Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

SHBA - aleatja më e ngushtë e Shqipërisë

Postuar: 19/11/2019 - 07:13

Tani që u shua, ndoshta për një periudhë të caktuar kohe, mundësia e hapjes së negociatave me BE, mbas këmbënguljes kapriçoze të Francës, si dhe duke parë që kjo mundësi ndoshta do të pengohet vazhdimisht edhe në të ardhmen nga disa vende europiane, të cilat kanë një aleancë të vazhdueshme me Rusinë dhe Serbinë, patjetër kërkohet nevoja e një rishikimi dhe vlerësimi të aleancave strategjike për Shqipërinë. Është e nevojshme të bëhet një dallim me ato vende të cilat kanë qenë aleate dhe përkrahëse të vazhdueshme të Shqipërisë në rrugën e saj qysh nga krijimi i saj si shtet i pavarur. Krijimi i aleancave të Shqipërisë me Rusinë sipas propozimit rus të përfshirjes së Shqipërisë në aleancën euroaziatike, mendoj që është i dëmshëm për shtetin shqiptar dhe për të ardhmen e saj demokratike, sepse Rusia ka treguar që është faktori kryesor në Konferencën e Londrës për ndarjen dhe copëzimin e territoreve shqiptare dhe dhënien e tyre shteteve grabitqare, aleate të saj. Mund të themi që Rusia nuk mund të jetë një aleat i Shqipërisë. Edhe aleanca me Kinën, e cila ka qenë një aleate e ngushtë e Hoxhës, është një variant në dëm të Shqipërisë, sepse ajo është aleatë e ngushtë e Rusisë dhe e Serbisë dhe është në dëm të interesave të vendit tonë aleanca me të, si rrjedhim ajo nuk mund të jetë aleate e shtetit shqiptar. Turqia mendoj se kërkon të bëhet një superfuqi apo perandori e re në Ballkan dhe Europë, si në kohën e osmanëve në Europë. Mendoj që ne kemi histori të hidhur me ta, sepse ata kanë qenë pushtues të territoreve shqiptare dhe dhurues të tokave shqiptare vendeve fqinje për interesat e tyre të mbijetesës në kohën e rënies së perandorisë së saj. Por mendoj se nga ana strategjike, sot politika e saj ka ndryshuar dhe sot ajo na paraqitet si një aleate e Shqipërisë në rajon dhe një mbrojtëse e Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo është shprehur hapur dhe është ndër vendet e para në njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratik. Ajo shpeshherë ka mbajtur anën e Shqipërisë në marrëdhëniet tona të acaruara me Greqinë dhe Serbinë. Mendoj që Turqia mund të jetë një aleat i rëndësishëm në vazhdim i Shqipërisë. Mendoj që Europa duhet të jetë aleati më i mirë dhe më i leverdishëm i Shqipërisë në rrugën demokratike të saj, por ngjarjet e fundit kanë treguar që ajo është e përçarë dhe mendoj disa vende anëtare të saj janë nën një ndikim të fuqishëm rus. Ajo sot nuk është në gjendje të marrë vendime të rëndësishme në lidhje me shumë problem të ekzistencës së saj. Ajo shpesh herë tregon që ka kontradikta të theksuara brenda gjirit të saj. Disa nga vendet anëtare të saj janë në krizë të thellë korrupsioni. Rumania dhe Çekia kanë një shpërdorim të madh dhe të pambuluar fondesh dhe janë përfshirë në korrupsion të thellë. Dy vende si Hungaria dhe Polonia kanë konflikte të forta me Brukselin dhe nuk bien dakord me të për shumë gjëra. Edhe Spanja nuk po gjen stabilitet politik dhe qetësi në vend me Katalonjën, e cila gjithnjë kërkon shkëputje dhe pavarësi nga Spanja. Edhe Italia nuk po gjen akoma stabilitet politik. Edhe Franca me Gjermaninë janë në një rivalitet hegjemonist me njëra-tjetrën, ku Franca shpesh herë kërkon të dominojë veprime politike dhe ekonomike, të cilat nuk përputhen me interesat gjermane. Opozita populiste e disa vende anëtare të saj ka deklaruar se kur të vinë në pushtet do të largohen nga BE. Rreziku i shpërbërjes së BE është evident. Mendoj që Europa është një aleat i lëkundur i Shqipërisë dhe jo një aleat qëndrueshëm i saj. Mendoj që Anglia mund të jetë një aleate e qëndrueshme e Shqipërisë drejt rrugës së saj demokratike. Sot politika e saj nuk është më ajo e shekullit të kaluar, që ndikoi negativisht në copëtimin e territoreve shqiptare. Ajo sot është deklaruar se do të jetë një aleate e ngushtë e Shqipërisë. Këtë gjë e kanë shprehur ish-kryeministri i saj Tony Blair, i cili do të deklaronte: “Në vitin 1999 mora vendimin si kryeministër i Britanisë për t’u bashkuar me forcat e tjera të NATO-s për të ndërhyrë në konfliktin në Kosovë, për të parandaluar humbje jetësh të njerëzve, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Europës…..” dhe ambasadori britanik në Tiranë z Duncan Norman, në përvjetorin e 93 të mbretëreshës Elisabeth në Tiranë do të deklaronte se: “Lidhjet tona do të vazhdojnë të rriten ditë pas dite dhe marrëdhënia jonë do të bëhet gjithnjë dhe më e fortë”. Britania e Madhe ka njohur shtetin demokratik të Kosovës dhe lobon fuqishëm për njohjen e saj në arenën ndërkombëtare. Mendoj që Britania e Madhe është një aleat i qëndrueshëm dhe i rëndësishëm i Shqipërisë në rrugëtimin e saj demokratik. Aleatja më e ngushtë dhe më e madhe e Shqipërisë në rrugën demokratike sot nuk është Europa, por SHBA. Ky vend i madh demokratik historikisht ka qenë një aleat i ngushtë i Shqipërisë. SHBA me anë të presidentit të saj ka penguar copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë nga vendet europiane. Më 4 korrik 1917 presidenti Amerikan Woodrow Wilson do ti deklaronte priftit Noli se në Konferencën e Paqes: “Unë do të kem një zë dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë”. Më 1919 si kryetar i delegacionit amerikan në “Konferencën e Paqes” ai do të pengonte copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë nga fuqitë e mëdha të kohës. Sot presidenti Klinton është shprehur se: “Amerika është një aleate e ngushtë e Shqipërisë dhe e Kosovës. Ajo përkrahu luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”. Me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës ish-presidenti amerikan Klinton, në një fjalim në Kosovë deklaroi se: “Jam krenar, e dua këtë vend. Atë që bëra para 20 vjetësh do ta bëja përsëri” dhe përsëri ai vazhdon “Pas 10 vjetësh nëse do të jemi gjallë duhet të jemi një memorie për të gjithë”. SHBA ka meritën e krijimit të shtetit të Kosovës. Ajo lobon fort për njohjen e shtetit të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Nga Stiljan DEDJA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Ka debat dhe diskutime sot mbi atë që quhet nga KM si ligji mbi "anti shpifjen".

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Mbrojtja me çdo çmim e të vetëve, militantëve, të zgjedhurve, funksionarëve, ish-administratorëve

Postuar: 13/12/2019 - 07:09

Siç dihet poetit racist, austriakut Handke iu dha çmimi Nobel në letërsi për meritën e “për

Postuar: 12/12/2019 - 07:07

Sigurisht që koha e sotme ka nxjerrë në pah dhe iniciatorë dhe emra të rinj "fantastikë të p

Postuar: 12/12/2019 - 07:06

Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim t

Postuar: 12/12/2019 - 07:05

Përmbysja e sistemit komunist në 1990-ën ishte vepër e shumicës së shqiptarëve, në radhë të parë

Postuar: 12/12/2019 - 07:04

Mbas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që pllakosi dhe tronditi zemrat e shqiptarëve të kudon