BREAKING NEWS

Rama flet për prestigjozen “Le Monde”: Shembja e Teatrit Kombëtar prodhoi një gënjeshtër të madhe

Rama flet për prestigjozen “Le Monde”: Shembja e Teatrit
x

Opinion / Editorial

Shembja e Teatrit Kombëtar në vëmendjen e qytetarëve

Shembja e Teatrit Kombëtar në vëmendjen e qytetarëve

Tymi i hirtë që doli nga Teatri Kombëtar, në orët e para të mëngjesit, të datës 17 maj 2020, kur fadromat e prishën atë, la mbresa të thella në kujtesën e qytetarëve. Preku thellë zemrat e artistëve, të shoqërisë civile, të intelektualëve apo njerëzve të thjeshtë. Shembja ishte e papritur! Erdhi si një rrufe në qiellin e kthjellët! Kur njerëzit ishin të izoluar nga koronavirusi, Teatri Kombëtar rrënohet nga themelet. Dhëmbët e çelikta të fadromave u ngulën në trupin e tij, si egërsira të uritura. Çudi! A thua se aty ishte kyçur “Bajlozi i zi” i detit koronavirusi famëkeq! Apo ndoshta në këto ditë pandemie duhej provuar sa njerëz apo qytetarë shkelin ligjin, duke u përleshur me policinë?! Arsyet e vërteta nuk dihen, por një gjë është e saktë. Veprimi është krejtësisht naiv dhe tepër i nxituar. Duhej përdorur gjuha e komunikimit, e tolerancës dhe e mirëkuptimit. Kjo s’u përdor. E kjo solli reagimin qytetar. Të nesërmen me hapjen e bareve dhe kafeneve filloi dhe diskutimi për shembjen e Teatrit Kombëtar. Flitej për të, në rrugë, në lokale, por sidomos në kafene, ku njerëzit qëndrojnë jashtë nëpër tavolina, duke zbatuar rregullat kundër COVID-19. U ula edhe unë në një tavolinë bosh dhe po dëgjoja me vëmendje diskutimin e qytetarëve. -Është një turp i madh!- thoshte një qytetar. -Në mes të daulleve një gërnetë!- e vazhdonte një tjetër. -U varros kultura, arti!- dëgjoheshin zëra nga fundi. -Ajo që u bë nuk ç’bëhet më!- e ndërpret dikush. -Jo, s’është e vërtetë! Ndoshta nuk ç’bëhet, por riparohet!-ngre zërin një djalosh i ri, që duket tepër i nxehur e flet me zë të lartë sikur është në një mbledhje.

Unë e dëgjoj me kujdes. Në këtë moment sytë më kapën Islamin, një shokun tim mësues, sëbashku me bashkëshorten e tij infermiere Venetiken ose Tinën siç e thërrasin shkurt. Vërtet një çift i lumtur! Islami edukon, Tina shëron. Islami u jep dije, Venetikja u jep shpresë dhe optimizëm. Mësues Islami u tregon nëpërmjet fjalës të fshehtat e gjithësisë, ndërsa Tina i këshillon ta përballojnë jetën me guxim e ta sfidojnë atë. Islami zbulon tek nxënësit mendimin e fshehtë misterioz dhe të pashpallur për yjet, Hënën, Tokën, për legjendat dhe gojëdhënat e Bulçarit, Ermenjit apo Tomorricës në rrethin e Gramshit, ndërsa Venetikja-Tina zbulon sëmundjen që kanë kaluar në fëmijëri. Islami me zërin e tij të ëmbël u zgjon ëndrra, dëshira, ndërsa Venetikja me dorën e saj të ngrohtë, u jep kurajo, për t’i realizuar këto ëndrra dhe dëshira. Ajo punon pa u lodhur, për t’i shërbyer njeriut me vizionin dhe modelin e saj, nxit te kolegët sjelljen e kulturuar, sinqeritetin, çiltërsinë dhe dashamirësinë për pacientin. Tina e ka zemrën flori, është e zgjuar dhe e shkathët. “Të jep ujë në bisht të lugës”, siç thotë populli. Vërtet bukur! Islami Ajnjshtajn! Tina Hipokrate! Vërtet magjepse! Dy njerëz që kanë lënë gjurmë të thella! Nuk janë gjurmë në rërë, që papritur i fshin dallga, apo në letër që qëndrojnë pak çaste dhe i përlan tymi dhe pluhuri që shkaktuan fadromat gjatë prishjes së Teatrit Kombëtar. Ato janë gjurmë që nuk fshihen kurrë. Gjurmët janë skalitur me gërma të arta. Ato janë ngulitur thellë në kujtesën e njerëzve. I ftoj në tavolinë për të pirë kafe. Nuk refuzojnë. Kamarieri merr porosinë. Ne përshëndetemi me kokë, duke respektuar rregullat kundër COVID-19. Biseda për shembjen e teatrit vazhdon. Në çdo tendë të ngritur pranë tavolinave, sipas rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë, dëgjohet zëri apo opinion i qytetarëve me profesione dhe bindje të ndryshme politike. Secili jep gjykimin dhe mendimin e tij të pavarur. Disa intelektualë ngrihen edhe në këmbë dhe komentojnë rreth këtij diskutimi të lirë në këto ditë maji. Në det nuk shkojnë dot për t’u larë, se nuk kanë filluar me ligj pushimet në plazhe. E, ata e kanë gjetur vendin për të diskutuar. Mbasi e pimë kafen e pyeta Islamin:

-Ç’mendim ke për teatrin?!

-E ke fjalën për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar?!

-Po, po për të e kam. Edhe këtu në bar kafe po bëhen shumë diskutime për të.

-Ç’të them! Më vjen keq! Brenda pak minutave rrafshohet gjithçka! Në mes të asaj reje tymi të mjegullt më dalin para syve aktorët e mëdhenj: Kadri Roshi, Lazër Filipi, Mirush Kabashi, Marie Logoreci, Mehdi Malkaj, Ndrek Luca, Margarita Xhepa, Minella Borova, Pandi Raidhi, Pjetër Gjoka, Naim Frashëri, Reshat Arbana, Roland Trebicka, Edi Luarasi, Tinka Kurti, Violeta Manushi, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, e dhjetra e qindra aktorë të tjerë të mëdhenj të Teatrit Kombëtar… Më duket sikur thonë me një zë: “Të gjithë bashkë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore”. Por.. ç’të bëjmë?!

-Si ç’të bëjmë?!- ndërhyj unë.

-Populli thotë: “Gota që thyhet nuk ngjitet më”- vazhdoi Islami

-Vërtet nuk ngjitet më. Por një gotë si ajo që u thye, mund të blihet e më pas të ruhet.

- Ç’do të thuash me këtë?!

-Dua të them se vërtet Teatri Kombëtar u shemb, por themelet ekzistojnë. Mbi të le të ngrihet një i ri. Shqipëria ka inxhinierë të zotë, projektues të mrekullueshëm. Të projektohet ashtu siç ka qënë.

-Fol më shkoqur!- më ndërpret Islami.

-Të ruhet konfiguracioni, arkitektura, ngjyra, materiali. P.sh. nëqoftëse ka qenë me tallash le të ndërtohet me tullë, nëqoftëse dritaret kanë qenë në formë harku, në formë harku të bëhen. Në qoftë se tavani ka qenë me lëndë druri ashtu të bëhet përsëri. Ka plot nga të gjitha: ah, dushk, pishë, bredh, arrë, panjë, bush, shkozë, thanë etj., etj. Nëqoftëse skena ka qënë 800 vende, aq të bëhet. Të ruhet forma, lloji i karrigeve dhe ngjyra e tyre. Në qoftë se diku ka pasur një pishinë dhe tani është prishur, të ndërtohet prapë. Shqipëria ka ujë me bollëk. Madje Dajti është shumë afër. Në qoftë se dikur ka pasur një vend shlodhës, apo park, të ndërtohet prapë me ato lloje stolash dhe pemësh që ka patur vetë teatri. Po qe se diku janë mbjellë ullinj, e tani janë dëmtuar, të mbillen prapë. E, kështu të veprohet për çdo gjë tjetër. Tani, a më kuptove?- i them Islamit..

-Unë të kuptova, por gjykoj se ashtu duhet të jetë teatri i ri. Të paktën kështu mendoj unë.

-Të lumtë goja! Nëqoftëse kjo do të realizohet, do të qetësohen të gjithë. Madje do të ulen edhe gjakrat e forcave politike, të cilat kanë mprehur shpatat dhe po i tregojnë forcën njëra-tjetrës. Mbase ky zë do të dëgjohet e inxhinierët do të projektojnë një Teatër Kombëtar të ri që do të ruajë vlerat e trashëgimisë kulturore.

U ndamë nga njëri- tjetri me mendimin se zëri i qytetarëve do të mbërrijë atje ku duhet, në instancat vendimmarrëse.