Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Bomba’ e radhës nga Spartak Ngjela: Ju tregoj lëvizjen që do ndodhë së shpejti në nivele të larta të politikës, ja çfarë më tha Rama

‘Bomba’ e radhës nga Spartak Ngjela: Ju tregoj lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Shëndeti mendor dhe vetëvrasjet

Shëndeti mendor dhe vetëvrasjet

Pothuaj përditë dëgjojmë për vetëvrasjet. Sidomos pas pandemisë së Koronavirus-it kurba është rritur ndjeshëm. Arsyet që i shtyjnë këta persona të vetëflijohen janë të ndryshme edhe sipas moshës, apo rrethanave familjare që kanë. Mbi 40 vjeç, çka nënkupton me gjasë të qenit familjar, bazën kryesore e kanë shkaqet ekonomike, humbjen e vendit të punës, pamundësinë për të përballuar kostot e jetesës. Të qenit i padobishëm dhe barrë për mbarëvajtjen e jetës gjen zgjidhjen më fatale. Personi shpëton Un-in e tij, i shmanget sfidës si prind duke ja lënë në derë partner/es/it, ose në rastin më flagrant institucioneve, shoqërisë. Kam përshtypjen se personat në fjalë e planifikojnë për një kohë të gjatë aktin dhe shfaqin një qetësi apostolike gjatë finalizimit. Ata ndihen viktima të forcave madhore, pa asnjë rrugëdalje. Madje përpiqen të jenë sa më spektakolarë në mënyrën e ekzekutimit, për të dëshmuar se nuk janë frikacakë dhe për të mbetur sa më gjatë në memorien kolektive. Por kur vjen puna tek moshat e reja (20-30 vjeç) përpos humbjes së perspektivës (dritës në fund të tunelit), mbetjes jashtë tregut të punës, një faktor jo më me pak peshë është ai që cilësohet si “krim pasioni”. Dashuri të pakurorëzuara, të mbetura në tentativë për një sërë motivesh e gjasash. Këta ndihen gjithmonë e më pak të socializuar, kanë humbur busullën orientuese dhe i pushton monotonia. Vegjetojnë për një kohë të gjatë, kanë ulje dhe ngritje të humorit, pëlqejnë vetminë dhe në terma mjekësorë cilësohen si “bipolarë”. Ata kanë tendencë të shohin gjysmën bosh të gotës dhe ndërtojnë një realitet virtual ku ndihen më të mbrojtur për një farë kohe. Shumë syresh marrin antidepresivë ose kthehen në konsumatorë të rregullt lëndësh narkotike. Një rol negativ në vendimmarrjen e tyre të fatalitetit luan edhe media. Nevoja e saj për audiencë, për të nxjerrë përfitime edhe në kohë pandemie. Jo vetëm propagandimi i shifrave të kronikës së zezë, por edhe i teorive të konspiracionit. Kjo përforcon bindjen se bota është e keqe, nën dominimin e forcave të errëta dhe të përpiqesh ta ndryshosh është si të luftosh me “mullinjtë e erës”. Gjithçka kanë mësuar në familje dhe shkollë, bazat e moralit dhe të ligjit ku secili do shpërblehet sipas aftësive dhe meritave shkërmoqen vetiu dhe dominohen nga kriza e thellë e personalitetit. Komercializmi, monopolet që prishin rregullat e tregut të lirë, pushtojnë hapësirat ekzistenciale dhe kthejnë modelet e vjetra centralizuese në ekonomi; zvogëlimi i nevojës për fuqi punëtore edhe për shkak të teknologjisë kanë krijuar këtë ngërç, këtë situatë kaotike pa asnjë lloj kohezioni dhe solidariteti. Njerëzit në përgjithësi, pa dallim moshe, po përpiqen të njohin dhe të përshtaten me realitetin e ri, të çlirohen nga tabutë, dogmat, konceptet e së kaluarës dhe të jenë më racionalistë. Disa syresh e përjetojnë si një lloj shoku, makthi social pa pikë graviteti, dhe nuk guxojnë t’ia dalin.