trokita fare, sepse ai doli vetë të më priste dhe gjithë mirësjellje e buzëqeshje më krijoi një atmosferë, ku thuajse e ndjeva veten të çliruar tërësisht. Ai më pyeti se ç’punë kisha bërë më përpara dhe kur i thashë se kam qenë në Sazan, u habit jashtë mase. Çudi tha, çudi si juve “sazaniotëve” të gjitha qeveritë ju kanë lënë mbas dore, por ja të betohem se sa të jem president të gjithë atyre ish-ushtarakëve, por dhe banoreve civilë do t’ua shtojmë rrogat dhe pensionet me një status të veçantë, ngaqë keni punuar e banuar në një vend tejet të vështirë, sepse sa kemi pirë ne ujë të ëmbël ju e kini pirë të kripur, e jo që dhe vetë im atë ka qenë oficer.

- Por unë z.President për këtë kam ardhur... se vallë a do të jini ju më president mbas asaj deklarate që patët dhënë një javë para votimeve, se po qe se nuk fitoni në aleancë me PD-në do të jepnit dorëheqjen?

Shiko, unë jam burrë dhe jo burrë do si do, por burrë Skrapari, që nxjerrim flakë e shkëndija si stërralli. Veçse dua të them se e kam thënë vërtet, por e kam thënë mbas zgjedhjeve. Nuk e thashë se të nesërmen do jap dorëheqjen. Por ama e kam deklaruar mbas zgjedhjeve kështu që mbas zgjedhjeve është edhe në vitin 2022 kur më mbaron mandati. Më kupton apo jo?! Pa do thuash t’i se kjo gjë nuk varet në dorën tënde (dmth – timen), ngaqë ata të PS-së do fillojnë procedurat për të më shkarkuar duke ngritur komisione hetimore. Ta them unë që e kanë të kotë. Po pse a nuk të kujtohet kur Berisha ngriti komision hetimor kundër Ramës për “21 janarin”?

Komisioni që thua ti ia bëri rrup sup Salës. U bë tjetri një grusht njeri e u tremb si një lepur kur e thirrën si dëshmitar. Aty shtrohej problemi të dënohej Rama, për të trembur u tremb Berisha. Mos vallë e dënuan Ramën për kryengritje të armatosur? Po kur deshën të më shkarkonin mua a të kujtohet? Vajti puna deri në Venecie dhe ata i thanë Ramës lëre e mo u merr me të se është kokë skraparlliu dhe nuk mbush (ata të Venecias nuk mbushin për vete). Unë e pranoj që jam kokë skraparlliu, por të më thonë nuk mbush këtë e kanë gabim. Kështu që dhe tani po të ngrejnë përsëri komision hetimor përsëri do dështojnë dhe e di përse? Sepse ata nuk i mbushin dot 85 deputetë. E di ti se Rama kastile bën sikur i lutet PD-së duke i shtrirë dorën e bashkëpunimit?! Ai është lojtar i rrezikshëm paçka se ka deklaruar se jam njeri i punës dhe më pak i politikës. Me këtë dorë që shtrin ai kërkon të marrë deputetët tanë dhe të realizojë tërësisht asimilimin e partisë tonë. Por edhe sikur tanët të dezertojnë e të shkojnë me PS-në përsëri nuk më shkarkojnë dot, jo që ska për t’i lënë as Europa dhe as Amerika duke u thënë: Lëreni të qetë sepse kur nuk e shkarkuat dot herën e parë të dytën herë nuk ka bërë gjë, ka mbrojtur Kushtetutën. Ja këtu do jemi po nuk ndenja nga inati deri në fund të mandatit tim. Pastaj pa më thuaj cilin do vënë, ndonjë nga PS-ja?! Kjo gjë nuk do shkonte. Atëherë i takon që presidentin ta caktojnë nga opozita, po dhe ata kë do vendosin, Saliun?

- Më falni z.President po si mund të të dezertojnë deputetët, kur ata janë tuajt dmth të LSI-së?

Mos fol kot, po pse ore ne e shpikëm për herë të parë dezertimin? Iku Xhuveli nga agrarja e PS-se dhe shkoi te Saliu... a të kujtohet? Ashtu bëra dhe unë, u shkëputa nga Tosi sepse ai e bëri PS-në “tos-mollos” pastaj ikën dhe ata të aleancës së Cekës, a të kujtohet? Fundja atyre u takon se dhe siglën ashtu e kanë “aleanca” dmth të bëjnë aleancë me cilët të dëshirojnë, apo e harrove dhe Kaçin e PS-së. Dëgjomë mua ai Ditmir Bushati po të kishte vendosur kandidaturën me PD-në 100% do kishte fituar, por u tregua zotni nuk u mor me pazarllëqe të tilla. Shiko ta themi hapur Saliu, Mediu a ndonjë tjetër na prishën shumë punë të gjithëve. E ka të kotë Jar Nishani që atakon Lulin. Jari është karrierist dhe puçist i madh dhe do të zërë vendin e tij për të qenë në të ardhmen e afërt kryeministër. E di ti që ai ka qenë ushtarak dhe se ushtarakët historia ka treguar se përherë janë të gatshëm për puçe?! E di këtë gjë apo jo? Më të mirë nga Luli, PD-ja nuk gjen ja pra kjo është e gjitha. Do një gjë ti ta dish nga Likja? Vetëm të lutem të ngelet konfidenciale e midis nesh! Sa të jetë Saliu deputet PD-ja do ngelet përherë në opozitë. Po e përdrodhi ndonjë ditë bishtin nga COVID-i edhe mundet, atëherë mundet që PD-ja të fitojë, por ai është dreqi vetë dhe zoti nuk i lëshon rrufetë mbi shejtanin që rri në përrua. Unë jam bektashi dhe e besoj zotin, ama më duket se dhe ai ne shqiptarëve na e ka me hile, prit kur t’i fryje në vesh Ramës e ta propozojë për president sikurse më propozoi mua...

Me kaq intervista ime me presidentin mbaroi e teksa po zbrisja shkallët dëgjova:

Roje o rojeeeee mblidhi more ata kosore, lopata, kazma, sfurqe e hunj e futi në ndonjë magazinë për zgjedhjet e ardhshme!