BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Shembja e ndërtimeve pa leje në verë, atentat kundër biznesit turistik!

Shembja e ndërtimeve pa leje në verë, atentat kundër

Prej vitesh organet kompetente që merren me administrimin dhe rregullimin, kontrollin e planifikimin e territorit në Shqipëri, duke filluar nga organet qëndrore e ato lokale, IKMT kombëtare apo bijat e saj nëpër bashki, e kanë kthyer në ligj, gati traditë të së keqes që shembjet e objekteve në zonat me përparësi turistike, duke nisur nga Velipoja deri në Ksamil, t`i bëjnë gjatë muajve të verës, pikërisht sapo çel siparin sezoni turistik. Nga njëra anë, ministria e linjës, ministri Blendi Klosi, ekipi i tij bëjnë takime qytet më qytet, konsultohen me agjencitë turistike, administratorët e pronarët e hoteleve që i shërbejnë pritjes dhe akomodimit të turistëve, vendas dhe të huaj paralel me këto kontakte, si kundërvënie e qëllimshme, nisin shembjet e objekteve të ndërtuara pa leje në zonat turistike në shkelje të ligjit.

IKMT dhe organet e specializuara, organizmat nëpër bashki që janë syri dhe veshi i pushtetit për të mbrojtur territorin nga gllabërimi dhe përvetësimi i trojeve deri në vijë të rërës, gjatë gjithë vitit qëndrojnë në pritje sa të nxehen ditët dhe qytetarët të zbresin në det për pushime, menjëherë nisen drejtë qyteteve, zonave turistike, fadromat dhe çekiçët me urdhërin e prerë të shkatërrojnë gjithçka. Që nga ky moment, bashkë me makinat e luksit, mikrobusët, autoveturat e familjarëve që vijnë nga larg për t`u relaksuar, udhëtojnë në të njëjtat rrugë dhe gjenden në të njëjtat parkime, ku përqendrohen edhe flotiljet e rënda që qëndrojnë kërcënueshëm, jo vetëm ndaj atyre që ndërtojnë pa asnjë plan, miratim, projekt, vetëm se u shkrepet për të zaptuar një copë vend, për të fituar para, duke shkelur çdo kondicion mjedisor, urbanistikë dhe estetik. Në jo pak gjire të virgjëra, buzë detit, thuajse mbi valë, në pjesën fundore të rërës, hedhin themelet dhe ngrejnë katet, herë prej druri e llamarine, në jo pak raste edhe me tulla e beton. Kjo është fiks garë, si udhëtim në skëterrë, që më të zotët, të fortët, krediblit, të paprekshmit, ata që nuk njohin shtet e ligj, siç ka bërë ndër vite, pushtojnë plazhe dhe ngrejnë mure, të cilat, jo vetëm që shkatërrojnë peisazhin dhe mbytin plazhet, shqetësojnë pushuesit, po edhe cënojnë rëndë territorin, sikur ta kishin mall të trashëguar nga gjyshërit.

Në realitet, fenomeni i pushtimit të bregdetit dhe gllabërimi i plazheve që nuk kanë çmim dhe u takojnë gjithë qytetarëve është një histori që ka moshën tridhjetëvjeçare. Shpesh shndërrohen këto peizazhe piktoreske nga më pikantet që lotojnë dhimbje, në ameba të shformësuara, ku zgjaten bishtat dhe ngrihen antenat, vendosen reklamat plot shkëlqim të cilat ftojnë pushuesit të pajtojnë një metër katror rërë, të marrin shezlongë, çadrat dhe të detyrohen që të pinë ujë nga lokali i tokës së xanun, të hanë sufllaqe apo mish pule, të përcëlluar mbi qymyr apo pjekur mbi soba me energji të lidhura shumë herë drejt e nga shtyllat e elektrikut. Askush nuk amniston rrëmbyesit e territoreve dhe zaptimin e trojeve që janë pronë e të gjithëve dhe nuk janë fryt i punës së asnjë brezi, po dhuratë nga natyra, e cila është treguar bujare me ne në këtë cep të globit që lagemi në tërë gjatësinë perëndimore nga dy dete që i kanë zili gjithë bota. Nëse rrëmbyesit e trojeve, ndërtuesit e jashtëligjshëm, bëjnë një vepër të dënueshme, duke zaptuar rërën, po kaq jo serioze janë edhe organizmat e shtetit shqiptar, të cilat sikur presin qëllimisht të vijë sezoni, të nisin pushimet dhe të drejtojnë artilerinë e rëndë drejtë bregdetit për t`u vënë ruspën ndërtimeve të jashtëligjshme. Këto institucione, kanë në zotërim tërë kohën e nevojshme. Duke nisur nga muaji janar e në vijim, nga tetori deri në dhjetor. Jo, deklarohet nga institucionet përgjegjëse, se edhe këto zaptime bëhen në verë dhe ç’të shembim kur nuk ekzistojnë? Po hedhje e themeleve e çative nuk ndodh brenda një nate. Nuk janë të sinkronizuar në tërë vendin dhe të justifikohen se nuk u verifikuan në kohë. Se janë ndërtime të kryera fshehtas, janë bërë në nxitim e sipër, se nuk e njihnim situatën. Këto janë justifikime të papranueshme. Në një shtet serioz nuk mund të tolerohen. Vërtet, ata që rrëmbejnë troje dhe ndërtojnë pa kriter, fshehtas i bëjnë këto punë. Po nuk i fusin ndërtimet në thes as nën tokë. Ato çibanë, ngrihen atje, para syve të të gjithëve. Një ditë dërgohen materialet. Nga makinat e transportit shkarkohen nxitimthi vetratat e aluminit, çimento, tulla, dërrasa e një duzinë materialesh, pa të cilat nuk ngrihen ndërtesat, qofshin edhe mikroskopike. Atëherë a nuk bëhen këto ndërtime në syrin dhe para hundës së një turme inspektorësh, administratorësh, bashkiakësh, policive bashkiake, urbanistëve, kryetarëve të bashkive, duke u ngritur deri në kabinetet e prefektëve dhe nëpunësve të paguar nga taksat tona? Nëse secila nga këto hallka do vepronte në sinkron dhe do bënin detyrën nuk do mbyllnin sytë e veshët, nuk do kthenin kokën mënjanë e t’u shkelnin syrin të paligjshmëve për të bërë sikur nuk shohin asgjë a do konstatoheshin në kohë reale?

Kjo neglizhencë, çon më pas në shtyrjen e vendimeve dhe nisjen e aksioneve të shembjeve kur ka nisur sezoni turistik. Duket sikur organet e shtetit, mezi presin të nisin aksionin, shembjet në tërë gjatësinë e vijës bregdetare apo brigjet liqenore në të cilat hidhen themelet e paligjshmërisë ekstreme sa nis sezoni. E njëjta papërgjegjshmëri dhe si ndërtimet pa leje në kundërshtim me ligjin dhe planifikimin e territorit dhe kontrollin rigoroz të tij, veprojnë edhe organizmat që organizohen me ligj dhe mbështeten në Kushtetutë. Këto institucione nuk janë ndërtime pa leje. Janë institucione që ngarkohen pikërisht për të bërë detyrën. Është neglizhencë dhe nonsens që shembjet nuk bëhen në kohë. Nuk ka pse të pritet të bëhen dhjetë apo njëzetë ndërtime pa leje, të zaptohet tërë gjatësia vijës bregdetare e pastaj të kujtohemi se duhen shembur. Shty dhe shty e shkohet në qershor apo korrik deri dhe në gusht, pikërisht atëherë kur nisin nga puna hotelet e licencuara dhe aktivitetet e miratuara që paguajnë taksa dhe janë të regjistruara shembje e ngrehinave pa leje. Nga këto organe veprohet, gati si me ndërtimet pa leje e të paligjshme. Kështu të ligjshmit shndërrohen në shtojca të paligjshmërisë. Sikur pritet urdhër nga lart që të veprojnë. Ka tri dekada që vija bregdetare është zaptuar nga ata që konsiderohen influentë. Të fuqishmit, të paprekshmit, garipat, trimat, gangsterët që bëjnë si dinë vet. Fatkeqësisht në këtë mënyrë është ngritur në sistem paligjshmëria. Goditjet në sezon, bëjnë natyrisht zhurmën më të madhe.

Qytetarët pyesin dhe akuzojnë: Përse shtyhet deri në këtë kufi kohor ndërhyrja, kujt i shërben shkatërrimi në sezon? Mos vallë më shumë nxiten nga ndërhyrjet e të ligjshmëve, të cilët nuk i durojnë dot nëpër këmbë të paligjshmit, se u thithin fitimet si këpushat? Apo veprohet me logjikën: Hiqni ata se na morën frymën?! Çdo shembje shoqërohet me zhurmë të jashtëzakonshme. Sherre të cilat në jo pak raste shkojnë deri në përplasje me policinë. Shoqërime e arrestime. Shteti ka të drejtën e ligjshme të veprojë dhe organet e rendit të ruajnë qetësinë e shmangin konfliktet. Po opinion i gjerë, shqetësohet pasi gjykon se këto shembje duhet të kryhen me kohë. Urdhërat e Ministrisë së Brendshme për kryebashkiakët për të mbështetur shembjet, natyrisht do gjejnë kundërshti, ashtu siç ndodhi edhe me kryebashkiakun e Lezhës, Ndreu. Cilido të ishte në vend të tij, do gjendej krah qytetarëve edhe nëse janë të paligjshëm, jo për të mbrojtur paligjshmërinë, po për të vendosur rendin dhe kohën kur duhet bërë shembja e paligjshmërisë. Natyrisht opozitarët do e ngrejnë në kauzë, do vihet në krah të tyre. Ndonjë kryebashkiak, Voltana Ademi do lotojë. Një paligjshmëri nuk zgjidhet me një më ekstreme edhe pse janë në diferencë pasi të parët janë individët dhe i dyti është shteti. Është koha për reflektim, ndërgjegjësim, funksionim të hallkave dhe organizmave shtetërore për të zbatuar ligjshmërinë në kohën e duhur. Ndryshe shembjet në sezonin turistik aq më shumë në një kohë pandemie, kur aktiviteti turistikë është në reanimacion, do bëhet vetëm zhurmë, sherre, kundërshti, përplasje fizike, do shpërthejnë pakënaqësitë tek qytetarët, do marri zjarr propaganda politike. Edhe pse janë në paligjshmëri në opinionin shoqëror fitojnë paprekshmërinë zaptuesit, pikërisht për veprimet e organizmave dhe institucioneve të shtetit, të cilat duhet të ndërhyjnë me ligj në kohë, po edhe me logjikë! Ndryshe vjen vera, fadromat do bëjnë trajektoren, eja, godit, ik dhe paligjshmëria do bëhet rit!